E vërteta e Klubit “Labëria” në  Vlorë

0
Zholi-Jehona-Shqiptare8

Nga Albert Z. ZHOLI

Një grup i Kryesisë së Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria – Nderi i Kombit” zhvilloi një takim me z. Martin Mata, drejtues i Albanian-American Development Foundation (AADF), lidhur me të ardhmen e godinës historike të Klubit “Labëria” në Vlorë. Në përbërje të grupit të Kryesisë ishin kryetari i Shoqatës, z. Agim Çiraku, ish-kryetari Prof. Ago Nezha, si dhe z. Albert Zholi, z. Ahmet Demaj dhe z. Namik Jahaj. Gjatë takimit, z. Agim Çiraku i paraqiti z. Martin Mata shqetësimin e Shoqatës lidhur me fatin e godinës së Klubit

“Labëria”. Ai theksoi se prej muajsh në Vlorë dhe në media qarkullojnë zëra se godina do të shembet dhe në vend të saj do të ndërtohet Muzeu Hebraik. Për këtë çështje, edhe shoqëria civile në Vlorë ka zhvilluar protesta. “Ka mbi pesë muaj që shtypi zien për këtë problem dhe opinioni publik nuk është i mirëinformuar”, u shpreh Çiraku, duke kërkuar një sqarim të qartë dhe përfundimtar. Ai përmendi gjithashtu takimin e Shoqatës me kryetaren e Bashkisë Vlorë, e cila kishte deklaruar se godina e Klubit “Labëria” nuk do të prishet, por do të rikonstruktohet.

Martin Mata: “Godina nuk do të prishet”

Pas shqetësimeve të paraqitura, z. Martin Mata dha një përgjigje të prerë për të ardhmen e godinës. “E para, godina nuk do të prishet, pra nuk do të shembet. Dhe e dyta, më kryesorja, godina me investimin tonë do të bëhet dhjetë herë më e bukur. Për këtë Fondacioni ynë ka lëvruar një fond prej 200 mijë dollarësh për rikonstruksionin”, u shpreh Mata. Ai nënvizoi se këtë deklarim e bën me përgjegjësi përpara opinionit publik dhe si qytetar e atdhetar shqiptar, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së ndërtesave me vlera historike. “Jo vetëm që kjo ndërtesë historike nuk do të shembet, por as nuk do të ndryshojë destinacion. Ajo do të bëhet shumë, shumë herë më e bukur”, deklaroi ai. Sipas tij, ruajtja e Klubit “Labëria” është pjesë e përgjegjësisë për të mbrojtur trashëgiminë historike dhe vlerat e rëndësishme të qytetit të Vlorës. Klubi “Labëria” dhe Muzeu Hebraik do të jenë dy objekte të veçanta Një tjetër çështje e rëndësishme e ngritur gjatë takimit ishte marrëdhënia mes godinës së Klubit “Labëria” dhe projektit të Muzeut Hebraik. Mata sqaroi se AADF ka marrë përsipër rikonstruksionin e të dy godinave dhe se secila prej tyre ka fondin e vet. Ai theksoi se të dy objektet do të plotësojnë njëri-tjetrin, duke ruajtur dhe përcjellë aspekte të ndryshme të historisë. Në lidhje me Muzeun Hebraik, Mata vlerësoi rolin që ai do të ketë në dokumentimin e një prej vlerave të njohura të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore: besës, mikpritjes dhe mbrojtjes së hebrenjve.

“Shqiptarët në përgjithësi, por vlonjatët në veçanti, treguan një mikpritje të jashtëzakonshme, duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre për t’i mbrojtur hebrenjtë nga gjermanët. Kjo vlerë e rrallë do të vendoset në vendin që i takon në këtë muze”, u shpreh ai.

Shqetësimet për hapësirën dhe dëmtimet gjatë punimeve

Gjatë takimit u ngritën edhe çështje konkrete që lidhen me projektin. Z. Ahmet Demaj ngriti problemin e murit ndarës, i cili aktualisht lë një hapësirë të kufizuar në anën e Klubit “Labëria”. Z. Mata sqaroi se kjo është një çështje teknike, e cila do të trajtohet gjatë procesit të projektimit dhe zbatimit të punimeve. Ndërsa z. Namik Jahaj ngriti shqetësimin për dëmtimin e një pjese të godinës gjatë punimeve të Muzeut Hebraik. Edhe për këtë çështje, Mata garantoi se problematika do të eliminohet gjatë rikonstruksionit.

Ago Nezha: “Opinioni është keqinformuar”

Prof. Ago Nezha theksoi se në opinionin publik të Vlorës ka pasur një keqinformim të madh lidhur me fatin e Klubit “Labëria”. “Në Vlorë thuhet se nuk do të ketë më Klub “Labëria”, por vetëm Muze Hebraik”, u shpreh ai, duke kërkuar që e vërteta të bëhet publike dhe të marrë fund pasiguria që ka shoqëruar këtë çështje prej muajsh. Në përgjigje, z. Martin Mata përsëriti se AADF ka marrë përsipër rikonstruksionin e të dy godinave dhe se ato do të kenë fondet e tyre përkatëse. Sipas tij, njëra godinë do të përcjellë historinë dhe traditën e saj, ndërsa tjetra do të dëshmojë vlerat e mikpritjes shqiptare dhe shembullin e rrallë të vlonjatëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një investim për historinë dhe të ardhmen e Vlorës

Në përfundim të takimit, z. Martin Mata theksoi se rikonstruksioni i këtyre godinave do t’i shtojë vlerë qytetit të Vlorës dhe do të ndikojë edhe në rritjen e interesit turistik. Ai i cilësoi investimet si një mundësi për të ruajtur historinë dhe vlerat shpirtërore të shqiptarëve, veçanërisht të vlonjatëve, duke vënë në pah kontributin dhe sakrificat e tyre për mbrojtjen e hebrenjve në një nga periudhat më të vështira të historisë botërore.

Përfundimi është i qartë: Klubi “Labëria” nuk do të prishet. Nuk do të shembet dhe nuk do të ndryshojë destinacion. Ai do të rikonstruktohet me një investim prej 200 mijë dollarësh dhe, sipas deklarimit të z. Martin Mata, do të bëhet “dhjetë herë më I bukur”. Ky është sqarimi i dhënë nga AADF për Shoqatën Atdhetare-Kulturore “Labëria – Nderi i Kombit” dhe për opinionin publik të Vlorës.

Protestat duhet të nisen nga faktet

Për të gjithë ata që protestuan, për të gjithë ata që ngritën zërin dhe për të gjithë ata që hodhën akuza ndaj Shoqatës “Labëria – Nderi i Kombit”, duke thënë se ajo nuk interesohet për fatin e Klubit “Labëria”, sot duhet të jetë e qartë një gjë: faktet duhen njohur përpara se të gjykohet apo të akuzohet. Shoqata “Labëria – Nderi i Kombit” nuk ka qëndruar indiferente.

Përkundrazi, përfaqësuesit e saj kërkuan takim me drejtuesit e AADF-së pikërisht për të marrë një përgjigje të drejtpërdrejtë për fatin e godinës historike dhe për tia përcjellë atë opinionit publik. Një tjetër element që duhet sqaruar është burimi i investimit. Muzeu Hebraik Shqiptar është projekt i mbështetur financiarisht nga Albanian-American Development Foundation (AADF). Vetë AADF e paraqet projektin si pjesë të programit të saj për kulturën dhe trashëgiminë dhe thotë se ai synon të dokumentojë historinë e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe hebrenjve dhe të kontribuojë në rijetësimin e qendrës historike të Vlorës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok