22/12/2024

E PUTHA GURIN E VARRIT TIM DHE QESHA ME HIDHËRIM…!

0
u1_Sejdi-Berisha

Fragment nga proza “PARADOKSI” I LUFTËTARIT…!

Sejdi BERISHA:

(Biri im, pashë gjirin që ta kam dhënë, kurrë mos u nis kokulur dhe as mos u kthe me shikim të rrëzuar!…)

Ndoshta, sot nuk duket se ka rëndësi dhe as nuk është interesante, por, megjithatë, kjo ngjarje bizare por e rrallë, apo e para e këtij lloji, e cila edhe tronditë, bezdisë edhe trishton, por, edhe për shumëçka sikur shndërrohet në ilaç mendjeje, shpirti, apo, nëse jo kështu, atëherë edhe çmend, sjellë nebulozë! Por, të kuptohemi, këtë ngjarje po e shtroj me arsyen e hidhërimit, me peshën kuptimit të jetës, nganjëherë si dukuri të rrallë…

*    *    *

…U ndala dhe shikova kalendarin, orën dhe ditën. Të gjitha i shikova, vetëm sa për ta nisur ditarin me këtë ditë. Nuk më kujtohet, a ishte e hënë apo e martë. Por, e di se nëna më përcolli deri tek dera e oborrit, dhe më kishte thënë:

-Biri im, pashë gjirin që ta kam dhënë, kurrë mos u nis kokulur dhe as mos u kthe me shikim të rrëzuar!…

E putha në të dy faqet, sepse, vetëm në njërën m’u duk pak, ngase, kush e di,… ndoshta kurrë më nuk do të takohem me te. Nuk e di se si, vetëm dora ime e dora e saj ishin bërë ujë të shtrënguara njëra me tjetrën, si të ishin zhytur në lëngë djathi, me të cilin ajo na begatonte sofrën në kohën e mëngjesit. Dhe, nuk dua t’u them vetëm që tani, por përgjithmonë,… deri në fund më ngeli gjelbësimi i nënës në dorën time… Ndoshta ishte gjelbësim i dy palë lotëve… Dhe,… jo, jo! Nuk u pamë kurrë më…

Gjaku, sikur ma kishte sjellë atë fuqinë e krahëve të shqiponjës, dhe fluturoja nëpër mal, në beteja, prita e sulme. Nuk kishte asnjë forcë që e njihja. Kjo ishte rinia e trimëria ime prej luftëtari. Shkurt, do t’ju rrëfej, sepse, në të kundërtën, kjo është histori e gjatë; kam kaluar fusha e male, bjeshkë e lumenj, dhe me mijëra herë atyre ua kam dhënë lamtumirën. Mirëpo, sa herë që kthehesha atypari, dashuria më dalldiste për tokën e atdheun. Thjeshtë, çartesha nga dashuria e malli. Por, e pranoj, druaja se edhe nga frika nuk do ta realizoja ëndrrën deri në fund.

Por, edhe kjo, atëherë ishte krejt normale. Dhe se, kudo që më përgjakej xhaketa e lëkura e trupit në beteja e prita, më kujtohej amaneti i nënës: … mos u kthe me shikim të rrëzuar! Kjo ma ushqente shpirtin, m’i rriste krahët,… vetja më dukej si drangua, edhe pse me shtat isha i shkurt, xhuxh… Dhe, një ditë… Mbajeni në mend. Një ditë, diçka nga larg shkrepi dhe të dy shpatullat m’i shqeu, m’i përplasi, kurse gjaku i shkapërderdhur në tokë më vlonte si qumështi në gji të nënës. Edhe në këtë moment më është kujtuar amaneti i nënës, toka e përvuajtur dhe, edhe njëherë kam brofur në këmbë,… i kam bashkuar shpatullat si krahë shqiponje,… Edhe gjakun e mblodha nga toka, kurse, asaj shkreptime, asaj ushtime, ia shqeva xhamadanin, ia plasa zemrën, që tani në te nuk kishte as fije gjaku! Pastaj, u ula,… sërish e kujtova amanetin e nënës: ngrita kokën lartë, shikimin edhe më lartë, dhe sikur u bashkova me një dritë të çuditshme…

Ika përgjithmonë! Nuk më kishte takuar kush, më. Por,…edhe në këtë gjendje isha shumë i kalltë për liri,… Prandaj, u shndërrova në shqiponjë të padukshme dhe shëtitja cep më cep të atdheut. I shikoja edhe njerëzit, edhe popullin, edhe luftëtarët e mi,… edhe dëshmorët e martirët! Mirëpo,… disi, sikur dhembja gjithnjë e më shumë bëhej mik imi bashkë edhe me hidhërimin dhe pezmatimin. Sepse, njeriu kur zhgënjehet, është diçka e tmerrshme, dhe se këto tri elemente, aq fuqishëm puqen mes vete, si vëllezër bëhen. Kështu kam thënë përherë,… dhe, kështu është!

Mendojnë që nuk e di. Hero më kishin shpall,… më kishin varrosur me peshën e atdheut dhe të dhembjes. Edhe lapidarin ma kishin ngritur,… edhe varrin me mermer stolisur. Të gjithë flitnin,… flasin edhe tash për trimërinë time. Në fillim, edhe përvjetori i rënies kishte bërë jehonë respekti e dhembjeje. Por, ata nuk e dinë se edhe atëherë isha në mesin e tyre, dhe, tek secili tash e matja dhembjen dhe respektin. Po, po. Por, për këtë tash mos t’u lodhi… Dhe, para se ta vazhdoni leximin tutje, nëse nuk jeni mërzitur apo lodhur, relaksohuni pak me kujtimet, apo me ndonjë përrallë, nëse nuk u janë shpenzuar edhe të parat edhe të dytat, ngase, edhe ato nëse nuk shkruhen, harrohen dhe shlyhen nga mendja, zhduken pa shenjë pa dokë!…

Tash, unë po iki diku tjetër. Tash e shihni…!]

Fshehurazi jam përbiruar nën dyert e oborrit, dhe tash hyra brenda në shtëpinë time. Vetëm hëna dhe rrezet e saj e përlanin çdo pjesë të oborrit, duke filluar nga bari e hithrat, që kishin zënë shtat mbi dy metra lartësi dhe ishin tharë. Mullarët me sanë, që për fat nuk ishin djegur, kishin marrë ngjyrë të murrme e të pamjes së mykut. Shtëpia nuk ishte më. Vetëm disa pjesë të murit, themelet dhe era e shkrumbit kishin ngelur. Si zagar u solla rreth e rrotull oborrit, i cili me ardhjen time mblodhi forcën e frymës dhe të jetës. Në fshat, aty-këtu ishin disa fletë morti me emrat e atyre të cilëve, të gjithëve ua njihja dhe ua dija edhe frymëmarrjen edhe ngjyrën e flokut dhe të zërit. Prapë u ktheva në oborrin e shtëpisë duke “shtirë” rruaza në pe. E kalova një natë aty. Në mëngjes u zgjova me tmerrin e ëndrrave e me zhgënjimin tim. Nuk doja të përmendja asnjë emër të anëtarëve të familjes,… as të nënës, as të gruas, as të fëmijëve. E ngushëllova vetveten:

-Këtu, diku janë gjurmët e tyre. Kaq mjafton!

Pas mëngjesit, iku edhe dita,… edhe orët e para të natës. Dhe, çfarë bëra? U nisa për në varreza, të shoh se çfarë ka dhe çfarë ka ndodhur atje. Mëzi u përbirova nga therrat, manat e bari i gjatë, bar gomari i thonë. Shumë pak dallohej se aty kishte varre. Tash, e kërkoja edhe varrin tim, dhe e gjeta. Mirë ishte,… nuk ishte keq. Ishte i mbështjellë me mermer të zi, e në te ishin thelluar e gravuar shkronjat e emrit tim, edhe numrat e vitit të lindjes dhe të vdekjes, më falni, të vrasjes. E shikova gjatë e gjatë, dhe çfarë nuk më sillej në mendje për familjen time, për popullin tim, për atdheun… bari-kërrupnajë i kishte hipur sipër këtij varri, kurse eshtrat e mi brenda tij…!

E pastrova. E bëra si bilur,… vezullonte. Shkëlqente si ëndrra ime dikur… Dhe, besoni. E putha gurin e varrit tim dhe qesha me hidhërim e ironi… Atëherë, ia ktheva shpinën dhe ika në dreq të mallkuar. Rrugës për në qytet, hasa në një pllakë përkujtimore. Ishte buzë rruge. Edhe aty, mëzi depërtova, dhe ia hoqa shtresën e pluhurit pllakës ku ishin shënuar emrat e tre shokëve të mi… Për anash, në një shtizë, valonte flamuri kuq e zi e me shqiponjë në mes,… i tëri i “djegur” nga dielli e i shqyer nga rrezet e forta,… Po, po! Nga rrezet e forta të diellit…!

Tash, trimëria ime,… heroizmi im, thjeshtë dridheshin… Edhe aty barishtet dhe hithrat e kishin rrethakuar këtë “shenjë” dhe sikur i bënin roje… U përvodha edhe nga aty, dhe, pasi shëtita gjithkah nëpër dheun tim, vendosa të kthehem në atë vendin ku kisha rënë dëshmor, martir a hero, nuk e di, dhe as nuk është me rëndësi. Posa arrita aty, nuk kisha harruar për bombën e fundit, të cilën e hodha në drejtim të armikut, por që më kishte tradhtuar, sepse, nuk ishte aktivizuar. Tani e kërkoja. Nëse ka mbetur diku, e t’i “hakmerrem”. Ta bëj copë e grimë. Por, dua ta pranoj edhe këtë. Se, kur arrita në këtë vend, i tërë trupi m’u rrëqeth. Hoqa bukur shumë derisa e gjeta. Nuk e kishte gjetur gjë. Por, edhe atë e kishte kapluar “harresa”, e kishin kapluar barishtet, plehu e bërlloku!

E mora dhe bëra histori nga ajo; herë duke e ledhatuar, herë duke e qitur në njërën e herë në tjetrën dorë,… Dhe, çfarë të bëja me te, që më kishte tradhtuar.. E hodha diku larg-larg. Në drejtim të armikut… Nuk di as vetë se kah, dhe posa kishte prekur tokën, plasja e saj kishte dridhur fusha e male, bjeshkë e shkëmbinj, kishte dridhur njerëzit, i kishte trembur edhe shpezët… Kështu që, ende flitet për krismën e kësaj bombe për të cilën thuren legjenda trishtuese e të kota…

E, unë… Me shpatullat dhe trupin tim, sërish ktheva tek varri. I mora eshtrat e mi dhe gjithçka çka kishte në varr. Tash, nuk e di as vetë se ku jam, unë biri i nënës, i tokës,… Po, po,… unë, vetë unë! Kurse, të gjithë mendojnë se eshtrat e mi pushojnë aty,… në varrin tim… Dhe, ndonjëherë, kalimtarët e rastit kthejnë kokën andej… Ndoshta, aty kanë të varrosur ndonjë familjar apo të afërm, apo, ndoshta, vetëm me shikimin e tyre thurin legjenda mbase përralla për varrin, trimërinë dhe për heroizmin e luftëtarit… Ku ta di!

– Por, Ti nëna ime, kudo që je, unë kokën e mbaj lartë dhe shikimin e kam drejtë e thekshëm kudo që jam, e nuk di se ku gjendem!

E po,… ç’është ky paradoks njeriu,… Ose jo,… ky “paradoks” i luftëtarit?! E tërë kjo, ndoshta nuk është e vërtetë…! Jo, de! E, si thoni, Ju?!..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok