E DREJTA PËR TË DREJTËN DUHET THËNË
Nga Eduard M. Dilo
Pse e drejta frikëson, kur ajo është dritë mbi terr, pse dridhen hijet para saj,kur ajo vjen si agim i bardhë?
E drejta s’vdes, ajo pret, rri zgjuar nëpër vite, si gur i lashtë në themele, si fjalë që nuk i harron dot.
E drejta për të drejtën nuk duhet të na trembë.
Dhe historia, nuk fle, ajo mbledh zëra,mbledh kujtime, mbledh dëshmi, i peshon në kandarin e kohës dhe shkruan me gjakun, dhimbjen e së vërtetës.
Le të themi ç’pamë me sytë tanë, le të dëshmojmë ç’jetuam dhe ç’farë ndjemë në shpirt. Jo për lavdi të rreme, atë nuk e dua kurrë, por për dinjitet.
Drejtësia, pranimi fajit, dëshmia për të drejtën është ndërgjegje e pastër, pastrim ndërgjegjeje dhe shpirti.
Zagoria, ky vend që dhe Zoti i ka falur bukuri të rrallë, është tokë ku dhe e gurët flasin, e rrënjët nuk këputen, se burrat dhe gratë që historinë nuk e kërkuan, por e bënë treguan qartë se cilët janë.
Figura të ndritura nxorri ai vend, që i dhanë nder Shqipërisë – emra që koha i ruan si ar,
edhe kur ne i lëmë në heshtje dhe harresë të qëllimshme.
Por historia kërkon vepra, ajo s’i njeh klanet,
s’i pranon hijet e vogla. Ajo njeh vetëm ata
që i dalin zot vendit dhe kur duhej ju gjenden, ju ndodhën luanë.
Çfarë kemi bërë, sa kemi dëshmuar e shkruar, sa kemi kontribuar që të mos dominojë harresa për atë tmerr që ne përjetuam?
Brezat e rinj të dinë të vërtetën e të mos bien në fajet e gabimet e të parëve të tyre.
Sepse trevat që s’i kanë këta bij, siç i ka krahina jonë i ëndërrojnë.
Ne i kemi, dhe shpesh i mbulojmë me pluhurin e heshtjes.
Por koha vjen si lumë i fortë, ajo pastron,
ajo zbulon, ajo vendos gurin në vendin e vet.
Do të ribëhet historia me fakte si shkëmbinj,
jo me dokrra dhe gënjeshtra që i merr era. Dhe vendin që i takon bijve të Zagorisë dhe Zagoria do ta zërë.
Ne jemi rrënjë në këtë tokë, autoktonë në gur e në kujtesë; vijmë nga lashtësia
si jehonë që s’shuhet. Jemi lisa që duaruam e durojmë rrebeshe, erëra, furtunë, duruam dhe mbijetuam.
Virtytet e shqiptarisë, besën, nderin, qëndresën i mbajtëm gjallë në këtë trevë
si zjarr nën hi. Unë do të shkruaj.
s’do të hesht pa dorashka do të flas.
Sepse fjala është betim, dhe heshtja -faj.
Edhe pse nuk dua ta kujtoj të kaluarën time, sepse e kaluara ime ishte vetëm dhimbje, e kaluara ime është diçka që nuk mund t’ia dëshirosh as armikut tënd, nuk mund dot që ta harroj, se më del gjithçka përpara, më flet, më tundon, më thote :” Fol, shkruaj”.
Unë shkruaj që zëri të mos shuhet, që e drejta të mos trembet më nga ata që i druhen dritës.
