24/12/2024

Dyshja që i duhet Kosovës

0
Ibrahim-Kabili

Nga Ibrahim Kabili

Kam shkruar shumë për Albinin. Ai ka pasur një rrugë të vështirë drejt pushtetit. Rruga e tij gjithnjë ka qenë e minuar dhe  e bllokuar nga kundërshtarët e tij. Kundërshtarët kanë qenë të shumtë e për të mos mjaftuar “palopolitikanët serb”, na hidhen në sulm edhe palot shqipfolës. Sa e trishtueshme është kjo e dyta! Për mua Albini është një politikan model dhe i pakapur nga shërbimet e huaja intelegjente. Presidentja e vendit Osmani po e mbështet fuqishëm në përpjekjet e tij për shtetndërtim dhe për bisedimet me Serbinë.  Bravo politikanë të tillë i bëjnë nder Kosovës! Sa bukur do ishte që ato të vazhdonin kështu! Unë kam bindje se Kurti, nuk do gjunjëzohet para Vuçiçt dhe Serbisë! Vendosja e reciprocitetit me targat e vërteton qartë këtë. Me këtë Kosova po sillet si shtet! Hesht opozita në Kosovë! Heshtin politikanët e opozitës! Ramushi nuk duhet të heshtë. Ai ka bërë shumë për Kosovën gjatë luftës në vitet 1998-99. Ai ka bërë diçka edhe si kryeministër. E për këtë ka vuajtur shumë pasojat prej pushtetit serb…  Disa medio janë të shitura! Disa “analistë”  hiqen si fudull dhe  bëjnë pazare me çështjen kombëtare… Nuk dua dhe nuk mundem të ofendoj njeri, por nuk mund të gjej fjalë tjetër për këtë “takam” njerëzish. Këtë model e gjejmë në një pjesë të mirë të politikanëve, në një pjesë të mirë të mediave, në indiferencën e akademive dhe shumicën e akademikëve… Më e çuditëshmja në këtë histori është fakti se sa herë Kosova merr masa mbrojtëse siç qe rasti i reciprocitetit me targat, dalin përfaqësuesit e BE-së etj, dhe thonë: “Kosova dhe Serbia të ulin tensionet”. A thua këta të dyja janë palë të barabarta? Jo. Pra nga ndërkombëtarët barazohet viktima me agresorin. Përkrahet prej tyre më i fuqishmi. Prej katër ditësh janë bllokuar rrugët në veri, madje dhe me inerte. Heshtje për këtë! Vuçit kërcënon me luftë. Heshtje, heshtje dhe servilizëm! Serbia kërcënon me luftë Ballkanin, përsëri heshtje. Vuçiç thotë se kurrë nuk do e njohë Kosovën.Të vazhdojnë bisedimet, përsërisin të mëdhenjtë! Po përse? Të ulen tensionet! Po kush i shkakton artificialisht tensionet? Serbia. Asnjë fjalë për Serbinë. Po përse kështu? Përse bëhet fajtor vetëm viktima? Viktima, në rastin tonë Kosova, është më dobët por gjithësesi në të drejtën e saj. Ajo është shtet i pavarur dhe e njohur nga më shumë se 110 shtete. Mbi të gjitha Kosova është shtet i bekuar nga Amerika dhe kjo mundëson sovranitetin dhe ekzistencën e saj… Albini si kryeministër dhe Vjosa si presidente e Kosovës janë udhëheqësit më simpatikë të Kosovës së pasluftës. Sa kontrast të madh kanë këto burrështetas në lidhje me paraardhësit e tyre, tanimë të larguar dhe dënuar me votë. Çdo ditë e në vijim ato po përballen me eleminimin e dëmeve që kanë  shkaktuar marrëveshjet e dëmshme me Serbinë të nënshkruara nga ishët. Nga ishët e gjorë që ranë pre e pushtetit, pasurisë, pse jo dhe e Serbisë. Në “epokën” e pas tyre Kosova po ecën në rrugë të mbarë. Kjo rrugë është e vështirë dhe e minuar hap pas hapi nga Serbia. Ajo vetëm saboton, saboton dhe godet shtetin e brishtë të Kosovës. Qëllimi i saj është zhbërja e tij. A do t’ia arrijë qëllimit? Asnjëherë jo. Në lojë për fatin e mirë të shqiptarëve, është Amerika! Ajo nuk mund të dështojë. Këtë e kanë parasysh dhe duhet ta kenë edhe më shumë në qendër të vëmendjes dyshja e sotme e udhëheqjes kosovare Osmani dhe Kurti. Këta si deri më tani duhet: Thënë JO:

  • “Open” Ballkanit.
  • Ndryshimit të kufijve e shkëmbimit të territoreve.
  • Krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, me kopetenca ekzekutive.
  • Bashkëpunimit me politikanët pa vizion.
  • Inferioritetit në bisedimet me Serbinë.
  • “Bisedimeve”, pa shtuar titullin; Bisedime për njohje.
  • Kultit të njëshit.

Thënë PO:

  • Shengenit europian.
  • Proçesit të Berlinit.
  • Integrimeve euroatlantike.
  • Forcimit të shtetit dhe institucioneve.
  • Denoncimit të krimeve e gjenocidit serb mbi Kosovën.
  • Bashkëpunimit dhe unifikimit të qëndrimeve me shtetin shqiptar për bisedimet me Serbinë.
  • Për qëndrimet e përbashkëta në lidhje me çështjet kombëtare në lojë duhet të futen Kuvendet përkatëse, Presidencat dhe institucionet e dy shteteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok