22/12/2024
Rugova-Kastrioti

Nga Ndue Dedaj

  1. “KËTU DUHET TË BETOHEN PRESIDENTËT DHE KRYEMINISTRATE SHQIPËRISË DHE KOSOVËS”

Ndodhemi në Krujë, teksa në Tiranë po mbahet Samiti i radhës i Bërlinit dhe për një çast përfytyrojmë se pritja e liderëve të Europës nuk po bëhet para godinës së Kryeministrisë, por bash në kalanë e Krujës… nga kryezoti i shqiptarëve, i njohur si shpëtimtar i Europës në shekullin XXV. Mirëpo nëse protokolli qeveritar e ka harruar Krujën dhe delegacionet e huaja nuk ngjitën më zyrtarisht deri këtu, turistët janë çdo çast të pranishëm, sa drejtori i muzeut kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, Mehdi Hafizi, e ka të vështirë të shkëputet prej tyre për t’u përshëndetur me ne të njohurit e tij. “Është muzeu më i vizituar në vend, këtë sezon e kanë vizituar 94 mijë turistë dhe siç e shikoni, vazhdon të vizitohet pareshtur…”, thotë ai. Drejtor Mehdiu, plot pasion dhe dituri, prej 32 vitesh në këtë tempull të rrallë të trashëgimisë tonë kombëtare, njeriu i duhur për të mikpritur turistët, historinë tashmë e shqipton si një poemë, ashtu si të gjithë ciceronët.

Ai kujton shumë biseda, por pëlqen të riprodhojë për ne fjalët e Ibrahim Rugovës, kur vizitoi Muzeun në vitin 1995: “Të gjithë presidentët dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të vijnë këtu në Krujë për t’u betuar, para se të marrin detyrën e lartë shtetërore”. Ishte vizioni i tij për shtetin e ardhshëm të Kosovës, pasi ai ishte i sigurtë për pavarësinë e saj.

Kruja ngase është kryeqyteti i historisë kombëtare asesi nuk duhet parë si një periferi administrative e Tiranës apo Durrësit.

Duhet thënë se nuk është i lehtë raporti i shtetarëve me Krujën dhe jo vetëm. Miqtë tanë, që na shoqerojnë, tregojnë se kur erdhi Enver Hoxha për vizitë më 1968, kanë sjell njerëz me makina nga kryeqyteti, pasi krutanët nuk duartrokisnin. E njëjta gjë ka ndodhur në një rast të ngjashëm dhe në Gjirokastër, ku kishin mbushur saurelat me njerëz nga rrethet fqinje. E kur njerëzit guxonin mos me duatrokit udhëheqjen në dikaturë, mendoni sa e pamundur është të të duartrokasin në demokraci! Ndaj dhe sot disa evente qeveritare paraprihen nga të “ftuar” që mbushin sallat apo sheshet…

Kjo sjellje shpjegohet me karakterin krutan dhe përgjithësish shqiptar, çka shprehet dhe në personazhe të qytetit në preher të “Sari Salltikut”. Njëri ndër ta, Saimir Kupi, nacionalist, bir i familjes së njohur të Abaz  Kupit, kulla e të cilit gjendet në Perlataj, u internua qysh 15 vjeç dhe më pas u burgos; burrë i fisëm që e çoi jetën në ngujim politik, si “hasëm” i komunizmit, sa nuk arriti as të krijonte familje e të kishte pasardhës, në fillim të viteve ’90 e gjykonte demokracinë me “degë” të të njëjtit trung politik, atij të djeshëm…

  1. GJURMËVE TË PJETËR PËRLATIT

Pjetër Perlati është njëri nga emrat e mëdhenj të Motit të Madh, abat i shquar, gjeneral dhe diplomat i lartë i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, çfarë mund të ishte njeriu më shumë? Dinastia dukagjinase Perlati ishte nga Perlati i Mirditës, ku krahas Pjetrit kemi dhe një varg krerësh të tjerë me këtë mbiemër, si Pal, Ndre, Gjon e Tanush Dukagjini – Perlati. Alfred Duka, me profesion avokat, që duket se ka qendruar gjithë jetën në bibliotekat e historisë, na ka prirë këtë tetor për në Krujë, në lagjen Perlataj, që beson se lidhet me këtë figurë historike. Pjetri këtu ishte në shtëpinë e tij, jo vetëm si personalitet madhor i kohës, në bashkëveprim të ngushtë me Heroin Kombëtar, por dhe si njeri i tij i gjakut, ku si tillë, në korrik të vitit 1439 (bazuar në testamentin e lëshuar nga Gjon Kastrioti që i kishte lënë në kujdestari Vojsavën, Gjergjin, Jellën, si dhe përfitimet dhe detyrimet që ai kishte me persona apo subjekte të ndryshme), shkon në Raguzë për të përmbyllur detyrimet financiare që tregtarët e atjeshëm të drithit kishin ndaj Gjonit, prej dy vjetësh i ndjerë.

Pjetër Perlati në dokumente historike përmendet dhe si Pjetër Duka, në një kryq që i dhurohet në vitin 1447 kishës së Oroshit ku ai shërbente, në një mbishkrim të kishës së Shna Premtes në Balldre, në akte diplomatike të shtetit skënderbegian etj. Në vitin 1445 abati diplomat është i dërguar i Skënderbeut te Papa Eugjeni IV dhe më 1447 përfaqësues i kryeprincit shqiptar pranë Alfonsit V, mbretit të Napolit. Shto këtu Pjetrin komandant i Sfetigradit më 1448, në luftimet kundër Sulltan Muratit. Por nuk është qëllimi kronika biografike e tij. Ajo, ashtu si e Gjergj Aranitit, Pal Engjellit, Gjon Gazullit e të tjerë princër apo ipeshkvinj – diplomatë, do të meritonte monografi studimore të posaçme.

Vite më parë, në lagjen e epërme të Krujës, në krye të rrugës, ishte një tabelë ku shkruhej “Perlataj”, që kësaj here nuk e pamë, mbase ngaqë rruga ishte marrë nëpër dorë e bërë gati për asfaltim. Nuk është mirë të na bien nga pakujdesia tabelat e vjetra, aq më tepër që të moshuarit po shuhen. Bashkë me dy burra të lagjes Perlataj, Hasan Hoxhën, veteriner në pension dhe Bujar Llubanin, ekonomist, vemi si të thuash portë më portë në lagjen historike, ku duket se kanë mbetur pak njerëz, por kanë mbijetuar lulet. Ndalojmë dhe bëjme fotografi aty ku ka qenë “Kroi i Perlatit”, shenjë e fortë e identitetit historik të këtyre banorëve, por që e kishte humbur ujin nga punimet e kryera për hapjen e një tuneli të Mbrojtjes pak më sipër, në rrëzë të malit.

Hasani thotë se i ati ka vdekur në moshën 106 – vjeçare dhe i kishte pas thënë se ai vetë dhe një i afërm i tij kishin punuar një herë e një kohë si furrëtarë (bukëpjekës) në Perlat të Mirditës. Teksa vërtitemi nëpër kala, historiani Gjet Ndoj flet për Mërlikajt, sidomos për Mustafa Krujën – Mërlika, ndërkohë që llagapi “Mërlika” haset si toponim në një kodër të Perlatit. Vetë Mustafa Kruja, në librin e tij autobiografik, shkruan se është nga Perlati i Kthellës, ku kishte dhe miq e të njohur. Të jenë rastësi këto përkime? Alfred Duka mendon se jo. Mundet që perlatasit e tërhequr nga Pjetër Perlati në shekullin XV erdhën e u ngulën këtu, duke i dhënë emrin e tyre kësaj pjesë të Krujës “antike”…

Në oborrin e gjelbëruar të “Kullës Duka” në Perlat (një resort modern me arkitekturë të rrallë), krahas bustit të Skënderbeut kohët e fundit është vënë dhe shtatorja e Pjetër Perlatit, vepër e skulptorit vendas Bernard Lekgega, ideuar e financuar nga Avokat Duka, që e çon jetën mes Tiranës dhe vendlindjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok