Dy ”shoqet” e vetme të pandara në shkollën e Fraskanjelit – Ulqin
Nga Gjekë Gjonaj
Paralelja e ndarë fizike e Shkollës Fillore “Bedri Elezaga” në fshatin Fraskanjel – Anë të Malit, falë mirëkuptimit të Ministrisë së Arsimit, edhe këtë vit shkollor vazhdon të funksionojë me vetëm një nxënës. Në një klasë shumë të rrënuar, që nxjerr frymën e disa kohëve të shkuara, mësuesja Ardita Ceka mësimin e zhvillon me vetëm një nxënëse. Ajo quhet Elidona Shkreli, nxënëse e klasës së dytë , të cilën mësuesja e saj e sjell dhe e merr çdo mëngjes nga fshati i afërt Amull, rreth tre kilometra larg shkollës.
Në këtë shkollë katërklasëshe të lënë pas dore me vite, në të cilën në vitin shkollor 1972/73 kanë qenë 20 nxënës, nuk bie zilja e shkollës, sepse nuk ka fëmijë për të thirrur. Në këtë vatër edukative –arsimore mësuesja e re e arsimuar Ardita është edhe mësimdhënëse, edhe edukatore edhe “shoqe” e bankës dhe “partnere” për edukatën fizike, muzikore …
Që nga viti i kaluar shkollor, mësuesja Ardita udhëton nga fshati i saj Brajshë në Fraskanjel dhe rregullisht vjen në shkollë në kohë, së bashku me nxënësen e saj, për të mos humbur procesin mësimor. Ajo me mjaft emocion flet për fillimet e saj në këtë vatër të dijes.
“Mbaj mend si sot ditën e parë, në tetor të vitit 2020, kur fillova punën në këtë shkollë dhe kur në derë trokiti nxënësja ime e parë dhe e vetme -Elidona Shkreli, të cilën e shoqëronte babai i saj, Tomë Shkreli nga fshati Amull. Elidona ishte e gëzuar dhe e emocionuar sepse po vinte për herë të parë në shkollë. Ishte një nxënëse shumë e sjellshme dhe e dashur dhe shkollën e kishte shumë dëshirë. Mirëpo, ajo ishte shumë e lidhur me prindërit të cilët nuk kishin arritur ta çonin në kopsht. Kjo ndikoi që Elidona e kishte shumë problem të qëndronte vetëm me mësuesen në shkollë, dhe duhej gjithsesi prania në shkollë e njërit prindër ose e motrës. Ishte e mbyllur në vetvete dhe e kishte të vështirë të shoqërohej me njerëz të tjerë jashtë familjes. Vetë fakti që ajo ishte nxënësja e vetme në këtë shkollë dhe nuk kishte shokë apo shoqe, ndikoi edhe më keq që ajo të ambientohej dhe të mësohej që të qëndronte në shkollë pa praninë e njërit nga familjarët. Kështu në fillim u desh të kalonin 2-3 javë derisa ajo arriti të ambientohej dhe të bëheshim ’’shoqe’’. Pra nga dita kur filluam të bëheshim ’’shoqe’’e në vazhdim ne kemi krijuar një marrëdhënie jo vetëm mësuese-nxënëse por edhe shoqe-shoqe, pasi ajo më tregon gjithçka rreth vetes, është e lirshme dhe ju përgjigjet çdo pyetjeje që unë i bëj”, thotë Ceka.
Ajo s tutje shprehet se të punosh me një nxënës është e pazakontë , dhe se nuk ndjehet mirë për shkak se nxënësja e saj nuk ka shokë e shoqe të shkollës që të luajnë bashkë gjatë gjithë vitit shkollor. Mirëpo, mësuesja Ardita ka krijuar me të raporte të veçanta afërsie saqë e konsideron atë jo vetëm si nxënëse por si “ shoqe”, apo “ motër” të vogël . Siç tregon mësuesja Ardita para pak kohe festuan ditëlindjen e shtatë të Elidonës bashkë me prindërit e saj, Tomën dhe Mondën, të cilët sollën një tortë në shkollë dhe u gëzuan së bashku.
Para se të vijnë në shkollë, gjatë udhëtimit së bashku, fillimisht bisedojnë për shumëçka. Elidona i tregon mësueses se çfarë ka bërë një ditë më parë, me kë ka luajtur dhe të ngjashme. Dhe vetëm kur klasa fillon të ngrohet, ato fillojnë mësimin.
“Ne të dyja e bëjmë bashkë rrugën nga shtëpia në shkollë dhe nga shkolla në shtëpi . Mua pasi nisem në mëngjes në shkollë Elidona më pret tek rruga e shtëpisë së saj dhe nga aty shkojmë dhe kthehemi nga shkolla së bashku. Mësimdhënia me një nxënëse është e pazakontë, por jo e vështirë. Secilin mësim në çdo lëndë ia shpjegoj disa herë vetëm derisa ajo ta kuptojë, duke përdorur metoda e mënyra të ndryshme. Megjithatë mësimi me një nxënëse ka dhe anët e veta negative. Kur në klasë ke vetëm një nxënëse ajo natyrshëm ndjehet e vetmuar dhe jo aq e motivuar për të mësuar më shumë apo për të parë se si mësojnë e përgjigjen nxënësit e tjerë. Mësimi me vetëm një nxënës, për dallim nga mësimi me shumë nxënës, komunikimi zhvillohet vetëm mes mësueses dhe nxënësit”, pohon Ceka.
Pavarësisht vështirësive që kanë pasur mësuesja Ardita me nxënësen e saj të vetme Elidonën ato kanë kaluar kohë të këndshme në praninë e njëra-tjetrës. Përveç mësimit janë shoqëruar, kanë luajtur dhe janë zbavitur aq sa kanë pasur mundësi. Kështu para pak kohe festuan ditëlindjen e shtatë të Elidonës bashkë me prindërit e saj, Tomën dhe Mondën, të cilët sollën një tortë në shkollë dhe u gëzuan së bashku.
Gjendja e krijuar e gjithmbarshme në botë, pra edhe në vendin tonë, si rezultat i shfaqjes së pandemisë Covid-19, vendosi një rregullim të ri të gjallimit në pothuajse në çdo lëmi të frymimit shoqëror, duke përfshirë edhe atë në sferën e arsimimit në të gjitha nivelet. Mësimi në distancë, respektivisht përmes platformave online që erdhi papritur për shkak të përhapjes së koronavirusit, paraqiti sfida të mëdha edhe për mësuesen Ardita Ceka dhe nxënësen e saj Elidona Shkreli. “ Nxënësja ime ishte në klasën e parë. Ajo kishte nevoja e pyetje të ndryshme të cilat ishte shumë vështirë t’ia sqaroj në këtë mënyrë. Por, u përpoqa që në kushte të jashtëzakonshme të bëj me pasion më të mirën e mundshme, duke ruajtur mbi të gjithë atë më shenjtoren- shëndetin tim dhe të nxënëses e pastaj edhe të realizoj planprogramin mësimor. Ishte kjo një përvojë shumë interesante për mua e cila do të mbetet gjithmonë në kujtesën time si diçka e pazakontë por e bukur ”, thekson Ceka.
Si e vetmja, Elidona modeste është edhe nxënësja më e mirë e kësaj shkolle, edhe pse nuk mund të mburret me nota të shkëlqyera. Pyetja e madhe është nëse shkolla në Fraskanjel do të funksionojë vitin e ardhshëm shkollor dhe, siç theksojnë vendasit, nëse shkolla mbyllet kjo do të thotë se jeta është larguar përgjithmonë nga ky fshat.