DY POETË DHE BRONZET E TYRE. SA LARG JANË, POR ÇFARË I BASHKON SOT?
Nga Visar Zhiti
…dhe kanë lindur në të njëjtën ditë, si sot në 28 gusht, në vende të ndryshme dhe në shekuj të ndryshëm, u përkasin gjuhëve të ndryshme dhe kulturave të ndryshme, njëri ka madhësinë e kombit të tij të madh, që i ka dhënë botës, tjetri fatin e kombit të tij të vogël e të copëtuar nga bota…
John Wolfgang von Goethe
dhe Ali Podrimja
BARDI MODERN I DHIMBJES
LINDI NË KOSOVË…
Kështu kisha shkruar. Na merr malli për poetin Ali Podrimja, lexojmë poezitë e tij, aty është dhe datëlindja e tij, jo vetëm sot, çdo ditë, është zëri i tij. E shohin dhe bust…
Bardi modern i eposit shqiptar të shekullit XX, kështu më është dukur. Shfletoj libra të tij, mbyshem me frymë dhe me kushtrime të brendshme.
Më drithëron poezia “Prizreni”, poshtë titullit si kushtim është venë emrin im, ka një hermetizëm mallëngjyes, ngjan sikur është kod për të vazhduar bisedat tona, se në vargun e fundit thotë:
Frymon atDheu, paska Zot
dhe s’ka pikë e as presje gjëkundi. E pafund… Fjalën atDhe e shkruan siç do, Dheu – me shkronjë të madhe brenda fjalës, e di ai pse. Rilexoj fillimin:
Putha pikën e gjakut
Mes Qiellit dhe Tokës
atëhere kjo pikë gjaku është e ylltë a është bërë yll a yjet janë pika gjaku, por poeti nxiton të thotë:
Më mbuloi drita hyjnore
dhe ashtu ndodhi vërtet me Podrimjen. Që nga qielli ai “e lëviz gurin, rrënjën”, është me popullin e tij dhe autografet që ka lënë, që jane si poezi më vete, tregojnë se sa miq kishte dhe sa shumë donte…
Fola kështu, sepse tjetri, sidomos poeti, kuptohet se cili është, kur zbulon se si ai di të dojë.
Drita hyjnore është dashuri e njeriut.
Qyteti i tij i lindjes, Gjakova, në parkun që mban emrin Ali Podrimja, i ka venë dhe bustin. Bronz dhimbjeje…
ME ELEGJINË NË DORË
TË SHKOSH TE STATUJA
Dhe kisha shkruar… Statuja dhe elegjia do të më mjaftonin sot për të përkujtuar datëlindjen e Gëtes.
Të shkoja jo larg, në Lincoln Park, këtu në Chicago, pranë shtatores së tij dhe të lexoja me zë “Elegjinë e Marienbadit”, e kisha gati.
Dhe vetëm një poet si ai mund të bashkojë ato që duken të pamundura, trishtimin njerëzor dhe bronzin, dënimin e një tjetri me dashurinë, shqiponjën me këmbën, kohët – më të ndryshme se qytete të ndryshëm, të huaj për njeri-tjetrin dhe larg, shumë larg, por të përmbledhura në një çast, të bashkojë popuj dhe kontinente.
[…]
E shikoja me vështrim bronzi dhe po i thosha statujës se Elegjia Juaj e Marienbadit, – e kam marrë me vete, – është ndër më të bukurat në botë. E di historinë e saj, Ju takuat në Marienbad, në Çeki, një vajzë të bukur, që ju trallisi, ishte e bija e asaj që kishit dashur dikur, i ngjante mrekullisht së ëmës dhe shkruat një elegji madhore për jetën dhe kohët…
Po dhe ky përkthim imi i saj ka një histori, është thjesht imja, ka ndodhur në burgun e Spaçit, e kam treguar në burgologjinë time “Rrugêt e ferrit”, si e gjetëm poezinë, në rusisht, ma dha Ron Ç., si rrekeshim fshehurazi ta përkthenim, ia tregova mjekut të burgut N. S., kishte qenë në Marienbad ai, kishte studiuar në Çeki, ishte dashuruar, por kur ishte kthyer në atdhe, nuk u lejua ta merrte të dashurën, as të shkonte tek ajo, ishin prishur marrëdhëniet midis shteteve dhe atë, Doktorin, e futen në burg, etj, etj. Kur ra perandoria komuniste, me t’u liruar nga burgu, Doktori shkoi në Çeki, por të dashurën e dikurshme e gjeti të martuar dhe pikërisht ajo u kujdes që mikut shqiptar t’i bënte grua një shoqen e saj, kështu më thanë, trillet e jetës.
Një shtjellë të tillë ndjesish më duket se përftohet dhe nga “Elegjia e Marienbadit”, që Gëte e ka universalizuar.
Po e risjell prapë përkthimin tim, le t’i ngjajë përsëritjes së urimeve në një datëlindje:
- V. GËTE
ELEGJI E MARIENBADIT
Një mundim zemre rritet brenda meje
Për atë që është e shenjtë
e nuk shprehet.
Ja e pakapashmja në jetë të jetëve,
Ta lësh veten prej çastit të rrëmbehet.
Oh, ç’gjë hyjnore! Unë këtë e di,
E ndjej me gjithë shpirt
kur pranë saj rri.
Ç’vështrim plot rreze
sa ditën e mahnisin
Dhe frymë e saj prej flladesh
pranverore
Si akull të zi e shkrijnë egoizmin.
Mbyllen brenda në varre dimërore
Sqima, kokëfortësia e kota famë
E s’kthehen më – atë e kam pranë.
Zëri i saj sikur më pëshpërit:
Jeta dhuron orët, orët nëpër botë.
Për të nesërmen s’ka parashikim
E shqetësimi për të djeshmen
është i kotë.
E në i trembësha muzgut që vjen pas,
Ja, dielli perëndon gjithë ndjenja,
buzagas.
Vështroje si unë çastin drejt në sy,
Shpejt dhe lehtë me mendje
të gëzuar.
I gjallë dhe mirënjohës derdhu te ay
Në punë dhe harè,
përherë i dashuruar.
Kudo qofsh, prej teje fryftë fëmijëri,
Atëhere s’të mposht dot, jo, asnjeri.
Dhe e kuptova – kështu fole ti.
Çastin si një zog me flatra ere
Në gjirin e jetës e futi një Hyjni.
I zgjedhur i çastit je veç pranë teje.
Oh, thirrje e ndarjes bëhet ankth
në eshtra,
E ç’dobi pata nga ato
të lartat shkenca?!
Tani jam larg dhe larg pa asnjë punë,
Ç’të bëj me kohën time unë pa ty?
Ka gjëra të bukura shumë, shumë,
Do hedhur barra që s’më hyn në sy.
Një brengë vdekje më gllabëron,
më tund.
Rrugëdalje s’ka e lotët s’paskan fund.
