DY GRA AMERIKANE NË VERIUN E SHQIPËRISË NË VITIN 1919
– Dy fotografi që publikohën për herë të parë –
NGA NDUE DEDAJ
Asnjëherë nuk duhet menduar se çdo dëshmi të së shkuarës e kemi në muze, të skeduar dhe me “diçiturën” përkatëse. Sidomos kur flitet për Shkodrën, që është një Qytet Muze më vete i trashëgimisë sonë kulturore, gjithmonë do të dalë diçka e panjohur, qoftë ajo dhe një fotografi e thjeshtë e shkrepur diku na mal, njëqind e ca vjet më parë…
E vëteta është se shumë dokumente autentike të kohëve të shkuara u janë marrë familjarëve gjatë kontrolleve të bëra nga Sugurimi i Shtetit, përfshi dhe në familjen e njohur Shabani në Shkodër, që më pas qenë djegur publikisht me plot të tjera në oborrin e Gjimnazit “28 Nantori” në Shkodër etj.
1
Luigj Shabani është një mik shkodran me të cilin “shihemi” përditë përmes rrjeteve sociale. Jeton në Torino (Itali) dhe vjen rrallë në Shkodrën e tij, për të cilën ka aq shumë mall e ku jemi takuar dhe bashkë. Ai sigurisht qe e ka një moshë, por as që ia mendoj ndonjëherë vitet, ngaqë çdo ditë merret me nga një gjë që ka të bëjë me filatelinë, fotografinë, tarshëgiminë kulturore të Shkodrës. Një mik i tij studiues i njohur i muzikës i kishte thënë se ai mund të bënte një monografi për Filatelinë. “Kjo më ka lënë nja tri net pa gjumë!…”, më tha një ditë në telefon. Pas kësaj dhe mund ta themi përfarësisht moshën e tij, nuk i duhet dhe aq kohë për të kapur të 90-at.
Nuk themi asgjë të re me këtë, intelektualët që ia kanë falur shpirtin diturisë dhe jo pasurimit të pafundëm me çdo mënyrë e mjet, kështu janë të gjithë, i besojnë iluminimit të njerëzimit. Sigurisht nuk po flasim për Danten, apo gjeni të tjerë të rruzullit, por për njeriun e thjeshtë shqiptar, arsimtarin e vyer, dijetarin e pazëshëm, zotninë e qytetit të vet që don t’i shërbeje deri në fund atij “njerëzimit” të vogël rreth e qark tij, vendit ku ka lindur e punuar një jetë. Luigji ishte krejt i ri, në vitin 1947, kur merr pjesë në klubin e parë filatelik shqiptar dhe nuk u ndahet më pasionit të tij, duke krijuar koleksione pullash postare, albume, duke shkruar artikuj, kumtuar në konferenca, apo hapur ekspozita për filatelinë, në gjurmë të princit të filatelisë shqiptare Ndoc Xhuxha etj.
Kohë më parë i pata kërkuar bacës Luigj të shkuante për ungjin e tij, mësuesin dhe fokloristin e hershëm të Mirditës, Gjergj Shabanin, mësues në Orosh që në vitin 1929 dhe artikulli i tij i gjatë u botua në “Gazeta Shqiptare” para katër vitesh.
2
Këto ditë profesor Luigji më postoi në mesenger dy fotografi të vjetra të trashëguara nga i ati, Kristo Shabani, njëra bërë në malet e Shkodrës më 1 tetor 1919 dhe tjera në malin e Munellës (Mirditë), në fillim të janarit 1020, ku kanë dalë dy gra të Kryqit të Kuq Amerikan dhe vetë Kristo, i punësuar aty, si shoqërues i tyre. Janë fotografi të thjeshta amatore, pasi “Marubi” nuk mund të ishte në çdo shtegtim malesh të të pasionuarve pas natyrës, edhe kur ata ishin të huaj.
Veprimtarët e këtij organizmi humanitar ndihmonin njerëzit e sapodalë nga Lufta e Parë Botërore, në përkujdesjen sociale, shëndetësi, arsim, siç është dhe hapja e shkollës në Theth në vitin 1920. Po këtë vit, ndihmat e Kryqit të Kuq Amerikan shpërndahen nga prapavija e ushtrisë shqiptare. Luigji kujton nga i ati se punonjësit e tij ishin të interesuar dhe për pasuritë natyrore shqiptare, si flora, fauna, mineralet etj., për çka organizonin ekspedita në terren, ku ai i shoqëronte, bashkë me personin që bën fotografitë.
Në njërën nga fotografitë, shihet ekipi i vogël prej tre vetësh, dy gratë amerikane dhe Kristo, duke ngrënë drekë në mal, ku dallohen dhe disa nga gjërat e mbledhura etj. Kristo kujtonte: “Njëna nga gratë mblidhte kampione bimësh tue ba shënimet përkatëse, i vendoste në çantën e shpinës e ma vonë i sistemonte në nji arkë drejtëkandshe të mbyllun me kapak. Kurse gruaja tjetër mblidhte kampione të ndryshme gurësh, rrasash të vogla të formave të ndryshme që i tërhjeknin vëmendjen dhe bante dhe ajo shënimet e saj. Gjatë lëvizjes tonë ato ishin shumë të interesueme për vendin ku i gjenin këto kampione dhe i banin fotografi çdo objekti…” Zotni Luigji e përmbyll me këto fjalë shënimin e tij sqarues: “Më vjen shumë keq, pasi em atë ka pasë nji numër të konsiderueshëm të këtyne fotografive, që na i pat përlarë “cunami” i tre kontrolleve të paprituna në shtëpinë tonë nga Sigurimi, që sot do të hidhnin shumë dritë rreth ekspeditave të realizueme prej punonjësve të Kryqit të Kuq Amerikan në Shkodër, ndër ato vite të largëta. Me mirënjohje dhe me dashamirësinë e nji miku, Ju falemnderës!”
Duke mos pasur më shumë të dhëna rreth atyre dy grave, sot pas njëqind e pesë vitesh, kur fotografitë e kërkimeve të tyre publikohen për herë të parë, na mbetet të hamendësojmë se kemi të bëjmë me një biologe dhe një gjeologe. Mbas atyre dy grave amerikane që nuk ua dimë emrat, një tjetër grua amerikane, gazetarja Rose Wilder Lane qendroi gjatë mes shqiptarëve, u miqësia me ta dhe shkroi librin “Majat e Shalës”. Ashtu siç në vitin 1929 antropologu i njohur amerikan i Universitetit të Harvardit, Cartelon Coon, bashkë me të shoqen, i shkeli pëllëmbë për pëllëmbë malet tona, duke bërë matje antropologjike e shkruar për malësorët gegë librin e rëndësishëm “Malet e gjigandëve”, ndërkohë që shoqëruesi dhe përkthyesi i tij Stavro Frashëri nga Korça botoi librin e njohur “Përmës Mirditës në dimër”, që qe vlerësuar dhe nga Mitrush Kuteli.
Por nuk ishin këta të vetmit amerikanë që erdhën si eksplorues në Shqipëri në gjysmën e parë të shekullit XX.