23/04/2024

Duhet dëshirë dhe vullnet që të arrijmë të kuptojmë dhe më pas të korigjojmë kontradiktat brenda qënies tonë

0

Pjesa II

Nga Fahri Dahri

Të gjithë priremi, fjala vjen, ndaj sigurimit të paisjeve të reja teknike, teknologjike etj. Dhe sipas mundësive arrijmë ti vëmë në përdorim, dikush më pak e dikush më shumë. Sigurisht një ecuri e mirë, e pranueshme për të ecur me ritmet e kohës. Por kjo nuk ndodh kështu me sjelljet, karakteret, veset, epitetet e diktuara nga të huajt. Në të vërtetë epitetet e huazuara nuk kanë ngjitur seriozisht në vetëdijen popullore, por kanë rezervuar sjelljet mes njëri-tjetrit, nga çengeli i çensurave. Janë të qarta dëmet ekonomike, sociale, kulturore që diktoi nëpërmjet trysnive politika e importuar gjatë 50 viteve. Sot të gjithë themi se jemi distancuar; por ç’farë tregon e vërteta, praktika që ndjekim?. Vazhdohet “kacafytja” mes nesh, me ato epitetet ndarëse të shek.XX-të.

Gati gati i adhurojmë dhe harxhojmë shumë kohë për ti mbrojtur ato duke qenë të bindur se “merret haka” ndaj atyre elementeve negativë, ndarëse të shoqërisë. Sa sjellje kontradiktore?.

I duam dhe vrapojmë drejt teknikave dhe teknologjive të reja; por mbetemi peng i veseve helmuese të mbartura nga e vjetra.

Përmendja më sipër e elementëve në sjelljet negative dhe  pozitive, synon në qendrimet që duhen mbajtur edhe ndaj personazheve me kompleksitete, në cilësimin “heronj apo tradhëtar”.

——————

Dy tipa kompleks që duhet ndalur  për të siguruar konvergjencën:

Xhaferr Deva dhe Nuri bej Dino.

I pari nga Mitrovica-më veriori i trojeve dhe i dyti nga Paramëthia- më jugori, po i trojeve tona. Nuk do shtjellojmë biografitë, por veprimtaritë e tyre, të cilat mundet të na ndihmojnë  për përcaktimin e rolit historik të tyre.

Të dy personazhet komplekse na shqetësojnë dhe madje na krijojnë ndasi edhe mbas 80-100 viteve. Figurat e tyre vazhdojnë të ndikojnë dhe mbajnë gjallë padrejtësisht grupimet, pro dhe kundër fashizmit e nazizmit.

Nuk nisem nga vitet që ikin, por nga zhvillimi, ngritja e nivelit intelektual dhe mundësitë e shumta për informime, prej të cilave duhet të përfitojmë dhe të kthjellohemi drejt një rrugëtimi më të sigurtë, më të zgjuar me synim rritjen e vëllazërisë, miqësisë, mirëkuptimit mbarëpopullor.

Si Deva më veriori dhe Dino më jugori, në veprimet e tyre kanë ngjajshmëri. Ata karakterizohen me kryerje veprimesh të lidhura e të gërshetuara në tërësi mirë dhe të qarta.

Ngjajshmëria mes Xhaferr Devës dhe Nuri bej Dinos.

L2B e gjeti kombin shqiptar, vërtet në trojet e veta, por në 5 shtete të ndryshëm. Kjo ndarje e një kombi, sa absurde dhe shkatërruese, ishte një bazë e fortë mbështetëse për “Boshtin”, pushtuesit. Në rastin tonë fashizmi italian dhe nazizmi gjerman, këtë situatë gjeopolitike dhe sociale, u përpoqën ta përdorin si lëndë të parë në taktikën luftarake për joshjen e popullit të vendit pushtues. Situata ishte e favorshme. Kosovën dhe Çamërinë i kishin shkëputur nga territori amë në vitin 1913. Çamëria i ishte dhuruar Greqisë dhe Kosova i ishte dhuruar Jugosllavisë. Në ato kushte, nazi-fashizmi përdori taktikën e “Bashkimit të trojeve shqiptare”. Ide e cila korigjonte marrëzinë e Fuqive të  Mëdha Europiane. Nuk do shtjellojmë historinë. Deva dhe Dino u aktivizuan dhe përkrahën ideatorët e “Bashkimit të trojeve shqiptare”, konkretisht Kosovën e Çamërinë me Shqipërinë londineze. Aktivizimi i të dy këtyre figurave, në realizimin e idesë për bashkimin kombëtar, ishte pa asnjë dyshim akt-atdhetar.

Të dy personazhet- Xhaferr Deva dhe Nuri bej Dino, u renditën në krah të italo-gjermanëve, të bindur se do bëhej realitet çlirimi i trojeve shqiptare nga pushtuesit greko-jugosllavë. Sot, të gjykuarit e atyre ngjarjeve, duke i u përmbajtur rrethanave të kohës, na lehtësohet në përcaktimin sa më të drejtë të dy figurave komplekse të Dinos dhe Devës. Për rastin konkret, aktivizimi në bashkëpunimin e tyre me italo- gjermanët, për bashkimin e trojeve, pa dyshim historia duhet ti vlerësojë – patriotë.

Kompleksiteti qendron në veprimet e tyre për akuzat e vrasjeve, masakrave  që ndërmorën në krah të pushtuesave.

1)- Xhaferr Deva.

Masakra e 4 shkurtit 1944, pavarësisht nga pro dhe kundër për numrin e të vrarëve, ka zënë vend në histori si vepër kriminale e Xhaferr Devës. Ka mospajtime për numurin e të vrarëve, disa 86, 80 vetë, disa 14 dhe disa nuk deklarojnë numra. Numrat përcaktojnë masën, sasinë dhe thuhet shumë, pak, aspak, etj. Vrasjet nuk shkarkojnë askënd nga përgjegjësia, nisur nga numri i të vrarëve i madh apo i vogël. Masat, shkaqet e krimit, rrethanat janë të rëndësishëme në vendimmarrjet gjyqësore.

Personazhi rezulton i kompleksuar. Në bashkëpunimin me gjermanët kreu dy veprime të kundërta:

a)- Tregoi patriotizëm, në rastin e bashkëpunimit për të realizuar idenë e “Bashkimit kombëtar” dhe,

b)- Në rastin e masakrës (pavarësisht nga madhësia numerike) kreu vepër kriminale.

Në konceptin tim, ai nuk mundet të ketë akses pozitiv në histori.

2)- Nuri bej Dino.

Edhe Nuri bej Dino, është figurë komplekse. Me bindje se do fitonte ideja për “bashkimin e trojeve tona”, Nuriu bashkëpunoi me gjermanët, ai veprim ishte gjest patriotik. Por taktika luftarake për joshjen e banorëve të territoreve të pushtuara, u kuptua nga çamët se ishte vetëm demagogji, mbasi me urdhër direkt të Hitlerit, ushtria gjermane u a mblodhi të armët çamëve dhe ja dorëzuan Napoleon Zervës, masakruesit, vrasësit  dhe dëbuesit të çamëve. Gjithashtu Nuri bej Dinon dhe 60 -70 mbështetësit e tij, në rrethanat kur ushtria zerviste, në prani të ushtrisë gjermane, digjte fshatrat çame, shkatërronte pasuritë, masakronte, çnderonte popullsinë- bashkëatdhetarët e tyre, nuk e justifikon bashkëpunimin, përkundrazi

ata trajtohen pjesëmarrës në kryerjen e masakrave dhe gjenocidit grek. Në këtë rast, Nuri Dino u bë pjesëmarrës në veprën kriminale. Në konceptin tim, ai nuk mundet të ketë akses pozitiv në histori.

Si përfundim të dy këta personazhe, me veprimet e tyre, gabuan në strategjinë që duhej të ndiqnin, nuk arritën të kuptonin renditjen se në radhë të parë “Vërtet mbrohet atdheu por i pa ndarë nga populli”.

Si të tillë, në këndvështrimin tim, në histori, këto figura duhen trajtuar si dështakë.

Me qenë se nga disa komentues është përmendur edhe Mit’hat Frashëri si figurë historike, gjykuar nga qendrimet ndaj atdheut edhe ai rezulton me veprime komplekse. Mit’hat Frashëri

vlerësohet për përkushtimin dhe angazhimin i tij në diplomacinë europiane në mbrojtje të interesave kombëtare. Ndërsa qendrimi politiko- partiak për bashkëpunim me EDES-in e kriminelit Napoleon Zerva dhe pranimi i kufijve sipas vitit 1939, që   territoret shqiptare të Çamërisë, të Janinës, Konicës etj. të njiheshin territore të shtetit Grek, ishte i dyshimtë, i pakuptimtë, aspak i drejtë.

Qendrime të tilla, kur vihet në diskutim Atdheu, sado të përpiqemi për t’i justifikuar, nuk mundet të jepet vlerësim pozitiv. Mit’hat Frashëri, në gjykimin tim mbetet figurë politike  komplekse.

3)- Lidhur me riparimin e ndërtesës në Mitrovicë të familjes Deva, mendoj është e drejta e bashkisë së Mitrovicës për ta vendosur. Nuk e gjykoj të udhës për ta shkatërruar, as për t’u riparuar nga taksapaguesit. Nëse ka vlera tradicionale, të trajtohet si e tillë.

Ndofta edhe një mbishkrim ku të përshkruhet kompleksiteti i Xhaferr Devën.

————-

Kompleksitetet në figurat e larta shtetërore janë të ndryshme dhe në vartësi të vendeve dhe popujve që përfaqësojnë.

Napoleon Zerva i Greqisë, për shtetin grek është hero. Ndërsa për shqiptarët është vrasës, masakrues, sepse kreu gjenocid ndaj çamëve (shqiptarëve të Çamërisë). Sikundër Sllobodan Millosheviçi i Serbisë, trajtohet hero nga shteti serb. Ndërsa, për shqiptarët është vrasës, masakrues, sepse kreu gjenocid ndaj kosovarëve (shqiptarët e Kosovës).

Ndaj kërkohet që historia të shkruhet jo nga pala fituese, por nga të vërtetat. Të sigurojë saktësi dhe paanësi.

Shtetet që sulmojnë popuj dhe vendet e tjera, historia e kohës së sotme duhet t’i trajtojë vrasës, masakrues, ç’njerëzor.

Artikulli është qendrim personal, pa para dhe mbas gjykim për askënd.

Studiues Fahri Dahri.15 /02/2022.-

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok