22/12/2024
Ndue-Dedaj

Tregim

NGA NDUE DEDAJ

Tili, siç e thirri më pas vajza e sallonit të bukurisë, me emrin e të dashurit të saj të emigruar e të harruar prej pesë vjetësh, befas u rebelua duke i lënë të gjithë pa mend…

Kalova rininë këtu si mos me keq, në këtë vitrinë të pluhurt, pa ma varur askush. Këto bukuroshe që shesin plaçka apo u bëjnë paruke zonjushave në kthinën matanë, u buzëqeshin të gjithëve, ndonjë djaloshi të pashëm i shtrëngojnë dhe dorën me përkdhelje a i hedhin krahun, njëra madje puthet me një zotëri në sytë e mi, kurse unë rri këtu si vuv…

Kështu mendonte atë ditë krijesa e drunjtë! E jo vetëm filloi të mendonte, po dhe zu të merrte frymë, për çudi duke ndjerë një forcë të paparë në gjymtyrë, sa ishte gati jo vetëm të luante duart dhe këmbët po dhe të vraponte. Bukuroshja e radhës e kishte kyçur dyqanin duke ulur qepenët e rëndë dhe kishte fluturuar në krahët e një djaloshi elegant nëpër shëtitoren e gjërë llamburitëse. Vetëm një çerek ore më vonë në shtëpinë e pronarit ra telefoni. “Dyqani juaj është thyer…” Pronari që mbërriti në çast aty, vuri re se qepeni ishte ngritur dhe xhami nuk ishte thyer por hequr me dorë dhe një kostum ishte i hedhur mënjanë. Nuk u besoi syve. Ishte kostumi që e kishte pas veshur manekini, i cili nuk ishte aty… Të ishte thyer dyqani vetëm për të marrë një manekin? S’ishte e mundur. E kujt mund t’i hynte në punë një skelet me shëmbëllimin e një njeriu? Pau dhe njëherë në dyqan andej e këndej, por asgjë nuk kishte lëvizur. As në sallonin e bukurisë ngjitur. Erdhi dhe shitësja bukuroshe, flokëtarja simpatike, gjithë vajzëria e atyre dyqaneve. Ajo që e kishte mbyllur dyqanin pak më parë nuk po kuptonte asgjë. Pronari ishte në medyshje në duhej njoftuar apo jo policia. Ta njoftoje, ç’tu thoje atyre të policisë? Që të ishte arratisur manekini?… Të mos e njoftoje si rast, nuk dihej se ç’mund të ngjiste më vonë, kur gjithçka kishte ndodhur në kulmin e lëvizjes dhe të gjallërisë së kryeqytetit…

Nuk vonoi e sirenat e policisë e thyen qetësinë e mbrëmjes.

Kishte ngjarë e pangjashmja, ajo që askujt nuk i shkonte ndërmend, as hetuesve që nisën të hetonin çështjen, që dikush prej tyre e gjeti interesante ta quante “Manekini”. Panë në skedat e policisë, për ndonjë hajdut të asaj lagjeje, por…

*

Tili, fill pasi ishte mbyllur dyqani nga zonjusha mospërfillëse, që s’kishte patur mirësinë t’i thoshte as një “natën e mirë”, s’kishte pritur më, por kishte vënë në veprim mënjëherë planin e arratisjes, kishte zbërthyer me duart e ngathura pullat e kostumit, kishte hequr me vështirësi xhamin dhe i mbytur në djersë kishte mundur të ngrinte lart qepenin, i cili lëshoi një gërvimë therëse. Thuajse askujt nuk i bëri përshtypje gërvima e qepenit, pasi ishte tamam koha e uljes së tyre gjithandej, ngaqë kishte ardhur ora e mbylljes së dyqaneve. Para se të hidhte këmbën e mpirë jashtë, kishte hedhur në krah një çantë me ca rroba verore, hequr diku në raftin e fundit, një palë pantallona të shkurtëra, një triko e ca të brendshme.

Pa rënë në sy, se vendin e njihte me sy mbyllur, ngaqë shërbente prej disa vitesh aty, hyri nga mbrapa pallatit, doli në një rrugicë që nuk rrihej shumë, u vesh diku në një qoshe dhe u përzie me kalimtarët që kishin filluar të rralloheshin, duke i bishtnuar dhe semaforit përballë, ku mund të dilte në pah pa qenë nevoja. Dredhoi në një rrugicë tjetër dhe mori andej nga jugu i kryeqytetit. Sado që përpiqej, ecja e tij ishte e ngathtë, e kontraktuar, si ecje sportive, ashtu si dhe veshja e tij ishte biçim sportive. Zakonisht tipa të tillë nuk binin as në sytë e policisë, pasi merreshin për sportistë, që venin a ktheheshin nga stërvitjet. Kokën e kishte mbështjellë nën një kapë me strehë të madhe, që e bënte më të besueshëm qenien e tij sportist. “Ka qenë duke u stërvitur në ndonjë palestër”, do mendojnë ata që më shohin. Po për pak e kaploi frika, sa nuk i ra të fikët. Po sikur ndonjë patrullë policie, ndonjë “Shqiponjë”, nga ato që lëviznin me shpejtësi, ta pikaste se ai ishte i dyshimtë me atë ecjen e tij për të qeshur e për të qarë?

“Ky rondokop në palestër? Nuk e sheh që qenka kockë e lëkurë? Ej, ti qytetar… letërnjoftimin!” “Ha-ha-ha… Ik mor jahu, me kë e ke! Unë, tironas denbabaden, që nga koha e Sulejman Pashës, e ti më kërkon pasaportën?!”

I shkrepi të kërkonte atë bukuroshen e dyqanit, që kishte ikur pa i thënë as “natën e mirë”. Me siguri duhej të ishte në ndonje cep të Liqenit duke bërë dashuri. Dhe hapat si e pa u ndierë po e çonin andej. U përvodh si një hije në morinë e rrugicave që bëheshin gjithnjë e më të errëta. Syri i zinte çifte të dashuruarish që kredheshin ëmbëlsisht në njëri – tjetrin. Nguli vështrimin diku në rrezë të Parkut se mos ishte ajo bukuroshja e lokalit të tij. Por jo. Nuk kishte qenë ajo. Iu afrua një pishe, ku ishte një zgavër si stol. Nuk priti po ra përnjëherësh aty i dërmuar. Iu rrotullua qielli para sysh…

U përmend nga zëri i një femre që nuk ia shquante fytyrën në atë gjysmerrësirë. “Ajo” mendoi dhe u përpoq t’i kujtonte emrin.

“Tili?” ia bëri femra që rrinte përballë në gjunjë.

“Tili”, përshpëriti ai lehtë. “Unë jam Tili? Po unë nuk di që të kem një emër! Kush je ti?”

“Kush jam unë! S’më njeh, more qyqar? Po mua më njeh gjithë Tirona tash… Shpresova se je Tili im, që kam një shekull pa e parë… Që kur vajti andej… U bënë tre vjet… Në Selanik thonë se është… Ndoshta ka dashnore… Kurse ti qenke ai Tili tjetër, pa mish dhe gjak…”

“Nuk di unë nga punët tuaja! Mos më pyet! Po ti e pe atë… B-u-k-u-r…? Atë, pra, të dyqanit…

“Ajo jam unë!”

“Si?”

“Prandaj të njoha… që je Tili. Ne gjithë kohën jemi bashkë. Po ti si munde të vish gjer këtu? Unë e pashë qe ti nuk ishe… pronari lajmëroi në polici dhe po të kërkojnë…”

“Nuk ka problem… Do më japin një dru të mirë dhe do më kthejnë prap atje te dyqani. Pronari prap do më pranojë aty në vitrinë, s’ka ku gjen më të mirë… Ai është i pashpirt dhe një i pashpirt si unë i duhet…”

Ajo pa habitej me fjalët e tij.

“Në këtë botë të vdekurit bashkë e të gjallët bashkë”, tha ajo.

“Nuk të kuptoj… ne jemi të gjallët apo të vdekurit?”

“As njera, as tjetra.”

Tili nuk po kuptonte asgjë nga fjalët e asaj femre. As fytyrën nuk ia shquante mirë. “Ajo dukej aq e gëzuar, kur dilte me atë djaloshin elegant, aq e lumtur… Po tani pse nuk është me të?” Ta pyeste, e kishte mësuar aq gjë, se nuk duheshin futur hundët në punët e botës. U struk dhe më tepër në zgavër, ndjeu frikë. Ajo iu afrua dhe gjunjët e saj prekën gjunjët e tij, po ai nuk ndjeu asgjë.

2004

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok