17/11/2024

Drejtimi bashkëkohor i shkollës, kërkesë parësore për realizimin e misionit të saj

0

(Problemet e drejtimit cilësorë mbetën shqetësim i shkollës dhe i komunitetit)

Mësues mund të të bëhën plot në jetë, po mësuesi më i mirë është vetë jeta jote.   (Nasho Jorgaqi)

Nga Fran Gjoka

Drejtimi shkollës është parësor, jo vetëm për rëndësinë dhe peshën që ka një drejtues, por sepse nga mënyra e drejtimit dhe menaxhimit të punëve drejtuese të shkollës, kushtëzohen dhe çlirimi i energjive pozitive, i kapaciteteve të mendjes dhe të eksperiencave, të mësuesve tanë të përkushtuar ndaj arsimit.

Drejtimi bashkëkohor i shkollës, kërkon edhe drejtues bashkëkohorë

Rrjedhat zhvillimeve, njohja e Evropës dhe e praktikave që ato përdorin në drejtimin e shkollës, janë sigurisht një mësim i madh për ne, por të zbatuar, ato në kushtet konkrete të shkollave tona, natyrisht që kërkojnë vëmendjen e duhur, kujdes dhe angazhim të veçantë. Një drejtor i sotëm, në radhë të parë kërkohet të jetë i përgatitur mirë nga ana profesionale e shkencore, kërkohet të jetë një menaxhues i kualifikuar i drejtimit dhe organizimit të punëve, por edhe një njeri që di të njohë thellë shpirtin njerëzor të fëmijëve, nxënësve të shkollës që ai drejton por edhe të kolegëve të tij, mësuesve, të cilët, janë pikërisht ata, që do zbatojnë idetë më të përparuara, do të bëjnë të përvetësueshme tekstet përmbajtjet e tyre dhe programin mësimor – edukativ të shkollave tona. Gjithnjë ka enë nevoja për të pasur një drejtor efektiv, një shkollë që të përmbush kërkesat e interesat e nxënësve e të komunitetit prindëror. Roli i drejtuesit nuk duhen parë e trajtuar thjesht si vend ku përcaktohen detyra dhe nxirren përgjegjësi, por edhe si llojshmëri formash  ku merret e jepet eksperiencë e përparuar,  ku ballafaqohen ide e mendime të kohës. Ka ardhur koha të kërkojmë ata drejtorë shkollash që janë korrekt me veten dhe me të tjerët, që nuk njohin smirën dhe hakmarrjen, që i shoqërojnë fjalët e ngrohta dhe të mençura, që nuk priren nga vese dhe mentalitete keqdashëse.

Jo kushdo mund të emërohet drejtor shkolle

Ç ‘është e vërteta detyra e drejtuesit të shkollës është një barrë jo e lehtë, por ka edhe nga ata që e kanë quajtur “vend punësimi” dhe për këtë arsye dhe rezultatet e shkollës, puna mësimore dhe ajo edukative herë – herë janë luhatur sa për të qenë shkollë. Dihet se në shkollat tona problemet e shqetësimet janë evidente, por rezulton se sa më i interesuar të jetë drejtuesi dhe mësuesi, aq më pak probleme ka shkolla e tij dhe si rrjedhojë përparimet e saj janë të ndjeshme.

Në krye të shkollës, të jetë një drejtues, që në radhë të parë të jetë mësuesi më i mirë, por, ai, të ketë edhe disa cilësi vetjake, origjinale, drejtuese dhe menazhuese, të cilat nuk lindin vetvetiu, por kërkojnë studim, dije, vëmendje dhe kulturim të vazhdueshëm. Mbase, do të ishte i udhës aplikimi i idesë së përgatitjes së drejtuesve në shkolla apo kurse të veçanta, që ata të marrin njohuri nga bota dhe të jenë në gjendje t’i aplikojnë ato në praktikë. Ndërkohë, kjo bën që të zbulohen më të mirët, si mësues e drejtues, ata që janë në gjendje t’u përgjigjen suksesshëm sfidave të kohës dhe të zhvillimit.

Deri tani organet tona të arsimit kanë synuar të zgjedhin deri diku si drejtor mësuesin më të mirë të shkollës, por shpesh kjo nuk ka qenë e mjaftueshme, pasi drejtuesi i një kolektivi mësimor që e sheh veten të barabartë me kolegët, duhet të manifestojë disa cilësi të tjera njerëzore që ta dallojë nga kolektivi.

Një drejtor ose një individ që ëndërron të bëhet i tillë duhet të japë disa garanci në përpjekjet e tij  për çuarjen përpara të reformës e shprehur kjo në plotësimin e disa kushteve, ndër të cilët po përmendim:

Të jetë i pranueshëm nga kolektivi i mësuesve dhe i nxënësve e punonjësve të tjerë, nga komuniteti ku vepron shkolla dhe mjedisi social – pedagogjik në tërësi. Të jetë i arsimuar dhe i kualifikuar në nivelin e mësuesve më të dalluar të shkollës.

Një drejtues i pranueshëm duhet të ketë aftësi që të krijojë klimë pune normale në shkollë, të dijë t’i vërë në punë mësuesit “me të mirë”, “me të butë”, jo me urdhra, të bërtitura dhe doemos me masa ndëshkimore, ndonëse edhe këto të fundit duhen për ata që abuzojnë hera – herës. Ai duhet të bëjë ç’ është e mundur që të njohë mirë përvojat e drejtimit bashkëkohor,  por dhe të njohë nga afër përvojën e secilit mësues të shkollës, shkallën e ndërgjegjes, sistemin e punës tipin dhe psikologjinë,  problemet shëndetësore dhe ato familjare që mund të ketë dhe të bëjë maksimumin për t’i zbutur ato. Me grupin e mësuesve duhet patjetër të bëjë diferencime, duke i grupuar sipas aftësisë dhe efektivitetit të tyre. Rruga më e mirë për t’ a bërë këtë është kontrolli sistematik mbi bazën e rregullores së shkollës, por jo kontroll i njëanshëm dhe  i paragjykuar, ndërkohë që duhet të jetë i vëmendshëm ndaj lënies së detyrave dhe zbatimit të tyre.

Në mësues me pak përvojë pune në arsim dhe ata të rinj duhen “marre për dore”, në  kuptimin më të mirë të fjalës. Ky grup duhet të jetë objekt i veçantë i punës ndihmëse e kontrolluese, trajnuese e kualifikuese të drejtorisë së shkollës. Për këtë kategori mësuesish të bëhet ç ‘është e mundur që ata të bëhen specialistë në kuptimin e vërtetë të fjalës për tre – katër vite pune.  Nëse brenda kësaj kohe nuk bëhen të tillë, si rregull, nuk arrijnë t’ia dalin mbanë asnjëherë. Kërkesa kryesore ndaj tyre është të punuarit dhe të komunikuarit me shumë takt e durim dhe sa më shumë e kualifikuar. Mësues të tillë duhen motivuar për çdo  përpjekje pozitive dhe arritje sado e vogël të jete ajo. Interesi i së ardhmes së arsimit është që ata të futen në rrjedhën e punës e të garantojnë  suksesin.

Një drejtues i mirë e vlerëson mësuesin e kualifikuar si figurë qendrore të shkollës

Pavarësisht se sot puna e mësuesit është disi më pak stresuese, përsëri ai vazhdon të përjetojë ankth, frikë e tension. Të shkaktuar shpesh herë nga metoda autoritariste   dhe burokratike e drejtuesit, i cili defektet e tij si mësues, dhe aq më tepër si drejtues, përpiqet t’i mbulojë me pushtetin e karriges që padrejtësisht ia kanë dhënë të tjerët. Drejtori dhe zëvendësit e tij nëse e kanë formimin  e duhur shkencor, psikosocial dhe metodik dhe kanë një përvojë pune të caktuar, krijojnë mjedise pune e bashkëpunim të frytshëm mes palëve. Ata i angazhojnë me efektivitet mësuesit në punë, dinë se çfarë të japin dhe çfarë të kontrollojnë, njohin nga afër  psikologjinë dhe shqetësimet individuale dhe familjare që ata mund të kenë etj.

Drejtuesi i mirë dhe i aftë duhet të ngrihet mbi palët e konfliktuara dhe vogëlsirat, ta vlerësojë situatën që mund të krijohet në shkollë ose në komunitet por të mos e dramatizojë. Të jetë asnjanës në vendimet që merr dhe në punë e sipër të krijojë mendimin tek punonjësit se në punë të gjithë janë të barabartë. Në kontroll shkohet i përgatitur dhe me mendimin jo vetëm për t’i vënë në punë efektive mësuesit, por edhe për të mësuar prej tyre. Një mësues model, është një pasuri e madhe për shkollën, sepse metodat dhe llojshmëritë e formave edukative e mësimdhënëse të tij, shërbejnë edhe si përvoja për të tjerët, sigurisht jo duke i kopjuar ato, por duke i zbatuar secili mësues në mënyrë krijuese dhe në përshtatje me klasën dhe nivelin e nxënësve ku ai zhvillon lëndën e tij. Një drejtues me vizion të gjerë nuk duhet të jetë kurrë komandues dhe diktues, por rekomandues dhe sugjerues, nxitës i vërtetë i debatit shkencor e didaktik, psikosocial dhe pedagogjik. Në emërimet e drejtuesve të shkollave, duhet hequr dorë nga preferencat partiake e nepotike apo nga vendosja e njerëzve servil. Ndërkohë që drejtuesit e arsimit në rrethe, duket të shmangin hakmarrjet profesionale, hakmarrjet ndaj atyre drejtuesve që ngrenë probleme dhe bëjnë kritika që i shërbejnë nivelit dhe standardeve të larta të shkollave si dhe kushteve për pajisjen e  shkollave tona me nivelin e standardeve evropiane. Ne, punonjësit e arsimit, i njohim vështirësitë specifike të drejtimit, por edhe nuk duhet t’i dramatizojmë ato. Vështirësitë teknike të pajisjes dhe kompletimit më bazën e nevojshme material – teknike, vijnë duke u plotësuar e perfeksionuar nga dita në ditë; raporti i numrit të mësuesve dhe nxënësve po shkon drejt standardeve, që ka edhe Evropa; ndërkohë, që, mjetet e informacionit masiv shkencor, internet dhe përdorimi i kompjuterit, tabelat elektronike dhe ajo bazë e fuqishme materiale bashkëkohore, po sigurohet me prioritet nga dita në ditë dhe po bëhet pjesë përbërëse e zhvillimit të orëve mësimore, në shkollat tona. Çështja, më shumë mbetet të krijimi i mentaliteve të reja, i atyre mentaliteteve të përparuara, nga e cila udhëhiqet i gjithë procesi i zhvillimit në shkollë, gjë që do të thotë: Mësues të përgatitur, mjaft mirë nga ana pedagogjike dhe shkencore; drejtues të zotë si profesionistë dhe si menaxher; prindër që ta ndjejnë shkollën si të tyre.

Drejtuesi i shkollës të bashkëpunojë me komunitetin e prindërve dhe me institucionet përgjegjëse

Doemos drejtuesi i shkollës duhet të afrojë dhe të bashkëpunojë me komunitetin e prindërve dhe me institucionet përgjegjëse të shkollës, sepse kështu ai i qëndron pranë fëmijëve, nxënësve tanë, qofshin ata në ciklin e ulët, ashtu dhe adoleshentëve në shkollat e mesme. Por edhe vet mësuesi duhet  të rriti bashkëpunimin  me prindërit e nxënësve të klasës ku jep mësim, edhe për të rritur interesin ndaj mësimit nga ana e nxënësve, por edhe për të ndihmuar në formimin edukativ të tyre, duke shmangur  shfaqjet e një edukate “të keqe”, sjelljeve jo të mira e deri dhe akteve të braktisjes së shkollës nga nxënësit. Ky bashkëpunim e shton më shumë interesimin e nxënësve për shkollën, por edhe lufton me efektivitet konceptin “ç’më duhet shkolla!” që e hasim sot rëndomë në nxënës të ndryshëm, madje ky mentalitet shfaqet edhe nga prindër të veçantë. Pra, secili prej nesh, ta konsiderojë si ndër detyrat tona parësore krijimin dhe ngulitjen e një botëkuptimi bashkëkohor, për shkollimin dhe arsimimin, që t’i përgjigjemi si sfidave që kërkon vetë zhvillimi arsimor i vendit dhe i shoqërisë sonë, ashtu dhe kërkesave dhe detyrave, që ndjejmë brenda vetes për t’u bërë plotësisht dhe pa asnjë mangësi, pjesë e zhvillimeve dhe kërkesave të reja bashkëkohore, që t’i përgjigjemi në çdo hap ndryshimeve reformuese e strukturuese, por edhe të hyjmë me dinjitet të lartë në Evropë, ashtu si edhe e meritojmë.

Forma dhe metoda të llojllojshme dhe frytdhënëse

Për t`ju përgjigjur kërkesave të sotme bashkëkohore doemos duhet të bëjmë që punët të na ecin sa më mbarë, duke praktikuar dhe aplikuar format dhe metodat më të mira dhe më të avancuara shkencore, në mënyrë që nxënësi të ndihet sa më i pranishëm dhe sa më aktiv gjatë orës së mësimit. Ndërkaq, ne dimë që  sot nxënësi shikon mësuesin në sy dhe e dëgjon dhe e respekton fjalën e tij, por në klasa më të larta, shpesh herë ndodh që, nxënësi e vë përpara provave dhe vështirësive mësuesin, prandaj, ai, në radhë të parë duhet ta ngrejë vetveten në lartësinë e detyrës së tij, profesionalisht dhe shkencërisht. Literatura arsimore bashkëkohore sot është mjaft e gjerë edhe për mësuesin. Sot dijet dhe eksperiencat e shkollave më të mira botërore i ke “sheshit”, mjafton që mësuesit, duke ditur natyrisht gjuhë të huaja, të studiojnë disa orë në biblioteka dhe të përfitojnë prej tyre. Kjo, po aq, në mos më shumë, është një kërkesë edhe për drejtuesit e shkollave dhe të arsimit. Kualifikimet e vazhdueshme, që organizojnë organet qendrore të arsimit me drejtues e mësues, natyrisht që janë më se të nevojshme, por standardi i tyre duhet të vijë vazhdimisht duke u rritur, madje për çdo drejtues e mësues të ndihet si një detyrë parësore domosdoshmëria e aftësimit e kualifikimit të mëtejshëm, si në drejtim të mësimdhënies dhe formave dhe metodave bashkëkohore, ashtu dhe të përdorimit të metodave dhe stileve të drejtimit dhe menaxhimit të shkollës nga drejtuesit e saj. Kështu, në mendojmë për fëmijët, që janë jo vetëm e ardhmja, por në radhë të parë, ata janë e sotmja. E sotmja, kur ne duhet të punojmë çdo orë, çdo ditë e javë me ta, duke zbatuar ato forma dhe metoda frytdhënëse, që japin rezultatet më të mira.

Kur ndihmon shkollën, ndihmon jetën dhe zhvillimet e saj

Duke ndihmuar shkollën, ndihmojmë të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Vitet ikin si pa u ndjerë, brezat ua lënë radhën njëri-tjetrit, por të gjithë njerëzit, që nga ai qytetari i thjeshtë e gjer tek shkencëtari, krijuesi, artisti, politikani, burrat e shtetit, ministra, kryeministra dhe presidentë, të gjithë, kanë qenë dikur në bankat e shkollës, “kanë pasur mësuesit dhe drejtuesit, që me siguri i kujtojnë “dhe i përmendin shpesh në biseda. Por, edhe kur nuk i përmendin, ata nuk mund të shkëputen nga dituritë dhe mësimet që kanë fituar nga shkolla e tyre. Ato janë shkrirë brenda qenies se gjithsecilit dhe janë bërë pjesë e identitetit, të stilit dhe personalitetit. Fjala që dëgjon shpesh se mësuesi konsiderohet si “prind i dytë”, ka pikërisht këtë domethënie të madhe. Nëse mëma e lind, e ushqen fëmijën me qumësht dhe ushqim të përditshëm që ai të rritet i shëndetshëm, mësuesi e “ushqen” me dije e kulturë, që ai të bëhet i ditur dhe i mençur, që të njohë botën ku jeton, t’i japë kuptim jetës, të mos vegjetojë dhe të mos kalojë pa lënë gjurmë e pa u ndjerë. Është e njohur sentenca se, megjithëse bota shkon përpara, fëmijët dhe të rinjtë ia nisin nga fillimi. Dhe, për këtë jemi ne, që, më sa mundim, t’u ndriçojmë atyre rrugët e dijeve dhe të jetës, t`i ndihmojmë, që të ecin me hapin dhe ritmin e kohës. Kur e mbështet dhe e ndihmon shkollën, ndihmon jetën dhe zhvillimet e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok