18/11/2024

‘Draft-Statuti’ i ndarjes së sovranitetit në dysh!

0

Shkruan: Florim Zeqa

Sipas përmbajtjes preliminare të ‘Draft-Statutit të Asociacionit, fillimisht do të kemi të bëjmë me dy sisteme parale të arsimit dhe shëndetësisë, të cilat më pas do t’na çojnë në ndarje juridike të dy etniteteve në Kosovë.

Draft me dykuptimësi dhe interpretime të dyfishta

‘Draft-statuti i Asociacionit’ i mbajtur i fshehur për javë të tëra, më në fund u bë publik, iu dorëzua Qeverisë dhe Opozitës nga Bashkimi Europian, draft i cili është publikuar edhe në mediat e shkruara dhe elektronike.

Shkrimi në hyrje të ‘Draftit’, ku thuhet: “Në respektim të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, lenë për të nënkuptuar sovranitetin e dyfisht të shtetit të Kosovës, të ndarë mes serbëve dhe shqiptarëve.

Që në fillim të ‘Draftit’ vërehet objektivi primar, i dhënjes së kompetencave të posaçme komunitetit serb në Kosovë!

Në shumicën e Neneve dhe paragrafeve të këtij ‘Draft-Statuti’ për Asociacionin ndeshemi me paqartësi dhe dykuptimësi, të cilat më pas do t’iu përshtaten rrethanave kohore.

Filluar nga Neni 12, i bashkëpunimit me Serbinë, e deri tek Neni i fundit kemi dykuptimësi dhe hapësira për interpretime të dyfishta. Madje në Nenet 13 dhe 14 vërehen qartë kompetencat specifike dhe ekzekutive, ku Asociacioni ka të drejtë të nxjerr rregullore dhe të merr vendime të pavarura nga institucionet qendrore.

Nenet e sipërpermendura e përcaktonë qartë funksionimin paralel të sistemit shëndetësorë dhe arsimor të Serbisë në Kosovë. Pra, do t’i i kemi dy rrjete paralele arsimore dhe shëndetësore: Rrjetin Arsimor të Kosovës dhe Rrjetin Arsimor Serb të Kosovës, do ta kemi Rrjetin Shëndetësor të Kosovës dhe Rrjetin Shëndetësor Serb të Kosovës.

Kësisoji, Rrjeti Arsimor dhe Rrjeti Shëndetësor Serb i Kosovës fillimisht do të funksionojnë si “ofrues privat” me Serbinë si kontributdhënëse financiare me zyrat e saj të vendosura në Kosovë.

Paradoksalisht, këta “ofrues privat” të sistemit arsimor dhe shëndetësorë do të marrin edhe liçencë operimi në përputhje me ligin në fuqi! Kjo është ajo dykuptimësia apo më mirë të themi, ndarja e sovranitetit të Kosovës në dysh, mes Kosovës serbe dhe asaj shqiptare!

Në momentin e themelimit të Asociacionit, “ofuesit privat” të arsimit dhe shëndetësisë serbe që vijnë nga Serbia në Kosovë do të lirohen nga të gjitha obligimet doganore me rastin e sjelljes së teksteve shkollore, barnave dhe pajisjeve tjera shëndetësore!

Se vërtetë kemi të bëjmë me sovranitet të dyfisht dhe sistem paralel të rasimit dhe shëndetësisë në Kosovë, e thotë paragrafi në vijim: “Funksionimi i këtyre rrjeteve në asnjë mënyrë nuk do të kufizojë apo pengojë sistemin ekzistues të shkollave publike në Kosovë dhe të sistemit të kujdesit publik shëndetësorë në Kosovë”!

Meqë ‘Draft-Statut’ është me afat të përkohshëm-dy vjeçar dhe pa kompetenca eksplicite ekzekutive, do të jetë në monitorim ndërkombëtar. Mirëpo, askund nuk parashihet se çfarë do të ndodhë pas dy viteve me të drejtat dhe aspektet ligjore të këtij Asociacioni!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok