21/12/2024

Dr. Fran  Ivezaj, pedagogu malësor që ligjëroi në tri kontinente dhe mësoi shumë kombësi etnike e  minoritete

0
Fran-Ivezaj

Përkujtim

Nga Gjekë Gjonaj

Më  25 korrik 2024 ka vdekur   pedagogu  i shquar  malësor i gjuhës angleze  Dr. Fran Ivezaj, në moshën  65 vjeçare në Greqi  ku edhe  shërohej.  Ai kishte lindur  më 9 gusht të vitit 1958, në fshatin Lekaj të Grudës ( Malësi e Madhe). Shkollën fillore e ndoqi në fshatin Vuksanlekaj  Tuz) , katër kilometra nga fshati i tij i lindjes, ku siç  ka theksuar ai “ librat i merrnim me vete dhe ndërsa delet e lopët kullosnin bar, për ta kthyer në qumësht, ne kullosnim shkronjat nëpër faqet e librave për t’i kthyer në  dije”. Ai  është rritur  me shumë vështirësi,  vuajtje, skamje  dhe sakrifica. Ka kaluar një fëmijëri pa fëmijëri, si shumë fëmijë të tjerë  të asaj kohe të krahinave shqiptare në Mal të Zi.

Largimi nga toka e paharruar   në tokën e premtuar

Si edhe dhjetëra  familje malësore të viteve të 70-ta,   edhe prindërit e tij ( babai Leka dhe nëna Pashka )  në kërkim të një jete më të mirë ,  u detyruan të  linin  vatrat e veta shekullore, tokën e të parëve   dhe të  marrin rrugën e mërgimit ( kurbetit), si e vetmja shpresë për familjen e tyre. Fillimisht  në vitin 1971  u shpërngulën  në  Tor Lupara  të Italisë .   Atje kanë  qëndruar  nga shtatori i vitit 1971 deri në nëntor të vitit 1972, prej nga,  pas marrjes së vizave,   kanë emigruar në Detroit  në  shtetin  e Michiganit, Shtete të Bashkuara të  Amerikës. Gjatë qëndrimit në Itali, Frani  13 vjeçar lexonte  librat e At Gjergj Fishtës,  Ndre Mjedës,  Naim e Sami Frashërit e rilindësve të tjerë,  vepra të cilat  do të ndikojnë në  brumosjen  e tij ideologjike  dhe politike në mbështetje  të kauzës kombëtare.

Ëndrrën  amerikane e bëri realitet

Falë prindërve të tij arsimdashës me të mbërritur në Amerikë Frani,  ende si fëmijë,  së bashku me vëllain e tij Pjetrin ,  i  frymëzuar nga   njohurit e para për historinë e popullit shqiptar, për   gjuhën , kulturën  dhe  zakonet shqiptare ,  zgjeron njohurit e veta për kombin dhe trojet shqiptare në  bibliotekën publike, ku e mësoi edhe gjuhën angleze. Qysh atëherë i përkushtohet shkollës, ngritjes së tij arsimore  dhe profesionale. Shkollën e mesme  “ Northeastern High School” e ka mbaruar  në Detroit, në vitin 1975, kurse  studimet  në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze i ka përfunduar  në vitin 1984 dhe fiton titullin e  magjistrit. Gjatë  kohës së studimeve  pasuniversitare, ai ka punuar si profesor në një shkollë të mesme  në Detroit . I etur për dije e njohuri të reja në fushën e gjuhës angleze   ai nuk kënaqet me kaq dhe  në vitin 1996  ka mbrojtur  doktoratën  pranë “Wayne State University”. Dr. Fran Ivezaj, punën  dhe suksesin e arritur  në këtë universitet  me  hulumtimet e tij shkencore e  ka kurorëzuar  për gati një  vit, me mbrojtjen e disertacionit “ Integracion of Education in School Curriculumm, ( “Integrimi i  edukatës  multikulturore   plan-programet shkollore” ). Kështu ëndrrën  e tij amerikane e  bëri realitet.

Ligjërues, drejtues   dhe kontribuues  i arsimit   në Amerikë dhe  shtete  të tjera

Dr. Fran Ivezaj i takon brezit të parë të malësorëve në Amerikë i cili, krahas mbështetjes së familjes dhe përkushtimit të tij maksimal.  arriti  të ngrihet intelektualisht  në institucionet arsimore  në Amerikë. Njohuritë e fituara në fushën e gjuhës angleze   në këtë shtet i mundësuan atij  një karrierë të shkëlqyer. Rezultatet e punës së tij shkencore i vuri në shërbim të mësimdhënies  dhe transformimit të sistemit arsimor  në Shtete të Bashkuara të Amerikës dhe në shtete të tjera, të cilat i ngriti  në mënyrë cilësore. Veprimtaria e tij në fushën e arsimit dhe kontributi në përparimin  e dijes bënë që të jetë një ndër intelektualët e shquar  në mërgim. Për 32 vite  veprimtarie edukativo-arsimore  në shkollat publike të shtetit të Michiganit dr. Ivezaj është renditur si një edukator i shquar i anglishtes nga Marquis Who’s Who. Ky profesionist i gjithanshëm ka punuar si profesor, drejtor dhe zëvendësdrejtor  në shkolla publike në Detroit. Ka qenë   ligjërues  në  “Wayne State University”. Përveç këtyre dhe detyrave të tjera  të rëndësishme      në fushën e arsimit amerikan  ai ka dhënë ndihmesë dhe kontribut të çmuar në transformimin e sistemit shkollor  edhe në shtete të  tjera të botës.  Viteve të fundit të jetës së tij ka qenë ligjërues, drejtor, ndihmësdrejtor, mbikëqyrës, trajnues  dhe konsulent  në disa shkolla –  kolegje private,  shkolla ndërkombëtare britanike dhe ato të drejtuara nga qeveria suedeze, si: në Etiopi e Kajro – Egjipt  në pjesën lindore të Afrikës    në  Kurdistanin Jugor  – Irak  dhe në Malajzi   në Azinë perëndimore, ku ka mësuar shumë kombësi etnike e  minoritete, me ç ‘rast  është njoftuar me kultura të ndryshme  me një  trashëgimi të pasur.  Ka kontribuar  në  rihapjen e   Shkollës  Teknike “ Harry Fulltz” në Tiranë.

Autor i librit “ Klithma e një shqiponje”

Dr. Fran Ivezaj krahas arritjeve të tij shkencore në fushën e gjuhës angleze u dëshmua  edhe në fushën e publicistikës, si autor  i librit  monografik-dokumentar  me vlera artistike dhe shumë shkencore “ Klithma e një shqiponje”  në të cilin ndriçoi dhe  argumentoi në detaje me  dokumente e materiale  reale  Çështjen “Ivezaj” e cila i ngriti në këmbë  gjithë shqiptarët e Amerikës,  dhe u bë temë  e posaçme në mediat ( shtypin )   amerikan dhe  në mediat jugosllave, madje  ajo u shndërrua në një betejë të gjatë por   të suksesshme diplomatike   midis dy administratave të Uashingtonit dhe Beogradit.   Personazhi kryesor i këtij libri është  vëllai i autorit, shqiptaro-amerikani, Pjetër Ivezaj,  të cilin   gjatë qëndrimit të tij në vendlindje e arrestoi (burgosi) padrejtësisht  UDB-ja  jugosllave,  në Podgoricë,  më 19  gusht të vitit 1986 me aktakuzën si “ armik i Jugosllavisë”.

Dr. Fran Ivezaj është bashkautor i librit “ Multicurtural Component Guide Albanians” dhe autor i një broshure me titull “ “ Albanian Amerikcan”,  në të cilën  pasqyrohet një historik i shkurtër i shqiptarëve dhe personazhe të shuara shqiptare.   Ai po ashtu  ka shkruar artikuj  të ndryshëm shkencorë dhe politikë  në gazeta amerikane  dhe shqiptare. Ka qenë përkthyes i licencuar për gjuhën angleze .

Jetoi në mërgim me sy e mendje në Malësi

Dr. Fran Ivezaj  me punën e tij të palodhur   në fushën e  arsimit dhe të ngritjes intelektuale është frymëzim  për shqiptarët në mërgim.  Edhe pse jetoi më se pesë dekada  larg vendlindjes, një copëz e së cilës është instaluar në Amerikë,  sytë dhe mendjen i kishte  në Malësi.

Shkoi në amshim  pa e realizuar dëshirën   e tij e madhe  dhe  të  flaktë, që  me  profesionalizmin dhe  përvojën  e fituar shumëvjeçare në mërgim,  të kontribuojë   në transformimin e sistemit arsimor të shqiptarëve .

I përjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e tij!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok