18/11/2024

DOSTOJEVSKI DHE MIGJENI

0

Nga Agron Tufa

Shumë fije e lidhin Migjenin me Dostojevskin, po në mënyrën më të drejtpërdrejtë Migjenin e lidh me idhullin e tij “Ëndrra e Raskolnikovit” nga romani “Krim dhe ndëshkim”, prej së cilës ëndërr është ndikuar, kur ka shkruar një nga prozat e tij të shkurtra “Ngjarje pa lëvizje”, që s’është veçse një variacion i metaforizuar mbi tekstin e Dostojevskit.

Më poshtë, për kurreshtarët, do t’i botoj të dy tekstet (Dostojevskit dhe Migjenit) që të mund të gjykoni vetë.

Sidoqoftë unë e kam dashur gjithmonë Migjenin, të cilin komunistët donin me e ba doemos komunist, por jo: Migjeni mbetet poet e po aq dhe prozator në gen, i krahasueshëm me më të rëndësishmit e shkrimtarëve europianë të brezit dhe moshës së tij. Njeriu që ka shkruar ndoshta në mënyrën më thelbësore mbi artin e Migjenit është një tjetër i adhuruari im, Arshi Pipa (“Miti i Oksidentit në poezinë e Migjenit”), por ajme! Pipa gabon në një gjë të vogël, kur e merr të mirëqenë origjinën sllave të Migjenit (“Shpirti sllav që flet shqip”). Pas tij, kemi një korr të madh që shtohet vazhdimisht dhe e llogarisin Migjenin si maqedon apo serb. Për mua nuk do kishte qenë aspak e rëndësishme kjo, sepse kombësinë e përcakton automatikisht gjuha në të cilën ke vendosur të shkruash, por për popullin e madh dhe gjeneratat e nxënësve – kjo pasaktësi, kjo e pavërtetë, përkthehet në minim simpatie, para se me hy në lexim. Shkurt: le të thuhet e vërteta.

Lavdi Zotit që Skënder Luarasi i mrekullueshëm ka lënë kujtime e shënime të shumta, botuar tashmë nga i biri, ndër to, shumë hollësira rreth Migjenit qe r ka njohur, ka pasur miqësi me të dhe ka qenë martuar me të motrën e Migjenit.

Skënder Luarasi në mënyrë të hollësishme dëshmon gjakun shqiptar të Migjenit: “I gjyshi i Migjenit, Nikolla Dibrani – quhej me këtë mbiemër gjenerik se familja e kishte origjinën nga Dibra e Madhe, nga fshatrat ortodokse shqiptare të Rekës (andej ka qenë edhe poeti patriot Josif Jovan Bagëri) – qe shpërngulur në Shkodër nga mezi i shekullit të 19-të. Kemi plot këso familje të shpërngulura në këtë qytet të Veriut: Gjergaj, Trimçev, Siliqi, Banushi, Kadiqi, Dibra, etj. Kur shkonte si murator nëpër katundet e ndryshme, në Mal të Zi, Nikolla u njoh dhe u martua me Stakë Milanin nga Kuçi, e cila edhe ajo si gjithë banorët e asaj krahine, kishte shqipen për gjuhë amëtare. Ata lindën dy djem: Gjergjin (Gjokën) dhe Kriston. Gjergji, tregtar më 17 shtator 1900 u martua me Sofi Anastas Kokoshin. Nga këta prindër shqiptarë lindi Millosh Gjergj Nikolla, nga familja dibrane e Nikollave dhe ajo shkodrane e Kokoshëve”.

Sigurisht shënimet dhe kujtimet e Skënder Luarasit i vënë vulën kësaj “çështjeje” dhe le të pasqyrohet kjo dhe në librat shkollorë.

Më poshtë, siç premtova, keni me radhë dy tekstet e Dostojevskit dhe Migjenit, përkatësisht “Ëndrra e Raskolnikovit” dhe “Ngjarje pa lëvizje”:

DOSTOJEVSKI

(Ëndrra e Raskolnikovit)

Iu shtir në ëndërr fëmijëria e tij, qysh kur jetonin në qytezë . Është rreth shtatë vjeç dhe po shëtit jashtë qytezës, në një ditë feste, kapur përdore me të atin, nën erën që fryn. Bën një mot i hirtë, dita është mbytëse, vendi është krejt njëlloj, siç është ruajtur në kujtesën e tij: madje në kujtesë është ruajtur shumë më i marrtë, se sa gjallëria me të cilën tani po i shfaqet në ëndërr. Qyteza duket e hapur, si në pëllëmbë të dorës, pa asnjë shelg përreth; diku shumë larg, në zgripin më të thellë të qiellit, nxin pylli. Disa hapa tej rrethojës më të mbrame të qytezës shfaqet një tavernë, një tavernë e madhe, që gjithmonë i kishte ngjallur një përshtypje të pakëndshme e madje tmerr, kur kishte kaluar ndanë saj, duke shëtitur me të atin. Aty gjithmonë gjeje një turmë të madhe, dhe aq shumë gërthisnin, kukuriseshin, shaheshin, këndonin aq ngjirshëm e shëmtueshëm dhe rriheshin e kapathereshin shpesh; përreth tavernës sorrollateshin gjithmonë surretër të tillë të tmerrshëm e të dehur… Me t’u ndeshur me ta, ai ngjeshej fort pas të atit dhe dridhej i tëri. Ndanë tavernës kalonte rruga e fshatit gjithmonë e pluhurosur, dhe ky pluhur ishte gjithmonë i tillë, i zi. Kalonte kjo rrugë duke gjarpëruar, mandej pas treqind hapash kthente në të djathtë, në varrezat e qytezës. Midis varrezës kishte një kishë të gurtë me kupolë të gjelbër, në të cilën hynte dy a tre herë në vit për meshë me të atin dhe të ëmën, kur shërbeheshin përshpirtjet në kujtim të gjyshes së tij, të vdekur prej kohësh dhe të cilën ai nuk e kishte parë asnjëherë. Në këso rastesh ata merrnin gjithmonë me vete ushqim në një pjatancë të bardhë, të lidhur me një bohçe, ndërsa ushqimi ishte i ëmbël, i përbërë prej orizi dhe rrushi të thatë, të ngjeshur në oriz në formë kryqi. Ai e donte këtë kishë dhe ikonat e vjetra në të, kryesisht pa zbukurime veshjesh metalike, dhe priftin plak me kokën që i dridhej. Përreth varrit të gjyshes, mbi të cilin lartohej pllaka, kishte dhe një varr të vogël që ishte i vëllait të tij, vdekur gjashtë muajsh dhe të cilin gjithashtu nuk e kishte njohur kurrë, andaj s’kishte si ta mbante mend; por i kishin thënë, se e kishte pasur një vëlla të vogël, dhe ai çdo herë kur vizitonte varrezën, e bënte kryqin përnderueshëm e me ndjenjë fetare mbi varrin e tij, i përkulej dhe e puthte. Dhe ja se i shtirej tani në ëndërr: po shkon përdore me të atin drejt varrezës dhe po kalojnë ndanë mejhanes; i shtrëngon dorën të atit dhe i hedh me tmerr një sy mejhanes. Një rrethanë e veçantë ia tërheq vëmendjen: këtë herë aty sikur po kremtohet njëfarë feste, një turmë grash të veshura shik me burrat e tyre dhe gjithfarë rrotullhanieje. Të gjithë të pirë, të gjithë këndojnë, dhe ndanë tavernës prej qerpiçi, në hyrje, ka ndaluar një karrocë, por një karrocë e çuditshme. Është një nga atë karrocat e mëdha, të cilat tërhiqen nga kuaj të mëdhenj leshatorë dhe bartin me to mallra dhe voza me verë. Gjithmonë i kishte pëlqyer të sodiste kuaj të tillë të mëdhenj, jelegjatë, me këmbë të trasha, që ecin prajshëm, me një ritëm të matur hapash dhe tërhqinin pas vetes një mal të tërë me gjithfarë gjërash, pa sforcimin më të vogël, a thua se e kanë më lehtë të ecin me ngarkesë, se sa pa të. Por tani, për çudi, mprehur në këtë karrocë të madhe kishin vënë një kalush të vogël, gërdallë, një kalush thatanik fshatarësh, një nga ata, të cilët – siç i kishte takuar shpesh të shihte – shtërzojnë e shkumëzojnë nën barrën e druve apo sanës, veçanërisht nëse karroca ka ngecur në baltë apo në gropë, dhe në këso rastesh muzhikët i fshikullojnë aq dhimbshëm, i qëllojnë aq tërbimthi drejt në fytyrë, në sy, dhe atij i vjen aq keq, e ka aq të padurueshëm ta shohë e ta përballojë këtë vuajtje, sa e ndjen të qarën në zgrip, ndërsa nënokja gjithmonë, ndodhte ta largonte nga dritarja. Por ja se si papritmas bëhet tollovi e madhe: nga taverna dalin me britma, me këngë, me ballallajka  ndër duar muzhikë të tillë trupmëdhenj, të veshur me këmisha të kuqe e blu, me tambare të dhirta hedhur supeve, të gjithë të dehur dhogë. «Hipni, hipni të gjithë! – vikat njëri sosh, ende i ri, me një qafë të trashë dhe me një fytyrë të mishtë kuqalashe, si karrotë, – të gjithëve do t’ju çoj, hipni!» Por sakaq buçasin të qeshurat dhe klithmat:

– Me këtë gërdallë more do të na çosh!

– A je në vete more Mikolla, ç’të ka shkrepur: këtë pelë gërdallë e të karrakatur gjete të mprehësh në këtë karro të madhe!

– Epo kjo trimoshe tash do t’i mbushë njëzet vjeç, more vëllezër!

– Hipni, të gjithëve do t’ju çoj shëndoshë! – briti sërish Mikolla, duke kërcyer i pari në karrocë, kapi frerët dhe u ngrit në këmbë me krejt shtatin në pjesën e parme. – Doriu ka kohë që është nisur me Matvjejin, – bërtet ai nga karroca, – ndërsa kjo pelëz, more vëllezër, zemrën do të ma plasë në vend: të ishte për mua, vetëm sëpata i bën derman, se kot e ha tagjinë. Hipni ju thashë! Me galop do ta lëshoj! Me galop do të ecë! – Rrëmbeu kamzhikun në dorë dhe u bë gati të shijojë kënaqësinë e fshikullimit.

– Po hipni de, ç’keni kështu! – gajaset turma. – E dëgjon, do ta lëshojë me revan gërdallën!

– Ajo ka nja dhjet vjet që s’di se ç’është revani.

– Do ta lëshojë të vrapojë me revan!

– Mos t’ju vijë keq, vëllezër, rrokni nga një kërbaç dhe mëshojini!

– Fjalë e ke! Sëllij sa të ha krahu!

Të gjithë hipin në karron e Mikollës me gajasje e me të zgërdhira. Gjashtë u ngjitën, por nxinte edhe më shumë. Atëherë morrën me vete dhe një grua dërdënge e faqekuqe. Qe veshur e tëra me kumash, në kokë kishte vënë një takie plot rruaza, kishte mbathur çizme të trasha lëkure, çante arra me dhëmbë dhe qeshte. Turma përreth gjithashtu qeshte, dhe njëmend, si të mos qeshte: si mund ta shpinte me revan një barrë të tillë kjo pelë e mbaruar! Dy djem në karrocë rrëmyen sakaq nga një kërbaç, që t’i ndihmojnë Mikollës. Buçiti: «hya!», kalushja tërhoqi me të gjitha forcat, por jo vetëm revan që s’pati, por as edhe një hap nuk mundi ta hedhë para, veçse rrahu thundrat në vendnumëro, rrënkoi dhe u kruspullua nga fshikullimat e atyre kamzhikëve që u derdhën mbi të, mu si kokrra bizelesh. Kukurisjet në karrocë dhe në turmë morën flakë, por Mikolla nxehet dhe në tërbim e sipër e mbulon kafshën e shkretë me fshikullima të dendura, mu sikur menjëmend ta besonte, se ajo ishte në gjendje të nisej revan.

– Lermëni dhe mua të hip, vëllezër! – bërtet një djalosh nga turma, i cili sapo kishte zbuluar kënaqësinë e fshikullimit.

– Hipni! Hipni të gjithë! – pisket Mikolla, – të gjithëve do t’iu shpie. Do ta zgërdhi në dru! – Dhe fshikullon, fshikullon, dhe nuk e merr vesh tanimë, me ç’ta qëllojë tjetër nga xhindosja që e ka kapluar.

– Babi, Babi, – i bërtet ai të atit, – çfarë po bëjnë ashtu, o ba? Bab, ata po rrahin për vdekje një kalë të mjerë!

– Ikim, ikim që këtej, bir! – i thotë i ati, – janë të dehur, budallenjtë, kanë gjetur si të argëtohen: ikim, mos i shih! – dhe rreket ta heqë prej atij vendi, por ai i del duarsh dhe, pa e kuptuar as vetë, ngarend drejt kalit. Por kali i gjorë ndjehet keq. Ai po mbytet në gulçe, ndalon, sërish provon të tërheqë, për pak sa nuk shembet përtokë.

– Zhdëpe në dru për vdekje! – çirret Mikolla, – meqë kështu shkoi puna. Ngordhe në dru!

– A ke fe në zotin e krishterë, more xhind i ndërkryer! – bërtet një plak nga turma.

– Ku është parë, që një gërdallë e tillë të luajë vendit një karro si kjo, – shton një plak tjetër.

– Do ta ngordhësh! – bërtet një i tretë.

– Mos ndërhy! Është hesapi im! Çfarë të më teket, atë do të bëj. Hipni prapë! Hipni të gjithë! Dua, që detyrimisht ta lëshoj me revan!..

Befas të qeshurat buçasin me kolpo dhe shurdhojnë gjithçka: pela thatane nuk i përballoi dot goditjet e shumëfishuara dhe nisi të qesë shqelma pa pikë fuqie. Madje dhe plaku nuk u përmbajt dot dhe u zgërdhi. Çudi: një pelë e mbaruar gërdallë, dhe prapë qet shqelma!

Dy djelmosha nga turma marrin edhe ata nga një kërbaç dhe turren drejt pelës ta fshikullojnë nga brinjët. Secili vrapon drejt anës që ka zgjedhur.

– Surratit more, fshikulloje nga sytë, nga sytë! – çirret Mikolla.

– Nisjani këngës vëllezër ! – bërtet dikush nga karroca, dhe të gjithë në karrocë iu bashkuan. Ia nis një këngë e trazuar, kërcet një dajre, ndëra në refren e shoqërojnë fishkëllimat. Gruaja vazhdon të çanjë arrat me dhëmbë e të qeshë.

…Vrapon përbri kalit, vrapon përpara, shesh se si e fshikollojnë syve , drejt e në sy! Qan. Zemra i çohet peshë, lotët i rrjedhin. Njëri nga fshikulluesit ia ngjesh me bërryl në fytyrë; ai nuk e ndjen, vë duart para fytyrës, bërtet, turret drejt plakut thinjosh me mjekër të thinjur, i cili tund kokën dhe e dënon këtë marrëzi. Një nga gratë e merr për dore dhe do që ta heqë prej andej; por ai i shpëton dhe vrapon drejt kalit. Kafsha bën përpjekjet e fundit, por përsëri nis të qesë shqelma.

– Të hëngërshin shtatëqind dreqërit! – shfryn me tërbim Mikolla. Ai e flak tutje kamzhikun, përkulet dhe nxjerr nga fundi i karrocës një hu të gjatë e të trashë, e rrok nga njëra anë me të dy duart dhe me sa fuqi ka i hapet t’i mëshojë fort pelës.

– Këpute në kërbishte! – bërtasin përreth.

– Do ta mbysë krejt!

– Punë për mua! – bërtet Mikolla dhe me gjithë forcën e mbledhur sëllet me hu mbi kafshën. Dëgjohet një goditje e rëndë.

– Mbyte krejt, mbyte! Pse ndalove! – bërtasin të pakënaqur nga turma.

Por Mikolla i zhdredhet më hu edhe njëherë tjetër, dhe goditja e dytë lëshohet me gjithë egërsinë mbi shtyllën kurrizore të pelës së pafat. Ajo vithiset e tëra në vithe, por brof dhe njëherë dhe rreket të tërheqë, rrekt me të gjitha fuqitë e fundit që i kanë mbetur në anë të ndryshme, që të mund të lëvizë karrocën; por nga të gjitha anët i përvishen me gjashtë kërbaçë njëherësh, ndërsa huri i tmerrshëm ngrihet sërish dhe sëllet mbi të për të tretën herë, mandej për të katërtën, rregullisht, me goditje të rënda. Mikolla bëhet xhind nga tërbimi, që nuk po ia del ta vrasë me një goditje.

– Prapë gjallë e ke! – bërtasin përreth.

– Tani do të plandoset se s’bën, o vëllezër, tani do të marrë fund! – bërtet me të madhe një sehirtar i ngazëllyer nga turma.

– Ajo e do me tu sëpate në lule të ballit, more! T’i japësh fund me një goditje, – sokëllin një i tretë.

–  Ah, ty ta pifshin gjakun mushkonjat! Hapuni! – shkumëzon i ndërkryer Mikolla, flak tutje hurin, përkulet sërish brenda karrocës dhe nxjerr që andej një varré hekuri. – Ruhuni! – briti ai dhe me sa fuqi pat iu turr kafshës së tij të gjorë. Goditja u lëshua në kurriz; pela u kalamend, u përgjunj, deshi të ngrihet, por varreja me sa i hënër krahu mëshoi sërish e sërish mbi kurrizin e saj, dhe ajo shembet përdhe, mu sikur t’ia kishin prerë njëherësh të katër këmbët.

– Jepini fund! – shfryn Mikolla dhe kërcen nga karroca, krejtësisht i shkalluar. Disa djelmosha, po ashtu të kërthnezur e të dehur, rrokin çfarë u bie në dorë – kamzhikë, shkopinj, hunj, dhe turren mbi pelën që po jep shpirt. Mikolla ndalet mënjanë dhe nis ta qëllojë kot me varré në shpinë. Pela zgjat surratin e saj përpara, gulçon grahmën e fundit dhe mbaron.

– Cofi! – bërtet turma.

–  Pse nuk e bëre të niset me revan!

– Ajo është punë për mua! – shfryn Mikolla, me varre ndër duar dhe sytë e mbushur me gjak. Qëndron sikur i vjen keq, se s’ka më kujt t’i vërsulet t’i mëshojë me varré.

– Epo kjo duket për diell, ti s’paske fe më Zotin! – ngrenë zërin shumë njerëz nga turma.

Por djali i shkretë nuk ishte në vete nga hidhërimi. Me britma ai çan shtek përmes turmës për tek pela, i hedh krahët të përqafojë trupin e saj të vdekur, surratin e përgjakur, të cilin e puth, puth sytë e saj, buzët… Mandej befas brof në këmbë dhe i shfytyruar nga tërbimi i vërsulet me grushtat e tij Mikollës. At grimëkohë i ati, që kishte ngarë gjatë pas tij, e kap dhe nxjerr me së mbrami nga turma.

– Shkojmë, ikim që këtej! – i thotë, – shkojmë në shtëpi!

– Babi! Përse ata… kalin e mjerë… pse  e vranë! – ngrashërehet ai, por frymëmarrja i këputet, dhe fjalët i shkepen me klithma nga kraharori i shtrënguar nga hidhërimi.

– Janë të dehur, bëjnë marrëzira, nuk është puna jonë, bir, shkojmë tani! – thotë i ati. E mbështjell të atin me krahët e tij, por kraharori e shtrëngon, e shtyp. Kërkon që të marrë fyrmë, të këlthasë, dhe zgjohet.

(Përktheu nga origjinali: Agron Tufa)

MIGJENI (1991-1938)

NGJARJE PA LËVIZJE

Hyjo, hyjo! të marroftë zoti! Hyjo! Të hangërt dreqi! – Por më kot… Kali s’ec. Asnjë hap s’mund ta bajë para. Barra ishte tepër e randë.

Fishkllonte kamzhiku nëpër ajër, binte dhe u njitte për trup të kalit; fishkllonte, binte dhe u njitte pa pra. Kali, ku prej të rrahunit e ku prej peshës, ishte bam dhe përgjysmë ma i vogël. Trupi i djersitun iu ba si një lamsh dejesh, të cilët kërcejshin nën lëkurën e trupit të tij. Kryet, në vuejtje i shtrime përpara, ngjante se tashti po shkëputet nga trupi dhe po rrokulliset në pluhun nën kambë, të cilat rraheshin përtokë, përkuleshin, dridheshin… Kot! Se barra ishte tepër e randë.

– Hyjo! hyjo të pasha hajrin, – filloi njeriu me të butë ta ngasi kalin dhe e muer për zengji. Kalit i dridheshin vrimat e hundës, i mbylleshin ngadalë sytë dhe përsri hapeshin pa fuqi, për ta pa mjerimin e vet dhe njeriun.

N’ata dy sy, që aq u ngjajne syve të njeriut, ishte i shkruem fundi i jetës së tij. Nga ata dy sy pikojshin (në mënyre si ke njeriu!) dy pika të një langu ndërpamës… Si t’ishin lotë. Ata dy sy, të një lande pa ngjyrë, pa lëvizje, pa jetë, flitshin për një barrë që then kurrizin, flitshin për mjerimin e krijesave të kësaj bote, flitshin për një kufomë. Kali, bota e mjerueme – e fundit: kufomë. Nji kufomë e gjallë që si fantom i rri kundruell përgjegjsis së ndërgjegjshme. Kali, bota e mjerueme – e fundit: kufomë… e cila gjithnjë flen në tru të njeriut të ndërgjegjshëm dhe ai zu të qelbet. Të githë eksperimentet e bamë deri sot vetëm që shpejtuen kalbsinën e kufomës.

Më dhimbsej kali që pësonte gith’at barbarizëm prej njeriut. Më dhimbsej, se edhe ai ndjente si unë, vetëm që nuk dinte ta thoshte dhimbjen e vet. E këtë ndoshta pritte njeriu qe t’i ndalojë mizorinat e tij. Shokut tem, që u gjet prane meje, i thashë me dëshprim: – Ai njeri, që aq e mundon at kafshë, a meriton t’i hudhen në shpinë të gjithë ata gurë që janë barra e kalit të mjerë? — Jo! – ish përgjegja e shokut tem – se edhe ky njeri ka kamxhikun e vet që fishkllon dhe e rreh ndër ndjenja, asht kamzhiku i pamshirë i jetës; ti harron se ky njeri mundet me pasë te shtëpia katër – pesë palë duer të vogla që nuk dijnë asgja tjetër, veç bukë me lypë. Mbas këtyne fjalve mjaft, por jo krejt t’arsyeshme të shokut, unë shikojshe njeriun, kalin, karrocën, të gjithë të kryqzuem në një gjendje mundimi e dhimbjeje te jashtëzakonshme dhe nuk dijshe kush ka te drejtë: kali apo njeriu, unë apo shoku i em? Ndoshta dhe kali, dhe njeriu, dhe unë, dhe shoku i em, ndoshta asnjeni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok