30/05/2024

Dossier/ Si u turrën mbi muret e ambasadave në Tiranë me thirrjet “Liri-Demokraci!”

0

2 Korrik 1990, shkallmohen rrethimet e ambasave të vendeve perëndimore në Tiranë

-Askush nuk e priste që mbi muret e ambasadave në Tiranë të hidheshin plot 4795 vetë

Si po rrëzohej muri i Shqipërisë totalitare, pas pushkatimit të Çausheskut dhe lëvizjet e Ramiz Alisë

  • Pushkatimi pa gjyq i Çausheskut në Rumani, tronditi hierarkinë puniste shqiptare.
  • Lëvizjet e R. Alisë drejt Evropës e Amerikës ishin tejet të vonuara
  • Vendet më të preferuara Gjermania ku shkuan 3163 vetë dhe, në Itali 816

Nga Albert Z. ZHOLI

Ai, 2 korrik ka hyrë si ditë e zezë në historinë shqiptare…Pse? Dhjetëvjeçari i fundit, 1980-1990, ishte për Shqipërinë totalitare një kohë kur socializmi enverian nisi të hajë vetveten. Në përgjithësi, pas prishjes së marrëdhënieve ekonomike-politike me Kinën e largët “peshqeshet” e kongreseve zhurmëmëdha për mbështetje të plotë në forcat e veta nisën të zvogëloheshin frikshëm. Në vend të hidrocentraleve gjigante mbi lumin Drin të ndërtuara më kredi kineze, në vend të uzinave, që duhej të bënin gjithçka për ekonominë të centralizuar. Në të vërtetë, siç po shihet sot, eksperimentet e parimit të mbështetjes në forcat tona, siç quhej, ishin fillimi i fundit të sistemit të socializmit njëpartiak. Po shuheshin ngadalë entuziazmi dhe patriotizmi partiak, po humbiste në terrin e harresës vetë figura e Enver Hoxhës, dhe kjo për shkakun e vetëm, sepse shqiptarët po varfëroheshin me shpejtësi. Tentativat për komunistizimin e jetës shqiptare parakohe, siç ishin kooperativat e tipit të lartë, tufëzimi i bagëtive, centralizimi i skajshëm i gjithë ekonomisë, e shuan interesin e njerëzve për të punuar, sikundër shuan mirëqenien e arritur. Historira se si ishim në vitet ’40 dhe si jemi sot, nuk pinin më ujë, sidomos në brezin e ri, i cili nuk e njihte fare periudhën e paraçlirimit, por as atë të viteve ’50-60. Depërtimi i pamjeve televizive të huaja, sidomos televizioni italian, liberalizimi i letërsisë dhe artit, politika mikro gorbaçoviane e Ramiz Alisë, pas vdekjes së Enver Hoxhës, krijuan pështjellimet e para ideologjike. U shtuan arratisjet, sidomos në Greqi, u prishën ekuilibrat e edukatës komuniste, u ra vlera të ashtuquajturave organizata të masave, madje, vetë Partia e Punës, më imponuesja organizatë në jetën e shqiptarëve, nisi të neglizhohej. Kjo histori rënieje, ndonëse në përmasa e forma të tjera, po ndodhte pothuajse në të gjithë lindjen totalitare. Nuk po e përdor termin “lindjen komuniste”, sepse komunizmi nuk u arrit kurrë të vendosej në ato vende. Bënte përjashtim në këtë “perandori” ideologjike Kina, e cila qysh në fund të viteve ’70, u hapi dyert kapitalit të huaj dhe krijoi një proces ekonomik të tillë, që i lejoi vendit më të madh të botës një zhvillim të shpejtë. Kjo lëvizje, e cila u kritikua ashpër nga stafi i komunistëve në Tiranë, i dha mundësi Kinës, jo vetëm të ecte përpara, por të mos binte kështjella e saj, edhe sot, 33 vjet pas shkatërrimit të komunistëve fanatikë evropian-lindorë.

Dy botë, të ndara qartë ekonomikisht e politikisht

Shkulja masive e trungut të shqiptarëve, ishte në njëfarë mënyre diferenca ekonomike me atë botë, e cila gjendej shumë pranë nesh, por për kushte të tjera historike, politike dhe ekonomike, kishte krijuar një mirëqenie disa herë më të madhe. Por nuk do të thoshim gjithçka në qoftë se këtë fatkeqësi kombëtare, siç e quajmë sot, do t’ia faturonim vetëm sistemit e formave evasive ekonomike të tij. Ekzistonin dy botë, të ndara qartë ekonomikisht e politikisht, dy rajone me civilizime historike të ndryshme, me forma konkrete armiqësore ndaj njëra-tjetrës dhe shpenzime kolosale për ta mundur sho-shoqin. Në kohën kur Enver Hoxha synonte të mbillte fushave e maleve të Shqipërisë qindra e mijëra bunkerë, të cilat, siç thoshte ish kryeministri M. Shehu, vërtet kushtojnë një grusht flori, por shmangin lumenj gjaku. Ndër kohë vendi më i pasur i botës SHBA synonte të ndërtonte sistemin e ‘Luftës së Yjeve”, i cili do të kostonte triliona dollarë. Por vendet më të varfra të Evropës së shekullit të kaluar ranë nën ndikimin komunist. Rusia e para, një shtet kolosal ku u ruajt bujkrobëria deri në prag të revolucioneve; pastaj Polonia e kaluar dorë më dorë të imperatorëve evropianë, Çekia e Hungaria si skaje të perandorisë së madhe austriake, Rumania, Serbia, Bullgaria, si periferi dhe prapambetje të trashëguara nga otomanizmi shekullor, Shqipëria….më tragjikja e Ballkanit! Bëri përjashtim vetëm Greqia.

 Alarmi i familjes Popaj

Në vitet 1944-1960, Shqipëria bëri vërtetë hapa të rëndësishëm ekonomik në tri dhjetëvjeçarët e parë të pasluftës, por trashëgimia kulturore, superstruktura e shtetit, mbyllja nga bota, liria e kufizuar e iniciativës së individit, por edhe presioni ekonomik e politik ndërkombëtar, e bën atë plagën e Evropës. Pastaj ajo rezistoi edhe pak. Pushkatimi pa gjyq i Çausheskut në Rumani, tronditi hierarkinë puniste shqiptare. Lëvizjet e R. Alisë drejt Evropës e Amerikës ishin tejet të vonuara. Tanimë fitimtari perëndimor ishte bërë i pamëshirshëm. Ai nuk falte më. Të gjitha strukturat e shërbimeve të fshehta, të gjitha marrëveshjet ekonomike formale, të gjitha segmentet shoqërore të quajtura “të deklasuara”, u nisën të lëviznin sipas kaheve të tilla që duhet të çonin në eliminimin e sistemit të socializmit totalitar. Në këtë plan të përgjithshëm perëndimor ishte edhe vetë dyndja drejt ambasadave. Historia e ambasadave është quajtur veç formale, dhe thjeshtë një zemërim i popullit shqiptar, veçanërisht i rinisë, për të thyer kornizat e diktaturës. Në pamje të parë kështu duhej të ishte. Por le të qëndrojmë pak më gjatë në këtë dritare të fillimit të emigracionit masiv, për të kuptuar të vërtetat. Dihet nga të gjithë se më 12 dhjetor 1985 ora 11 gjashtë vetë të familjes Popaj, (katër motra dhe dy vëllezër) hynë në ambasadën italiane në Tiranë, nga rruga Labinoti, duke i thënë policit se ishin turistë italianë. Kjo ngjarje tronditi qysh në fillim opinionin shqiptar dhe themelet e “pathyeshmërisë” së sistemit totalitar. Tani më jo duke prerë telat me korent të gardhit kufitar me Greqinë, as duke rrezikuar mbytjen në kanalin e Korfuzit, por ashtu thjeshtë. Përmbi kangjella dhe…ja në një botë tjetër. Duke qenë fare pranë Qytetit Studenti ngjarja e Popajve pati efekte të mëdha psikologjike mbi kategorinë më të pritur për liberalizëm. Shteti italian e pranoi sfidën. Shqipëria zyrtare e rrethoi ambasadën italiane me roje të shumëfishuara dhe me një shërbim që i kostonte qimet e kokës. U vunë në lëvizje shtete, organizata ndërkombëtare, që mbronin të drejtat e njeriut, u bënë deklarata deri në Kombet e Bashkuara. Kokëfortësia e qeverisë shqiptare arriti deri atje, sa tanimë kontrollohej çdo gjë që dilte e hynte në ambasadën italiane. Edhe kutitë e mallrave nuk duhet të ishin më të mëdha se 50X50 cm. Marrëdhëniet ndërshtetërore me fqinjin më të afërt të periudhës pas kineze u bënë të akullta. Fundi…dihet.

Si ra frika 45-vjeçare?

Rasti Popaj ishte padyshim një matje pulsi për ngjarjet e ardhshme. Kështu ndodhi që më dy korrik 1990 pothuajse të gjitha ambasadat e huaja në Tiranë të çelnin dyert e tyre për ata që donin të iknin nga Shqipëria. Si mund të flakej brenda një nate frika gati dyzetë e pesëvjeçare se arratisja ishte tradhti, dhe tradhtia ishte një jetë e mjeruar edhe për ata që mbeteshin pas? Dihet konstitucioni ndërkombëtar i territoreve të ambasadave. Ato janë shtete brenda shteteve dhe cënimi i territoreve të tyre konsiderohet si cënim kufijsh. Por për çudi asnjë ambasador i akredituar në Tiranë, të cilit i qe “dhunuar” territori kombëtar nuk bëri ankesë pranë qeverisë shqiptare për marrjen e masave në mbrojtje të ambasadave. Përkundrazi. Ambasadori gjerman mori në mbrojtje të “plagosurit” rebelë, pa pranuar që ata t’i dorëzoheshin drejtësisë shqiptare. Ditët e ambasadave gjithashtu do të kërkojnë analiza më të thella me zbulim dokumentesh të fshehta. Por ngjarjet, që pasuan më pas, sidomos skenat e ngjashme si në Kubë, etj…tregonin se skenat e ambasadave, (dikush preferoi të prishte dhe murin e jashtëm dhe me një ‘Skodë” të vjetër të fuste me dhjetëra veta brenda), ishin inskenuar më parë. Pavarësisht se nga mjetet qeveritare shqiptare të asaj kohe, këto u quajtën mësymje të ”bandave huligane”, në të vërtetë, sasia e madhe e njerëzve, që hynë në ambasadat e huaja atë korrik të vitit 1900 ishte e tillë, që ky term komunist binte vetiu.

Kush ishin organizatorët, apo nismëtarët?! 

Flitet shumë, por e saktë asgjë! Ato ditë në ambasadat e ndryshme hynë e dolën së andejmi të mposhtur nga lotët e nënave nëpër kangjellat e ambasadave), 4795 vetë. Nga këta për në Gjermani shkuan 3163 vetë, në Itali 816, në Francë 549, për në Turqi 77, për në Poloni 52, për në Çekosllovaki 51, për në Jugosllavi 6, për në Egjipt 6, për në Bullgari 5 etj. Më pas shumë prej tyre, sidomos ata të vendeve lindore, do të mërgonin drejt SHBA, Kanadasë, Australisë e gjetkë. Të dhënat e fundit tregojnë se shqiptarët kanë mbërritur edhe në Iran, Zelandën e re, e Argjentinë. Ajo që bie në sy, është numri relativisht i vogël i atyre që hynë në ambasadën greke. Çfarë ka penguar vallë atë kohë për ta injoruar një vend të TPE si fqinji ynë jugor e të preferohej më tepër Polonia, Çekosllovakia e Hungaria? Mos vallë në vallen e ambasadave u përfshinë më shumë qytetarë nga Shqipëria e Mesme dhe Veriu i vendit, të cilët, tradicionalisht, nuk i shihnin grekët si mikpritës? Këto raporte do të përmbyseshin më pas për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare…

Shqipëria me 17 përfaqësi diplomatike

Izolimi kishte bërë të vetën. Përfaqësitë në Tiranë ishin me pikatore. Në Tiranë, në vitin 1990 ishin të vendosura vetëm 17 përfaqësi diplomatike, 4 përfaqësi tregtare, si dhe 5 rezidenca e 4 pallate banimi, por vetëm 3 prej tyre ishin ambasada perëndimore: RFGJ-ja, Italia, Franca, Greqia, Jugosllavia, Çekosllovakia, Rumania, Turqia, Polonia, RDGJ-ja, Hungaria, Bullgaria, Vietnami, Kuba, Kina, Koreja e Veriut, Algjeria. Pasi popullsia u dynd në ambasada të huaja dhe regjimi nuk mund ta përballonte fluksin, ato u lanë hapur për disa ditë. Lëshimi i situatës ndodhi për pak ditë, aq sa mund të krijonte mbushjen e menjëhershme të hapësirave të ambasadave.  Pas dyndjes në ambasadat e huaja, në bisedim me të dërguarin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, regjimi u detyrua të lejonte grupin e madh të personave të dilte jashtë shtetit me statusin e kërkuesit të strehimit politik. Nëse zgjateshin ditët më shumë, të mund të kishim shpërthim epidemish, vdekje të më të dobtëve, vdekje fëmijësh, etj. Nëse këto do ndodhnin, regjimi nuk kishte ku ta çonte revoltën e pallogaritshme, që mund të shpërthente. Për pasojë, Presidiumi i Kuvendit Popullor, nën direktivat e Ramiz Alisë, nxori dekretin përkatës që normonte rregullimin e kësaj gjendjeje. Në zemër të Tiranës ishin afërsisht 5 mijë persona që dashje pa dashje mund të bënin figurë publike qoftë edhe me largim pasiv. Po për të shmangur çdo problem, regjimi përgatiti largimin e tyre në orët e vona të natës. Dhjetëra autobusë në krye e në fund makina të policisë, i ngjanin një kortezhi mortor. Askush nga ata që ishin brenda atyre autobusëve në zymtësinë e asaj mbrëmje korriku, priste me ankth fundin e kësaj historie. Qëndrimi në ambasada zgjati 11 ditë për ata që hynë në datën 2 korrik e diçka më pak për të tjerët, që hynë ditët në vijim. Pas bisedimesh midis përfaqësuesve të regjimit dhe të dërguarit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, u vendos largimi i tyre, i pjesës më antikomuniste të vendit, në shtetet perëndimore.

Alarmi i qeverisë 

Mbi Tiranë qielli ishte gri. Qeveria ishte e trembur. Konkretisht, më 2 Korrik 1990, paradite, Reiz Malile ka thirrur ambasadorët për t’i vënë në dijeni se shtetasit shqiptarë do të ishin të lirë të venin në ambasadë për të marrë viza. Në fakt, ky vendim do të ulte tensionet dhe do të plotësonte, sipas rregullave nga vetë ambasadat, dëshirat dhe kërkesat e shumë shtetasve që kishin tendenca për të ikur. Në zbatim të këtij vendimi, kuadrot dhe shërbimet tona ishin porositur që më 3 korrik hyrja për viza në ambasada të bëhej normalisht, nga dera. Por, rreth orës l9.30 të kësaj dite (2 korrik), një automjet i rëndë me 34 persona, çau murin rrethues nga mbrapa ambasadës gjermane dhe, duke rrezikuar edhe jetën e policit, hyri brenda. Ndërkohë, në ballkonet e ambasadës dhe deri te muri i rrëzuar, kishin dalë punonjës të asaj ambasade, të cilët i ftonin me dorë turmat e njerëzve në periferi, për të hyrë në territorin e saj. Të njëjtën gjë bënin edhe punonjësit e ambasadës greke. Në këto rrethana, në drejtim të këtyre ambasadave, nxitimthi u sulën turma të organizuara. Jo më pak se 6000-8000 veta të irrituar, duke sulmuar me gurë drejt policisë, po afroheshin drejt hyrjes së ambasadës greke…Për 2 korrikun ishin të interesuar mjaft segmente, jashtë dhe brenda vendit. Kishte nga ata që kërkonin përmbysjen e regjimit dhe që kishin qenë beniaminë të njohur të partisë-shtet, të cilët me intuitën e tyre po e shikonin se atij shteti “po i binin patkonjtë dhe tashmë donin të përvetësonin flamurin e antikomunizmit, duke harruar se kishin qenë komunistët më sektarë e ndër më të privilegjuarit. Për 2 korrikun ishte e interesuar, veçanërisht, UDB-ja jugosllave, e cila si gjithmonë, kur acarohej situata në Kosovë, kurdiste ngjarje dhe incidente në Shqipëri. 2 korriku i Kaçanikut, jo rastësisht koincidonte me 2 korrikun e ambasadave në Tiranë. Të gjitha segmentet e interesuara, duke ditur se ambasadat janë pikat më të nxehta dhe krijimi i incidenteve ndaj tyre, krijon situata ndërshtetërore nga më të rëndat, sa për përputhje interesash aq edhe për llogari të veta, u bënë nxitësit kryesorë për dyndjen drejt ambasadave. Ngjarja e 2 korrikut 1990, megjithëse mori karakter kombëtar e ndërkombëtar, nuk u analizua as nga sektorët përkatës të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe as nga Drejtoria e Policisë, që mbajti barrën kryesore për parandalimin e pasojave të paparashikuara. Pra, nuk u bë. Pse? Vështirë është që të gjesh psenë e saj. Por, analiza profesionale e asaj ngjarjeje do të evidentonte shkaqet e vërteta, të cilat do të shërbenin jo vetëm për përvojën e policisë, por edhe për pasqyrimin me objektivitet të së vërtetës para opinionit që të mos u linte shteg dashakeqëve të keqinterpretonin dhe të disinformonin brenda dhe jashtë vendit.

Sidoqoftë kishte rënë një Mur i ri i Berlinit…

Më pas do të shkuleshin me egërsi gjithfarë telash me gjemba dhe klonet elektrike të vendosura midis kufirit shqiptaro grek. Përse ndodhi kështu?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok