Dorëheqja, nocion i panjohur në Kosovë!
Shkruan: Florim Zeqa
Ne shqiptarët jemi të njohur për popujt e tjerë për forcën vetanake dhe sukseset individuale, por shumë pak jemi të veçuar për sukseset ekipore apo kolektive! Arsyet e këtij stagnimi janë të shumta dhe të shumllojshme.
Shqiptarët sakrifikojnë familjarët dhe shoqërinë për të marr bajrakun
Tiparet negative të trashëguara nga e kaluara, si bajraktarizmi apo ndjenja për të qenë i parë, e kanë dëmtuar në vijimësi qenjen tonë kombëtare. Lufta për ta marr “bajrakun” e fitimtarit dhe primatin e çlirimtarit, për të marr meritat e tjetrit pa bërë asgjë nga vetja e tyre, janë veti që nuk i posedojnë popujt e civilizuar të botës demokratike.
Shqiptari në kohë lirie është i gatshëm të sakrifikojë familjen për t’u ngritur në karrierë politike, kurse në luftë i sakrifikon shokët për t’u avancuar në karrierën ushtarake dhe post-luftarake!
Shëmbuj të besprerjes mund t’i gjejmë kudo dhe kahdo, gjithandej trojeve etnike shqiptare që nga koha e principatave, fiseve dhe bajraqeve e deri në luftën e fundit çlirimtare!
Ndarja e përgjegjësisë, ikje nga ndëshkimi
Në kohërat moderne, këto dukuri evidentohen si: egoizëm, karrierizëm dhe popullizëm i lidershipit politik (partiak), fetar dhe atij shtetërorë, të cilat manifestohen në forma dhe përmbajtje ‘alla shqiptarçe’, duke thënë gjithnjë, unë e ideova, unë e thashë, unë e bëra, etj, duke mos e ndarë asnjëherë suksesin individual me të tjerët.
Por, për dallim nga meritat, shqiptarët nuk kanë qenë dhe nuk janë të gatshëm të marrin përgjegjësit individuale për dështimet apo dëmët e shkaktuara vendit dhe qytetarëve.
Thënë ndryshe, shqiptarëve ju mungon përgjegjësia morale në radhë të parë, pastaj ajo politike dhe penale për dëmet apo krimet e shkaktuara ndaj të tjerëve.
Kur është në pyetja marrja e përgjegjësisë (fajit) shqiptarët gjithnjë e gjeneralizojnë duke shpërndarë përgjegjësinë individuale tek të tjerët. Këtë e bëjnë për t’i shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë dhe ikjes së përgjegjësisë morale dhe politike.
Dorëheqja, fjalë e panjohur në Kosovën e pasluftës
Sa e sa skandale kanë ndodhur që nga paslufta në vend, mirëpo dorëheqjet e politikanëve nuk kanë ndodhur. I vetmi rast i dorëheqjes që mbahet mend në Kosovë ka qenë i ish-ministrit të brendshëm, Fatmir Rexhepit, i cili edhe pse nuk kishte përgjegjësi komanduese, kishte dhënë dorëheqje nga detyra duke ndier përgjegjësi morale ndaj viktimave dhe familjeve të atyre që humbën jetën gjatë protestave të 10 shkurtit 2007, pas përleshjeve ndërmjet protestuesve dhe Policisë së EULEX-it.
Për fatin e keq, shqiptarëve ju mungon kultura e politik-bërjes dhe ajo qeverisëse në veçanti. Edhe pse, skandalet në nivelin qendror dhe lokal ngarendin njëri pas tjetrit, mungon përgjegjësia morale e politikanëve për të dhënë dorëheqje dhe për t’iu vetëdorëzuar organeve të drejtësisë.
Përderisa në vendet e zhvilluara demokratike, me kulturë dhe civilizim të lashtë, drejtuesit shtetërorë dorëhiqen pas publikimit nga mediat të ndonjë skandali në dikasteret që drejtojnë, kurse tek ne ndodh e kundërta! Mnistrat e përfshirë në megaskandale avancohen në pozita më të larta shtetërore, si shpërblim nga liderët shtetërorë.
Pa dashur që ta personalizojë shkrimin me asnjërin nga dhjetra abuzuesit e pushtetit (peshqit e mëdhenj), të ngritur në majat e shtetit dhe pushtetit përmes aferave korruptive dhe kriminale, asnjëri prej tyre deri më sot nuk është dënuar nga drejtësia vendore për vjedhjen dhe zhvatjen e buxhetit të shtetit në vlera dhjetra dhe qindra milionëshe.
Përkundrazi, me milionat e akumuluar në ‘Parajsat Fiskale’, në vend që të jetë e kundërta, drejtësia ua ka frikën bosëve të krimit të organizuar në Kosovë.
Nuk është kohë e largët, është më pak se 18 vjet dhe jo më gjatë se 35 vjet, kur ne shqiptarët e Kosovës e kishim një lidership të përgjegjshëm dhe me ndërgjegje të pastër, një lider të permasave botërore (Ibrahim Rugova), të cilin asnjëherë të vetme nuk e kemi dëgjuar duke i thurur lavde vetës, por gjithnjë e kemi dëgjuar duke i ndarë sukseset dhe të arriturat me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë dhe të gjërë. Madhështia e Presidentit Historik Ibrahim Rugova, i bën nderë secilit prej nesh, i bën nder çdo shqiptari, i bën nder kombit shqiptar në përgjithësi!