21/12/2024
Don-Mark-Hasi

(Grafikë simbas tregimit Don Markut, nga hetuesia e viteve 1947 – 48 me kriminelin e njohun në Sigurimin e shtetit të Shkodres kap. Nesti Kopali)

Punue nga F.Radovani 1991.

Nga Fritz RADOVANI:

“Do të vijnë dita dhe Emnat e Martirve të Fesë Katolike,

do të daltohen në gur, per mos me u harrue kurrma !”

Don Mark HASI (1968)

Don Mark Hasi asht le në Malin Kolaj pranë Shkodres në vitin 1917. Kur Ai ishte 7 vjeç mbeti jetim pa Nanen, dhe më që i ati ishte i rij dhe do të martohej, e mori nenkujdes Famullitari Don Kolec Prennushi, i cili e pat vendosë në dhomë me nanen e vet Ninen, dhe flente e çohej me ate. Mbas një viti shkoi me vazhdue shkollen në Velipojë, tek Don Alfons Tracki. Ishte nder nxanësit ma të zellshem dhe ma të perkushtuemit t’ asaj shkollë.

Vazhdoi studimet në Kolegjin Saverian të Shkodres, ku nën kujdesin e Fratel Salës, ishte nder aktorët e dalluem të Teatrit të Jezuitve. Kujtohej per rolin e Tij tek drama “Juda Makabe”, ku zani i Tij nuk u harrue ma.Vazhdoi studimet e nalta në Padova, po per arsye lufte i perfundoi në Shkoder.

Dashunia per rrethin e Don Kolecit tek Don Marku kje e perjetshme. Dhe, Meshen e Parë Ai e tha me 24 Shkurt 1945, me Don Kolec Prennushin. Asht emnue menjëherë zv.Famullitar i Shkodres e ma vonë, Sekretar i Kishës Kathedrale të Shkodres, ku ka vazhdue deri në kohen kur asht arrestue. U arrestue në vitin 1947, dhe asht dënue 7 vjet burg, që i ka krye në kampe pune. Asht lirue në vitin 1953, kohë në të cilen ka ardhë e ka banue në një dhomë me ne tre vllaznit. Deri mbas dy vjetësh që shkoi në Argjipeshkvi sekretar i Ipeshkvit Imzot Ernesto Çoba, e deri në vitin 1967, që u arrestue edhe njëherë me rastin e “Revolucionit Ideologjik”. Me 7 Prill u arrestue dhe u dënue mbas një viti tortura barbare në hetuesi, ndonse nuk pranoi asgja dhe u dënue me vdekje, denim që Ju kthye në 25 vjet burg, që do ti kalonte në kampe shfarosje e pune. Dënim që i kushtoi edhe me jetën.

Në kampin e Ballshit Don Marku u keqsue me shndet dhe, mbas plot 14 vjetësh e disa muej, në 11 Shtator 1981, thirri urgjent Don Mikel Koliqin e mbasi i la një porosi per mue, mbylli sytë dhe shkoi në Jeten e Pasosun.

Asht vorrosë në Ballsh dhe me 22 Janar 1992,  u rivorros me nderime në Vorret e Rrëmajit në Shkoder, i percjellun nga Populli i Shkodres.

Don Mark Hasi ishte nder Klerikët e nderuem jo vetem per qendrimin e Tij në hetuesitë terroriste komuniste, po edhe per respektin që Ai gëzonte si predikatar i shkelqyeshem dhe kangtar i paharrueshem.

Ishim njëditë në sofer të një feste fetare në shtëpinë tonë aty nga viti 1958. Don Marku po këndonte me pasionin e Tij të madh si zakonisht, kangen e kompozitorit Gac Çuni, ”Kaçurrelat e tua”, i cili fatkeqësisht, pat vdekë në burg pak kohë para lirimit. Po ata që e kanë ndigjue atë kangë tue këndue me pasionin e Tij Don Mark Hasi, jam i sigurt se atë kangë nuk e harrojnë kurrma! Gjatë kohës që po kndonte më ra në sy një shenjë horizontal në gjuhen e Tij dhe, tham të verteten nuk e kuptova si kishte mbetë ajo vizë rreth 3-4 cm… Kurioziteti më shtyni me e pyet: “Si të ka mbetë ajo vizë tek gjuha Don Mark mbasi, një shenjë asisojtë nuk ia kam pa askujt?” Më shikoj në sy dhe, më tha: “Do ta shpjegoj kur të mbarojmë me ngranë bukë!”, e ashtu e lame. Kur pothuej ikën të gjithë, Don Marku më shpjegoi: “Kur ishe në hetuesi në vitin 1947 me një hetues kriminel i quejtun Nesti Kopali, as nuk më shkoj mendja se, tue mos pranue akuzen e tij, ai thirri dy polic dhe i tha me më mbajtë pranë tavolines, të lidhun duersh mbas shpine. Më tha që me hapë gojen dhe me nxjerrë gjuhen. As nuk më shkoj mendja pse? Ashtu unë veprova. Ai më kapi gjuhen me doren e tij dhe mbasi e mështeti mirë në tavolinë, ndjeva një dhimbje të fortë dhe nga goja më shperthei gjaku mbi tavolinë. Ai më kishte ngulë në gjuhë një thikë të madhe me maje t’mprehtë. Dhimbja kje aq e fortë sa mbas një ose dy minutash, unë nuk kam dijtë ku jam ma dhe kam humbë ndjenjat. Kur erdha në vedi, kam pa se ishe shtrij në infermjeri dhe nga goja vazhdonte me rrjedh gjaku rrkajë. Kaq shumë kishe humbë gjak sa, gati dy javë nuk kam mujtë me u ngritë në kambët e mija. Ndoshta, ma shumë se një muej nuk kam hanger bukë vetem langje.

Ndersa, dhimbja e gjuhës më ka vazhdue ditë e natë ma shumë se dy muej.

Mos e thashtë Zoti me e provue kush atë tmer që kam provue unë!

Don Mark Hasi do të kujtohet nga Populli Shqiptar jo vetem, per thiken që hetuesi kriminel Nesti Kopali i nguli Atij në gjuhë, dhe ka vazhdue jeten si Burrat, po në 1967 pak kush asht torturue një vit në hetuesi të Tiranës, tue u masakrue nga terroristët katila Elham Xhika dhe Dhimiter Shkodrani. Më ka tregue em vlla Alfonsi, që hetuesi Elham Xhika i kerkonte me pranue se, “ka dashtë me formue parti demokristjane”, që nuk ishte e vertetë. Mbas sa ditësh i ka sjellë një burrë per dishmitar. Alfonsi nuk ka pranue. Hetuesi i ka thanë atij burrit: Fol, dhe thuaj ato që më ke thënë mua! Ai ka fillue me i tregue Alfonsit sesi ka pranue akuzen. Alfonsi asht tmerrue dhe asht sjellë e ka pyet ate: Po, pse mor po Don Marku je Ti? Pranoi të gjitha shka të thonë, sesi të paskan ba që nuk njifesh, Ti nuk jeton kështu, nenshkruej procesin, e mos rri me u torturue, se as nuk të shkon mendja si të kanë ba Ty torturat!

Edhe vdekja në Ballsh asht kenë pasojë e torturave barbare e shnjerzore.

Po, Don Mark Hasi ishte dhe mbetet, nder Figurat ma të Nderueme të Klerit Katolik Shqiptar sidoemos, per ata që e njoftën afer per karakterin e Tij.

Ai asht Martir i Pavdekshem i Kishës Katolike dhe, i Nderuem n’ Shekuj si, Zamak i panjolla i Flamurit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Melbourne, 26 Prill 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok