Dom Ndoc Nikaj (15.06.1864 – 16.01.1951)
Nga Ardian Ndreca
Ky vit përkon me 130-vjetorin e krijimit në Shkrel të Malsís së Madhe të “Lidhjes së Mshehtë për Fé e Atdhé” të abat Preng Doçit dhe dom Ndoc Nikës që asokohe ishte famullitar i Shkrelit. Ajo lidhje ishte hapi i parë konkret që përgatiti valën kryengritëse të fillimeve të shekullit të ri, prandaj shpresojmë që ndokush të kujtohet!
Po këtë vit i takon me përkujtue edhe 120-vjetorin e marrjes nga ana e dom Ndoc Nikës të dekoratës dhe çmimit prej 1000 Fr. ar prej Komitetit të Parisit, që përbahej prej Faik Konicës, Aladro Kastriotit, Babatasit, Xhafer Vilës etj. Të hollat u shpenzuen me botue “Historinë e Shqypnís”, dekorata pale se ku ka përfundue!
***
Dom Ndoci kuptoi ma i pari se tashma ishte nevoja e nji tipografie në Shqipni e mbas shumë mundimesh, fill mbas shpalljes së Hyrjetit nxori lejen në Stamboll dhe ç’prej vitit 1910 nuk prani tue botue fletore (gazeta) e libra shqip.
Kur donte me dalë në Europë dom Ndoci shkonte përpara në Stamboll pse prej atje ishte e vështirë me u gjurmue prej anmiqve të çështjes kombtare se ku ishte drejtue e kë donte me takue. Edhe kur ktheu prej Parisit me dy flamuj sa nji çarçaf në vitin 1897 i ra nga Stambolla për me humbë gjurmët dhe flamujt i veshi nën petka mos me ia diktue dogana.
***
Libri i tij i parë asht “Vakinat e Kishës” (1888), mbas tij vjen romani ma i parë shqip “Marcia” (1889) e mandej edhe rreth 20 vepra tjera e nji duzinë me dorëshkrime.
Tregon ai vetë se dy ditë mbasi malazeztë vranë Çerçiz Topullin e Muço Qullin, (akti tejet i shëmtuem bani shumë përshtypje në Shkodër ku ishin strehue disa patriotë toskë), guvernatori Bozho Petroviq e arrestoi dhe dom Ndoci mendoi se mbas propagandës antimalazeze që kishte ba gjithë ato kohë tash po e priste plumbi.
Kur e sollën para dinjitarit pushtues u trimnue e mendoi, humbë se humbë, me iu drejtue i pari Petroviqit tue i thanë pak a shumë: s’e mohoj se jam atdhetar, e due lirinë e vendit tem dhe kam shkrue e veprue kundër jush, gjithçka asht faqe botës, faje tjera s’kam e këto i njehi për merita.
Bozhoja, i afërt i Krajlit, iu drejtue: i di të gjitha, ku me e marrë me i pasë un malazezt aq atdhetar siç je ti – dhe e la të lirë me shkue.
***
Dom Ndoci s’u përzie gjatë Luftës së Dytë botnore, edhe pse fillimi i saj e zuni 75-vjeçar. Mbasi kreu lufta regjimi i ri e shpërbleu veteranin e patriotizmës dhe kulturës shqiptare tue nxjerrë me ceremoni prej gropës së zezë të shtëpisë së tij nji pushkë turkut të ndryshkun e tue ia varë në krah e mandej e shetitën nëpër Shkodër gjoja për ta demaskue. Ishte plak 81 vjeçar. S’mjaftoi kjo por bani burg ku edhe vdiq.
Tue qenë se ishte romancieri i parë dhe emni i tij dilte kudo në 50 vjet aktivitet patriotik e letrar, nuk mundën me e shlye prej historisë së letërsisë, por kurrkush s’e pranoi asnjiherë se qe nji faj i madh me i ra kot në qafë nji personaliteti si ai.