22/11/2024

DOKUMENTET QË DËSHMOJNË DIFERENCIMIN NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS, MË 1981

0

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Diferencimet ideopolitike ndaj popullit shqiptar në përgjithësi dhe ndaj intelektualëve në veçanti gjatë okupimit jugosllav është bë në disa etapa të caktuara. Është e njohur sidomos periudha pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe aneksimit të Kosovës nga Serbia dhe Jugosllavia. Dihej se në ato vite të pasluftës në shënjestër të UDB-es ishin intelektualët e pakët shqiptarë por, që vazhdimisht ishin kundër okupimit jugosllav. Pastaj është e njohur periudha e Byrosë Informative, e njohur ndryshe si Informbyro (1948). Si periudha më tragjike për shqiptaret në historiografinë shqiptare njihej edhe koha e aksionit të mbledhjes së armëve 1955/56, si dhe periudha e shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi, deri në fund të kohës së Rankoviqit (që quhej periudha prej 1945-1966). Diferencimet ndaj shqiptarëve vazhdojnë edhe në vitet e më vonshme , pas Plenumit të Brioneve, pas demonstratave të vitit 1968 si dhe pas demonstrative studentore të vitit 1981 e 1990 e më vonë.

Historia fillon të përsëritet tek shqiptarët edhe pas vitit 1981

Fill pas demonstratave të studentëve të 11 marsit 1981 shtabet politike të Jugosllavisë, që nga instancat më të ulëta e deri në ato më të lartat, që nga krahinat, republikat e deri në Federatë, që nga organizatat bazë e deri në Komitetin Qendror të LKJ- së, u mblodhën dhe diskutuan për ngjarjet në Kosovë. Të gjithë nxitonin se kush më parë të propozojë masat më drakoniane, se kush të parashtrojë planet më shtypëse e më anti-humane ndaj atyre që morën pjesë në demonstrata.

Në disa mjedise organizatat themelore të LKK-së ende nuk ishin “aftësuar” në masë të mjaftueshme për aksione të pavarura ideopolitike. Në këtë situatë kjo e vështirësonte procesin e diferencimit ideopolitik. Mirëpo, përkundër kësaj, në shumë organizata themelore të LKK-së kishte filluar diferencimi konkret ideopolitik.

Në bazë të të dhënave jo të plota vetëm gjatë vitit 8 maj 1981 janë përjashtuar nga Lidhja Komuniste mbi 161 veta (profesor 23, arsimtarë 29, mësues 14). Numri i punëtorëve që janë përjashtuar nga Lidhja e Komunistëve, sipas të dhënave zyrtare, ishte i madh, por megjithatë organet kompetente thoshin se nuk kemi të dhëna të sakta për këtë gjendje[1]

Në vazhdim do t’u referohemi shënimeve statistikore që publikon në janar 1983 “Informata për aktivitetin ideopolitik të LK-së në Universitetin e Kosovës”. Nga viti 1981-1983 nga procesi arsimoro-shkencor në Universitetin e Kosovës u larguan 25 mësimdhënës me grada të ndryshme shkencore, prej të cilëve tre ishin akademikë: Akademik Ali Hadri, Akademik Fehmi Agani, Akademik Gazmend Zajmi.[2]

Në fakultete nuk mundën të regjistroheshin 157 kandidatë (studentë), për shkak të papërshtatshmërisë ideopolitike[3]. Gjatë vitit 1982-1983, 113 studentë nuk fituan të drejtën të vendoseshin në konvikte, 64 studentë u përjashtuan nga Qendra Studentore, 58 studentë u përjashtuan nga universiteti, pa të drejtë regjistrimi për një vit, 107 studentë morën vërejtje me shkrim dhe 54 studentë morën vërejtje me gojë[4].

Mirëpo, nuk mori fund me kaq procesi i diferencimit në Kosovë. Në atë dokument thuhej: “Në kuadër të diferencimit ideopolitik u arritën rezultate të dukshme në mesin e të rinjve, megjithëse ky proces edhe më tutje vazhdon”. Në vitet e mëvonshme kuadrot shqiptare u ballafaquan me probleme edhe më të mëdha. Cikle – cikle u përsëritën fushatat e spastrimeve të intelektualëve, tregtarëve, klerikëve, pastaj natyrshëm vinin viktimat “e divorceve politike”, ish luftëtarët, komunistët e me radhë pak e nga pak që të gjithë. Por s’duhet harruar se kishte viktima të diktaturës që kishin rënë jo për disidencë, por për motive të tjera absurde e deri te më të rëndomtat, qoftë edhe, sepse kishin parë diçka… kishin dëgjuar diçka… dinin diçka… Dhe lirshëm mund të thuhet se ajo periudhë e kaluar nën diktaturën jugosllave, ishte periudha më e vështirë e shqiptarëve.

Në Kosovë dhe në trojet shqiptare në ish Jugosllavi, organizoheshin procese të shumta gjyqësore politike kundër studentëve dhe intelektualëve por pa u kursyer as të tjerët. Teza “Bisogna spegnere questo cervello” (duhet shuar ky tru), ishte futur në sistem dhe ishte legalizuar. Gjykatësit e pushtetarët serbë e shqiptonin hapur këtë. Zemërimi, egoizmi, urrejtja e mllefi, instinkte këto, që i gjen rrallë tek njerëzit në ato përmasa.

Për çdo ditë e muaj numri i të diferencuarve siç ishin studentët e profesorët shtohej gjithnjë e më shumë. Kësaj i ndihmoi më tepër dokumenti që miratoi Komiteti Krahinor i LKK-së në vitin 1985, me titull “Kriteret për vërtetimin e përshtatshmërisë moralo-politike të studentëve”, që në vetvete përfshinte marrjen e masave ndaj studentëve dhe nxënësve që kryenin shkollat e mesme dhe donin të regjistroheshin në fakultete e shkolla të larta[5]. Dokumenti në fjalë, sipas të gjitha rregullave ndërkombëtare, shkelte të drejtat elementare të njeriut. Në vazhdim do të japim vetëm disa nga kriteret që caktonte ky dokument:

KUALITETET MORALO-POLITIKE PËR REGJISTRIMIN E STUDENTËVE

– të cilët janë marrë me forma të ndryshme të veprimtarisë armiqësore (anëtarët e organizatave e grupeve armiqësore, pjesëmarrësit e demonstratave, të cilët e kanë bojkotuar mësimin dhe të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër në mënyrë armiqësore kanë vepruar);

– të cilëve anëtarët e familjes së ngushtë (prindërit, vëllezërit dhe motrat), u janë marrë me veprimtari armiqësore, dhe të cilët publikisht nuk i kanë dënuar ato veprime, të cilët me punën dhe sjelljen e tyre të përditshme dëshmojnë se janë në ato pozicione dhe mbështesin veprimtarinë nga pozicioni i nacionalizmave të tjerë;

– të cilët në mënyrë ilegale kanë kaluar kufirin, e më vonë janë kthyer, dhe ata të cilët kanë tentuar të kalojnë kufirin;

2. Kualitetet moralo-politike për t’u vendosur në konvikte nuk i plotësojnë kandidatët sikurse nën pikën 1 dhe ata, të cilëve anëtarët e familjes së ngushtë janë marrë me ndonjë veprimtari armiqësore, sikurse edhe ata që janë të prirë për rrahje, pijanecë, hajni, për prishje të rendit dhe qetësisë;

3. Për realizimin e së drejtës për ndarjen e bursave, kredive studentore, bursave kadrovike, kredive nga fondi i Titosë, patjetër duhet të respektohet kriteri nga pika 1 dhe 2. Besueshmëria e përshtatshmërisë moralo-politike e nxënësve dhe e studentëve vazhdimisht duhet të ishte nën kujdesin e organizatave politiko-shoqërore (Lidhjes Komuniste, Sindikatave, Lidhjes Socialiste, Lidhjes së Rinisë Socialiste dhe Komitetit për MPP dhe VMP), në bashkësitë lokale, shkollat e mesme, në organizatat e punës së bashkuar, në konviktet e studentëve etj.

1. Të gjitha shkollat e mesme në fund të vitit shkollor duhet t’i kenë të evidencuar nxënësit, të cilët janë të papërshtatshëm sipas këtyre kritereve dhe këto duhet t’i kenë edhe të gjitha bashkësitë lokale. Komitetet për MPP dhe VMSH të shkollave dhe bashkësive lokale duhet të bëjnë bashkimin e këtyre të dhënave për mjedisin e tyre dhe t’ua vënë në dispozicion komiteteve komunale për MPP dhe VMP[6].

2. Komiteti për mbrojtje të përgjithshme popullore dhe për vetëmbrojtje shoqërore i Universitetit është obliguar ta realizojë këtë aksion me përgjegjësi me rastin e pranimit të studentëve në vitin e parë të studimeve, sikurse edhe për marrjen e masave për largimin e studentëve të viteve të mëparshme të studimeve, sjellja e të cilëve vlerësohet negativisht në bazë të këtyre kritereve dhe në këtë aksion duhet të përfshihen të gjitha komitetet për mbrojtjen e përgjithshme popullore dhe për vetëmbrojtjen shoqërore, organizata e Lidhjes së Komunistëve dhe Lidhja e Rinisë Socialiste e të gjitha fakulteteve dhe shkollave të larta.[7]

3. Organet e Universitetit, të fakulteteve dhe të shkollave të larta janë të obliguara ta respektojnë mendimin e komiteteve komunale për mbrojtje të përgjithshme popullore dhe vetëmbrojtje shoqërore dhe gjithë aktiviteti rreth realizimit të kësaj detyre përqendrohet në Komitetin e MPP dhe VMSH[8]. Në vazhdim do të japim një listë të maturantëve shqiptarë që u refuzuan për regjistrim në fakultete e shkolla të larta të Universitetit të Kosovës në Prishtinë, gjatë vitit 1981-82 gjer më 1989-90.

Tabela. 4. Lista e maturantëve që u refuzuan për regjistrim në Universitetin e Kosovës[9]:

Sipas vendimit të Fondit të Kosovës për arsimimin fillor dhe të mesëm u ndërpre financimi për 3234 mësues, arsimtarë dhe profesorë të cilët jepnin mësim në shkolla për 80.000 nxënës dhe 400 drejtorë dhe zëvendës të tyre në shkolla fillore e të mesme dhe nuk mundën t’i realizonin pagat e tyre personale.[10]

Veç diferencimeve ideopolitike në Lidhjen e Komunistëve të Kosovës masat e dhunshme në organizatat e institucionet e Kosovës u bënë të zakonshme. Vetëm gjatë periudhës 5 korrik 1990 deri më 4 prill 1991, janë zbatuar masat e përkohshme (të dhunshme) në 187 kolektiva punuese, prej të cilave 116 ishin ndërmarrje ekonomike, kurse të tjerat institucione arsimore, shkencore e kulturore, duke filluar nga çerdhet e fëmijëve e deri në Universitetin e Kosovës[11]. Por këto shënime nuk mendoj se janë të sakta ngase nga dita në ditë situata statistikore ndryshonte pasi as ata vetë nuk kanë mundur t’i përcjellin të dhënat statistikore.

Në një shënim tjetër thuhej se masat e dhunshme u zbatuan në 336 organizata e institucione. Me procedurë të shpejtë, në të gjitha vendet ku u larguan drejtorët shqiptarë u vunë ata serbë e malazezë. Nga puna u përjashtuan mbi 140.000 shqiptarë. Duhet përmendur se vetëm nga gjiganti industrial i “Trepçës” u larguan nga puna mbi 12.000 punëtorë ndërsa nga Elektroekonomia mbi 5.300 punëtorë.[12] Në bazë të të dhënave, vijmë në përfundim se rrënimi i veprimtarisë ekonomike, arsimore e shkencore në Kosovë ka qenë dhe mbeti njëri ndër objektivat kryesore të politikës antishqiptare të pushtetit serb e jugosllav që nga vitet 1945 e deri më 1998-99.

Pushteti serb e jugosllav aplikoi masa të ndryshme të dhunës e të terrorit ndaj shqiptarëve në Kosovë vetëm e vetëm që të vë nën sundim qenien shqiptare në përgjithësi, e Kosovën në veçanti.

DOKUMENTI I QË DËSHMON DIFERENCIMIT NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS

Informatë lidhur me aktivitetin për stabilizimin e gjendjes në Universitetin e Prishtinës[13]

Në vazhdim po japim informacionin e dhënë nga KEK të KSA të Kosovës, mbi aktivitetet e zhvilluara në Universitetin e Kosovës:

“Në fakultetet dhe shkollat e larta të Universitetit u intensifikua puna rreth zbatimit të detyrave që dalin nga Plani Operativ i Komisionit të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës për stabilizimin e gjendjes në Universitet dhe Pleqësisë së Universitetit. Mirëpo, ndonëse ka kaluar një kohë mjaft e gjatë nga aprovimi i Programit aksionar të LK të Kosovës, ende nuk kanë mundur të përballohen të gjitha vështirësitë dhe të zgjidhen ato probleme në Universitet që janë vlerësuar si prioritare për normalizimin e gjendjes në të deri në fillim të vitit të ri shkollor. Ende po ndryshohen ngadalë shprehitë dhe qëndrimi ndaj detyrave që shtrohen para punonjësve të Universitetit, kurse përgjegjësia e tyre nuk është në nivelin e situatës së ndërlikuar, për ç’shkak nuk ka vullnet të mjaftueshëm për t’i analizuar dhe vlerësuar në mënyrë kritike dukuritë dhe problemet konkrete. Për këtë ka qasje të përcipta, improvizime dhe formalizëm në zgjidhjen e çështjeve të caktuara. Prandaj kryerja e detyrave të përcaktuara në Planin operativ të Komisionit dhe të Pleqësisë së Universitetit nuk shkon sipas dinamikës së planifikuar dhe afateve të caktuara. Kështu për shembull, vlerësimi kritik i politikës së kuadrove në shkollat e larta e fakultetet, që ka qenë parashikuar të shqyrtohet në Pleqësinë e Universitetit nga mbarimi i qershorit, nuk është bërë për shkak se disa fakultete nuk i kanë dërguar me kohë vlerësimet e veta lidhur me këtë çështje. Ose, p.sh. ndonëse Rektorati dhe Bashkësia Vetëqeverisëse Krahinore e Interesit e Arsimit dhe Edukimit kanë kërkuar nga secili fakultet që të caktojë dhe të dërgojë numrin e saktë të studentëve të rregullt, të cilët këtë status e kanë sipas ligjit mbi shkollat e larta e fakultetet, të cilët këtë status e kanë sipas ligjit mbi shkollat e larta e fakultetet dhe sipas statuteve të veta, si dhe pasqyrën e tyre sipas strukturës kombëtare e sociale dhe përkatësisë territoriale, disa fakultete kanë dërguar vetëm listën e emrave, e disa as këtë nuk e kanë bërë”.

Diferencimet në fakultete dhe në shkollat e larta në Kosovë

Aktiviteti i organizatave të LK-së në fakultete dhe shkolla të larta rreth diferencimit ideopolitik nuk po zhvillohet në mënyrë të thelluar. Për më tepër, ekziston përshtypja se ky aktivitet, kohët e fundit, po dobësohet. Deri më tani në Fakultetin Filozofik u pushua nga puna një mësimdhënës, kurse gjashtë studentë u përjashtuan nga fakulteti, ndaj 49 studentëve-pjesëmarrës në demonstratat-po zhvillohet procedurë disiplinore, ndërsa 96 studentë anëtar të LK-së, u shlyen nga evidenca. Numri i përgjithshëm i personave të shlyer nga evidenca e LK, duke përfshirë këtu edhe numrin e përmendur më sipër, është 360. Në fakultetet dhe shkollat e tjera të larta nuk ka masa konkrete partiake ose masa për konstatimin e përgjegjësisë. Organet në nivelin universitar, e sidomos rektorët dhe prorektorët, kanë futur një dinamikë në intensifikimin e aktivitetit rreth kryerjes së detyrave për stabilizimin e gjendjes në Universitet.

Detyrat e përcaktuara në Universitetin e Kosovës

U kryen provimet pranuese dhe kualifikuese sipas planeve dhe kritereve të përcaktuara. Në këtë afat të regjistrimit në fakultetet dhe shkollat e larta u paraqitën gjithsejt 7.951 studentë të rregullt dhe 380 me korrespodencë nga 8.580 studentë të rregullt dhe 5.195 studentë me korrespodencë sa kanë qenë të planifikuar. Përveç mjekësisë, elektronikës dhe arkitekturës (në Fakultetin Teknik), edhe sivjet ekziston tendenca e orientimit të kandidatëve nga shkencat shoqërore dhe humanitare. Në shkollat e larta pedagogjike është i vogël numri i atyre që janë orientuar për mësim në klasa të ulëta të tetëvjeçares. Po ashtu pak kandidatë janë paraqitur për mësim në gjuhën serbokroate. Në nivelin e Universitetit ende nuk është bërë një pasqyrë e kandidatëve të paraqitur sipas përkatësisë kombëtare gjë që duhet bërë këto ditë, në mënyrë që në afatin e dytë dhe të tretë plotësues të regjistrimit të realizohet politika e përcaktuar e regjistrimit të studentëve sipas përkatësisë kombëtare, e jo vetëm sipas gjuhës mësimore.

Lista e kandidatëve që në bazë të provimeve pranuese, përkatësisht kualifikuese dhe kritereve të tjera i kanë plotësuar kushtet për regjistrim në vitin e parë të studimeve, sipas ranglistës, do t’u dërgohet këto ditë komunave në mënyrë që ato, deri më 25 të këtij muaji, të japin mendimin e vet për përshtatshmërinë ideopolitike të secilit kandidat, ndërsa mendimi për kandidatët jashtë Krahinës (nga RS e Maqedonisë, RS e Malit të ZI dhe nga rajoni i ngushtë i RS të Serbisë) do të kërkohet nga organet përkatëse republikane të arsimit dhe të edukimit.

Duke qenë se nuk është bërë diferencimi ideopolitik i studentëve në Universitet, Konferenca Krahinore e Lidhjes së Rinisë Socialiste të Kosovës ka kërkuar nga të gjitha komunat listën e atyre studentëve të cilët, për shkak të papërshtatshmërisë ideopolitike, nuk do të mund t’i vazhdojnë studimet e mëtejshme.

Rektorati ka marrë masa që të bëhet i mundshëm regjistrimi i studentëve nga Kosova në fakultetet e qendrave të tjera universitare të vendit për ato profile që nuk shkollohen në Universitetin e Kosovës. Kështu, për shembull, është arritur pëlqimi dhe janë kryer provimet pranuese për regjistrimin e 10 studentëve në Fakultetin Farmaceutik të Sarajevës.

Në të gjitha fakultetet dhe shkollat e larta është shqyrtuar vlerësimi i politikës së kuadrove , ndërsa po ky vlerësim, në nivelin e Universitetit do të shqyrtohet në mbledhjen e Pleqësisë së Universitetit më 21 të këtij muaji. Në këtë mbledhje do të shqyrtohet edhe politika e kreditimit dhe bursat e Universitetit. Sipas propozimit në materialin për këtë mbledhje propozohet decentralizimi i Fondit të kredive të studentëve nëpër komuna, në mënyrë që ato, në pajtim me nevojat e veta për kuadro dhe me kriteret e tjera, të vendosnin për dhënien e kredive.

Analiza kritike e planeve, programeve mësimore dhe e teksteve si dhe e literaturës tjetër, me një vështrim të veçantë mbi ato nga Shqipëria, për lëndët e historisë, të gjuhës e të letërsisë, të marksizmit e të sociologjisë, është shqyrtuar nga organet e Fakultetit Filozofik, ndërsa analiza e tërësishme lidhur me këtë do të shqyrtohet në mbledhjen e Pleqësisë të Universitetit më 25 të këtij muaji.

Organet e fakultetit po shqyrtojnë analizën kritike të bashkëpunimit ndërkombëtar të Universitetit, me një vështrim të veçantë mbi bashkëpunimin me Universitetet Shtetërore të Tiranës, ndërsa Pleqësia e Universitetit këtë çështje do ta shqyrtojë deri në fund të këtij muaji.

Komisioni, Rektorati dhe Drejtoria e emëruar e Qendrës së Studentëve janë angazhuar- si një nga detyrat prioritare- stabilizimi i gjendjes në këtë Qendër.

Nga problemet e shumta që ekzistojnë në Qendrën e studentëve, deri më tani për zgjidhjen e tyre është bërë sa vijon:

– është aftësuar restoranti i studentëve, kështu që deri në fillim të vitit të ri shkollor do të funksionojnë shtatë në vend të dy, e nga ndonjë herë katër shirita sa kanë funksionuar deri më tani, gjë që do të sigurojë shërbimin efikas dhe të shpejtë. Për këtë qëllim janë blerë dhe janë montuar të gjitha instalimet e nevojshme.

– deri më 25 gusht do të përfundojë puna në rinovimin e plotë të të gjitha konvikteve ekzistuese;

– janë marrë të gjitha masat që të kryen punimet në konviktin e ri (me kapacitet prej 1.000 shtretërish) deri më 25 të këtij muaji, në mënyrë që pranimi teknik dhe dorëzimi i tij në përdorim të bëhet para fillimit të vitit të ri shkollor;

– ka filluar renovimi i dy barakave ekzistuese për vendosjen e studentëve, ndërsa e treta do të adaptohet për aktivitetet shoqërore të studentëve;

– janë marrë masat për shpërnguljen e banuesve nga Qendra Shëndetësore e Studentëve, ku përveç mbrojtjes së deritashme shëndetësore, në të ardhmen do të bëhen edhe vizitat e specialiteteve;

– Drejtoria deri tani u ka ndërprerë marrëdhëniet e punës 34 punëtorëve, kurse këto ditë do të pushojë nga puna të gjithë portierët e deritanishëm (20 të tillë), ndërsa zgjedhja e portierëve të rinj do të bëhet në konsultim me komisionet kadrovike të Kuvendit Krahinor të KK, nga radhët e kandidatëve që janë paraqitur për konkurs në Sekretariatin Krahinor të Punëve të Brendshme. Kandidatët e zgjedhur do të aftësohen në mënyrë të veçantë;

– është bërë sistematizimi i ri i vendeve të punës dhe është bërë orari për njerëzit sipas kualifikimeve dhe aftësive të tyre;

– është shpallur konkursi për plotësimin e vendeve të zbrazëta udhëheqëse të punës;

– është përpiluar propozimi i kritereve për pranimin e studentëve në konvikte, i cili është dhënë në diskutim në fakultetet, komuna, Kryesinë e Lidhjes Socialiste të Rinisë së Kosovës dhe Bashkësinë Krahinore Vetëqeverisëse të interesit të arsimit dhe edukimit;

– duke shfrytëzuar përvojat e qendrave të reja të studentëve në vend, është përpiluar rendi shtëpiak dhe organizimi i tërësishëm i jetës e punës së studentëve në konvikte, që- përveç tjerash parashikon formimin e kuvendeve të pleqësive të konvikteve, në të cilat, përveç studentëve, do të jenë edhe arsimtarët e delegatët e mjediseve shoqërore.

Çdo gjë survejohej nga pushtetarët

– do të vendoset kartoteka për të gjithë studentët e pranuar në konvikte, kështu që do të jetë e mundur përcjelljae vazhdueshme e gjendjes në konvikte. Çdo student në konvikt dhe abonent në restorantin e studentëve do të ketë legjitimacion. Është marrë vendim që çdo student që është vendosur në konvikt patjetër të jetë edhe abonent i restorantit të studentëve;

– është porositur projekti për stacionin e altoparlantëve që do të ketë Këshillin e vet programor dhe përmbajtjen programore;

– është përpiluar propozimi i listës së çmimeve për vendosje e ushqim e cila do të shqyrtohet në Këshillin Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës, kurse definitivisht për këtë vendoset në organet e Bashkësisë Krahinore Vetëqeverisëse të interesit të Arsimit e të Edukimit;

– Konkursin për pranimin e studentëve në Qendrën e Studentëve do ta shpalli Rektorati i Universitetit në shtator, ndërsa paraqitja dhe verifikimi i kandidatëve do të bëhet në komuna;

– po punohet në hartimin e akteve të reja normative, që do të sanksionojnë organizimin e këtillë dhe jetën e punën e studentëve në Qendrën Studentore.

6. Në të gjitha fakultetet dhe shkollat e larta janë formuar grupet punonjëse që punojnë në analizimin kritik të këtyre problemeve:

– vlerësimi i funksionimit të marrëdhënieve vetëqeverisëse dhe të sistemit të delegimit;

– vlerësimi i transformimit dhe dispersionit të mundshëm të institucioneve të shkollimit të lartë;

– vlerësimi kritik i temave të diplomës e të magjistraturës dhe të disertacioneve të doktoraturës si dhe të specializimeve në vend e në botën e jashtme;

– vlerësimi i funksionimit të sistemit të mbrojtjes së përgjithshme popullore dhe të vetëmbrojtjes shoqërore të universitetit;

– hartimi i kritereve për fitim dhe ndarjen e të ardhurave në shkollat e larta, në fakultete e në Universitet.

Këto çështje do të shqyrtohen në organet e fakultetit dhe Pleqësisë së Universitetit pas 15 gushtit. Komisioni konsideron se duhet të intensifikohet puna në organizatat themelore të Lidhjes së Komunistëve në fakultetet e në shkolla të larta, në mënyrë që të thellohet diferencimi i mëtejshëm ideo-politik nëpërmjet angazhimit konkret në zgjidhjen e të gjitha problemeve dhe realizimin e detyrave të përcaktuara. Lidhur me këtë, është e nevojshme që anëtarët e aktivit politik, të angazhuar në shkollat e larta e fakultete, të aktivizohen edhe më tepër.

Gjithashtu është e domosdoshme që sektori i Komitetit Krahinor dhe Komiteti komunal të analizojnë dhe të përcaktohen për rregullimin organizativ dhe aksionar të Organizatës së LK të Universitetit. Gjithashtu, organet e Konferencës Krahinore të LRS të Kosovës dhe të Konferencës Komunale të LSR të Prishtinës duhet të shpejtojnë punën në rregullimin organizativ të rinisë në shkollat e larta e në fakultetet, si dhe në nivelin e Universitetit.

Komisioni dhe Rektorati kanë marrë masa që të ndërprehen të gjitha shkuarjet në botën e jashtme për specializime dhe të kufizohet numri i atyre që marrin pjesë në simpoziume, seminare e kongrese me karakter ndërkombëtar. Ndërkaq, si problem paraqitet realizimi i bursës së Fullbrajtit që i është ndarë Kosovës, prandaj për këtë është e nevojshme që të merret vendim”.

Kjo ishte informata që u shpërnda në lidhje me gjendjen dhe punën në shkollat e larta dhe në Universitet.

[1] ASHAK, Fondi: Komiteti Krahinor I LKK-së, d. Mbledhja e Kryesisë së Komitetit Krahinor të LKK-së, 1981, f.3

[2]ASHAK, Fondi Komiteti Krahinor i LKK, 1981, d. Informata për aktivitetin ideopolitik të LK-së në Universitetin e Kosovës”, në janar 1983; EsatStavileci, Vepra 1, Kosova në ish- Jugosllavi-La decomposition de l’ex-Zougoslavie et la questiondu Kosovë-, Prishtinë, Institucioni i Arsimit të Lart, Dardania, 2013, 190-193.

[3]ASHAK, Fondi Komiteti Krahinor i LKK-s, d. Informacija o idejno-politiçkojaktivnosti SK na Univerzitetu Kosova,januar 1983 .

[4]Po aty, Informata… vepër e cituar.

[5]ASHAK, Fondi Komiteti Krahinor i LKK-s, d. Programi aksional i veprimit të LK të Kosovës në luftë kundër forcave armiqësore dhe kundërrevolucionare dhe për stabilizimin e gjendjes politike në Krahinë, KK I LKK-së, Prishtinë 23 maj 1981.

[6]Po aty.

[7]Po aty.

[8]Po aty.

[9]EshrefAdemaj, Univerzitet Kosova u Prishtini-zhërtvanasilja (Dr. ZvonimirSheparoviq- Dr. EshrefAdemaj, Kosovozhrtva,studija i dokumentacija o stradanjimaalbanaca na Kosovu), Viktomologijaçasopiszapitanjastradanja judi, Zagreb 1991, 107.

[10]PajazitNushi,Djeca i uçenici-zhrtvenasilja na Kosovu, nasilja (Dr. ZvonimirSheparoviq- Dr. EshrefAdemaj, Kosovozhrtva,studija i dokumentacija o stradanjimaalbanaca na Kosovu), Viktomologijaçasopiszapitanjastradanja judi, Zagreb 1991, 100 .

[11]Musa Limani, Rrënimi i bazës ekonomike (integrimi i dhunshëm, zbatimi i masave të përkohshme), Rrënimi i autonomisë së Kosovës, Shoqata e pavarur e Juristëve të Kosovës, Prishtinë 1992, 53-54.

[12]M. Dushi, Universiteti i Kosovës (1981-1983), 271.

[13]ASHAK, K. 687, Predsednishtvo PK. SKK, 1981, d. sednicaod 103-105.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok