26/12/2024

Dokumente historike të vyera shqiptaro-bullgare

0
Sofje-n-vitin-1899

Abetare Shqipe e shtypur në Sofje në vitin 1899

Nga Elvi Sidheri

Në arkivin historik të Bibliotekës Kombëtare “Shën Kirili dhe Metodi” të Sofjes ruhen sot e kësaj dite dokumente që vijnë qysh nga fundi i shekullit të XIX dhe fillimi i shekullit XX që dëshmojnë për veprimtarinë e paepur të mërgatës shqiptare në Bullgarinë e pas-çlirimit nga robëria osmane (teksa Shqipëria akoma robtohej nën zgjedhën e këtyre të fundit).

Në Sofje, diku mes rrugëve të njohura Vitosha dhe Nishka në atë periudhë lulëzonte një mjedis atdhetar shqiptar që orvatej me vetëmohim për zgjidhjen e çështjes tonë kombëtare gjer në arritjen e pavarësisë.

Në bujtinën “Carigrad” në rrugën Vitosha (aksi qëndror i Sofjes edhe në ditët e sotme) dikur ndodhej shtypshkronja “Mbrothësia” nën kujdesin e veprimtarëve të njohur shqiptarë Kristo P. Luarasi dhe Kosta I. Trebicka. Diku në vitin 1899 në këtë shtypshkronjë do të botohej abetarja e parë shqipe në Sofje, si dhe do të botoheshin gjithaq edhe plot vepra të ndërlidhura me kulturën, arsimin dhe veprimtaritë çlirimtare të çështjes kombëtare të shqiptarëve.

“Mbrothësia” bën të mundur kështu që Sofja të shndërrohet në qendrën e tretë për nga rëndësia në lidhje me propagandimin e çështjes shqiptare mbas Stambollit dhe Bukureshtit para vitit 1912, kur më në fund Shqipëria do të shpallet shtet i pavarur.

Pas Luftës së Parë Botërore, kjo shtypshkronjë do të shpërngulet në Tiranë ku do ta vijojë kontributin e saj në zhvillimin e mëtejshëm të kulturës shqiptare.

Alfabeti Shqip i shtypur në Sofje sipas Alfabetit të Stambollit

Deri në vitin 1908, kur në Kongresin e Manastirit kur do të vendosej për alfabetin e ri shqip me shkronja latine, ndërkaq në Sofje do të vazhdonte të përdorej alfabeti i rilindasit të madh Sami Frashërit, ose ndryshe, Alfabeti i Stambollit.

Botimi “Shqypeja e Shqypënis” do të vinte me nëntitullin “Organ politiko-shkencor”, si gazetë do të botohej në periudhën gjer në vitin 1911 nga patrioti i madh shqiptar nga Reka e Epërme, Josif Bageri.

Të tjera botime dygjuhëshe shqiptare në Sofje do të jenë edhe “Vetëtima”, gazetat “Liria”, “Shqipëria e Lirë”, dhe “Gazeta Satirike Shqiptaro-Greke”.

Botimi dygjuhës Vetëtima, që dilte në shqip dhe frëngjisht në ditën e shtatë dhe të njëzet e një të muajit

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, në kohën e Luftërave Ballkanike, shqiptarët dhe bullgarët shpesh do të gjenden edhe në të njëjtin krah kundër të njëjtëve armiq, osmanëve, por veçanërisht kundër pushtuesit serb në zonën e Maqedonisë së Vardarit. Për këtë arsye, kujtimet dhe dëshmitë e revolucionarit bullgar Milan Matov i cili flet pjesëmarrjen e përbashkët të shqiptarëve dhe bullgarëve në Kryengritjen e përgjithshme të rajoneve Dibër-Ohër kundër serbëve të vitit 1913, kanë rëndësi të veçantë.

Kujtimet e Milan Matov lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve dhe bullgarëve në kryengritjen Ohër-Dibër kundër serbëve në vitin 1913

Përpara kësaj kryengritje, shqiptarët dhe bullgarët do të bashkëpunojnë edhe në kryengritjen e ditës së Shën Ilias të vitit 1903 në Krushevë, që në bullgarisht dhe maqedonisht njihet si Ilinden.

Në Mbretërinë e Bullgarisë patriotët shqiptarë do të gjejnë mundësi të shkëlqyera për të organizuar lëvizjen kombëtare, ku shquhet sakaq Shoqëria e njohur shqiptare me qendër në Sofje, “Dëshira”.

Ndër të tjera, në Bullgari patriotët shqiptarë në shumë raste sigurojnë edhe armë e municione.

Shtypshkronja “Mbrothësia” gjithaq do të përfitojë nga privilegjet që i jepen nga Mbreti Ferdinand i Bullgarisë që i fal asaj debitë në një moment kritik të ekzistencës së kësaj vatre të kulturës shqiptare në mërgatë. Në këtë periudhë, njëkohësisht edhe anëtarë të oborrit mbretëror si Perikli Çilev, i përkushtohen fuqishëm marrëdhënieve shqiptaro-bullgare.

“Shqiptarët që jetojnë në Mbretërinë Bullgare dhe të cilët përpiqen për njëjësinë kulturore dhe naltësimin e tërë popullit shqiptar si dhe për përmbajtjen e bashkimit shpirtnor me bashkatdhetarët e tyre, të këputur nga paktet e padrejta prej Shqipërisë dhe të cilët gjenden nënë robërinë e Shtetevet fqinje të saj, duke gjetur se Shoqërija Shqiptare për Arësim “Dëshira” që ekzistonte më parë, e themeluar më 1893 dhe e rithemeluar më 1915, të pamjaftueshme për qëllime të rea dhe të gjera, të cilat parashtrohen para shqiptarët e Bulgaris me ndërgjegje për pozitën e sotme të Kombit Shqiptar, vendosin themelimin e Federatës Shoqërive Shqiptare për Arësim në Bullgari “Dëshira”

Kështu thuhet në statutin e kësaj federate të vitit 1920.

Një tjetër fakt interesant lidhur me mërgatën historike shqiptare të Sofjes ka të bëjë me të parin patriark të Kishës Ortodokse Bullgare, Kirili I (i lindur me emrin Konstantin Markov Konstantinov, me prindër nga Shqipëria të mërguar në Sofje), pas ringritjes së saj në rangun e Patriarkanës në vitin 1953.

Patriarku Kiril I do të lindte në Sofje më 3 janar të vitin 1901 në lagjen Juçbunar, në zonën e varfër perëndimore të kryeqytetit bullgar, të banuar kryesisht nga klasa punëtore.

Prindërit e tij janë Marko dhe Polikseni Konstandini, të cilët thuhet se e zgjodhën këtë emër për birin e tyre për nder të Konstandinit të Madh, perandorit romak me origjinë ilire, njeriut që ligjëroi Krishtërimin në Perandorinë Romake.

Siç thuhet, stërgjyshi i patriarkut të ardhshëm bullgar me origjinë shqiptare, pati qenë gjithaq prift, ndërsa gjyshi i tij kish qenë mitropolit i krahinës së Gorës në Korçë.

Babai i Kirilit I, Marko Konstandini kish lindur në vitin 1846 në fshatin Grabovë të Gramshit dhe familja e tij ka qenë e lidhur fort me kishën e njohur historile të zonës, të Shën Kollit. Marko ishte i biri Konstandin Paçu dhe Kirana Konstandinit dhe do të shpërngulej në Sofje në vitin 1886 ku do të punojë si kuzhinier, bujtinar dhe tregtar. Do të vdesë më 11 dhjetor 1933.

Sakaq nëna e Kirilit I, Polikseni Naumi Glava do të lindte në vitin 1871 në Voskopojë të Korçës. Ajo ishte e bija e Naum Kosta Glava dhe Trëndafile Mihal Ballaurit. Vdes në Sofje më 28 shkurt të vitit 1963.

Shoqëritë shqiptare “Dëshira” dhe “Gjergj Kastrioti” në Sofje do të vijojnë të veprojnë gjer në vitin 1940. Pas Luftës së Dytë Botërore e ndalin veprimtarinë për shkak të ndalimit me ligj të ekzistimit të shoqërive të kombësive të huaja që nuk kanë rregullim ligjor sipas marrëveshjeve kulturore ndërkombëtare.

Në këtë mënyrë, veprimtaritë e gjera shqiptare të përqendruara mes rrugëve “Vitosha” dhe “Nishka” në Sofje, nisin të përmblidhen veç në mbrëmje familjare.

Libri Shqipëria dhe Shqiptarët i Perikli Çilev, botim i Shoqërisë Kulturore Shqiptare të Sofjes në vitin 1922

Vlen të theksohet se veprimtari i njohur bullgar me origjinë nga Kërçova, Perikli Çilev, me autorizim të Shoqërisë shqiptare “Dëshira” në Sofje, në vitin 1922, boton një libërth të shkurtër kushtuar shqiptarëve, të titulluar “Shqipëria dhe Shqiptarët”.

Ndërkaq një tjetër libër i botuar në fillimshekullin e XX në Sofje, është ai i veprimtarit të njohur bullgar Nikolla Rizov (me pseudonimin “Diplomati”) me titullin “Rilindja Shqiptare” , botuar nga Libraria “Hristo Olçev” dhe shtypshkronja “Grazhdanin” në vitin 1909.

Numri i parë i Shqypja e Shqypnis, 18 maj 1909, botuar në rrugën Nishka 35

Nikolla Rizov, i lindur në Manastir në vitin 1872, shquhet për qëndrimin miqësor ndaj shqiptarëve dhe ky libër shpërfaq pikërisht këtë prirje, e jo rastësisht në vitin kritik 1912, ai do të dërgohet në një mision sekret në Shqipëri, me gjasë për të koordinuar qëndrimet me shqiptarët kundër armiqve të përbashkët.

Në këtë libër gjejmë plot të dhëna interesante për shqiptarët, ku veçanërisht zgjon interes numri i përgjithshëm i shqiptarëve dhe ndarja e tyre sipas besimeve fetare dhe nënndarjet Toskë-Gegë në sytë e studiuesve të huaj.

Në këto të dhëna, një fakt tejet interesant ka të bëjë me shifrat e shqiptarëve ortodoksë në Greqinë e asaj periudhe, që llogariten në plot 250 mijë syresh, baras me 12.6% të popullsisë së përgjithshme të fqinjit tonë jugor.

Ndërkaq numri i përgjithshëm i shqiptarëve jepet 1 milionë e 759 mijë frymë, 954 mijë në Shqipërinë Veriore dhe 814 mijë në Shqipërinë Jugore.

Janë pra, të dhëna të vyera që na bëjnë të nderojmë mërgatën shqiptare të Sofjes.

Statuti i Shoqërive Kulturore Shqiptare në Bullgari DËSHIRA në Sofje 1920

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok