16/11/2024

Doktrinat e nacionalizmit serb

0

Nga Blerim Latifi

I kanë të gjitha të drejtat, si asnjë pakicë tjetër në botën demokratike. Gjuha e tyre është gjuhë zyrtare e Kosovës, por përsëri serbët e Kosovës janë të pakënaqur. Nuk e njohin shtetin që i trajton kaq mirë.

Pse?

Është krejt e qartë: nuk duan të jetojnë si pakicë etnike në një shtet shqiptar, të cilin e shohin si krijesë të përkohshme.

Nuk duan të jetojnë si pakicë në një territor të cilin e përfytyrojnë si thelbin historik të identitetit kombëtar serb.

Nuk duan të jetojnë si pakicë aty ku besojnë se në një të ardhme tjetër do të jenë shumicë. Fëmijët serbë ende sot mësojnë në shkolla se një ditë Serbia do ta rimarrë përsëri Kosovën.

Doktrinat e nacionalizmit serb për ta janë më të sakta se ekuacionet matematikore, prandaj është e kotë të përpiqesh t’i bindësh për të ndërruar qëndrim.

E kotë është edhe qasja liberale që konsideron se lojaliteti sigurohet duke ua zgjeruar të drejtat qytetare dhe rritur mundësitë ekonomike.

Edhe më e kotë është përpjekja për t’i përfshi ata brenda konceptit të një kombi multietnik kosovar.

Në horizontin e mendimit të tyre ekzistojnë vetëm tri ide: rikthimi i Kosovës nën Serbi, Asociacioni, si njëlloj njësie autonome brenda Kosovës dhe e treta ndarja e një pjese të Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë.

Natyrisht, në Prishtinë nuk mund të gjesh njeri i cili do të pranonte të ulej për t’i diskutuar këto ide.

Kështu gjendja do të vazhdojë të jetë realisht gjendja e një konflikti të ngrirë.

Duke mos qenë në gjendje të imponojë një zgjidhje të tij, Perëndimit do të vazhdojë që, përmes prezencës ushtarake dhe dialogut të kotë në Bruksel, të kujdeset që ky konflikt i ngrirë të mos shkrihet.

Në këtë kontekst armët do të heshtin, por gojët do të vazhdojnë të flasin për to. Sidomos ato në Beograd.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok