28/02/2026

Ditë të humbura të Kosovës

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Shkrimtari Dino Buzzati, te tregimi “Ditë të humbura”, me pak rreshta, por me një rrëfim tronditës, flet për ditët e humbura të një pronari të një vile luksoze.

Ky pronar, një ditë, ndërsa kthehej në shtëpi, vë re një burrë me një arkë në shpinë që del nga dera e murit të shtëpisë së tij, dhe të njëjtën e ngarkon në një kamion. I habitur, e ndjek me makinë deri te një luginë, ku ndalet kamioni. Dhe aty fillon një debat i ankthshëm mes burrit me arka dhe pronarit.

Pronari, pasi i shpjegon burrit arsyen pse e ndoqi, i intereson të dijë më shumë se çka kishte në arka.

Burri, qeshet dhe i thotë pronarit se të tilla ka shumë në kamion. Burri i panjohur e vazhdon punën e tij dhe e hedh arkën në përrua, ku ka shumë arka tjera.

Kureshtar tej mase, pronari e pyet:

Çfarë ka brenda?

Burri e shikoi buzagaz: Në kamion kam plot të tjera që duhen hedhur. Ju nuk e dini ç’janë këto? Janë ditët tuaja të humbura.

Pronari i shikoi, ishte një sasi e madhe, ku kishte ditë të tija të humbura, kur ai duhej t’i plotësonte me diçka, kur ai duhej të ishte afër dikujt që kishte nevojë për të. Ai fillon t’i hap dhe vëren momentet të dhimbshme kur ai duhej të bënte ndonjë gjest të mirë, të ishte pranë të dashurve të tij. Ishin ato ditë të shumta që ai i kishte bjerrë kot.

E në fund të tregimit, pronari i drejtohet burrit:

Zotëri, më jep leje të marrë të paktën këto tri ditë.

Bëhej fjalë për tri ditë të rëndësishme.

Pronari i thotë burrit të panjohur, që i kishte arkat, se, ai ka të holla dhe e paguan sa të donë.

Por, bartësi i arkave, bën një lëvizje për të treguar diçka që nuk mbërrihej dot, dhe për të thënë se tani s’mund të bënte gjë, sepse ishte shumë vonë.

Apo bëhet vonë për Kosovën?

Kjo pyetje, me gjasë, pakkënd e shqetëson, këtu ku cektësia politike ka shtrirë pushtetin kudo.

Prandaj, në vedin tonë bërtet injoranca, por, përreth saj njerëzia sillen si të shurdhër.

Dhe tani, Kosova duket si në prag errësirë. Po bëhet vonë dhe ky realitet shihet kudo: në demoralizimin e madh që rëndon ashpër mbi vendin tonë, në krizat e thella identitare e më gropat e zeza politike që hapën përditë.

Thjesht, jemi vendi i fundit në Europë dhe më tragjikja nuk qëndron këtu, tragjizmi i vërtetë lidhet me faktin se ne sillemi si në terr, pa asnjë vizion si të dilet prej këtij mjerimi.

Dhe në vend se të luftojmë për të zënë kohën e humbur, shekujt e humnur, kur jetuam keq e përkundrejt kulturës e zhvillimit, ne zhytemi thellë e më thellë në baltën e injorancës.

Po, ne kemi humbur ditë, muaj, vite e shekuj, si pronari i kësaj ville për të cilën rrëfen Buzzati, por,

dallimi është se te ky tregim, shkrimtari rrëfen për fatin individual të një pronari, kurse ditët e humbura të Kosovës, janë ditë të humbura të një populli dhe kanë pasoja tragjike dhe përcillen brezni pas breznie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok