06/10/2024

DITAR JETËSOR NË VARGJE

0

Lumnije Kajtazi Gjyshinca, “MES DY BOTËVE” botoi Sh.B “ULPI”, Prishtinë 2022

“Fjalët e mira janë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtet e pafundme”. – Nëna Tereze

Nga Ajete Zogaj

Derisa po lexoja librin në dorëshkrim të autores Lumnije Kajtazi Gjyshinca “Mes dy botëve” më shpërfaqej fuqia engjëllore e një Gruaje, Nëne e Motre,e cila qëndron vertikalisht dhe ecën me kokën lart edhe atëherë kur dallgët e jetës janë të rënda, madje rrënuese!

Në vargjet e saj shpaloset bota e femrës shqiptare me baticat e zbaticat jetësore, që në qenësi është bota e autores ‘mes dy botëve’ dhe rrugëtimi i saj ‘si në tehun e shpatës’ e në një ’fije të hollë peri’ që Ajo me vullnet dhe besim në Hyjin nuk e lejon të këputet…sepse mes dy botëve, AJO e don shumë JETËN DHE FËMIJËT E SAJ!

Largova errësirën, vdekjen

Se jeta ishte për mua dhe për ty

Për zemrën e vogël që s’u ndal

Për një engjëll si ti.

(“Jetë apo vdekje”, f. 24)

Në vargun e autores shqiptohet dashuria e motrës për vëllanë, kujtimi për prindërit që mbajnë familjen e bashkuar, dashuria e motrës për motrën (për motrën e saj Prozën).

Vëllau për motër qet pushkë

E unë për të çdo të bëjë nënë

Ndoshta më të mirën e botës

Rroftë zemrae motrës.

(“Fjalët e tua”, f. 19)

Nëna është qenia më e dashur së cilës autorja ia kushton disa prej poezive të këtij libri, duke e cilësuar atë më të fortë se guri, e cila tërë jetën qëndroi si shkëmb.

Se jeta të sjellë të papritura, por gjithmonë gjendet një zgjidhje; edhe në fund të tunelit ndizet një dritë, që e dëshmojnë mundësinë e shpëtimit, si në vargjet vijuese:

Vdekje apo ringjallje

Kush do t’ma thotë

A do të ketë shpresë

Për këtë zanë.

(“Komë”, f. 27)

Nëna, kjo figurë hyjnore, zë ‘kryet e vendit’;ajo është shtylla e shtëpisë…e cila me butësinë e saj ‘shpërbën’ helmin e nxjerrë nga goja e njerëzve që nuk e peshojnë fjalën, e bën mjaltë, sepse jeton për të ardhmen; e ardhmja e saj-janë fëmijët e saj. Pra, fati i saj është i pandarë me bimësinë e saj! A nuk është kjo mrekullia vetë, që Hyji i dhuroi femrës- Amësinë!

Helmi i nxjerrë nga goja

Janë fjalët Tuaja të kota

Ti je një njeri që s’di çka është bota

Mjerim atë që e mban toka.

(“Helm nga goja”, f. 35)

Apo në vargjet ku shprehet dashuria ndaj fëmijëve:

Shikojnë në sy

Thërrasin në vesh

Ngrihu oj nënë

Jeto me vrullin e dashurisë

Dashuria ime, dashuria e Juaj

Freski e zemrës

Vullneti i jetës

Në qiellin e hapur me rreze dielli

Ju shpirtra të shpirtit tim.

(“Për Ju”, f. 38)

Mjaft mbresëlënëse janë edhe vargjet që shprehin brengën dhe kujdesin, dashurinë e pafund të nënës(autores), dashurinë prindore:

Sa kam dhimbje kur shoh ata sy

Mundohen ta thonë

Zemrën tënde të madhe

Barrë e mbajtur tërë jetën.

 

Nuk kam fuqi më shumë

Koha do ikën

E në fund

Do mbetesh…?!

(“Për ty”, f. 43)

Jeta është ballafaqim, thotë autorja në përmbledhjen poetike ’’Mes dy botëve”, duke porositur që në radhë të parë duhet dashur veten:

Uroje veten.

Jeta s’është inat

Ajo është lumturi

Lumturiae zemrës

Është dashuri

Shpirti i pastër

Kaltërsi deti

Jetoje jetën

Duaje veten!

(“Duaje veten”, f. 10)

Jeta për autoren sa është e ëmbël, po aq është ballafaqim, vuajtje…Është Femra, Nëna, AJO që i përballon të gjitha për arsye të bimës së saj (fëmijës):

E gozhduar për muri

E lidhur

Jo e çmendur as e ligë

E fortë

E pamposhtur

Në mes rruge, pa rrugë.

Sytë e tyre më kanë gozhduar

Shpirti i tyre dhe zemra

Më lidhin nyjë

E pazgjidhur pafajësia

Një mal i pafund.

(“Pa titull”, f. 13)

Se dashuria e nënës për fëmijën është hyjnore, dhe se ajo harron vetë-vetën për ta e dëshmojnë vargjet:

E humbur në kohë, gjysmë e vdekur

Erdhe në jetë me pritje pa gjumë

Mendova se të humba se u ndal zemra jote

Për vete nuk di se jetoja.

(“Jetë apo vdekje”, f. 23)

Ajo që e bën të veçantë librin e parë poetik të autores Lumnije Kajtazi  Gjyshinca është mënyra e të shprehurit poetik, pa rregulla metrike; janë rregullat e pashkruara të cilat di t’i zbërthejë në pentagramin e zemrës dhe të jetës së një Nëne…që sfidohet, që e do JETËN DHE LUFOTN PËR TË!

Shumica e poezive të librit kanë datë-shkrimin e tyre, përmes së cilave autorja shpalos ditarin e saj jetësor, të cilin (ndoshta në një formë a një formë tjetër) e shkruajnëshumica e NËNAVE dhe e femrave shqiptare!

Prishtinë, 24.10.2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok