23/12/2024

“Dita e paqes” apo tjetërsimi i lirisë!?

0
Florim-Zeqa

Në 22 vjetorin e çlirimit

Nga Florim Zeqa

Për shqiptarët e Kosovës, 12 Qershori  i vitit 1999 është dita më e gëzuar, më e lumtur dhe e paharruar. Marshimi i ushtrisë se NATO-s rrugëve të Prishtinës dhe mbarë Kosovës, shënoi gëzimin më të papërshkruar më fjalë të qytetarëve, të cilin e përshkroj në mënyrën më besnike blici i aparatit dhe syri i kamerave televizive.

“Dita e Paqes” tjetërsim i luftës çlirimtare

Më 12 Qershor 2019 bëhen 22 vjet nga hyrja e forcave paqëruajtëse në Kosovë, ditë e cila shënon çlirimin faktik, por jo edhe zyrtar të Kosovës. Pra 22 vite liri dhe mbi 13 pavarësi për shqiptarët e Kosovës në rrethana normale do të ishin tepër shumë, madje do të mjaftonin shumë më pak vite për ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të shtetit!

Liria e Kosovës nuk mund të identifikohet me një emër të përveqëm, grupacion apo parti politike.

Ngase secili nga shqiptarët e Kosovës rezistuan, sakrifikuan dhe luftuan në mënyrën e vet, për të hequr nga qafa vargonjët serbosllav dhe robërinë  shekullore.

Njerëzit kanë deshirë ta kujtojnë të kaluarën e tyre. Mirëpo me kalimin e viteve, kjo e kaluar ndryshon trajtën, ku shumë gjëra zmadhohen, apo u përshtaten rrethanave kohore. Njerëzit e gjallë të kohës së kaluar duhet ta thonë të vërtetën pa kamuflime dhe pa shtrëmbërime për t’ua lehtësuar rrugëtimin gjeneratave të reja.

Secili komb në botë që ka zhvilluar një luftë çlirimtare e ka edhe një ditë çlirimi.

Për secilin popull që ka përjetuar një pushtim të gjatë, dita e çlirimit është dita më e dashur, kremtja më e madhe dhe data më e paharruar në kujtesën popullore.

Paradoksalisht Kosova në Kushtetutën e saj nuk ka ditë të çlirimit! Madje as në vargun e gjatë të  festave zyrtare nuk gjendet dita e çlirimit të vendit, pasi ajo është zavendësuar më “Ditën e paqes”!

Pranimi i termit “Ditë e paqes” në vend të Ditës së çlirimit është tjetërsim i lirisë sonë!

Sipas kësaj logjike i bie, se në Kosovë nuk ka pas luftë çlirimtare, por vetëm një konflikt të vogël ndëretnik!

Mohimi i luftës çlirimtare, çmim i pavarësisë apo dështim i politikës

Si pasojë e kësaj e kemi Gjykatën Speciale (me kërkesën e Serbisë) për kriminalizimin e UÇK-së,…përkatësisht ndjekjen dhe burgosjen e pjestarëve të saj në emër të “drejtësisë” ndërkombëtare!

Si pasojë e tjetërsimit të ditës së çlirimit, 22 vjetori i çlirimit, e gjenë  Kosovën përseri në tavolinën e bisedimeve me pushtuesit serb, për të rinegociuar statusin dhe ridizajnuar kufijt e shtetit tonë!

Në çdo përvjetor të çlirimit të shtetit të Kosovës, qytetarët duhet ta kthejnë kujtesën e tyre në vitet e krenarisë kombëtare, të rezistencës së gjatë paqësore të viteve të ’90-ta, përkatësisht në 2 Korrikun dhe 7 Shtatorin e vitit 1990 dhe Referendumin Popullor për Kosovën shtete sovran dhe të pavarur  (26-30 Shtator 1991) që vunë themelet e shtetit të Kosovës si dhe ta kujtojmë me pietet të lartë periudhën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Mars 1998-Qershor 1999), për të kujtuar dhe nderuar përgjithmonë gjakun e dëshmorëve të lirisë.

Paradoksalisht, 12 qershori nuk është ditë feste në Kosovën e lirë, ndërsa 9 maji po!

Përderisa asnjë nga shtetet anëtare të BE-së nuk e festojnë ditën e Evropës,  ne kosovarëve të getoizuar, ditë feste (ditë pushimi) na është imponuar 9 maji dita e Evropës (BE), e kësaj evrope që na mbajti të izoluar dhe getoizuar për 22 vjet rresht!

NATO, forca mbrojtëse dhe garantuese e lirisë sonë

Përderisa 22 vjet më parë, intervenimi i NATO-s, për më tepër se intervenim ushtarak, ishte kuptuar si mision humanitar për shpëtimin e një popullate krejtësisht të pambrojtur, që i kanosej shfarosja dhe deportimi kolektiv nga trojet e veta.

Edhe pse tashmë e kemi ushtrinë (FSK-në) në konsolidim e sipër, 22 vjet më pas, prezenca e NATO-s në Kosovë dhe baza ushtarake BONDSTEEL konsiderohen forca kryesore mbrojtëse dhe garantuese të lirisë sonë.

Populli shqiptar i Kosovës përgjithmonë do t’u jetë mirënjohës dhe falenderues SHBA-ve dhe shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian për ndihmën e pakursyer në çlirimin e vendit tonë.

Edhe pse ndryshe nga ajo që e projektuan atdhetarët dhe atë që ëndërruan martirët dhe dëshmorët e kombit, kjo liri na solli shtetin pa simbole kombëtare, “mrekulli” që askush nuk e kishte pritur!

Ditën e çlirimit e ka bekuar edhe Zoti, prandaj kemi arsye të festojmë.

Kosovë urime 12 qershori, dita e bekuar e çlirimit!

Zoti e bekoftë gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok