09/12/2024

Dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

0
panairi-i-librit

– Në këtë panair sipas botuesve fëmijët- rinia janë grupmosha, e cila ka rritur vëmëndjen ndaj librit.

-Botuesit ju bëjnë më shumë reklamë televizive autorëve të huaj

-Botuesit kanë ngritur shqetësimin për rekomandimin në shkolla të autorëve të huaj dhe shumë pak vendas.

– Studentët duhet të marrin pjesë gjatë Panairit në diskutime mbi leximin e organizuar dhe botimet e reja.

– Nuk po gjehet forma, rruga që njerëzit të ofrohen tek libri.

– Në shtëpi prindi duhet të ndikojë te fëmija  që të mos bëhen të varur tek interneti, telefoni.

Nga Albert Z. ZHOLI

Dhe pse ditë e vërejtur  Pallati i Kongreseve ishte i mbushur plot me dashamirës të librit, por edhe vizitorë të rastit. Ajo që u vu re në këtë ditë ishte se u organizuan disa aktivitete për fëmijë njëkohësisht dhe promovime librash për fëmijë. Duhet thënë se tre Panairet e fundit kanë pasur si dallim rritjen e numrit të botimeve për fëmijë. Ndoshta në dallim nga Panairet e mëparshme  këtë vit erdhi si risi  aktiviteti dedikuar fëmijëve, ku vullnetarë dhe mësues u lexonin përralla dhe tregime të vegjëlve.

Pra edhe në këtë panair sipas botuesve fëmijët- rinia janë grupmosha, e cila ka rritur vëmëndjen ndaj librit. Duket sikur ata kanë lënë mënjanë për pak kohë botën e internetit dhe i janë rikthyer leximit pasi sipas tyre Panairi i duket event shumë i rëndësishëm. Ky interesim ka përbrenda dhe një fakt tjetër: Dashamirësit e librit gjatë këtij panairi kanë mundësi të takojnë edhe autorët e tyre të preferuar dhe një mundësi për të marrë kështu një autograf me emrin e tyre. Uljet e çmimeve që kanë bërë shtëpitë botuese janë ato çfarë tërheqin më shumë edhe vëmendjen e lexuesve.

Reklama për autorët e huaj

Në gjithë vitet e demokracisë vihet re një shqetësim jo vetëm për autorët shqiptarë, por edhe të rinjtë, sepse Shtëpitë botuese u bëjnë më shumë reklamë autorëve të huaj. Madje gjatë gjithë vitit nëpër televizione shikohet një reklamë  e fuqishme ndërsa autorët tanë janë lënë në hije totalisht. Kjo ka bërë që shumica e të rinjve shqiptarë të mos njohin asnjë autor shqiptar veç Kadaresë dhe Agollit. Por edhe vetë botuesit justifikohen se në lëndën e letërsisë më shumë bëhen autorët e huaj se ata shqiptarë. Dhe në ditën e dytë të Panairit në diskutimin që pata me disa botues edhe me disa të rinj, u shprehën me shqetësim për këtë problem të dyfishtë. Me studentët ngrita shqetësimin se ata pak lexojnë autorë shqiptarë ndërsa me botuesit ngrita problemin se pak reklamë u bëjnë autorëve shqiptarë. Por nga ana tjetër botuesit justifikohen se edhe ata  kanë ngritur shqetësimin për rekomandimin në shkolla të autorëve të huaj dhe shumë pak vendas. Nga ana tjetër duke u fokusuar në zhvillimin e teknologjisë, u theksua se mbetet edhe një mënyrë e mirë për të përzgjedhur librat e duhur. Organizatorët e panairit të librit për mendimin tim duhet të zhvillojnë tryeza ku të diskutojnë me të rinjtë mbi preferencat e tyre dhe si duhet të afrohen me autorët shqiptarë. Madej studentët duhet të marrin pjesë gjatë Panairit në diskutime mbi leximin dhe botimet e reja. Një nga problemet e konstatuara është edhe qasja në arsim drejt letërsisë së huaj duke krijuar më pak hapësirë për autorët vendas.

Teknologjia dhe libri…

Para disa muajsh në një intervistë me një librashitës mora këtë përgjigje:

 “Nuk po shoh ndonjë interesim  në rritje. Madje mund të them se leximi i librit po zbehet. Interesimi për libra në shoqërinë shqiptare ka rënë jashtëzakonisht shumë dhe është për t’u çuditur se çfarë niveli dhe ku ka ardhë libri sot. Shoh një interesim vetëm gjatë Panairit vjetor që zhvillohet në nëntor ndërsa gjatë vitit interesimi bie. Leximi duhet gjithëvjetor. Sikur ka lëvizur pak dy vitet e fundit po sërish  është e papërfillshme. Ndoshta ndikon teknologjia. Ndoshta internet, apo ku di unë. Por libri për mendimin tim nuk zëvëndësohet nga teknologjia, pasi ka tjetër forcë, tjetër paraqitje, tjetër tundim. Ka fuqi të madhe libri. Por nuk po gjehet forma, rruga që njerëzit të ofrohen tek libri. Nuk lexojnë, sepse edhe në familje libri nuk është kthyer në edukatë. Në shtëpi prindi duhet të ndikojë te fëmija  që të mos bëhen të varur tek interneti, telefoni. Por aktualisht interneti i ka mbledhur të gjithë,  por ne duhet të luftojmë që të mos i humbasim librat, por po i humbim ne. Në përgjithësi kërkohen romanet e huaj me dashuri, libri historic, por është rritur interesi i librit për fëmijë.

Por e vërteta duhet thënë: Vitet e fundit thuhet se lexohet gjithmonë dhe më pak. Madje theksohet se teknologjia e ka zëvëndësuar ndjeshëm librin. Por kontradita është se për çdo vit rritet numri i shtëpive botuese. Si jetojnë ato? Edhe shtëpitë botuese të vogla fare botojnë libra. Pra nga ana tjetër mund të thuhet se çdo libër ka lexuesin e vet.

Përvojat ndërshqiptare

Ky Panair ka të veçantë se po tregon se çdo vit po rritet më shumë bashkëpunimin ndërshqiptarë. Krijuesit dhe lexuesit e librit shqip nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi sjellin përvojat e tyre duke  shkëmbyer mendime, ide, bashkëpunime, shohin arritjet dhe të metat për të qenë sa më pranë lexuesit të çdo moshe. Thjesht ky Panair i librit bën bashkë, lexues, krijues, përkhyes, gazetar, kritik letrar në një garë të bukur mes njëri tjetrit.

Në përfundim

Panairi do të shoqërohet me gjithashtu nga një sërë aktivitetesh promovuese, ndërsa në 17 nëntor do të ndahen edhe 4 çmimet e përvitshme, të përzgjedhura nga juria. Festa e librit tashmë është kthyer në traditë ku dashamirësit e librit frekuentojnë ambientet e Pallatit të Kongreseve. Për të gjithë lexuesit e rregullt, ky panair është një nga eventet më të rëndësishëm dhe një nga ngjarjet më të mëdha për gamën e madhe të shtëpive botuese dhe për numrin e madh të titujve. Libra të zhanreve të ndryshëm kanë zënë vend në 95 stendat e shtëpive botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, në pritje të lexuesve pa dallim moshe. Por, ky panair po ofron më shumë se kaq. Mjaft të ftuar, përkthyes, autorë vendas dhe të huaj do të bëhen pjesë e tij për të rrëfyer rreth veprave që përfaqësojnë. Dyert e panairit do të jenë të çelura deri në 17 nëntor, duke iu ofruar kështu lexuesve besnikë dhe të rinj qindra tituj librash nga autorë shqiptarë dhe të huaj, me çmime të ulura nga 15 deri në 30%. Motoja e Panairit “Tirana 2023” është Motoja e këtij edicioni, “Të lexosh do të thotë, të jetosh, të zbulosh, të rritesh,” ! Edicioni i 27-të i panairit përveç titujve të rinj për lexuesit sjell edhe takime me autorë e përkthyes, tryeza diskutimi mbi përkthimin, seminare, etj.

Pjesë e aktiviteteve të panairit do të jetë edhe “Sofaja e Librit”, që mirëpret shkrimtarë të ndryshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok