21/11/2024

Diskursi i Vuçiqit është i njëjtë me atë të Millosheviqit

0

Nga Blerim Latifi

Nëse i lexojmë me vëmendje deklaratat e Vuçiqit mbi zhvillimet e fundit në veri, atëherë e shohim se diskursi i tij në thelb është i njëjtë me atë të Millosheviqit. Gjithë kohë flet për “pafajësinë e popullit serb”, për “vuajtjet dhe viktimizimin e tij nga të tjerët”. Krejt si Millosheviqi, i cili e nisi përgjakjen dhe masakrat në ish Jugosllavi pikërisht nga një fjalim mbi “viktimizimin e serbëve nga shqiptarët”, të mbajtur në qershorin e vitit 1989 në Gazimestan.

Na e ka treguar historia, në kush e di sa raste, se kur liderët serbë bëjnë poza të viktimës në Beograd, ata në fakt janë duke mprehur thikat për viktimat e vërteta të ambicieve të tyre të pashërueshme për ta bërë Serbinë shtetin hegjemon në rajon.

__________

Vendimi për reciprocitetin e targave është vendim i duhur. A është zbatuar ky vendim për efekte elektorale, siç po thotë opozita? Kjo pyetje ka rëndësi për opozitën, por nëse ky reciprocitet funksionon, atëherë kjo pyetje hiç nuk është relevante. Më brengosës se pyetja e opozitës, është fakti se për të zbatuar në veri një vendim, në thelb administrativ, duhet angazhuar gjithë aparati i forcave speciale të policisë së Kosovës.Ky fakt duhet të na shqetësojë të gjithëve, e jo çështja se kush humb e kush fiton vota nga zbatimi i këtij apo atij vendimi shtetëror. Edhe ashtu dihet se në Kosovë nuk ka politikan që nuk mendon të përfitojë poena politikë nga ato pak gjëra të mira që bëhen nga institucionet.

__________

Kafet janë plot nga mëngjesi deri në mes të natës. Sheshet e qyteteve përditë u ngjajnë tregjeve nga masa e madhe e njerëzve. Marketet dhe qendrat tregtare po ashtu. Xhamitë po ashtu. Tubimet partiake vazhdojnë ditën e natën pa e respektuar asnjë masë mbrojtëse. IKSHPK-së dhe drejtuesve debilla të tij kjo nuk u bën përshtypje. Vetëm shkollat duhet të vazhdojnë të mbesin të mbyllura, sipas tyre. Dhe a e dini pse? Sepse për hapjen e shkollave nuk ka presion dhe askush nuk lodhet se si me gjetë ndonjë alternativë që fëmijët e këtij vendi të shkretë të mos hyjnë në vitin e dytë të humbjes së mësimit. Dhe kjo vjen prej faktit se prej kohësh në këtë vend shkolla nuk merret seriozisht nga askush. Ajo është shndërruar në një formalitet sa për të kaluar kohën fëmijët. Dhe kur shkolla degradohet deri në këtë shkallë, atëherë debillokratët bëjnë ligjin.

__________

“Bukë, argetë dhe një jogurt”, kjo qenka menuja ushqimore për pjesëtarët e Njësisë Speciale në veri. Nuk po dallojka shumë nga ajo e kohës së luftës. Më kujtohet se si në qendrën e grumbullimit të ushtarëve të UÇK-së në Kukës, në mëngjes dhe në darkë, na jepnin nga një qepë, një gjysmë buke dhe një gotë me çaj. Aty ishte një gjerman shtatlartë, i cili protestonte në gjermanisht ndaj asaj diete tmerrësisht të varfër. Atëherë ishte kohë lufte dhe justifikohej ushqimi i keq, por sot është e turpshme që policët më të mirë të Kosovës që po mbrojnë kufirin në veri të ushqehen për faqe të zezë.

__________

Duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit për t’u takuar që të diskutojnë së bashku zhvillimet e fundit në veri, Memli Krasnqi e Lumir Avdixhiku mund të kenë zgjuar zemërimin e militantëve të tyre partiakë, por të dy, me këtë veprim, kanë dëshmuar pjekuri të madhe politike, rezon shtetëror dhe aftësi për të vepruar përtej barrierave të vendosura nga lufta për pushtet.

Për këtë shembulli i tyre meriton të vlerësohet! Edhe vetë Kurti duhet dhe ka nevojë të marrë mësim prej këtij shembulli!

__________

Më tregoi një mik që i përcjell mediat në Serbi: të gjithë janë rreshtuar pas veprimeve të qeverisë serbe në kufirin Kosovë- Serbi. Ndërkaq, çfarë ndodhë tek ne?

Çështja e parë dhe e fundit: kush humbë e kush fiton partiakisht nga këto zhvillime? Thjesht: njerëz të pazotë me mendu përtej dhe mbi interesat meskine partiake.

__________

Një kandidat për kryetar të Vushtrrisë në një debat elektoral e dha një propozim “gjenial”: ndërtimin në Bjeshkën e Çyqavicës të një qendre rehabilituese për të moshuarit pa përkujdesje!🤦  Bile që të mos harxhohen shumë fonde për këtë qendër do të mund të mendohej adaptimi për këtë punë i shpellave të kaçkave që ndodhen në Çyqavicë.

Eh, sa budallakinë kemi me dëgju deri në ditën e zgjedhjeve!

__________

Prishtinës kurrë s’i kanë mungu idetë e mira. Dhe, përgjithësisht, sot nuk është hiç vështirë të kesh ide e projekte të mira për një qytet apo shtet. Tregu i dijeve dhe informatave është i hapur. Prishtinës i kanë mungu guximtarët, ata që nuk tuten të përballen me forcat e grupet e ndryshme të interesit politik dhe ekonomik që e kanë shkatërru e shëmtu këtë qytet.

__________

Në mëngjesin e 22 shtatorit 1998 mbi 23 mijë trupa të ushtrisë serbe do të sulmonin Bjeshkën e Çyqavicës nga pesë drejtime, Skenderajt, Drenasit, Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Obiliqit. Sapo kishte hyrë vjeshta dhe Serbia mendonte t’i jepte goditjen përfundimtare UÇK-së. Popullata e dhjetëra fshatrave gjendej e strehuar në Çyqavicë, e cila qysh në orët e hershme të mëngjesit nisi të bombardohej nga artileria e rëndë serbe. Përballë këtij sulmi masiv ndodhej Brigada 114 e UÇK-së dhe komandanti i saj Fehmi Lladroci. Ai kishte zënë pritë në rrugën që shpie nga Drenasi në drejtim të Çyqavicës. Për të satën herë atë ditë po përsëritej dilema e Hektorit të Trojës: të qëndrosh dhe të vdesësh për nderin e atdheut apo të tërhiqesh dhe të shpëtosh jetën tënde duke lënë pas poshtërimin e tokës atërore. Dhe Fehmi Lladroci bëri zgjedhjen e Hektorit: do të qëndronte deri në martirizëm që Çyqavica, mali i shenjtë i lirisë, të mos shkelej pa krismën e pushkës. Ai qëndroi, sepse besonte në maksimën e vjetër të kryengritjeve për liri: MË MIRË TË VDESËSH NË KËMBË SE TË JETOSH I GJUNJËZUAR!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok