24/12/2024

DIKUJT NXEHTË E DIKUJT FTOHTË

0
Hamza Halabaku 1

Nga Hamza Halabaku

Ishte fundjavë e janarit dhe Agimi kishte vendosur që, bashkë me të shoqen, t’u bënte një vizitë familjarëve të saj dhe, si thuhej në këto anë, ta bënte një konak te miqtë, edhe pse fshati i tij nuk ishte shumë larg nga ai i miqve. Drita, e shoqja e Agimit, në gjininë e vet kishte dy prindërit dhe të vëllanë me të shoqen. Të katër anëtarët e kësaj familjeje gëzoheshin kur u shkonin mysafirë, ndërsa gëzimi ishte shumë më i madh kur shkonte Drita me të shoqin.

Atë mbrëmje të së premtes ndenjën deri vonë duke bërë muhabet dhe duke pirë çaj. Kur erdhi koha për gjumë, u kujtuan se, të habitur pas muhabetit, nuk kishin ndezur zjarre në dhomat e gjumit. Moti ishte i ftohtë dhe, meqë aty në dhomën e ndenjës, që ishte shumë e madhe, ishte ngrohtë, vendosën ta kalonin natën të gjithë aty. Në të vërtetë, gjatë dimrit aty përherë flinin prindërit e Dritës. Nuk vonoi shumë dhe u shtruan tre dyshekë për gjumë. Vjehrra dhe vjehrri do të flinin në një dyshek, në dyshekun e dytë Drita me bashkëshortin, Agimin, ndërsa në të tretin i vëllai i Dritës dhe nusja e tij.

Të gjithë kishin rënë në gjumë dhe ata më të rinjtë, që ishin më të lodhur nga punët e ditës i zuri gjumi menjëherë, ndërsa plaku e plaka ende po e lusnin gjumin. Nuk vonoi shumë dhe plaka u ngrit nga dysheku. Iu afrua dyshekut ku flinte e bija dhe i shoqi i saj. Pasi bëri një përpjekje kinse për t’i mbuluar më mirë, me zë të ulët i tha dhëndrit: “Afrohu pak më pranë Dritës, se po mërdhin e shkreta”! Më pastaj plaka u afrua edhe te djali dhe te reja dhe e bëri të njëjtin veprim, kinse për t’i mbuluar më mirë, ndërsa së resë i tha me zë të ulët: “Largohu pak më andej, se po i vjen shumë nxehtë djalit”!

Plaku, që ende nuk kishte fjetur, e dëgjoi plakën çka i tha dhëndrit e çka së resë, por, meqë të gjithë ishin në të njëjtën dhomë dhe në të njëjtën temperaturë, nuk po mund ta kuptonte se çka deshi të thoshte plaka me porosi të ndryshme për dhëndrin dhe të renë. I silleshin nëpër kokë porosia “të mos mërdhijë” dhe “të mos i vijë shumë nxehtë”. Mezi priti që plaka të kthehej te dysheku dhe, derisa ajo po futej nën jorgan, plaku i tha: “Po çka është kjo, mori plakë!? Në temperaturë të njëjtë, dikush mërdhin e dikush ka vapë!?

Hajde, plakë, hajde”…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok