22/12/2024

DIJETARI DHE PLAKU I URTË  MUZLI ISUF SAHITI

0
Muzli-Sahiti

Plaku plisbardhë Muzli Sahiti në bashkëbisedim me drejtorin e Entit Pedagogjik të Kosovës Z. Halim Hysenin, dhe poetët e dijedhënësit Prend Buzhalen e Mikel Gojanin, më rastin e mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të LASH-it për regjionin e Pejës, në shkollën

“Azem Bejta” në Grabanicë të Klinës, në vitin 1991.

(Foto e bërë nga Idriz Dushi).

Nga Selman Etemi

Në këtë tubim, e që kishte për temë organizimin e mësimit në nivelin Institucional, morën pjesë: kryetari i LASH-it të Kosovës Z. Rexhep Osmani, të gjithë kryetarët dhe kryesitë e katër komunave (Pejës, Deçanit, Klinës dhe Istogut. Në këtë tubim fjala e plisbardhit ishte shumë bindëse dhe emocionuese. I cili evokoi mendjembajtje për shkollimin e shqiptarëve me plot vuajtje edhe në kohërat e kaluara, e, që sunduesi i njejt pengonte arsimimin e shqiptarëve. Fjalët e plakut mendjemprehtë kohë të gjatë diskutoheshin (edhe në Prishtinë) si shembull për inspirim dhe këmbëngulje që t’i shtyjmë proceset dhe organizimet përpara, që shkolla shqipe të mbijetonte sidomos në vitet e nëntëdhjeta, e cila edhe u realizua përballë atij pushteti.

Si kryetar i LASH-it në Klinë që isha, por edhe drejtor i shkollës “Azem Bejta” në Grabanicë, plakun e urtë e kisha këshillëdhënës gati për çdo situatë të vështirësisë. Edhe në aktivitetin e nivelit të bashkësisë lokale të Grabanicës e kishta krahun më të sigurtë dhe ndihmës. Këshilla e tij na ishte shumë domethënëse dhe trimëruese për aktivitetet në vazhdim, si për ne në shkollë por edhe në nivele të tjera.

Edhe disa fjalë kujtese dhe respekti për Muzli Sahitin nga Grabanica e Klinës

Një ndër shumë familje të këtij mesi, e kemi edhe familjen vlerëmadhe të Uksahitëve, e cila njihet si më e vjetra e kësaj ane, dhe më e dëshmuara për sakrificë, bukëdhënjë dhe tipike tradicionale shqiptare, vlerë kjo e bartur nëpër shumë gjenerata. Nga kjo familje kemi edhe shumë pasardhës që e dëshmojnë këtë të thënë. Nga shumë burra të kësaj vatre bujare, po veçojmë plakun e urtë e skajshmërisht të dëshmuar nëpër kohë dhe rrethanë, Muzli Sahitin, portreti i të cilit gjatë do jetojë në kujtesën e shumë bashkëkombasve. U lind në vietet më të vështira për kombin dhe trojet shqiptare (1920), dhe e mbylli epokën e vet të lavdishme po ashtu kur kombi i tij përjetonte ditët më të rënda (1998), por që e fitoi lirinë e shumëpritur një vit më vonë.

Këtë herë nuk do thellohem shumë në portretizimin e figurës dhe të bëmave të Muzliut, por po veçoj pak nga kujtimet e mia, që kishin lidhshmërinë përgjatë jetës së përbashkët që e kishim –ai burrë me nam e unë një fëmijë dhe bashëmoshatar i fëmijëve të tij (atëherë).

Edhe për mua, sikur shumë të tjerë të këtij mesi, kujtimet për Muzliun gjithmonë më janë të freskëta, se, u rrita jetim prej moshës 12 vjeçare, dhe ishte i pari që na e hapi derën në mbrëmjen e 29 dhjetorit të vitit 1969 kur na vdiq babai.

Mëqë me shtëpi ishim afër, përgjatë gjithë kohës na u bë këshillëdhënës për t’a vazhduar jetën, ne si tërësi familjare, e të gjithë ne, vëllezër e motra (shtatë) ishim të vegjël por dhe në një varfëri pothuaj të skajshme.

Udhërrëfimet e tij na u bënë binar sigurie për të ecur përpara. Këshillat nga ai na ishin të pandara dhe të përditshme. Interesohej edhe për vijimin tonë në mësime. Na pyeste edhe për paisje mësimore. Na udhëzonte si të punohet dhe të kujdesemi për të mirat dhe produktet kopshtare. Pra, kujdesej sikur të ishim pjesë e familjes së tij.

Edhe unë si fëmijë që isha, e ndjeja veten si pjesëtar i kësaj bashkësie familjare, dhe rrita e jonë na ishte e përbashkët me Kadriun, Isën, Sahitin, Halilin e Shaipin, -shpeshherë nënë Nepa na ushqente sikur fëmijët e vetë. Pra, magjja e kësaj familje na ishte edhe e jona.

Si në shkollim të mesëm, ashtu edhe gjatë stidimeve, interesohej dhe më pyeste për mirëvajttjen e atyre proceseve. Edhe punësimi im në procesin edukativ dhe arsimor e gëzoi shumë. Gjithmonë thoshte, se vetem kuadri ynë na shpëton nga kjo gjendje që me shekuj po na sakatosë edhe kombëtarisht.

Në kullën e tij, shpeshherë na fliste për raste dhe përiudha të ndryshme nëpër të cilat kombi ynë kishte kaluar. Na fiste për “kohën e otkupit”, “tepricave”, për kolonizimin e tokave shqiptare, për “Aksionin e armëve”, Por, na fliste (si të ri që ishim) edhe për syqeltësinë që duhet ta kishim, se historia mund edhe të përsëritet për ne shqiptarët.

I pathyeshëm në ideal dhe i pakompromis përballë okupuesit

Muzliun e kishim të veçantin e këtij mesi. Ishte gojartë në çdo bisedë dhe shumë mendjemprehtë në ide dhe parashikime pasuese për verpim. Nacionalist i dëshmuar përballë rrethanave të kohës dhe filozof i përkryer në të shprehurit e qëndrimeve, pavarësisht nivelit të bisedës. Na ishte odatar i një niveli të lartë dhe bindës në të shprehur, pavarësisht qëlllimit tematik dhe përbërjes strukturore. Pra, plaku i urtë e teper vigjilent, na ishte  figurë paraprirëse në bashkësinë lokale të Grabanicës, dhe thuaja pararojë ballafaquese me çdo gjë që ndërlidhej për këtë mes.

Mund të thuhet se, çdo e mirë në nivel të kësaj bashkësisë lokale, por edhe më gjerë, ndërlidhet me emrin dhe veprën e këij burri, që pas vetes la veç të mira për brezat në vijim.

Shquhej për burrni, mençuri, besnikëri, mirësi e bujari, virtyte këto që e kompletuan këtë ikonë të fjalës dhe figurës tipike të një shqiptari model për atdheun dhe kombin e vet.

E kishim dijetarin e pa krahasueshëm ndër shumë kuvende dhe log burrash.

Oratoria e tij gjithmonë ishte bindëse dhe e argumentuar e assesi e diskutueshme.

E drejta për komb dhe lirinë e tij, ishte synimi kryesor, të cilin e dëshmonte në vepër por dhe e mbjellte tek te tjerët.

Ishte arsimdashës dhe këtë e demonstronte në çdo rast, ku përpjekje bënte që arsimimi i të rinjëve dhe të rejave shqiptare të jetë në nivelin sa më të lartë, se këtu e shihte  daljen nga ngulfatja sunduese shekullore.

Na ishte autodidakt (pjesërisht) por i formuar në nivelin më të lartë të mundshëm, dhe zotëronte një filozofi mahnitëse dhe të pakapshme për shumë të tjerë.

I arsyetonte demonstratat studentore të vitit 1981, edhe përkundër shumë zërave të tjerë, që ato i kualifikonin kinse jo produktive, dhe këtë e bënte me plot vizionaritetin që e kishte. Pra, ngjarjet e pranverës 1981 i kualifikonte si një e mirë dhe këndellje për një mobilizim të realizimit të aspiratave shekullore.

Edhe ngjarjet e viteve të 90-ta e shpërfaqen qendrueshmërinë e pathyshme prej një nacionalisti stoik. Ishte digë e pathyeshme nëpër shumë ngjarje, e sidomos atyre organizimeve në nivel të BL të Grabanicës, e gjithsesi ishte pjesëmarrës edhe në tubimet protestuese por dhe mobilizuese lidhur për mos hjekjen e emrit Azem Bejta, të shkollës në Grabanicë, e që synimi i atij pushteti kishte fillu që prej vitit 1987. Pra, Muzliun, bashkë edhe me shumë të tjerë, e kishim çdoherë krah të fortë që ky emërtim i Shkollës të mbrohej.

Dhe, mund të konstatohet se, ishte i veçanti në mbrojtjen e emrit të shkollës “Azem Bejta” në Grabanicë. Në çdo tubim, si prind por dhe si qytetar i atij mesi, shpërfaqte qëndrimet bindëse, se kërkesat shovene e sidomos ato antishqiptare të mos realizohen e jetësohen assesi. Të njejtën këmbëngulje e reflektoi edhe ndaj shkollës së mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë, më rastin e mbajtjes së një tubimi të prindërve shqiptarë për mos ndryshim të emrin, ku fjalimi i tij u duartrokit nga pjesëmerrësit e shumtë. Një ditë më parë, kur unë, bashkë me Ramadan Krasniqin (profesor në sh.m. “Luigj Gurakuqi” dhe figurë qendrore e rezistencës) dhe Zenun Zeqën (kryetar i parë legjitim i KK të Klinës) bënim organizimin që të nesërmen të demonstrohet në Klinë, por dhe më pastaj do të organizohet edhe një tubim i prindërve, i cili do të mbahej po ashtu në Klinë, na tha: “Me emër të Zotit nesër do të jam aty, do t’ju tregojmë qafirave se kot e kanë të na i përdhosin dhe shuajnë vlerat tona kombëtare”.

Përkrahës i së mirës dhe kundërshtues ndaj çdo gjëje antishqiptare

Në çdo kohë dhe rast, ishte i pandalshëm dhe ngritëte zërin kundër padrejtësive që na bëhëshin si komb. Qortonte publikisht edhe lojalistët e atij pushteti, të cilët aty – këtu përpiqëshin të i realizojnë qëllimet dhe synimet pushtetare të atëhershme. Siç dëshmonin edhe bashkëkohanikët e tij, i tillë ishte gjatë gjithë jetës, pra edhe kur ishte në moshë të re.

Këmbëngulës dhe kundërshtues e kishim në mosndryshimin e amandamenteve kushtetutare të Kosovës. Zëri më bindës ishte, kur mbaheshin tubime nga aktivistë, se kinse asgjë s’humbet për autonominë. Këtë e paraqiste sikur njohësi më i mirë i jurispodencës, me fakte bindëse, e këtë ia miratonte e gjithë pjesëmarrja në ato tubime, pos disa sërbëve, të cilët në atë kohë jetonin në Grabanicë e Dollovë.

Fjalimi i tij i zjarrtë, me rastin e përkrahjes së Grevës së Minatorëve të Trepçës e pati dridhë edhe faktorin politik të kohës, të cilët përpiqeshin ta ndalonin masën e popullit që donin të marshonin nga Grabanica për në Klinë.

Edhe aksioni për përkrahje dhe ndihmë minatorëve të Trepçës, Muzliun e kishte si gjithherë të zëshëm dhe me plot gatishmëri. Tha: “Mëqe s’po mund të jemi me ta atje thellë në zgafellë, ndihma materiale dhe solidarizimi na është më e vogla që po e bëjmë për ta”.

Pra, jo vtetëm që ishte përkrahës i çdo organizimi kundërshtues ndaj pushtetit sundues serbosllav, por e kishim një ndër më të përgatiturit dhe të guximshmin që ngriste zërin në vendin dhe kohën e duhur.

Helmimin e nxënësve shqiparë, të cilin e bënte okupatori, e quante si masakër kundër të rinjëve të kombit, por ishte stoik dhe i bindur, se edhe kësaj sprove do ia dalim, “kot e kanë, se s’mund të na zhdukin”, thoshte plaku, edhe pse me zemërthyerje i përjetonte tek vetja.

Edhe rastet me të rinjët shqiptarë, e që ktheheshin në arkivole nga armata jugosllave e mundonin shumë. Mori pjesë në shumë tubime anë e kënd Kosovës për varrosjen e tyre, dhe e preknin thellë në shpirt.

Aksionin “Familja ndihmon Familjen” për anën e Mitrovicës (vitet e 90-ta) e përkrahu dhe ishte njëri nga organizatorët dhe kontributdhënësit. Ishte kjo anë e Dardanisë e prekur më së shumti me largimin e punëtorëve shqiptarë dhunshëm nga puna.

Ishte nga të parët që e përkrahu dhe e ndihmoi mobilizimin edhe të armatosur në nivel të fshatit dhe më gjerë, në vitet e 90-ta. Kontributi i këtij burri reflektoi vlerë të madhe edhe në Luftën Çlirimtare, se me atë armatim të cilin e kishte, u luftua për çlirim.

Gjatë viteve të nëntëdhjeta, kur bënim rojë çdo natë, na thoshte, “syqeltësia dhe gatishmëria por dhe flijimi për atdhe është gjëja më e shejtë për njeriun”. Këtë na e thoshte, ndonjëherë kur hynim që të ngrohemi apo pushuar në odën e tij.

E pa mundur është që me kaq hapësirë të përfshihen të gjitha të bëmat e këtij burri fisnik e me plot vlera kombëtare, por krenohemi me fatin që e patëm. E patëm vlerëmadh dhe me një intelegjencë të mprehtë e shumëdimensionale. Këto vlera na i la trashëngim, se pasardhësit e Tij sot na janë begati e çmuar kombëtare.

Përjetësisht mirënjohës dhe respekt të pa fund emrit dhe veprës burrnore e kombëtare të Muzli Isuf Sahitit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok