Dija, dielli përpushës i shpirtit të një gruaje
![Gruaja-Dielli](https://merbraha.com/wp-content/uploads/2025/02/Gruaja-Dielli.jpg)
Nga Albert Vataj
Më sinqerisht dhe më dashamirësisht se kushdo tjetër, gratë më kanë bindur për magjinë e fjalës, për fuqinë shndërruese të përjetimit që sjell gërmëzimi i zërit të shpirtit.
Ato lexojnë më shumë, sepse ndjejnë dhe përjetojnë më thellë, më pastër, më zjarrtë. Ato e thithin fjalën si një frymëmarrje të dritës, e shndërrojnë në flakë përfytyrimin, në ngrohtësi idilin, në stuhí pasionin.
Atyre ndoshta u desh të besonin më fort në magjinë e fjalës, në historitë dhe ëndrrat e ëndërrimtarëve e qëndistarëve, për ta ruajtur atë si një diell mbrojtës në prehrin e tyre – ballë një bote gjithnjë e më të ftohtë dhe një të tashmeje gjithnjë e më të zbrazët.
Ato besuan tek fjalët si tek hyjnitë, që mbërrijnë në shpirtrat e tyre si dritë dhe premtim, si ngushëllim dhe adhurim.
Te leximi ato shpalosin botë dhe dëshira, dëgjojnë zërin dhe heshtjen, i bëjnë shoqëri vetmisë dhe ndahen me trishtimin.
Atyre u ra të zgjidhnin një altar dhe dëgjuan zemrën, thurën himne dhe blatuan përulje, aq të larta sa vetë eteri i besimit që i ngjiz dhe i përjetëson në shenjtërim.
Prandaj dashuria të do me aq pasion dhe zjarr, ty grua që di dhe ndriçon. Sepse ti je Afërditë dhe Penelopë, je Xhokondë dhe Zhulietë, je Laura dhe Zhan D’ark, je gjithçka që çmon si shpërblim, je grua, je nënë, je e shenjta Terezë.
Duart e tua që vetëtijnë kur prekin, që të dehin kur puthin, janë duar që krehin erëra dhe shfletojnë shpirtin e botës, që gjëmon në kraharorin tënd.
Ti, grua që lexon, ti ke gjithçka… dhe asgjë nuk mund të lëndojë prehjen tënde në andje dhe adhurim, sepse në ty është jeta e derdhur në trajtën e një shëmbëllimi të epërm – atë të vullnetit hyjnor.
Libri është dielli që sjell dritë në shpirtin tënd. Dielli që end qëndisma shkëlqyese, me të cilat ti vesh gjithçka që sheh, gjithçka që prek, gjithçka që ënd në përfytyrime dhe ëndrra. Shndrij, o diell, në këtë shpirt që përkundi jetën.
Femra është sinonimi i bukurisë, sharmit, finesës dhe elegancës. Në të zë fill gjithë harmonía e ekzistencës. Ajo është shenjtore sepse brenda saj lindin dhe zjarrmojnë të gjithë yjet – vezullime magjepsëse në qiellin e pasionit.
Ajo është e perëndishme sepse në trupin e saj krijohet jeta, dhe nga ajo buron fryma që gjallëron gjithçka.
Kjo magji e shndërron të magjishmen e vet, atëherë kur zelli i ëndjes e thërret këtë misionare të shndrisë qenien me prekjen e dijes përmes leximit.
Historia e pikturës ruan në prehrin e ngrohtë të ninullave tablotë e mjeshtrave, të cilët kanë përjetësuar leximin si një prej pasioneve të kahershme të gruas – të gruas mëkuese të jetës, të gruas endëse të qytetërimit, të gruas kënduese të çasteve joshëse të pasionit.
Çdokush te libri kërkon të zbulojë botët që i ka premtuar pasioni i dijes. Gruaja, më shumë se të tjerët, kërkon dhe gjen diellin që i ndriçon shpirtin.
Ndaj ka disa sy që, kur të shohin, të shndërrojnë në diell… dhe disa të tjerë që, kur të prekin, shuajnë çdo yll, sepse ata përmes leximit kanë zbuluar sekretin e dritës.
Ne shohim botën me dritën e tyre dhe ndjejmë me prushin që përpushet në çdo dëshirim që i thërret si në një mision.