15/10/2024

Dhuna është variabël e varur nga pushteti

0

Nga Prof. Blerim Latifi

Ekziston një rrymë opinioni brenda ideologjisë feministe e cila e afirmon idenë e superioritetit moral të grave në raport me burrat.

Thelbi i kësaj ideje është se gratë janë më humane dhe më paqësore se burrat.

Videoja ku shfaqen tri vajza të reja duke dhunuar e poshtëruar një grua të moshuar në një shtëpi pleqësh në Pejë, përbën një shembull tjetër që e përgënjështron kët’ mit feminist.

Dhuna nuk është variabël e varur nga përkatësia gjinore. Është variabël e varur nga pushteti. Ajo shpërthen kudo ku vendoset një lidhje toksike midis egoizmit të një individi dhe pushtetit që ndodhet në duart e tij. Dhe kjo vlenë qoftë individi burrë ose grua.

Në këtë kontekst gratë duken të jenë më paqësore dhe humane, jo për shkak të përkatësisë së tyre gjinore, por për shkakun se pushteti nuk ka qenë në duart e tyre. Jepuni grave pushtetin, të cilin tradicionalisht e kanë pasur burrat, dhe do të shihni se çfarë do të bëjnë me të! Do të keni një riciklim të historisë së dhunës nën udhëheqjen e grave.

Në këtë pikëpamje, është filozofia liberale ajo e cila qëndron më afër zbërthimit të enigmës së dhunës. Kudo ku ka pushtet, aty ekziston edhe rreziku i dhunës. Sa më i koncentruar pushteti, aq më i madh është ky rrezik. Prandaj, ka vetëm një rrugë për ta minimizuar këtë rrezik: decentrimin e pushtetit, ndarjen e tij, shpërndarjen e tij, dhe përfundimisht vendosjen e ushtrimit të tij nën sovranitetin strikt të ligjit.

_________

Dhuna mbi të dobëtin, mbi atë që nuk mund të mbrohet, paraqet formën më të shëmtuar të destruktivitetit njerëzor.

Sot e pamë një rast të kësaj dhune në një shtëpi për të moshuarit në Pejë. Ato pamje të këpusin shpirtin.Të lënë pa fjalë. Sepse gjuha është e pafuqishme për ta shprehur barbarinë e monstruozitetin e ushtruar mbi një plakë të pambrojtur.

Drejtësia nuk duhet të ndalet vetëm ndëshkimin e merituar të autoreve të këtij krimi!

Duhet filluar menjëherë një inspektim i plotë i qendrave të përkujdesit për të moshuarit!

Të kuptohet nëse ky rast është thjesht një rast i izoluar, apo tregues i ndonjë dukurie të përhapur të abuzimit me të moshuarit në këto qendra.

_________

Ka dy mënyra për të bërë filozofi: t’i edukosh të tjerët me idenë e lirisë dhe të luftosh për të. Ky në foto ishte një studenti i filozofisë, që mendonte se mes këtyre dy mënyrave nuk ka shkëputje. E para natyrshëm shpie tek e dyta.  Ai quhej Afrim Zhitia. 33 vite më parë ai ra në përpjekje të armatosur me armiqtë e lirisë së atdheut të tij. Bashkë me shokun e tij Fahri Fazliun. Ishte vetëm 24 vjeç. Nuk u bë dot profesor filozofie, për t’u mësuar të tjerëve Hegelin dhe Kamynë, por u bë shembull i heroit hegelian që mposhtë frikën nga vdekja, si hap i parë drejt çlirimit, dhe shembull i njeriut të revoltuar të Kamysë, që zgjedh të vdes në këmbë dhe jo të jetoj i gjunjëzuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok