22/12/2024

Dhuna e Aleksandër Vuçiq kundër Kosovës është dhunë e Edi Ramës!

0
Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Në veri të Kosovës u bë një luftë e vogël. Serbë të armatosur me armë dhe me granata reaguan dhunshëm kundër aksionit të policisë dhe prokurisë së Kosovës për të luftuar kundër kontrabandistëve dhe kriminelëve që shkelin ligjin. Presidenti i Serbisë erdhi në qytetin e Kralevës, afër Kosovës dhe përshendeti trupat e xhandarmërisë serbe nën thirrjet për luftë kundër Kosovës! Ndërkaq në Beograd protestues serbë për disa ditë rrethuan ambasadën e Shqipërisë, hodhën granata dhe mjete zjarrvënëse brenda kësaj ambasade dhe thirrën parulla për vrasjen e shqiptarëve.

Qeveria serbe jo vetëm nuk reagon, por i mbështet protesta e parulla si këto. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nuk u merakos, kur xhandarët e Kralevës kënduan këngën e marshimit në Kosovë. Përkundrazi, ai i nxiti ata që të ngrinin zërin lart e të frymëzoheshin nga ajo këngë për luftë e dhunë kundër shqiptarëve. Nuk ka reaguar asnjë qeveritar apo politikan i Serbisë për atë që ndodhi e po ndodh në Beograd, ku ambasada dhe ambasadori shqiptar jetojnë si në rrethana lufte!

E gjitha zhvillohet si në një skenar filmi. Por regjia i ka shtuar këtij skenari edhe heshtjen e qeverisë së Edi Ramës në Tiranë. Edhe pse kërcënohet shteti i Kosovës, edhe pse presidenti serb vjen në kufi me Kosovën dhe instrukton forcat e xhandarmësisë së tij që të jenë në gatishmëri për të vepruar kundër shqiptarëve, kryeministri i vendit tim, ministrja e Punëve të Jashtme, diplomacia dhe politika shqiptare, përfshirë edhe opozitën e vendit, kanë kyçur gojën e bëjnë sehir.

Ambasadori Ilir Boçka dhe personeli i ambasadës shqiptare në Beograd jetojnë nën terrorin e granatave dhe këngëve të çetnikëve serbë dhe kryeministri i vendit tim, presidenti i vendit tim, ministrja e Jashtme e vendit tim, opozita e vendit tim, jo vetëm nuk e qortojnë presidentin dhe qeverinë e Serbisë për këtë shkelje të sovranitetit të Shqipërisë, por as nuk janë solidarizuar me diplomatët shqiptarë në Beograd. Këta diplomatë janë të terrorizuar nga turmat fashiste të Aleksandër Vuçiq, ndërkaq ministrja e financave nënshkruan memorandume me ministrin serb të financave për lëvizje të lirë dhe për Open Balkan!

Të dhjefsha Open-Balkanin! Kosova është në luftë të hapur me Serbinë dhe Edi Rama akoma nuk heq dorë nga kurvat serbe të Beogradit! Në Beograd sulmohet ambasada jonë dhe qeveria e vendit tim fërkon duart e turpit nga kjo. Tashmë për ne shqiptarët nuk janë hall e dhimbje koke vetëm sjelljet e politikës serbe kundër nesh. Halli dhe dhimbja jonë është vetë qeveria shqiptare e Tiranës.

Unë prej kohësh nuk dyshoj, por jam i bindur se gjithçka që bën Serbia kundër Kosovës e ka miratimin e Edi Ramës! Edhe nëse presidenti i Serbisë urdhëron ushtrinë e tij për të ndërhyrë “për mbrojtjen e serbëve” në veri të Mitroovicës, para se të veprojë ai do ta marrë lejen e Edi Ramës. Edhe nëse çetnikët serbë do të djegin ambasadën tonë në Beograd e bashkë me ambasaën edhe ambasadorin, duhet ta mësojë mirë Ilir Boçka, se për këtë akt është marrë leje nga shefi i tij i ekzekutivit në Tiranë!

Asgjë nuk ndodh rastësisht dhe në një terren të panjohur. Kurajoja e Aleksandër Vuçiq buron nga përkrahja e Edi Ramës. Dhuna e Aleksandër Vuçiq kundër Kosovës është dhunë e Edi Ramës. Skenari i luftës së ftohtë midis serbëve të veriut dhe institucioneve të Kosovës është regji e koordinuar midis Tiranës zyrtare dhe Beogradit. Projekti për të penguar integrimin e serbëve të veriut në institucionet në institucionet e vendit është vazhdimi i projektit për ndarjen e Kosovës, pjesë e të cilit prej fillimit është edhe Edi Rama.

Institucionet e Kosovës duhet të vetëdijësohen se ai “shteti amë” ka qenë gjithmonë një iluzion, ndërsa tani është një vend me një qeveri proserbe! Qeveria e Kosovës duhet të kuptojë se në skenarët që përdor presidenti i Serbisë në Kosovë bën pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë.  Prandaj dhe llogaritë duhet t’i bëjë e vetme, duke u mbështetur në partnërë ndërkombëtarë të besueshëm. Madje do të duhet të bëjë kujdes edhe kur merr rekomandime për intervenime në veri. Ndoshta duket një joshje në dobi të Kosovës, por është mirë që të bëhet analiza e plotë, se edhe aleati më i mirë nuk ka interes vetëm Kosovën, përpos saj ka edhe interesa të tjera!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok