DHIMBJE PËR EPITAFIN…
Nga Visar Zhiti
* * *
Ti po vdes
Dhe brohëret,
Asgje nuk po thua, ti populli im!
* * *
Janë vargje të shkruara në ferr, nẽ burgun e rëndë të Spaçit, kur dëshpërimi ishte i madh dhe shpresën s’e linin të futej telat me gjëmba, rojet e armatosura, Realizmi Socialist, “inxhinierët e shpirtrave” stalinistë, por dhe hekuraxhinjtë realë të enverit, që më shumë se sa inxhinierë, i bëri bashkëpunëtorë të fshehtë, që edhe tani vazhdojnë të fyejnë atdheun, historinë duke thënë p.sh, se iu nënshtrua pushtimit otoman (?!), bashkëpunoi me nazifashizmin (?!), kur e luftoi atë, ca me armë dhe ca me libra, por edhe me sjellje, etj, dhe këta hekuraxhinj nuk i turbullon fare gjysmë shekulli i diktaturës komuniste, ku ishin të përkëdhelurit e saj, por turbullojnë duke vazhduar ta mbështesin ende. Kinse kritikojnë demokracinë e dobët, kur ajo duhet ndihmuar, por ata duan gjakderdhje, gjithmonë të të tjerëve…
Epitafi
që shkruajta në burg, pas shembjes së Murit të Berlinit, kur ra perandoria komuniste, u botua në librin tim “Hedh një kafkë te këmbët tuaja” – metaforë e flakjes së burgjeve, edhe ato të mendjen dhe shpirtit diabolik.
Çuditërisht ajo poezi u lexua dhe në parlamentin e parë pluralist nga një depute i njohur atëhere i opozitës socialiste, fjala e tij doli dhe në gazetën “Koha jonë”. Shenjë emancipimi, por dhe mirëkuptimi, mendova atëhere.
Poezia u përkthye dhe në anglisht dhe është dhe në librin “The condemned apple”, përgatitur nga albanalogu i shkëlqyer Robert Elsie, që u ribotua këtë vit në SHBA, sërish nga editoria “Green Integer”.
A është ende aktuale ajo poezi? Dhimbja po…
E gjejmë poezine dhe në botimin anastatik, të vonë, “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, Onufri- Tiranë, 2021.
Aktuale prapë? Keqardhje prapë…
S’e di a do të lexojnë më poezi deputetët e këtij parlamenti që po del tani, nga një Shqipëri e mbytur nga mavia, ku nostalgjinë socialiste po e bëjnë praktikë, të nakatosur me europianizëm të vjedhur…? Apo mjaftojnë hekurat e ndryshkur “të hekraxhinjve të enverit”, që aq ndjejnë sa hekurat e tyre.
Hekurat në gjuhën e popullit quheshin dhe prangave. Tani s’rëndojnë më në duart tona, por në kokat e atyre, përherë me fitimtarët, që asgje nuk i dhanë atdheut, vetëm i marrin dhe e shajnë me inteligjencë artificiale…
