05/12/2025

DETI – POSTULAT FILOZOFIK I POETIT TË PRIVUAR NGA LIRIA E METAFORAVE

0
Zejnepe-Rexhepi1

“Fundo” dhe “Jashtë eklipsit” – Agim Mato

Nga Prof. Dr. Zejnepe ALILI REXHEPI

Të njohësh poetin që udhëtonte i menduar në pritje të apostujve të lirisë individuale, drejt sfondeve të lirisë kolektive, nënkupton të njihesh me synimin e tij, për vizionin intelektual dhe emocionin e papërsëritshëm.

Agim Mato, poet që vazhdon ta quajë Shqipërinë, ajo e “paëndërrta”, që u rri përballë shtigjeve poetike e që nuk shkëputet dot nga miti sizifian… Poet, që njohu kapërcimet e vështira nëpër një det të tërë sfidash, përmes përpëlitjeve të pulëbardhës, kur pafundësisht e joshte liria! Ndonëse ai, gjatë këtij trazimi, njohu rryma të fuqishme kritike.

Janë dy vëllimet poetike: “Jashtë eklipsit” (2012) dhe “Fundo” (2012), në të cilat poezitë si në një simfoni vargëzuar, përvijojnë kryqëzimin e heshtjes dhe censurës. Në to, hasen plot imazhe asociacionesh filozofike, meditime e refleksione të një lloji balade të heshtur, të cilën Atdheu e ngjiz në çdo pore të qenies së poetit. E poeti, është bartës i metaforave që i mësyejnë një rrugëtimi përndjekjesh e vuajtjesh, por që nuk reshtnin kurrë së shpërthyeri…! Kur marim të drejtën të flasim mbi këto vepra, duhet të jemi të vëmendshëm edhe mbi paradokset e realitetit historik të vendit, si perceptim i krijuesit mbi referencat politiko – shoqërore e kulturore.

Dhe, ato 30 vjet ndrydhjeje, heshtjeje…, poetit, veç me magjinë e këtij ishulli – Atdhe, mund t’i rikthehej forca, pas shijes së hidhur nga mospërfillja, tëhuajësimi emocional e njerëzor, e mbi të gjitha nga vdekshmëria e artit. Pas aq shumë vitesh mohim, poeti i dalë jashtë eklipsit, e ndien se jeton! Atëherë, vargëzime metaforash i vijnë si në ëndërr, gjatë zgjimit të madh. E pabesueshme, por e përjetuar…!

E ju lexues, me këtë rast, edhe po të përdorni ironinë si terapi, nuk e tejkaloni dot shijen e hidhur të përndjekjes e internimit poetik të Matos. Në dukje, si një legjendë e largët…, të të kthehet në karton e tërë puna disa vjeçare, pikërisht atëherë kur krijuesi e pret me entuziazëm të papërshkrueshëm, daljen në dritë të veprës. E pas kaq vitesh të trazuara, vetëm një gjë nuk e mposhti harresa – frymëzimin e poetit.

Po vallë, të jetë atdhedashuria kthellje për poetin, megjithëse të sfilitur ia dorëzon frymëzimit në rikthim, pas aq kohësh të lodhshme, të papërshtatshme?! Po ky varg, që të rëndon si shkëmb në shpirt: “Kam vënë në sprovë dashurinë për ty dhe jam mundur nga mungesa jote” (47). Si një klithmë ngulfatëse që prej kohësh kishte zërë vend në shpirtin e poetit, vargu shtjellohet më tej, kur të përngjet në një “varrezë largësish fshehur në guvat e nëndetit/si një shishe e vulosur që mban brenda/pergamenin e udhëtimeve që nuk i bëra!” (48).

Tërë kjo, përjetohet si një shpërthim emocional poetik, dhe jo vetëm…!

Ai është më se i vetëdijshëm, përderisa shpesh rikujton një thënie të F. Dostojevski-t: “Arti dhe revolta nuk do të vdesin deri tek njeriu i fundit”. E ndien pra, përplasjen me trishtimin dhe harenë qenësore, ligësinë dhe mirësinë për mosrrënimin e artit. Për Maton, vetëm kjo është jetike…, përjetësia e artit!

Si ftillues i një realiteti të ri poetik, me kode cilësore të lashtësisë, veprat e Matos, përjetohen si balans spektresh të gjera tematike nga e kaluara, që vijon edhe në të sotmen. Kjo ndërlidhje kohërash, realizohet, jo vetëm si formë intimizuese e unit lirik. Në të vërtetë, janë këto libra që të pasurojnë mendjen dhe shpirtin, për gjatë kohë…!

A kishte ideal Agim Mato?

Të merrje mbi vete rrezikun, duke i qëndruar përballë mesazhit poetik, t’i qasesh në mënyrë të veçantë jetës, si në një autopsi përkufizimesh mbi të, nënkupton, të të rrëmbejë filozofia e njohur ndërgjegja përcakton qenien. Është e njëjta gjë, si të dish të komunikosh përmes vargut, përmes artit të fjalës. Në të qëndron edhe brishtësia e poetit, edhe rebelizmi i tij…, varësisht qasjes shpirtërore dhe bagazhit kulturor që ka përkapur krijuesi ndër vite. Agim Mato qe ndeshur me këtë prioritet.

Më pas, natyrshëm pyetesh: a kishte ideal Agim Mato dhe a ndodh zhgënjimi ndaj atij ideali, në qenien e tij?

Poezia e tij është pasqyrim imagjinate apo vetë magjia e funddetit?

E vështirë, për ta përcaktuar linjën ndarëse se kush, kë e paraprinë! Edhe po të përdorësh metodën e së panjohurës së Frojd-it për zbërdhimin e simboleve…, formula X dhe Y që do të jepnin një përshkrim mbi ngjarje e situata…, është “Fundo” që të mbërthen, si vetë magjia e funddetit. Kjo vepër, krahasuar me lirikë – guri, del lirikë – deti, lirikë për lirinë. Po vallë, si të emërohet ideali i Matos, luzmë drite apo fikje shpresash?!

Në të dy vëllimet poetike ndihet imagjinata, si proces psiqik, që vazhdoi të riprodhonte të bukurën e jetës, artit, përfytyrimit ndryshe të së ardhmes, edhe atëherë kur çdo gjë ishte e pamundur të funksiononte, si e këtillë. Dilema është: a mbetet poezia e tij, në suaza të imagjinatës apo e tëra shpërthen si një përvojë krijuese?!

Megjithatë, poeti ynë, Mato, nuk do mbetej kurrë në suazat e krijimit të Pastërnak-ut, sepse vepra e tij, realisht, është antiteza e veprës antipolitike të kohës. Ai, nuk lejon kurrfarë kompromisi ideor, ndonëse në përmbajtje ruan një shije të caktuar estetike.

Me ndjeshmërinë e madhe ndaj gjuhës, do thosha një thesar i tërë fjalësh shqipe, deri në perfeksion, poeti i zbërthen kodet, gjë për të cilën, ideologjizmi komunist e mori në shënjestër, për të censuruar veprën e tij e për ta kthyer në karton. Para dhembjes së poetit nuk mund të jesh pa ndjeshmëri, teksa në “Mia culpa” shkruan: “Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën/e braktisur të poezisë/e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysëm,/duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,/veglat e mia të punës,/të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi me/perënditë…”. Dhembja e tij ka një emër, është pikërisht ai “Hiri i ditirambeve” (9), kur “…dhe nën dritën e një qiriri/nisnin përsëri ditirambet për tiranin/dhe përsëri hiri i letrave si hiri i kufomave u mbetej në duar”.

Efektet e tëhuajësimit në poezi vijnë si një procedim dialektik i ndërlidhur me ca fije panteiste, duke vënë në fokus një ironizim të thellë metaforik përmes katrenës nismëtare: “Liria kishte mërguar nga Franca”, për të vijuar më pas: “E shoqëronte atë Hygoi i veshur tebdil/me emrin e një punëtori tipograf/në pasaportën e tij të rreme”. Po kjo gjendje i rëndoi në shpirt poetit, më shumë se gjithçka tjetër, dhe shkruan: “Sa herë që ulesha të shkruaja, tavolinën time e brente një krimb…/…Ç’ishte ky sizmograf i ndjenjave të mia?/Ndërgjegja apo censori im?” (11). Këto mesazhe poetike duhet pasur parasysh, meqë me të krijohet një lloj imazhi mesazhesh të gjera realitetesh të reja e të ndërthurura. Veçmas, kur poezitë i përkasin një periudhe të caktuar historike, ato sajohen me anë të disa karakterizimeve.

Simbolika që përshkon artin poetik të Matos, edhe më tej mbetet deti. Po cilat janë fshehtësitë e detit…?

A preku vargu i tij gjëra që s’preken apo censura ndaj tij erdhi si rezultat i një fatkeqësie të urtisë?

I fashitur nga dhembjet e Atdheut, poeti shfaq parandjenjën e tij, me anë të pyetjes retorike: “Ç’tragjedi bëhet gati në kaltërsinë verbuese të Jonit?” Shpërthimi i dhembjes derdhet mbi vargun: “Tanket derdhin gjakun e luleve”. (18). Në këto vargje, çdo dihatje poetike do ndiente frymëzënien e poetit dhe pulsimin e rënduar, kur trishtimi mban emrin e fatkeqësisë së Otrantos. Atë çast, vargjet sajojnë vetëm numërimin: “algjebra e lulishteve,/gjeometria e trotuareve,/Shtrirë përtokë shteti”, në përshkrimin e poezisë “Gjaku i luleve” (17-18), e cila mban datën e shënuar – Sarandë, 1997.

Saranda, vendlindja e poetit, s’është e rëndomtë, por vetë thesari kombëtar e njerëzor, para të cilit edhe përmbytja zbrapset, megjithëse ka çaste kur dëshpërimi poetik përvijon nostalgjinë për braktisjen e Perëndive pagane. Për analogji frymëzimi, vë përballë poezinë “Jon” (11-13), nga “Fundo” dhe ”Nga kush kishe frikë, o Zot”, nga “Jashtë eklipsit”, ku përshkrimi i një stili konciz e eliptik, qasjet stilistiko – strukturore sajojnë pothuajse një simfoni të qarash, mbi braktisjen e liqenit Pelod, tronditur nën “Sezamin e bukurive”. Nga thellësitë e shpirtit ndihet rrënkimi: “O Zot, si nuk u gjende pranë nesh, në ato dimra/të mërive të mëdha? (“Fundo”, 29) dhe “Kush jam unë?/Si më braktisën kështu perënditë pagane/dhe më lanë të vetëm në mes të sirenave/që fillojnë të mbushin/radhët e koreve jonike të polifonisë?” (“Jashtë eklipsit”, 13).

Sikurse librin “Jashtë eklipsit”, ashtu edhe “Fundo” e përshkon “Një botë e tërë fanepsjesh”, me ecjet e rënduara mbi mitet e përgjumura të Butrintit e Jonit. Nganjëherë, poeti i frymëzimeve të detit ndihet i  trishtuar dhe ia beson sekretin e trishtimit një albatrosi që i përshkon pafundësitë qiellore… “Pres të iki nga ky trup…”, megjithëse në thellësinë e shpirtit pret, mos ndoshta e gjen “…dhe poçin e një dritëze të shuar nga stuhitë” (14 – 15). Dhe pritja…, ah pritja për një çikëz liri,  është vrasja e poetit!

Poezia e Matos brenda një Panteoni librash metaforik

Të sigurosh ekzistencën letrare për një vepër vlerash të mirëfillta, nuk është fare e lehtë, veçmas në nënqiellin tonë, ku kritika letrare është e pakonsoliduar akoma dhe joreale në qëndrimin, kundrejt krijuesit. Në këto përkufizime letrare, rri zgjuar frymëzimi dhe pritshmëria e poetit…, as ëndrrat e tij nuk janë fanitje! Bindshëm, ai kërkon vlerat njerëzore, vetë njeriun, pandaj në një varg shkruan: “I dal Noes përpara dhe marr në dorëzim listën/me të gjitha speciet e tokës/që mbarti në arkën e tij/, në poezinë: “Përmbytja zmbrapset” (11) Kjo pra, nuk është vetëm përpjekje intelektuale, por edhe obligim i përditësuar i ruajtjes së vlerave të shkruara kombëtare, përkapur nga përjetimi i një poeti…, dhe poeti është shpirti i kombit.

Komparacioni i tillë, për disa çaste na shpie në Weltliteratur, panteonin e veprave të mëdha, të konsideruara si pronë e përbashkët e gjithë njerëzimit, pavarësisht gjuhës, në të cilën janë shkruar. Përderisa, poeti bën një zografisje nëpër Atdheun e kujtimeve, sado të  gërvishtura të fëmijërisë, dhembja nuk i shmanget, prandaj shkruan: “Erdhe vonë hyjnia ime/Nga pritja e gjatë e modelova shtatoren tënde” (22).

Në këtë sfidë, një gjë nuk e lë që të dorëzohet, pikërisht dëshira e fundit e një kapedani plak, e trajtuar mrekullisht tek “Dita e fundit e kapedanit plak” (51), në të cilën ai i përmbush ditët e zijosura të sakrificës vetanake, në trajtë betejash të njëpasnjëshme për të rikthyer dinjitetin! Detari plak i Jonit të papushtueshëm, është sozia e detarit Santiago (“Plaku dhe deti” – E. Heminguej), për të cilin sfida e jetës për të ndjerë ripërtërirjen, krenarinë, suksesin, madhështinë…,  është njëlloj sikur që: “Mbush një grusht me guaska deti” (55). Mirëpo, kapedani nuk ka kohë dhe dorëzohet i pakënaqur përpara dallgëve të trazuara, si te poezia “Varrimi i kapedanit” (52)…, e me përgjërim në buzë, pëshpërit: nuk dua të ndiej përbuzjen. Asgjë në këtë degdisje ndërgjegjesh, nuk e trondit më shumë se përbuzja, nuk e shpërfill më shumë se rrethanat, po kjo ndoshta, është lidhja me jetën, tokësoren, dinjitetin…, që e përafron kah e përjetshmja! Poezia e A. Matos është sendërtim vlerash të thella, andaj me atë dozë filozofish sokratike, vargjet do të udhëtojnë gjatë në kohë!

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok