Dështimet e reja dhe paralajmërimet e vjetëra
Nga Blerim Latifi
Gazeta The Economist paska botuar një analizë të shkelqyeshme për rënien e shtetit në Afganistan pas largimit të amerikanëve. Një nga tezat themelore të analizës: shtetndërtimin e shpie në dështim të sigurtë korrupsioni që metastazon në trupin institucional njëlloj si kanceri në organizmin e gjallë.
Natyrisht, ky shpjegim i qartë dhe i saktë nuk është diçka e re në teorinë e institucioneve politike. Ai e përbën thelbin e gjithë veprës “Politika” të Aristotelit.
Njerëzit, thotë mendimtari antik, e krijojnë shtetin për t’i shërbyer të mirës së tyre të përbashkët, por kur zyrtarët e tij devijojnë nga ky princip dhe nisin t’i përdorin mekanizmat e shtetit për të mirat e tyre private e grupore, atëherë fillon rënia e shtetit, prishja e kalbëzimi i tij ; njerëzit e humbin respektin për të mirën e përbashkët dhe secili vrapon të rrëmbej çfarë të mundet nga pasuria publike.
Kulminacioni i korrupsionit arrihet atëherë, shkruan Aristoteli, kur njerëzit i kritikojnë funksionarët e korruptuar jo për faktin se janë të korruptuar, por nga zemërimi pse vetë nuk janë pjesëmarrës në përfitimet e paligjshme.
Shekuj më vonë, filozofi francez Monteskjë këtë do ta marrë si shembull për konceptin e tij të “korruptimit të parimit”.
Për Monteskjë forma ma e randë e korrupsionit politik është korruptimi i parimit të shtetit, që nënkupton situatën kur njerëzit mendojnë se ka vetëm një motiv për të cilin ia vlenë me u marrë me punët shtetërore: përfitimi material prej tyre.
Por pse kur njihen aq mirë sëmundjet që shkatërrojnë shtetet, njerëzit nuk i parandalojnë ato?
Hegeli na e jep një përgjegjje: Sepse njerëzit nuk i marrin seriozisht leksionet e historisë; e vetmja gjë që ata e mësojnë nga historia është se nuk marrin mësime prej saj.
Dikush e ka korigju përgjegjjen hegeliane: ne mësojmë nga historia, por jemi nxënës të këqinj të saj! Dhe dihet cili është fati i nxënësit të dobët: ai ngelë në klasë dhe duhet ta përsëris atë. Kështu edhe njerëzit që nuk marrin mësime nga historia, detyrohen ta përsërisin atë.
_____________
Të gjitha kodet ligjore që janë krijuar para epokës moderne e legjitimojnë në mënyra të ndryshme dhunën e burrave ndaj grave. Për një arsye të thjeshtë: ato janë kode të shkruara nga burrat, pa i pyetur gratë.
Dhe ata nuk janë ndalur me kaq.
Kanë shkuar edhe më tej: “të drejtës” së tyre për të ushtruar dhunë mbi gratë, i kanë mveshur edhe justifikime hyjnore apo natyrore: “Zoti ka thanë se gruaja që si bindet burrit duhet me u shtru n’dajak”. Ose: “Vetë natyra e ka bërë burrin fizikisht më të fortë se gruan, prandaj nënshtrimi i saj është i natyrshëm”.
Për shekuj me rradhë këto dogma kanë shërbyer për ta mirëmbajtur pushtetin diktatorial të burrave mbi gratë dhe rrjedhimisht edhe për ta justifikuar dhunën mbi to.
Do duhej të vinte Iluminizmi europian i para dy shekujve që këto dogma të rrëzoheshin dhe bota të fillonte të kuptonte se as në qiell e as në tokë nuk është parashkruar që burrat kanë të drejtën e dhunës mbi gratë.
Emancipimi i grave dhe kualifikimi i dhunës së burrave mbi to si krim i dënueshëm, janë produkte të këtij iluminizmi europian dhe secili që mendon se mund të flas për emancipimin dhe të drejtat e grave jashtë kuadrit moral të këtij Iluminizmi, thjesht nuk bën tjetër veçse tregon se nuk merr vesh gjë nga kjo punë.
_____________
Sistemi gjyqësor në Kosovë është i mbushur me gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, me dembelë, me frikacakë, me jokompetentë, me të atillë që s’kanë hapur libër që nga dita kur e kanë dhënë provimin e fundit në fakultet. Prandaj ky sistem ndikohet aq lehtë nga presionet e njerëzve të fortë të politikës, të bizneseve të zeza dhe nga ato të kriminelëve të të gjitha kategorive. Një gjë mund ta themi me siguri: nëse nuk intervenohet me një reformë serioze dhe të thellë, pasoja e fundit e këtij sistemi të kalbur gjyqësor do të jetë rikthimi i vetëgjyqësisë.