21/11/2024

Dëshmori Artan Cuku, Komisari i hekurt, krenaria e Lurës dhe gjithë Shqipërisë

0

Nga Gëzim LOKA

Radhës së dëshmorëve dhe heronjve të Lurës, që në shtigje kohe kanë dhënë gjithçka që kishin për Lurën dhe krejt shqiptarinë, i është shtuar me dinjitet dhe një emër, që vjen nga uniformat blu, nga policia e shtetit, ku punoi me përkushtim në detyra të rëndësishme, në krye të njësive dhe strukturave të policimit shqiptar.  Ai është Artan Cuku, luriani shpirtqëndrestar, ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit, ish drejtor i Policisë Vlorë, i mbiquajtur “Komisari i hekurt”.

Vlerat e tij të larta morale dhe profesionale kanë lënë gjurmë në rrugëtimin e Policisë së Shtetit, misionar i të cilës ai mbeti deri në fund, me besim të pathyer tek shteti i së drejtës, tek rendi dhe liria njerëzore.

Artan Cuku, ish-drejtor i policisë së Shtetit në Vlorë u vra tragjikisht nga dora e krimit, teksa po hynte në banesën e tij, në lagjen Dinamo, pranë “Rrugës së Kosovarëve” në Tiranë. Për aktin e tij në shërbim të konsolidimit të policisë së shtetit dhe rendin e sigurinë publike, ish komisari dhe oficeri i lartë i Policisë Artan Cuku është shpallur me vendim të posaçëm të strukturës përkatëse, Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, me vendim nr. 770, datë 02.04.2019 “Dëshmor i Atdheut”, ndërkohë që familjes së tij i jep simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut”. Gjithashtu Këshilli Bashkiak i Dibrës i ka dhënë titullin ‘Qytetar Nderi’ Artan Cukut, me rastin e 1 vjetorit të rënies së tij.

Artan Cuku ka shërbyer në qytetin e Vlorës për rreth dy vite, ku u rikthye për herë të dytë në Vlorë, sepse më parë ka qenë nën-drejtor i policisë në këtë qytet.Rreth vitit 2010 kur ka qenë nën-drejtor i policisë ishte jo pak i njohur, sepse ishte i pari që vendosi numrin e tij personal nëpër instritucione, akt, për shkak të së cilit, mori mesazhe kërcënimi të drejtpërdrejta…Kapjet më të mëdha të drogës, ku trafikantë me emër ranë në prangat e ploicisë, bllokimi dhe vënia para ligjit e grabitjeve me armë, presioni ligjor ndaj bandave dhe grupeve kriminale në Vlorë janë disa nga aspketet ku shkëqleu në punën e tij në drejtim të strukturave të policisë.

Artan Cuku, si drejtor njihej përsa i përket operacioneve dhe arrestimeve të bujshme, ishte i drejtpërdrejtë në marrjen e informacionit që nga numri i tij i telefonit, operativ, fjalëpak e punëshumë, kështu do ta mbajnë mend kolegët, vartësit dhe eprorët e tij.

Artani u lind më 25.01.1975 në fshatin Lurë e Vjetër të rrethit Dibër. Edukimi familjar, dashuria e prindërve ndaj të gjithë fëmijët, të afërmve dhe fqinjëve  lanë gjurmë të thella në koshiencën dhe kureshtjen e Artanit për dijen. Arsimin fillor dhe 8-vjeçar ai e përfundoi në Fushë-Lurë. Që në moshë të vogël Artani shquhej për zgjuarsi, shkathtësi, sjellje shembullore dhe ishte i shkëlqyer në mësime dhe kishte prirje të gjithanshme. Nisur nga rezultatet e mira dhe me mbështetjen e familjes Artani vazhdoi arsimin e mesëm të përgjithshëm në qytetin e Peshkopisë, që e përfundoi  në vitin 1994. Pas përfundimit të arsimit të mesëm, nga viti 1994-1996, ka punuar si mësues në shkollën e mesme “Nikoll Kaçorri” Lurë. Bashkëmoshatarët, mësuesit dhe kolegët e kujtojnë atë si njeri me virtyte të spikatura si: i zgjuar, i sjellshëm dhe i respektueshëm, këmbëngulës në kryerjen e detyrave, i pëlqenin sfidat dhe ishte i papërtueshëm për çdo detyrë që i ngarkohej apo ndihme që i kërkohej nga kushdo.

Viti ogurzi 1997, me kaosin dhe rrëmujën e shoqëruar me kriminalitet të lartë,  lanë gjurmë tek Artan Cuku, i cili nisi të mendonte se si mund të jepte kontributin e tij për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve. Kështu, pas një konkurimi të suksesshëmgjatë viteve 1997-2000 mbaroi studimet e larta në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari” me rezultate të shkëlqyera dhe mori titullin “Specialist i Lartë i Policisë”. Këmbëngulës, me etje për dije, ai do të përfundonte pa shkëputje nga puna, studimet për Drejtësi në nivelet Bachelor e Master dhe më pas iu nënshtrua provimit të avokatisë ku mori titullin “Avokat”. Gjithashtu ai ka kryer me sukses me dhjetëra kurse e trajnime të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit, të organizuara nga Institucionet Ligjzbatuese Shqiptare, Europiane dhe Amerikane, përgjatë periudhës 2000 – 2014. Në CV e tij numërohen mbi 15 certifikata trajnimi e kualifikimi në fushën e hetimit te krimit dhe sigurisë publike.

Kudo që punoi, në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Malësisë së Madhe, Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Policisë Shkodër, Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, qytet ky shumë problemalitk në atë kohë, Shef i Komisariatit të Policisë Tropojë, në Berat, në Sektorin Kundër Akteve Terroriste ku u mor me krijimin e dosjeve sipas procedurave ligjore e standartet profesionale, Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin Nr.4 në Drejtorinë e Policisë Tiranë, Specialist Drejtimi në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë, në Sektorin e Krimeve Kundër Personit në Tiranë dhe më pas  në Sektorin Kundër Krimit të Organizuar, kudo spikati talenti I tij, përkushtimi dhe kuraja për ta goditur krimin në rrënjët e tij, duke mbrojtur të drejtën e qytetarëve të lirë për një jetë dhe rend të stabilizuar e të sigurtë.

Për shkak të performancës së lartë profesionale dhe guximit në përballje me bandat dhe krimin, si dhe për aftësitë e spikatura menaxhuese dhe drejtuese, në mesin e vitit 2007 Artani emërohet si Zëvendësdrejtor i Policisë Qarkut Vlorë, detyrë të cilën e kreu me shumë sukses. Situata e rëdnuar kriminale në Fier, bëri që komanda eprore në qendër, në fund të vitit 2007 ta emëronte Artanin Zëvendësdrejtor i Policisë Qarkut Fier, me tej, në fund të vitit 2008 u caktua si Zëvendësdrejtor i Policisë Qarkut Berat dhe më pas deri në vitin 2011 Zv/Drejtor i Policisë Qarkut Tiranë.

Kudo që vajti, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, në qarqe të ndryshme të vendit, u dallua për profesionalizëm, ekspertizë të lartë të antikrimit, vetëdije të lartë qytetare e profesionale për të goditur krimin e rëndë, bandat dhe trafiqet e paligjshme, duke kulmuar në detyrën e tij si Drejtor i Policisë Vlorë, ku u përball dhëmbë për dhëmbë me të keqen, me keqbërësit dhe kriminelët, duke çuar pas hekurave kapo të krimit të organizuar dhe të trafqikut të drogës.

Artan Cuku u ekzekutua nga dora e krimit, duke lënë pas bashkëshorten, një djalë 5 vjeç dhe një vajzë rreth 3 vjeç. Ai drejtonte një prej policive private, e cila u rri shumë shpejt dhe u kthye në një njësi të shërbimit cilësor qytetar.. Ai ishte i dhënë pas familjes dhe një bashkëshort i dhënë pas surprizave.

Sa më shumë kohë që kalon, aq më shumë spikat në sfondin e kohës dhe në vëmendjen e bashkëkohësve vepra e Artan Cukut, këtij komisari të hekurt, që u ngrit mbi botën e tij intime, mori përsipër rrezikun dhe mbeti përjetë ikonë e policisë shqiptare, shembull frymëzimi për të gjithë ata policë të thjeshtë, oficerë e komisarë, që e duan ligjin, e duan shtetin dhe sakrifikojnë çdo ditë në emër të tyre. Kolonel Cuku kishte një shpirt të madh, të cilin e vuri në shërbim të mbrojtjes së të dobtëve, kundër të gjitha presioneve që bota e krimit bënte aso kohe kundër njerëzve të pambrojtur…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok