14/10/2024

DËSHMI PËR IMZOT MARK SOPIN

0

Kumtesa ime në Akademin Solemne të Rivarrimit

“Dhe kur këmbët tuaja do të jenë lodhur, ecni me zemër.” – ishte porosia e  Papa Gjon Palit të Dytë, të cilën ipeshkvi i Tij, imzot Mark Sopi e dëshmonte me jetë, një ditë me diell, mu në qendër të Prishtinës, tue inagurue themelin e Katedralës,  në 5 shtatorin e vjetit 2005. Këmbëzbathur e këmbëenjtur prelati shqiptar së bashku me dr. Ibrahim Rugovën, të  dytë  ecnin me zemër për të  vënë gurin, sic e thanë , në tokën e rrënjëve arbnore krishtere në kushtim të gruas madhështore shqiptare, Nënë Tereza.

Kjo ecje, në këto troje ilirio-dardane datonte që nga Shën Pali, e do të vazhdoj me prelatët e mëdhënjë Buzukun, Budin, Bardhin, Bogdanin, Fishtën, Harapin, Prenushin, për të mbërri të Sopi, që tërë jetën e tyre punuan për “Atme e Fe”.

Tue qenë pasardhës i familjes martire dhe anëtar i Kishës martire, imzot Sopi që nga shugurimi për meshtar në Romë, në vjetin 1968, e dinte mirë se rruga e tij ishte nderimi i të parëve dhe ndjekja e gjurmës nga lashtësia.

Në rrugëtimin e tij meshtarak, takohemi në shërbimet e tij baritore në Zllakuqan, njëra ndër famullitë më të mëdha në atë kohë në Kosovë, me kontributin e jashtëzakonshëm të tij në raport me popullatën, në një mjedis heterogjen si nga pikëpamja etnike ashtu edhe fetare. Maturia, kujdesi, karakteri i fortë dhe njohuritë e thella të tij, si fetare ashtu edhe të traditës, mundësuan që ndonëse në sistemin e atëhershëm komunist, të tejkalohen pengesat në mënyrë që të ruhet substanca, si dhe shqiptarët katolikë të marrin shërbimet e kishës dhe të plotësohet jeta e tyre shpirtërore. Ai, arriti që të zgjerojë famullinë e Zllakuqanit me dy të tjera, të Klinës dhe Budisalcit. Bashkëpunimi dhe veprimi i tij me të gjithë, e në mënyrë të vecantë me familjen time në atë kohë, të rrëfyera nga axha im Gjergj Berisha dhe vet imzot Sopi, bartin në vete virtytet e larta, përkushtimin për Zotin e njerëzit.

Imzot Sopi tue qenë intelektual i mirëfilltë, nuk do të kufizohet në shkrime dhe vështrime por do të jetë aktiv dhe pjesëmarrës në ngjarjet e kohës, sidomos në zhvillimet e mëdha pas rëniesë së Murit të Berlinit, që ishte sinonimi i ndarjes së botës së lirë dhe asaj ideologjike, që në mënyrë të vecantë kishte goditur kombin shqiptar, duke e privuar nga barazia në ish shtetin jugosllav dhe duke e robëruar ideologjikisht në Shqipëri.

Imzot Sopi, si një punëtor i palodhshëm, guximtar, largpamës, kuptoj se shërbimi ndaj Zotit e Kishës përfshinte edhe cështjet shoqërore, kulturore, arsimore dhe mbi të gjitha të lirisë së njeriut, prandaj nuk pushoi, tue  dhënë në Kosovë kontributin në pajtimin e gjaqeve, e menjeherë dhe pa asnjë hezitim iu përgjigj thirrjes për të rilindur nga gërmadhat kishën në Shqipëri. Në agun e lirisë, kur ideologjia komuniste kishte shkatërruar kishën dhe shkelur deri në palcë dinjitetin e njeriut duke e varfëruar moralisht, shpirtërisht e fizikisht, së bashku me meshtarë tjerë menjëherë fillon punën meshtarake me mons. Kurtin në qytetin e Durrësit e rrethinës deri në Milot. Me një karakter të fortë dhe vendosmëri cfarë e tipizonte atë, ai do të arrij veprën ungjillizuese që do të përfshinte të gjitha shtresat e popullatës dhe në të njëjtën kohë do të tregonte dhe dëshmonte aftësi të jashtëzakonshme në dialogun ndërfetar në Durrës, në mënyrë që harmonia fetare të rivendosej pas një periudhe të gjatë ateiste të imponuar nga regjimi komunist.

Si një personalitet me peshë  dhe me aftësi të  ndërtimit të  raporteve ai do të  ndikoj në  jetën e qytetarëve përmes ndihmave të  shumta nga vendet perendimore për të  zbutur varfërinë  ekstreme të  asaj periudhe. Në sferën e kulturës përvec rivendosjes së dimensionit krishterë, do të  vazhdoj aktivitetin e zhvilluar nga  DRITA e Ferizajt në  “Vegim Drite” të  Durrësit.

Kjo, është edhe periudha e një bashkëpunimi me njerëz të letrave dhe kulturës në  Shqipëri, dhe në  të  njëjtën kohë  periudha e bashkëpunimit tim me imzot Sopin, në  realizimin e shumë  shkrimeve dhe botimeve sikurse “Baca Kolë  e famullitari” (1995), “Martirë t e Karadakut” (1996) etj.

Papa Gjon Pali II, pas shërbimit katërvjecar në Durrës, do ta emëroj ipeshkëv të Kosovës, me 23 nëntor 1995. Ishte ky emërimi i parë i një ipeshkvi me origjinë  vendore si dhe hapi i parë  në  drejtim të  mëvetësisë  së  ipeshkvisë . Kjo ngjarje, tejkalonte dimensionin fetar ngase ndodhte pikërisht në periudhën e lëvizjes së  popullit shqiptar në  Kosovë  për lirinë  e saj si një  shtet i pavarur dhe demokratik.

Atë kohë, duke qenë në dijeni të raporteve të afërta që  kisha me imzot Sopin, profesor Nimon Alimusaj dhe profesor Fehmi Agani, bashkëpunëtorë të  ngushtë  të  presidentit Rugova, më  kërkuan që  menjëherë  të  vejë  kontaktet e para për të  ndërtuar raportet e ipeshkvit të  ri të  Kosovës me dr. Rugovën. Në këtë  mënyrë, unë  së  bashku me don Lush Sopin, në  një  udhëtim të  mënjehershëm sekret, do të  nisemi në  Shqipëri, në  të  cilin përvec urimit dhe ndarjes së  gëzimit për ipeshkvin dhe ipeshkvninë  e Kosovës, do t’i përcjellë  edhe urimet e presidentit Rugova duke marrë  përgjigjen pozitive për një  rrugëtim të  përbashkët. Ajo, mbrëmje e paharruar nëntori, ishte edhe mundësia dhe privilegji im i parë për të takuar Nuncin Apostolik Ivan Dias, të  cilit në  emër të  presidentit Rugova i shpreha falendërimet e përzemërta për Papa Gjon Palin e II-të , që  kishte bekuar Kosovën duke i dhënë  Kosovës ipeshkvin e vet dhe kishte hapur rrugën për organizimin e plotë  të  Kishës vendore si dhe falenderimi për përkrahjen e vazhdueshme të  Selisë  së  Shenjtë  për popullin e Kosovës.

Në fakt, këtë  detyrë  do ta kryej përgjatë  gjithë  jetës së  imzot Sopit dhe presidentit Rugova, që  përbën periudhën krenare të  jetës time, dhe do ta kem fatin e bukur që  pikërisht në  kohën e mandatit tim si zevendësministër i jashtëm dhe përfaqësues diplomatik për Selinë  e Shenjtë, të  ndodhë  formalizimi i dioqezës Prizren-Prishtinë.

Imzot Sopi, që nga shugurimi në Vatikan me 6 janar 1996, e udhëhoqi ipeshkvinë  më  përkushtim, flijim, kujdes e maturi të  pashoqe deri në  ndërrimin e jetës, me 11 janar 2006.

Kam pasur fatin e nderin të  jem pjesë  e përpjekjeve të  përbashkëta të  imzot Sopit e dr. Rugovës në  fushë n e botimeve sikurse “Ceta e Profetëve, “Ipeshkvia e Shkup-Prizren ndër shekuj”, e shumë  botime të  tjera të  natyrë s historike e kulturore, të  jem pjesë  e takimeve dhe konsultimeve me diplomatë  të  shteteve, Prishtinë , Beograd, Zagreb, Romë  e vende të  tjera, në  të  cilat gjithmonë  njohuritë  e thella, takti dhe kultura komunikuese impresiononte bashkë biseduesit tue kriju respekt dhe tue rritë  mirëkuptimin se liria e shqiptarëve dhe e drejta jonë  për pavarësi është  në  përputhje me normat ndërkombëtare.

Ky ishte qëndrim i vazhdueshëm i imzot Sopit, në përkrahjen edhe të  ndërhyrjes ndërkombëtare për të  ndalur invadimin ushtarak të  Serbisë , si dhe kërkesat për ndërtimin e një  shteti demokratik të  Kosovës pas luftës, në  të  cilin të  gjitha bashkësitë  etnike e fetare do të  gëzojnë  të  drejtat e tyre për një  jetë  të  dinjitetshme.

Imzot Sopi punoi shumë në demaskimin e politikës antishqiptare që  cështjen e Kosovës tentonin ta shtronin si cështje fetare, e që  më  së  miri e dëshmoi në  Kongresin e SHBA, duke u shprehur qartazi për pavarësinë  e Kosovës dhe duke garantuar se :”shqiptarët nuk janë  fundamentalist dhe as që  kemi frikë  nga vëllezërit tanë  të  besimit islam.”

Ëndrra jetësore e imzot Sopit dhe dr. Rugovës për Shenjtnoren-Katedralen e Nënës Terezë në Prishtinë  dhe njohjen formale të  shtetit të  Kosovës u realizuan pas shkuarjes së  tyre në  amshim, por në  kujtesën time, që  isha pranë  të  dyve në  këto ngjarje madhështore e historike, janë  tregues se gurthemili i vënë  nga ata, do të  bëjë  dritë  jo vetem në  jetën time, por besoj edhe shumë  të  tjerëve dhe gjeneratave të  ardhshme.

Në këtë 15 vjetor të kujtimit, kur eshtrat e tij do të  pushojnë   në  kishën e shenjtores tonë , që  ai e kishte takuar në  Romë  gjatë  studimeve dhe që  lidhja me të  ka mbetur e përhershme, deri në  lumnimin e saj me 19 tetor 2003 dhe shkuarjen në  amshim, e që  prej së  larti të  ndërmjetësojnë  për popullin tonë , na bëjnë  ta kujtojmë  imzot Mark Sopin si një  personalitet unikal prej një  njeriu të  përkushtuar për Zotin, kombin dhe vlerat më  të  larta njerëzore.

Anton Berisha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok