14/12/2024
u1_Resmi-Osmani

Tregim nga Resmi Osmani

Inxhinjer Struga me të shoqen, zonjën Bule, pasi u kthyen nga shëtitja e pasdites në parkun e liqenit, u ulën  në kafeterinë ”Admiral”.Ishte heret për tu kthyer në shtëpi dhe thanë të merrnin nga një kafe. Djali i shërbimit mori porosinë. Ishte qetë. Klientët të pakët. Nga ndriçuesit e tavanit shpërndahej drita e bardhë, e mugët.Djali pruri kafet bashkë me urimin”Ju bëftë mirë” dhe ata nisën  të ngjëronin në paqe ekspresin me gllënjka të vogla.

Bules nuk i shpëtoi shikimi i ngulët i një mesoburri në tryezën e cepit.

-Se ç’është një person te tavolina e cepit që s’na i shqit sytë.

-Ku ta dish,mua më njohin si paren e kuqe.Mund të jetë ndonjë puntor i kantiereve.

Heshtje. Dëgjohej zukatja e kondicionerit dhe fishkëllima e avullit të ekspresit. Burri i tryezës së cepit u ngrit. Dukej i drojtur dhe i ndërdyshur se nga duhet të shkonte. Pas një stepje të çastit, me çape të matur e të ngadaltë, burri u drejtua dhe qëndroi përpara tryezës së tyre.

-Mirë mbrëma, – përshëndeti – Inxhinier Struga në s’gabohem?

-Nuk gaboheni, dora vetë.Zonja është ime shoqe.

Burri i shihte si të ishte i zënë në faj, pa ditur çtë thoshte dhe nëpër duar përsillte e ndukte një kasketë të vjetër.

-Mund të unjem pesë minuta?-zëri ishte i pasigurtë dhe i ngjante një lutjeje.

-Sapo do të ngriheshim, megjithatë, urdhëro e ulu. Po të dëgjojmë. Mos kemi punuar gjë bashkë në kantieret e hidrocentraleve?

-Jo, por ju jeni i njohur.-Burri dukej sikur nuk po dinte si të hynte në bisedë.

-Më quajnë Shahin, Shahin Nurka. Të parët e mi kanë zbritur nga Opari. Muratorë që tre breza. Me këto duar kam gdhendur gurët e qoshes.

-Qofsh me shëndet.

I ofruan kafe apo ç’të dëshironte, por tha se sapo e kishte pirë.

-Kemi rrojtur me djersën e ballit faqebardhë e me nder. Si kemi hyrë në hakë njeriu e në fisin tonë,s’na është bërë ndonjë turp. Ja kështu!

Inxhinieri s’po arrinte të kapte fillin e fjalëve e të gjente ku ishte shtegu që donte të dilte bashkbiseduesi. Dukej si bisedë e nisur nga fundi.

-Jam martuar ca vonë, ashtu e pruri hera. Na lindi vetëm një vajzë, nashti është çosa gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Si të vetme që e kemi e shohim si dritën e syrit. E drejta e kemi llastuar ca. Jemi kujdesuar që të mos i lipset gjë. Hodhi shtat e u rrit dhe kur vajzat rriten, po dihet, i shtjenë sytë nga djemtë. S’ma nxe goja ta them, po kërkojnë burrë. Ja kështu!

Heshtje. Zonjës Bule s’iu durua:

– Çupën e paç me jetë, por ne ç’ne,ku hyjmë në këtë muhabet?

– Hyni zonjë hyni, se ju keni djalin!Kjo është valle që kërcehet dyshe.

– Pa shih ç’na qënka!

– Eh, prind mos qofsh. Po bën vakte që çupa, nisi mbrëmave të mbodhisej. S’qe një herë a dy dhe u qederosëm. Na thoshte se shkonte mbrëmave me shoqe. Sefte e besuam, po më pas,ku s’na shkoi mëndja, se vajza është si qelqi, po u kris, nuk ngjitet. Pastaj ne kemi rrojtur e rrojmë me nder, s’na ka ngjarë ndonjë turp as në familje, as në farë as e në fis. Për punë nderi, paçka le të dukem si prapanik, unë jam ca me të vjetrën.  Ca më shumë për çupën.Turpi i djalit, thoshte im atë, lahet me një filxhan ujë, të vajzës se lan as deti!

Inxhinier Struga ende pa e ditur se çfarë kishte ngjarë, dhe nëse kishte ngjarë, e pa se u gjend në një bisedë të vështirë dhe priti vazhdimin. Zonja Bule po bëhej nervoze.

-Para ca ditësh, dola dhe e prita vajzën. Po afronte mesnata, kur erdhi te porta, e zënë dorë përdore me një djalë të ri. U puthën dhe u ndanë. Mua më ra qielli e më zuri ndën vete. Ja kështu.

Shahini,heshti në kërkim të fjalëve. Sillte e përsillte kasketën nëpër duar, si të kërkonte të shtrydhte prej saj fjalët e munguara. Inxhinier Struga dhe zonja Bule e kapën fillin e bisedës dhe prisnin vijimin, por pa ndonjë shqetësim.Ndryshe nga bashkbiseduesi,që ajo e puthura e kishte tronditur shumë,  kjo për ta ishte një histori të rinjsh e aq.

-Bashkë me time shoqe,vajzën e shtrënguam në shtëpi.  Ç‘i duam fjalët e tepërta.Pa ia bërë syri bef, na tha që ai ishte i dashuri, që e quanin Dritan Struga dhe që ishte biri juaj! Merret vesh, që u zbrazën mirë, s’i lamë gjë pa thënë. Ajo u shkreh në vaj e lot, u shfajësua, u betua e na tha se asgjë e papëlqyer s’kishte ngjarë. Ia ndaluam të dilte më me të.Ja kështu. Prandaj erdha tu takoj sa s’është vonë dhe mos qoftë e thënë të bëhemi gjyshër para kohe se s’ma nxe goja t’i them atë emrin tjetër .

Shahini u lodh.S’e kishte zakon të fliste shumë, por u ndije i lehtësuar nga barra që e rëndonte.

– Pa dale, dale,- hyri në bisedë zonja Bule që diçka ju kujtua- si e quajnë vajzën?

-Mimoza Nurka.

-Shtatlartë, me dy gërsheta të zeza me fjongo,kështu e mbaj mend. E kam patur nxënëse te “Petro Nini”, apo gabohem?

-Ajo është.Sa mirë që e mbani mend. Ahere ka qenë e vogël.

-Vitet ikin.Vajzat rriten shpejt, edhe pse ne na duken ende të vogla.

-Rriten zonjë, rriten,-desh të thoshte për të zezën tonë, por nuk e tha se fëmija, sido që të jetë është gëzim i prindit.-Si thoshte im atë, që i ndritë shpirti aty ku prehet, të vogla, të vogla, por bëjnë të vegjël!

Ishte e tepërt ta pyesnin se ç’kërkonte prej tyre, por ai ua tha vetë:

– Prandaj erdha tu takoj. Si prindi prindin.Ku s’më shkon mendja. E shihni dhe vetë. Kanë ardhur kohë të vështira. Nga ta di se ç’ka ndërmend djali? Mbase të shkojë kohën e të ma prosvalë vajzën. Ajo është axhami dhe beson lehtë. Po lëndimi i vajzës dhe turpi me mbeten mua në derë. Fjaloseni me djalin dhe me ktheni një xhevap. Sa më shpejt ca më mirë. Hem ju, hem unë mbledhim mendjen,- dhe i dha një copëz letër me numrin e telefonit të shtëpisë.

Ndarja qe akull e ftohtë. Nuk i tokën duart. Në fytyra kishin një si pikëllim e sëndisje, përzier me siklet e shtrëngesë, që s’u vinte nga vetja por u sillesh rrotull si një rrymë e ftohtë ajri. Hoqën udhën sikush për në shtëpi të tij.

Inxhinier Struga dhe zonja Bule, të menduar, u ulën në kolltukët e dhomës së ndënjies. Heshtje. Kjo e papritur, zymtoi dhe turbulloi kthjelltësinë e asaj mbrëmje që duhet të ishte e qetë. Hapi televizorin . Po jepnin lajmet. Asgjë që t’ia vlente.

-Si shumë i mërzitur mu duk.

– Duket e ka së pari. Po nuk më thua, cili prind, ca më shumë babai i një vajze, do ta priste qetësisht lidhjen e së bijës, ende të parrituur me nje djalë në moshë, pa i shkuar në mëndje njëqind prapësira? Janë derte, që kush më shumë e kush më pak, i kanë të gjithë. Ca më shumë Shahini, puntor, i ndershëm e në punë të tij, por që e tha dhe vetë, është ca me të vjetrën. Njohja dhe emri ynë i mirë, i jep besim që gjërat nuk do të shkojnë për keq…..

Darkuan, panë edhe nje film, por djali po vonohej.

– Po shtrihem për gjumë. Dritani mund të vonohet, si zakonisht. Ti ndaç prite, ndaç lere për nesër.Është gjë pa ngut.

– Do ta pres.Shahinit i duhet kthyer një përgjigje. Ishte në ankth.

Po afronte mesnata.Brava kërkëlliu kur u hap dhe u mbyll dera.Salloni ishte në gjysmë errësirë.Dritani çeli dritën dhe u habit kur pa të atin zgjuar ulur në kolltuk.

-Mirëmbrëma babush, si s’paske fjetur ende!Po mamaja, mos nuk është mirë?

-Të kam pritur. Eja ulu pranë meje se dua të këmbej nja dy fjalë.

Dritani në pamjen e zymtë të atit hetoi në çast se diçka shqetësuese duhej të kishte ndodhur, kuptohej që s’ishte për të mirë, por ai se rroku dot me mendje se përse mund të ishte. Iu ul përballë që ta shihte në sy.

– Sonte, në kafe,pata një bisedë të zorshme, me nje person që më njihte por që unë se njihja. Të thotë gjë emri i Shahin Nurkës?

– E kam të degjuar por as njohur as parë. Është ati i një shoqes sime të re. Si është puna?

– Ti ke kohë që del me vajzën. Ai ka nisur të shqetësohet për fatin e të bijës.Si prind, i jap të drejtë. Deri ku keni shkuar?

– Asgjë nga ato që mund t’u shkojë ndër mend. Jemi thjesht shokë. Pëlqehemi, dalim, shkojmë në “party” ndjehemi mirë me njëri-tjetrin. Ku e shihni të keqen këtu?

– Jo te ajo që s’ka ndodhur, por te ajo që mund të ndodhë. Tregohu i sinqertë: e do vajzën?

Dritanin pyetja e zuri ngusht. U mrrol dhe u zhyt në kolltuk. Iu shmang vështrimit. Me të atin duhet të ishte i hapur dhe i drejtë. Ajo ishte ende një çupëlinë, që kishte ende shumë rrugë për të bërë në jetë.Fati dhe rasti i kishte puqur rrugët e tyre.Fillimi I këndshëm dhe i dëlirë, vijimi udhëkryq me shumë të panjohura. Jeta është një shumësi rastesh dhe ngjarjesh.

-Si ta them,baba. Ne sapo jemi njohur. Brezi juaj vijon ti shohë lidhjet si qëmoti. Kohët kanë ndryshuar. Edhe ti e di: jo ç’do shoqëri përfundon në dashuri, dhe jo çdo dashuri në fejesë e martesë. Ka një kohë njohjeje dhe pëlqimi, por që mund të jetë edhe mospëlqimi dhe kjo nuk ndodh as për një ditë as për dy.

Dritani priti që i ati t’i mbante një mësim morali, por jo. Inxhinier Struga e kidhte rrokur thelbin e asaj që fjalosi i biri. Shahin Nurka kishte të drejtë të ishte me ethe!

-Atëherë, vetëm shoqe?

-Njëherë për njëherë, po. Për më tej s’di ç’të them.

-Keq – tha i ati- ai tjetri s’e rrit vajzën që të shkosh kohën me të t’i apo ndonjë tjetër. Nga vajza hiq dorë. Nuk do ta takosh më.

-Por, o ba!

Inxhinier Struga u ngrit nga kolltuku, nxori nga xhepi i pizhameve një cop letër dhe formoi numrin e telefonit. Nga krahu tjetër u vonuan.

-Përshëndetje.Më fal për shqetësimin në këtë orë të vonë. Për merakun tënd bisedova me djalin. Epo të rinj. Janë vetëm shokë. Si ta them pëlqehen, u hahet muhabeti. Asgjë s’ka ndodhur. Pa merak. Bëje gjumin të qetë. Pwr mw tej? Takohemi nesër për një kafe.

Natën e mirë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok