16/11/2024

Demokracia e kthyer në pornokraci!

0

Ngjarja e tmerrshme e përdhunimit të 11 vjeçares është vazhdimësi e një vargu të gjatë të përdhunimeve dhe vrasjeve misterioze të vajzave, motrave dhe nënave shqiptare në Kosovë. Dhuna në familje, kërcënimi seksual në vendet e punës dhe vendet publike është bërë dukuri shqetësuese në shtetin tonë të ri

Shkruan: Florim Zeqa

Abuzimi me lirinë e tjetrit, anarki dhe amoralitet shoqërorë

Mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë, përkatësisht anarkia ligjore në njërën anë dhe anarkia

morale në anën tjetër kanë ndikuar në shkatërrimin e familjes dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

Deri tek kjo ka ardhur si rezultat i lirisë së shfrenuar në shtetin me anarki ligjore. Liria personale ka kuptim derisa të funksionoj ligji dhe drejtësia, në të kundërtën kur drejtësia kthehet në anarki atëherë fillon abuzimi me lirinë e tjetrit!

Shoqëria shqiptare nga liria e shfrenuar pa funksionim të ligjit është kthyer në anarki, ku secili mendjen e ka tek kënaqja e egove dhe epsheve personale për pasurim të shpejtë dhe të paligjshëm, duke filluar nga përdorimi i narkotikëve, trafikimi i qenjeve njerëzore dhe prostitucioni si akti më i turpshëm i një shoqërie njerëzore.

Kontrabanda e qenjeve njerëzore, përkatësisht abuzimi seksual me të mitura, duke i eksportuar Ato nga njëri vend tek tjetri, brenda dhe jashtë vendit është shndërruar në dukurinë më të shëmtuar të shoqërisë kosovare (shqiptare) në këto vitet e paspavarësisë së Kosovës.

Anarkia sociale dhe morale e shoqërisë sonë i ka rrënjët tek niveli i ulët arsimor, tek mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë të cilat drejtëpërdrejtë kanë ndikuar në rritjen e dhunës në familje, shtimin e numrit të përdhunimeve dhe vrasjeve në mënyrë misterioze të vajzave të reja dhe grave, duke e shtuar kështu anarkinë sociale dhe morale të shoqërisë sonë, e cila asnjëherë nuk ka qenë më e rrezikuar nga amoraliteti, ku njerëzit gjithnjë e më shumë po u gjasojnë egërsirave të uritura në xhungël sesa një shoqërie të civilizuar dhe demokratike!

Të miturat e gjinisë femrore të pambrojtura nga shteti dhe shoqëria

Rasti makabër i përdhunimit të miturës 11 vjeçare, është tregues se në Kosovë nuk kemi mbrojtje nga shteti dhe as edukim të shëndoshë të shoqërisë njerëzore.

Ngase mbrojtja e vajzave të mitura dhe grave nuk është detyrë vetëm e policisë, por e shoqërisë në përgjithësi. Ajo është detyrë dhe obligim i secilit prej nesh, në veçanti e mediumeve televizive.

Por në radhë të parë, duhet të jenë institucionet përkatëse të shtetit, si policia, prokuroria dhe gjykatat, pa anashkaluar ministritë, deputetët, komunat, institucionet shkollore dhe ato të edukimit parashkollor.

Rasti makabër i përdhunimit të së miturës 11 vjeçare nuk është i pari dhe as që do të jetë i fundit. E themë këtë për faktin, se ngacmimet seksuale dhe përdhunimet paraprake kanë ndodhur nëpër shkolla dhe institucione tjera shtetërore, madje edhe nga mbrojtësit e rendit dhe ligjit (mësuesit dhe policët)!

Kur përdhunuesit dhe vrasësit lihen të lirë, viktimat ngarendin njëra pas tjetrës

Pas çdo rasti të përdhunimit nuk dënohet askush, rastet mbyllen me konkluzionet e gjykatave kinse “në mungesë të provave”, për të mos u zbardhur asnjëherë e vërteta e përdhunimit dhe vrasjes së vajzave të reja dhe grave shqiptare edhe përkundër provave të prokurorisë dhe fakteve të dëshmitarëve!

Kësisoji përdhunuesit dhe vrasësit lihen të lirë, viktimat ngarendin njëra pas tjetrës!

Pra, këtu kemi të bëjmë më dështim të sistemit të drejtësisë, të dështimit të sistemit edukativo-arsimor dhe me dështim të rendit demokratik në përgjithësi!

Anarkia ligjore e ka kthyer demokracinë në pornografi, dështimi i sistemit qeverisës e ka kthyer shtetin në pornoshtet dhe mbrojtës të krimit dhe kriminelëve që rrezikojnë nderin dhe dinjitetin familjarë të secilit qytetar të vendit tonë.

Kur shtetit i mungon forca ligjore në ndëshkimin e përdhunuesve dhe kriminelëve ordinerë, popullatës nuk i ka mbetur rrugë tjetër përveq kthimit të zakoneve dhe ligjeve kanunore për mbrojtjen e nderit dhe dinjitetit familjar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok