23/12/2024

DËGJONI MONOFONINË E ROLAND ÇENKOS

0
Roland-Cenko

Nga Timo Mërkuri

Kur në takimin më Roland Çenkon në fillim Nëntorit 2021 te holli i Hotel “Lindi” në Sarandë biseda pruri mes nesh monofoninë e tij, ai papritur hapi telefonin dhe më thotë: Pa dëgjoje pak këtë plak nga Lazarati dhe më thuaj: a ja vlen ta këndoj  monofoni? Që Roland Çenkua është mjeshtër i të kënduarit monofoni këtë e kisha konstatuar herët, qysh kur ai hodhi në youtube interpretimet e para, madje këto u bënë shkas më shumë se kënga isopolifonike e grupit të tij “Argjiro” që unë të përpiqesha ta njihja edhe persoanlisht.

I- Arsyeja është shumë e thjeshtë, monofonia është mënyrë të kënduari shumë e herë-shmë, madje më shumë se mënyrë e të kënduarit ajo është një zgjatim i ligjërimit, i vajtimit me ligje, por në kushtet e një vetmie fizike. Nëna, motra, gruaja e të ndjerit që është vajtuar me ligje edhe tejë kohës së zisë e kanë në shpirt peshën e dhimbjes, sidomos në rastet kur i ndjeri ka qënë në moshë të re kjo situatë ngarkese emocionale është për një kohë shumë të gjatë. Kështu shpjegohet që këto nëna, motra e nuse  gjejnë rastin dhe këtë ngarkesë emocionale e zbrazin duke vajtuar kudo që të jenë, në shtëpi, në punë apo edhe duke ecur rrugëve të fshatit. Duke qënë se gratë shqiptare nuk vajtonin vetëm në mort, por bëheshin gjithmon një grup grash që shoqëro-nin, ndihmonin e mbështesnin vajtoren kryesore, ky vajtim në vetmi nuk ishte aq lehtësues për këto vajtore, pasi ato e përballonin vetëm peshën emocionale,në kundërshtim me vajtimin kolektiv ku një pjesë të peshës së dhimbjes e “mirnin” edhe gratë e tjera. Kështu shpjegohet fakti që këto vajtore të vetmuar, larg kohës dhe  shtëpisë së mortit niën  të fusnin në vajtimin e tyre  edhe “zërat” e vajtoreve të tjera dhe të shoqërueseve, duke  ndryshuar apo spostuar pak tonalite-tin vajtimor. Ky vajtim në vetmi quhet “logatje”që në gjuhën muzikore u emërtua “monofoni”. Sqarojmë se shndrimi i vajtimit në këngë filloi pikërisht me lindjen e logatjes, e cila në një periudhë të mëvonëshme u shndrua në këngë isopolifonike. Në vetvete edhe logatja ka dy faza, fazën e parë ku është më afër vajtimit dhe në interpretimin e saj, veç vijës melodike vajtimore të theksuar, ka edhe shpeshtimin e përdorimit të zanores “ë” dhe zgjatimit vajtimor të saj edhe si interpretuese e zërave të tjerë të grupit vajtimor. Ka dhe fazën e dytë ku vija melodike vajtimore është më e zbutur dhe përdorimi i zanores “ë” është më i dukshëm në rolin që interpreton (pritësi, iso). Disa tipe logatjesh kanë të dukshëm dhe interpretimin e zërit të hedhësit duke përdorur për këtë zanoren “u” ose “o”.

Le të kthehemi te holli i Hotel “Lindi” kur Rolandi zgjati pranë meje telefonin e tij të hapur në një inçizim. Është një plak mbi 90 vjeçar nga Lazarati më sqaroi ai, ndërkohë unë porsa dëgjova tingujt e pare të melodisë, e rrëmbeva telefonin dhe e vura në vesh. Nga brenda telefonit vinte si nga thellësitë e një burgu brenda kraharorit një zë i lodhur, i plakur. Ky zë vinte copa copa  sikur copëtohej e shkëputej shpirti e dilte nëpërmjet këtij zëri. Ky zë nuk fliste për muzikë, ky zë fliste për dhimbje. E kuptova menjëherë se ky ishte një zë që vajtonte, sepse e kisha dëgjuar për vite me rradhë këtë lloj zëri të plakur e të drobitur nga dhimbja. Kisha dëgjuar babain tim duke vajtuar vite me rradhë tim vëlla, vdekur në moshën njëzet vjeçare në një situatë enigmatike në ushtri.

Vdekja ndodhi në vitin 1978, por për tridhjetë e ca vjet rresht im atë, çdo të diel do mirte rrugën e do shkonte në varrezat e qytetit, do ulej te cepi i varrit familjar e do niste vajtimin, duke përshtatur zërin në rolet e gjithe pjestarëve të grupit mortor. Këtë ritual do ta bënte edhe në shtëpi në të dielat me shi dhe sidomos kur u plak së tepërmi dhe ne nuk e lejonim më të shkonte në varreza, duke sajuar arsye të ndryshme.

U drodha në vetvete nga zëri i inçizuar dhe pa e sqaruar Roland Çenkon, ndërsa i ktheja telefonin e fikur i thashë: dëgjo Roland. Bëne monofoni dhe interpretoje, vetëm atëherë do ta dëgjoj gjer në fund e do të them: je apo nuk je këngëtar.

II-Roland Çenko e bëri monofoninë dhe unë ju them se ai është vërtet këngëtar, madje është një këngëtar i madh, ndaj ju ftoj ta dëgjoni monofoninë e tij me tekstuin e një plaku 95 vejçar nga Lazarati, që quhet Skënder Rabi:

Jam një plak në Lazaratë

Mejtonemë dit e natë

 

Mejtoj kon’  e shkuarë

Shum na kanë ofenduarë

 

Po ne jemi nga Sopoti

Atje ku  ka vën’ dor’ zoti

 

Jemi rracë  ilirjanë

Djem e burra hane danë

 

Ata që na thon’ rebelë

Janë vetë kriminelë

 

Ata të ligat i prunë

Dhe kur ta gjej guri funë.

Nuk do diskutoj tekstin (që është për tu patur zili) por do flas për vijën melodike të tij.

Monofonia e mësipërme është e bazuar në ligjërimet e herëshme popullore, pas gjëmave të mëdha si një shkarkim shpirti në një hapsirë të pamatë kryesisht në male e vërri. Kuptohet se ky plak nuk vajton për ndonjë vdekje biri a bije apo nipi a mbese, ky vajton mënjanimin nga jeta, ngujimin, poshtërimin e padrejtë të një sistemi dhe shteti ndaj një popoulli të tërë, ndaj kjo vajtohet si një gëjëmë. Vija melodike është e përcaktuar nga pesha e gjëmës, duke kaluar nga notat e ulëta grykore, ku dhëmbja fillon të zbresë fillimisht e trashë dhe e rëndë, për të kaluar tek zbërthimi i ndodhisë me vibracione dhe tonalitete të përmbajtura dhe shumë pikëlluese, për të shkuar tek kulmi i gjëmës, ku forca e zërit, dramaciteti dhe artikulacioni shkon në pikën më të lartë.  Zbritja ndodh me kthesa të ëmbla e marramëndëse, ndikuar kjo dhe nga teksti që marrin me vete gjithë vëmëndjen e dëgjuesit të natyrës me bimësi e shpesë dhe  mbush honet e hone-strës. Themi dëgjuesit e natyrës se e argumentojmë në origjinën e saj këtë monofoni, të logatur shtigjeve e shkrepave të malit.

Dëgjojeni me vëmëndje këtë monofoni ju lutem, a nuk ju duket se ajo zanorja e famëshme “ë” është një dënesë shpirti dhe jo notë muzikore. Dëgjojeni vargun e parë të çdo strofe  psh vargun :”Jam një plak në Lazaratë” ku zanorja “ë” e fjalës ”Lazarat” është zgjatur zgjatur si urë lidhëse me vargun e dytë :”Mejtonemë dit e natë”. A e dalloni faktin që varghu i parë “Jam një plak në Lazaratë” ka një ngritje melodike vertikale përkundër shtrirjes hiorizontale të vargut të dytë “Mejtonemë dit e natë” sikur do të thotë që : Unë plaku i Lazaratit mejtohem ditë e natë për të gjithë ju dhe ne. A nuk ju duket si një Moisi në mal? Dëgjoni interpetimin e dytë të strofës së parë dhe përcaktoni rolin e zanores “ë”. Është rrënkimi i vajtoreve në ligjërimin mortor dhe jo zëri i këngëtarit Roland Çenko, pa çka se është Rolandi ai që e sjell pranë nesh. Kjo mënyrë interpretimi e kësaj logatjeje (monofoni) është interpretim i variantit original të logatjes, pavarë-sisht funksionit ndihmës të muzikës. Ajo (muzika) nuk e ndihmon interprettimin në natyrën e tij të logatjes, ajo mbush sfondin jashtë saj, për të cilën logatja në vetvete nuk ka aq shumë nevojë. Ajo (muzika) plotëson shijet tona muzikore, por logatja nuk është çështje shijeje,. Ajo është çështje dhimbjeje shpirtërore.

III-Roland Çenkua është një mjeshtër i rrallë i monofonive (logatjeve), madje i të dy fazave të këndueshme të logatjes. Ai nuk u bë i tillë në një ditë apo në një vit. Madje vlen të themi se logatjen nuk e mësoi nëpër shkollla. Duke dëgjuar babin e tij Demo Çenko nëpër logatje, duke qëndruar afër Xhevat Avdallit dhe duke e dëgjuar atë nëpër logatje, duke i shoqëruar në heshtje apo duke e shoqëruar nën zë (nënë gjuhë).mjeshtrin dhe të jatin ai hyri në botën  magjike të logatjes. Ndërkohë që ishte një “marrës” i shkëlqyer i këngës isopolifonike gjrokastrite, ai kishte “frikë” të nisej nëpër shtigjet e  logatjes. Gjithë jetën logati, por monofonia e parë e regjistruar ishte  monofonia “Kërkuan një tempull malet” e vitit 2010. Pas kësaj gjithë kohën e pandemisë e kaloi duke logatur dhe për pasojë interpretoi rreth 20 monofoni ndërsa ka edhe rreth dhjetë të tjera të pa përfunduara. Sigurisht që monofonitë kanë tematikë dhe vijë melodike të ndryshm,e nga njera tjetra dhe të tëra bashkë krijojnë një mozaik të bukur monofonik, të denjë për tu patur zili e admiruar.

Jo kushdo mund të këndojë monofoni. Logatjet e para kanë qënë  produkt dhe “privilegj” i nënave, motrave dhe nuseve të reja që kishin pësuar fatkeqësi mortore në shtëpi. Më von u zgjerua gjeografia njerëzore e krijuesve dhe interpretuesve të logatjes, jo si zhanër muzikor por si lehtësim i ngarkesës shpirtërore të njerëzve të “lënduar” nga morti.

Në kohën e sotme të gjesh çelësin e  interpetimit të monofonisë është si të gjesh në një shpellë a shpat mali një thesar në formë kurorash, gjerdanësh, unazash a zbukurimesh të tjera të princeshave të botës antike, thesar që në vetvete ka vleftë të trefishtë, sa monetare aq edhe historike dhe artistike.

IV-Unë ju thashë që nuk do flas për tekstin e këngës, sepse Lazarati ka plot djem e vajza që mund ta analizojnë më së miri këtë tekst (dhe duhet ta bëjnë patjetër), por unë do tju them se kjo monofoni është monumenti më i bukur dhe më i pavdekshëm i këtij fshati të “ofenduar” , të diskriminuar, por racë ilirjane, fisnike nga Sopoti, të bukur e të panënshtraur, të bekuar nga vetë Zoti.

Sarandë, më 23 dhjetor 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok