15/11/2024

DEGËT E LDK-SË NË GJERMANI DHE ZVICËR, BËNË VIZITA NË ATDHE

0

NGA IDRIZ ZEQIRAJ, zëdhënës i Degës të LDK-së, në Gjermani

Anëtarë të kryesisë dhe aktivistë nga Degët e LDK-së në Gjermani e Zvicër, bënë vizita në Atdhe. Të prirë, përkatësisht, nga kryetari Osman Ferizi dhe anëtarët e kryesisë Saim Tahiraj e Ismet Çeku, ata bënë homazhe dhe vunë buqeta lulesh ke shtatorja e komandant Sali Çekaj në Deçan, në Kompleksin Memorial në Koshare dhe Kompleksin Memorial Dr. Ibrahim Rugova në Istog.

Grupi i mërgimtarëve përbëhej nga kuadro drejtues dhe aktivistë të Degëve dhe të Nëndegëve të LDK-së, nga Gjermania dhe Zvicra: Tahir Buqolli, Smajl Çekaj, Zymer Lulaj, Azem Kelmendi, Alush Zeqiraj, Lush Cana, Fazli Kelmendi, Rashid Nikçi, Sali Blakaj, Ali Demaj, Lirim Lulaj dhe të tjerë. Pjesë e këtyre vizitave u bë edhe zonja Hyrije Dobruna, kandidate për kryetare të komunës së Deçanit, me një pjesë të ekipit të saj, si dhe ish-shefi i Protokollit të Presidentit Rugova, Sali Cacaj.

Veprimtarët e LDK-së, të dy Degëve në fjalë, në lokalet e Restorant “Kosharja”, zhvilluan një bisedë dhe shkëmbyen mendime me zonjen Dobruna, me theks të veçantë për zgjedhjet e pritshme lokale të tetorit. Kryetari Osman Ferizi bëri një ekspoze të veprimtarive, që zhvillon Mërgata shqiptare. Ndërsa kandidatja Dobruna foli për nismën e ndryshimit në LDK-e; për opozitarizmin e pavarur dhe aktiv që bënë udhëheqja e re, me kryetar Lumir Abdixhikun; për aksionin e madh agjitativ të ndërmarrë, nga drejtues dhe veprimtarë të përkushtuar, për ringritjen e LDK-së, pas debaklit të pësuar në zgjedhjet e shkurtit të sivjem.

222

Homazhe në Deçan

Kryetari i Degës të LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi, me shokë, bëri vizitë në Kuvendin komunal të Pejës, ku u pritën nga kryetari Gazmend Muhaxheri, njëherësh, nënkryetar i LDK-së dhe nënkryetari i kësaj komune, Fatmir Asllani. Zoti Muhaxheri i informoi mysafirët nga Mërgata, për zhvillimin dhe ndryshimet e bëra në komunën e Pejës; për realizimin e premtimeve të dhëna elektoratit katër vite më parë. Përjashtim bënë projekti madhor “Borea”, i cili u sabotua nga qeveria e PAN-it, për arsye, kryekëput, politike.

Nënkryetari i LDK-së, i informoi veprimtarët nga Mërgata për zgjedhjet e radhës, për rrjedhat në LDK-e, për nismën dhe vazhdimin e reformave në parti. Ai foli për përgaditjet për zgjedhjet e tetorit, me shpresën e bazuar se LDK-ja ka marrë mesazhin e qartë të elektoratit, në zgjedhjet paraprake të shkurit. Andaj, po punonin me bazën partiake, me premtimin se shumëçka do të jetë ndryshe. Dhe, mbi këtë bazë, pritet ringritja e LDK-së në nivel vendi.

Kryetari Ferizi, duke e falenderuar kryetarin e komunës Muhaxheri, për pritjen sa të përzemërt, aq edhe të sinqertë, rrëfeu për aktivitetet e Degës së LDK-së në Gjermani, si dega më e madhe e Mërgatës. Ai ishte, si gjithmonë, i drejtëpërdrejtë dhe shprehu opinionin e anëtarësisë së partisë në Mërgatë, e cila e ka mirëpritur ndryshimin, aq shumë të dëshiruar. Mbizotëron mendimi se koalicionet me PDK-në, përkatësisht, PAN-in, i kanë kushtuar shumë LDK-së. Këtë e pranojnë, tashmë, edhe ata që i kontribuan kësaj vartësie e lidhjeje të panatyrshme, madje, anakronike.

Thonë se çdo e keqe, ka edhe ndonjë të mirë. Dhe, e mira e debaklit të LDK-së, në zgjedhjet e shkurtit 2021, është vetëdijësimi i drejtuesëve të LDK-së, se nuk duhet vepruar kundër anëtarësisë, simpatizantëve, të elektoratit të LDK-së. Sepse durimi ka një kufi. Dhe, caku i kaluar, sjell reagimin e ligjshëm, madje, të vrazhdët, siç ndodhi me humbjen e gjysmës së elektoratit votues, krahasuar me zgjedhjet paraprake, të cilët nuk votuan partinë e zemrës – LDK-në, si hakmarrje ndaj krerëve-klan të LDK-së, të cilët shpërfillën elektoratin, deri në injorim, përbuzje, anashkalim total.

Kryetari Ferizi u zotua se Dega e LDK-së në Gjermani, do të jetë bashkëpunuese konstruktive me LDK-në qendër, për të mirën e partisë dhe të Kosovës. Duhet pranuar se elektorati i LDK-së, në Mërgatë, është fort i lënduar, nga provokimi i rëndë i bërë, ndër vite, me koalicione të dëmshme, duke i mundësuar PAN-it një qeverisje sa të gjatë, aq edhe primitive, të pamerituar, të vrazhdët dhe hajnore. Urojmë që pësimi të bëhet mësim, për udhëheqjen e re!

Në përmbyllje të vizitave të veprimtarëve të LDK-së në Atdhe, realizuan një takim me kandidatin simpatik, për kryetar të komunës të Istogut, Ilir Feratin. Kryetari Osman Ferizi e përgëzoi Kryesinë e LDK-së, për pëzgjedhjen e duhur të kandidatit Ferati. Edhe pse i ri në moshë, Iliri ka përgaditjen solide intelektuale e profesionale. Zoti Ferizi e përgëzoi kandidatin e ri, për guximin dhe gadishmërinë e treguar dhe kjo është premisë e suksesit. Urojmë që pretendenti i sotëm, të jetë kryetar i komunës të Istogut nesër, si bastion i pathyeshëm i LDK-së të Ibrahim Rugovës!

Kandidati Ilir Ferati falenderoi kryetarin e Degës të LDK-së në Gjermani, Osman Ferizin dhe ekipin e tij, nënkryetarin e Degës, Tahir Buçolli, kryetarin dhe sekretarin e Nëndegës të LDK-së në Rheinland Pfalz, përkatësisht, Alush Zeqiraj e Lush Cana, anëtarin e kryesisë Sali Blakaj, pastaj Ali Demaj nga Dega e Zvicrës, Xhevat Demaj, kryetar i Nëndegës të LDK-së në Vrellë dhe veprimtarët tjerë.

Kandidati Ilir Ferati, njëherësh, anëtar i Kryesisë të LDK-së, bëri një ekspoze të LDK-së, në nivel të vendit, riorganizimin për ringritjen e saj. Pastaj foli “për unitetin që manifestohet në LDK-në komunale të Istogut, bashkëpunimi i sinqertë me kolegët ish-pretendentë, të cilët, papërtueshëm, me shoqërojnë në fushatën specifike, që e bëjmë në kushtet pandemike”. Ai shprehu besimin, që së bashku, do t`ia dalim me sukses.

Dhe, ne e urojmë me gjithë zemër, kandidatin Ilir Feratin, duke i dëshiruar një fitore të suksesshme dhe fisnike!

Të gjitha aktivitetet e veprimtarëve të Degëve të LDK-së, në Gjermani e Zvicër, i përcolli mediumi i zëshëm RTV “FONTANA”, përkatësisht, drejtori i saj Zeqir Mehmetaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok