26/12/2024

DED GJO’ LULI U VRA TRADHTISHT

0
u1_DedeGjoLuli

Nga Fritz RADOVANI

24 SHTATOR 1915  Për mos me ua shtue gjakderdhjen e vllazënve të vet në këte situatë kausi ballkanik, Ded Gjo’ Luli mori rrugën nga Mazrreku dhe shkoi në Pukë. Kaloi lumin Drin dhe hyni në thellsi të maleve të egra të Mirditës jo, ma pak të lame me gjak për Liri. Atje për tre muej pat përpjekje me forcat e tradhëtarit Esad Pashë Toptani, i shpallun “besnik” i të gjithë shteteve shoveniste që na rrethonin dhe që kërkonin pjesë në Tokat Shqiptare. U pat shërbye të gjithëve pa dhimbje sa kje gjallë po, dhe i vdekun.

Dedë Gjo’ Luli nuk arrijti me i shpëtue kurthës së tradhëtarit, po u gjet i rrethuem në mes tyne bashkë me Nik Prelocin e djalin e vet Kolën tek qela e Oroshit. Porsa po afrohej në vendin e caktuem, aty u gjet në mes të shumë ushtarëve serbë, që porsa i pa, Deda kuptoi gjithshka, dhe tha: “Sot kemi mbarue!” Ishte data 24 Shtator 1915. U koll; pështyu për tokë dhe trimnisht iu afrue komandantit serb, i cili kërkoi nga Deda që me i tregue drejtimin e shokëve të vet. Deda iu përgjegj se nuk kishte me i tregue kurrë Ata. Ushtarët serb e ndanë Deden nga Nika dhe i biri, të cilët ua dorzuen ushtarëve esadistë, ndërsa Dedën, e lidhën dhe u nisën nga Mali i Shejtë i Oroshit, ku e mbytën tue e therë me bajoneta derisa i doli Shpirti. Trupin e mbuluen me gjeth dhe e lanë mbi dhe. Disa barijë mirditas e patën gjetë rastësisht dhe mbas gati pesë javësh, prifti i fshatit, mbasi e mori vesht vendin nga barijtë, e pat marrë natën me datë 8 Tetor 1915 dhe e pat vorrosë tek Kisha e Oroshit, pa i tregue askujt për këte. Aty asht mbajtë deri në vitin 1917. Atë vit Delegati Apostolik i Vatkanit në Shqipni, Imz. Ernesto Cozzi, që ishte edhe Feldkural i ushtrisë Austro – Hungareze, dhe Mik zemre i Dedë Gjo’ Lulit e shpesh bashkëpunëtor i Tij, bani hetime; madje Ai vet u interesue me ia stolisë vorrin me rrasa të latueme guri. Ai u ba edhe ndërmjetës me gjetë edhe trupin e Djalit të madh të Dedës, Kolën për të cilin ishte interesue me kohë e shoqja. Eshtnat e Tij i treguen Shqiptarëve e Shqipnisë mbarë, se: “Për Ty vdiqa, Për Lirinë tande! Nuk kam dashtë tjetër!”

IDEALIN  AI  E  LA  TË  SHKRUEM  ME  GJAK !

Shkodër, me 29 Maji 1924.

Etnit Françeskan të Shkodrës, mbas sa përpjekjesh, mujtën me sigurue  e me organizue ceremoninë e Tyne madhshtore të sjelljes në Shkoder të Eshtnave të Dedë Gjo’ Lulit dhe të Djalit të Tij, në Kishën Françeskane të Gjuhadolit. Ishte një popull i pafarë tek Kisha ku do të zhvillohej ceremonia mortore. Ishte i pranishëm edhe Delegati Apostolik, Shkëlqësia e Tij, Imzot Ernesto Cozzi, i cili, në mes të ma tepër se 3000 qytetarëve shkodranë, e përcolli Dedë Gjo’ Lulin deri tek banesa e Tij e fundit ndër vorre të Rrëmajit. Morën pjesë edhe të gjitha autoritetet shtetnore të Shkodrës. Në oren 8.00 të mëngjesit, Provinçiali i Françeskanëve të Shqipnisë At Pal Dodaj, filloi Meshën e organizueme për Fatosin e Maleve. Një orkestër e zgjedhun për këte rasë, me tingujt e saj të përmortshëm, e bani edhe ma të madhnueshme atë  ceremoni mortore.

Mbas Meshet zani i përmallshem dhe i fortë ku ishte ma i zgjedhuni mu në atë fidanishtë dijetarësh të pashoq, e që ligjëroi me solemnitet për jeten e Dedë Gjo’ Lulit, ishte i Madhi At Anton Harapi. Ndër tjera fraza Ai tha: “Sikuse Athena e Roma mbi gjak e eshtna të Fatosave ngrehën ndërtesën e Lirisë, ashtu për të mëkamun të Shqipnisë u lyp që gjaku i  kreshnikëvet të sterpikëte krepat e Maleve tona!… Mbas 400 vjetësh me çeten e vet lufton për të parën herë nën Flamurin e Shqipnisë, për Liri kombëtare…

Ai kje tri herë Fatos, se i fali Atdheut dy djelmët dhe veten, tue u ba sheji i salvimit të xhonturqëve, të sllavëve e esadistëve … Ai së dyti provoi se, bashkë me Atdhetarinë në gjoksin e Tij vloi edhe zelli për Fe… Në Te vërtetohet fjala e popullit se ndihma e Zotit e pushka e Hotit e shpejtoi Lirinë Kombëtare…”

Në fund oratori At Harapi iu drejtue gjithë shqiptarëve të të gjitha viseve, që emni i Fatosit të përjetësohet me një Monument. Banda e Bashkisë së qytetit vazhdoi me jonet e përmallëshme me vajtue pranë trupit të Heroit t’ Atdheut.

Arka me Eshtnat e Fatosit të Traboinit doli nga Kisha Françeskane e mbulueme me Flamurin Kombëtar. Populli e mori në dorë në shenjë nderimi deri në vorrezat e Rrëmajit. Procesionit i prini Banda e Gjimnazit të Fretënve e veshun kuq e zi, mbas të cilëve ishin përfaqsuesit e shoqnive të tjera të ndryshme të qytetit, përfaqsuesit shtetnorë dhe mbarë Shkodra.., që të rreshtuem në heshtje u sollën dhe shkuen në drejtim të Kishës Kathedrale. Ndigjohej vetem muzika që bashkohej me jonet e kumbonëve të Kishave tjera të qytetit që edhe ato në shenjë zije rrahnin në njëanë…

Mbas salikimit në Kishen Kathedrale procesioni u drejtue për në banesen e fundit në Rrëmaji. I madh e i vogël po përcillnin Tre Burra të një shtëpisë njëheri.., prandej dhe lotët nuk mungonin mbas Arkës.., e cila ndiqej nga Banda e Gjimnazit të Fretenve.

Në Vorreza ajo ekzekutoi me madhshti Hymnin tonë Kombëtar.

Mori fjalën edhe kushrini i Dedë Gjo’ Lulit, Gjok Luli, i cili tha: “Po të falem nderës me gjithë zemer moj Shkodër, për ket punë që ke ba, po ma teper po u falen nderës gurt’ e Hotit. Tue mos ditë me kuvendë ma gjatë, po ju tham se nuk e kemi besue se i dini ju këto punë. Edhe unë po gëzohem me ju. 500 shtëpi që ka Hoti janë fikë e dalë në rrugë të madhe e, kaq jemi ba porsi ajo grueja e pakunorë, porsi ajo qyqja e zezë… Kushtrim… Zot!… Kushtrim, Shqipni për 500 shtëpi Hot që jemi shkrepë rrugëve tue vdekë urije e, kemi derdhë gjakun me ba Shqipni!.. E, pasha Këta Eshtna që kemi para se edhe sa mashkuj që të kenë këto 500 shtëpi, kanë me vdekë për Shqipni!”… Tue mos mujtë ma me vazhdue hjekë kësulen prej kreje dhe e lëshon në tokë… në shenjë Betimi e Bese… Populli u zhgreh në vajë.., dhe njeni mbas tjetrit i shternguen dorën Burrave e Grave të Hotit për krye shndosh, të cilët të gjithë bashkë i bashkonte një gjak…Një Flamur! Shkodra, edhe pse e lanun mbas dore,…ka dijtë dhe di edhe sot, se kujt me i thanë Fatos, Shpëtimtar i Atdheut dhe me këndue: “Njaj asht Fatos që tue luftue mbaron”…

(Pjesë nga libri i autorit FR per “Ded Gjo’ Lulin” 2011.)

Melbourne, Shtator 2019.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok