31/01/2025

DASHURIA QË MBETET NË MUNGESË

0
Timo-Merkuri

Nga Timo Mërkuri

Poezia “Andej të mos vish” e Ilirian Zhupës shpalos befasi në çdo varg e strofë, duke ndërtuar një univers poetik ku përsëritja nuk është e zakonshme, por një mekanizëm i fuqishëm emocional dhe ritmik. Çdo varg i saj sjell një variacion të ri, një thellim të ndjenjës së humbjes dhe përplasjes mes dëshirës për të mbajtur pranë dhe refuzimit të rikthimit nga rruga e ikjes. Ritmi mantrik i poezisë, ndërtuar mbi thirrjet e përsëri-tura “mos ik” dhe “mos vish,” krijon  një lëvizje mes pranimit dhe mohimit, kujtesës dhe harresës, duke e shfaqur poezinë si një lojë të tensionuar mes ndjenjës dhe strukturës, ku ekspresionizmi shpirtëror përvijohet përmes një forme mjeshtërisht të disiplinuar stilistikisht, dhe bën që lexuesi të përjetojë ankthin, mallin dhe tronditjen e poetit.

I-Në qoftë se në ndonjë poezi të mëpatëshme  kemi venë në pah dukurinë e anonimatit gjinor të heroit, te poezia “Andej të mos vish,” krijojmë bindjen se ruajtja anonimatit gjinor është veçori e përdorur në mënyrë të  qëllimshme  nga poeti, pse  i jep poezisë një dimension universal, ndaj e vlen që kjo dukuri të analizohet nga disa aspekte dhe të lidhet me qëllimin e autorit:

1.Duke mos e specifikuar gjininë e heroit, Zhupai shpalos universalitetin e  përvojës emocionale dhe shmang kufizimin e saj si histori personale apo konkrete. Kjo e bën poezinë të pranueshme nga çdo lexues, pavarësisht nga gjinia, duke e transformuar dhimbjen, mallin dhe dëshirën në ndjenja që mund të përjetohen nga të gjithë.

2.Nëpërmjet anonimiteti gjinor poeti zhvendos vëmendjen nga portreti i individit tek ndjenjat dhe situatat në poezi. Kështu psh në kushtet e anonimitetit theksi bie mbi dhimbjen e ndarjes, humbjen, dëshpërimin etj. dhe jo mbi marrëdhënien mes dy personave konkretë.

  1. Poeti zbut e kufijtë e identitetit duke mos përcaktuar gjininë e subjektit dhekrijon një ndjenjë fluiditeti. Kjo ka vlerë të rëndësishme pse tregon se ndjenja e humbjes dhe vuajtjes nuk lidhet me statusin gjinor, por  ka vlera më të gjera.
  2. Natyrshëm që anonimiteti shton në poezi elementin mistik dhe enigmatic, kulexuesi nuk është i detyruar dhe nuk i intereson të dijë kush është personi real, objekt i fjalës së poetit, por përjeton poezinë si krijim artistik nëpërmjet ndjenjave të tij, madje e bën atë (poezinë) të hapur ndaj shumë interpretimeve.

5.Poeti Ilirian Zhupa, luan me universalizimin e emocioneve, ai largohet nga narrati-vat tradicionale që kufizohen te historitë e dashurisë mes dy individëve me status gjinor të ndryshëm. Kjo është  gjetje artistike e Zhupës, e cila përforcon idenë se arti shkon përtej individit dhe flet për përvojën njerëzore në tërësi. E parë në këtë kontekst, poezinë e mësipërme mund ta lexojmë në dykuptimshmëri gjinore të heroit, por me mirëkuptimin e lexuesit ne po vijojmë të përdorim statusin gjinor të  heroit.

II-Në këtë poezi, dy kahjet e lëvizjes: “mos ik” dhe “mos vish” krijojnë një tension të fuqishëm emocional dhe dinamizëm artistic, që shfaqin ndërlikimet shpirtërore të heroit. Këto dy shprehje, ndonëse duket se shfaqin kundërshti, në realitet formojnë një dialog të brendshëm që thellon përjetimet e dhimbjes dhe humbjes, nëpërmjet vlerave emocionale dhe vlera artistike që paraqesin. Le ti analizojmë konkretisht këto elemente.

1.Vlera emocionale

a.Thirrja “mos ik” përcjell ndjenjën e frikës së heroit për humbjen e të dashurës,ajo është një lutje apo përpjekje për ta mbajtur pranë atë që po largohet, pa dhënë shpjegime për arsyen. Vargu:

“Mos ik! – të thërras me gjithë zë,

të thërras me gjithë zë marrëzisht,”

shfaq dëshpërimin e  heroit që nuk pajtohet me largimin, pavarësisht autorit të fajit  apo gabimit. Përdorimi i fjalës “me gjithë zë” dhe sidomos “marrëzisht” shfaq shkallën e dëshpërimit të tij, që i jep poezisë një ngarkesë emocionale dhe e fut lexuesin në gjendjen shpirtërore të poetit. Tonaliteti i zërit dhe melodiciteti plot dhimbje që ai mbart, e bën lexuesin ta përjetojë me një pauzë leximi para se të vijojë të strofa tjetër.

b.Shprehja “mos vish” te vargu: “Të lutem nga ike mos vish”shpalos një ndjenjë tjetër, atë të refuzimit të ringjalljes te vajza të një situate që e ka shndruar atë në në dhimbje dhe gërmadhë me ikjen e saj. Në vargun:

“Të lutem nga ike mos vish,

nga ike mos vish, se gërmadhë,

gërmadhë dhe pyll është atje,”

shfaqet pamja që ka shkaktuar ikja e saj. Heroi nuk dëshiron që ajo, e dashura e tij të përjetojë tragjedinë që ka shkaktuar duke u larguar prej tij. Ka një qasje me këngën: “Hanko mos shko nëpër varre” madje me vargjet e para të saj: “Ç’deshe ti në Kamenicë, Kamenica është kapicë”, pse fshati ishte i masakruar dhe shkatërruar dhe rapsodi nuk dëshiron që ajo, vajza e fshatit Kamenicë e martuar në një derë të fisme të Zhulatit, të shihte si ishte djegur dhe braktisur fshati i saj. Kështu dhe heroit i ishin shkatëruar ëndrrat dhe i ishin vrarë këngët nga ikja e saj. Por ai nuk do të marrë hakë për shkatërimin e tij, ai do që ajo të mos e dijë apo të mos e përjetojë gjëmën që  la pas në shpirtin e tij. Sinqerisht të vjen më shumë keq për këtë dimension shpirtëror që përjeton heroi në mbrojtje të vajzës se sa për humbjen e dashurisë së tij, pse pikërisht kjo është dëshmia më e qartë e thellësisë së dashurisë së tij.

Në këtë kontekst themi se kombinimi i këtyre dy shprehjeve: “mos ik” dhe “mos vish përcjell një gjendje shpirtërore të ndërlikuar, ku heroi as nuk e ndal largimin, as nuk dëshiron rikthimin e vajzës nëpër atë rrugë që iku, ai thjeshtë përjeton dhimbjen e tij, dashurinë që ende e ka në shpirt.Megjithë atë lind pyetja: si është rruga që ajo “iku” dhe ai nuk dëshiron që të “vijë” po andejë? Sigurisht që rruga nga është larguar e dashura nuk është një hapësirë fizike, por një rrugë simbolike e ndarjes dhe humbjes. Në kontekstin e poezisë, ajo rrugë përfaqëson rrënimin e dashurisë, një hapësirë ku dikur ka pasur lule ndjenjash të forta, por tani ka mbetur vetëm boshësia dhe “gërmadha” shpirtërore. Poeti nuk dëshiron që e dashura  të kthehet, sepse rikthimi do të përballte të dy me realitetin e trishtë, ajo që dikur ishte “lëndinë lulesh”, tashmë është “gërmadhë” dhe “pyll” .

Në këtë kontekst rrugën që ajo mori në “ikje” është një proces i pakthyeshëm, një distancë që nuk matet me kilometra, por me rrëzimin dhe rrënimin e ndjenjave dhe të një bote të përbashkët.

2.Vlera artistike

a.”Mos ik” dhe “mos vish” janë dy kahe të kundërta që krijojnë tension dinamik në poezi dhe përdorimi i tyre ndihmon në ndërtimin e një strukture poetike të mbushur me kontradikta të brendshme, duke i dhënë kështu poezisë kompleksitet e thellësi artistike.

b.Shprehjet “mos ik” dhe “mos vish” përmes përsëritjes i japin poezisë  cilësi ritmike dhe muzikale. Realisht kjo përsëritje përçon ndjesinë e insistimit dhe obsesionit, e fut lexuesin në ciklin e mendimeve dhe ndjenjave të poetit. Edhe lexuesi më sipërfaqësor  e përjeton këtë cilësi ritmike dhe muzikale, qoftë dhe në mënyrë instiktive.

c.Fraza “Mos ik” është thirrje për të ndaluar humbjen, largimin, ndërsa “mos vish” është thirrje për të shmangur përballjen me pasojat e “ikjes”. Ky kontrast thekson përplasjen e ndjenjave dhe përjetimeve të heroi, duke e bërë poezinë më të pasur artistikisht.

Si përfundim themi se qëllimi i poetit në krijimin e  këtyre dy shprehjeve në poezi nuk është vetëm një element stilistik, por është një mënyrë dhe qëllim për të ndërtuar një univers emocional dhe artistik. Ato reflektojnë ndërlikimin e ndjenjave njerëzore : dëshirën për të mbajtur atë që synon të largohet dhe frikën nga rikthimi i dhimbjes . Kjo lojë e kaheve të lëvizjes e bën poezinë tërheqëse dhe universale, duke prekur në mënyrë të thellë përjetimet e lexuesit.

III-Kemi thënë që Ilirian Zhupa është një mjeshtër i minimalizmit poetik në përdo-rimin e fjalëve, por duhet të shprehemi se  poezia  “Andej të mos vish” është një shembull etalon i këtij minimalizmi, ku një numër i kufizuar fjalësh përdoret për të ndërtuar një hapësirë të gjerë sa kuptimore aq dhe emocionale. Ky minimalizëm artistik nuk e dobëson poezinë, përkundrazi, e fuqizon atë përmes kombinimit mjeshtëror me përsëritjen, duke e shndërruar çdo fjalë në një element thelbësor dhe të rëndë kuptimor. Shtoi kësaj faktin që ky minimalizën shoqërohet me përsëritjen dhe insistimin, atëherë shohim se kemi një krijim ku forca poetike shfaq një goditje ritmike, që imponon jo vetëm lexim por edhe përjetim të vargut. Le ta shohim konkretisht këtë dukuri që nuk e gjejmë shpesh në poezinë shqipe.

1.Minimalizmi në poezi

Poezia përmban një leksik të thjeshtë, por të ngarkuar emocionalisht, ku çdo fjalë dhe frazë është zgjedhur me kujdes për të krijuar ndikim të fortë. Psh, në vargun:

“Ti je fati im që humb,

fati im që humb nëpër udhë,”

përdorimi i fjalëve si “humb” dhe “udhë” përcjell idenë e një fati të pafavorshëm për ta mbajtur atë. Kjo e bën çdo fjalë të duket si një peshë emocionale e veçantë. Në këtë kontekst minimalizmi shfaqet në strukturën e vargjeve, ku poetikja ndërtohet jo nga një bollëk fjalësh, por nga ekonomizimi i tyre, duke krijuar një efekt të fuqishëm emocional.Te këto dy vargje kemi vetëm dy fjalë që përdoren vetëm një herë, fjalët “nëpër” dhe “udhë”. Vargjet u ngjajnë dallgëve të detit që godasin bregun: vargu i parë “Ti je fati im që humb” është dallga e parë që godet bregun dhe tërhiqet shpejt, por vjen dallga e dytë “fati im që humb nëpër udhë,”  e cila merr përpara dhe pjesët e dallgës së parë që është në tërheqje (len vetëm frazën “ti je” e cila  poetikisht themi se është shndruar në stërkala) dhe e godet bregun më forcën e saj të dyfishuar. Shikoni, një figurë të tillë artistike me qasje dallgët e detit mund ta krijojë vetëm një poet që e njeh detin dhe formimin e goditjen e dallgëve në breg. Flasim për dallgë dhe jo për valë lozonjare, pse forca e vargut vjen si dallgë dhe jo si valë. Mos harroni që Ilirian Zhupa është bregdetas, se do na shërbejë përsëri kjo njohuri. Le ta shohim këtë dukuri dallgësh deti dhe te strofa e fundit e poezisë e cila pasqyron kulmin emocional te saj:

Në kthefsh ndonjë ditë për shpirt,

ndonjë ditë për shpirt e për be,

për shpirt e për be e për fe,

të lutem nga ike mos vish,

nga ike mos vish, se gërmadhë,

gërmadhë dhe pyll është atje.

Siç shihet te vargu i dytë hiqet fjala “në kthefsh” si pjesë e valëve që shndrohet në stërkalë dhe merr si shtesë “dallge” fjalët “e për be”, te vargu i tretë hiqet pjesa e parë e vargut të dytë “ndonjë ditë” dhe shtohet pjesa “e për fe”. Vargu i katërt është një varg –dallgë e re me tekstin e ri: “ të lutem nga ike mos vish”, te vargu I pestë hiqet fjala “të lutem” e vargut të katërt dhe shtohet fjalët “se gërmadhë” duke mbritur te vargu i fundit ku hiqet “nga ike mos vish,se” dhe i shtohen fjaalët “dhe pyll është atje”. Pra është tepër e dukëshme forma goditëse si dallgët e detit dhe kjo dukuri është baza mbi të cilën është ndërtuar poezia.

2.Përsëritja dhe insistimi në poezi nuk janë  elemente dekorative, por mënyrë për të krijuar ritëm, tension dhe insistim të fortë emocional. Përsëritja nuk e bën poezinë e Zhupës të tingëllojë monotone; përkundrazi, ajo shton intensitetin, forcën dhe thellësinë e mesazhit. Psh, strofa e dytë:

“Pas teje unë ngelem si guaska,

ngelem si guaska në breg,

si guaska në breg që trishton,”

tregon sesi figura e “guaskës” ripërsëritet për të thelluar ndjenjën e braktisjes dhe të zbrazëtisë nëpërmjet rishfaqjes së saj. Përsëritja dëgjohet në poezi si një klithmë e brendshme, si një thirrje që përsëritet disa herë për tu dëgjuar nga dikush që ndoshta është larg apo nuk i kupton mirë fjalët. E kemi përjetuar këtë dukuri, ndaj nuk po zgjatem më tutje.

3.Minimalizmi dhe insistimi si forcë artistike

a.Te poezia”Andej të mos vish e Zhupës shohim se si kombinimi i minimalizmit me përsëritjen përqendron të gjithë emocionin te disa fjalë dhe fraza, që për nga funksioni që u është ngarkuar duken si fjalë dhe fraza  kyçe. Lexuesi e ndjen rëndësi-në e çdo fjale dhe përjeton thellësinë e saj. Psh vargu: “Të lutem nga ike mos vish,” është i thjeshtë në formë, por i mbushur me tension emocional dhe dramatik që përcillet përmes përsëritjes së refuzimit sa që mund të marrë edhe formën e një shprehejeje (fjalë) të urtë.

b.Po ta lexosh me vemëndje poezinë ndjen, më shumë se sa kupton se minimalizmi dhe përsëritja i japin poezisë cilësi muzikore, një ritëm që ngjason me një mantra, ku mantra është një fjalë, frazë, tingull ose varg që përsëritet për të përqendruar me-ndjen, për të ndihmuar në meditim, ose për të sjellë qetësi shpirtërore e mendore. (Fjala”mantra” rrjedh nga sanskritishtja: “man” (mendje) dhe “tra” (mjet ose vegël), që nënkupton “mjet për mendjen” Në shqip gjen përdorim psh në shprehjet e tipit: çdo gjë do shkojë mirë, do na dalë për mvbarrë etj). Fjalët përsëriten jo për të lodhur lexuesin, por për ta futur në një cikël ndjenjash  e mendimesh që pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të poetit.

c.Me pak fjalë nëpër vargje dhe me një ndërtim të kujdesshëm përmes përsëritjes, poezia arrin të prekë tema universale dhe përvoja të përbashkëta njerëzore. Pra, në thelb minimalizmi në poezinë “Andej të mos vish” të Zhupës nuk është kufizim, por është një strategji artistike që e bën çdo fjalë të tingëllojë si një notë thelbësore në simfoninë emocionale të poezisë. Përsëritja e fjalëve dhe frazave krijon një ndjenjë insistimi, duke theksuar çdo emocion dhe mesazh të poezisë, duke e bërë atë një krijim që mbetet në mendje dhe zemër. Nga kjo nxjerrim si përfundim se Ilirian Zhupa është jo vetëm një poet i frymëzuar por edhe një mjeshtër i vargut poetik.

ç. Këtu vlen të theksojmë se Ilirian Zhupa arrin të krijojë poezi të fuqishme  emocio-nalish duke përdorur fjalë të thjeshta, por të ngarkuara me ndjenjë dhe tension poetik. Ai nuk ka nevojë për fjalë të mëdha apo struktura të ndërlikuara; pikërisht thjeshtësia e gjuhës i jep poezisë një ndjesi të drejtpërdrejtë dhe prekëse. Le ta shohim forcën e fjalëve të thjeshta që shfaqen te vargjet:

“Pas teje unë ngelem si guaska,

ngelem si guaska në breg,

si guaska në breg që trishton”

ku, metafora e guaskës së braktisur në breg e përçon ndjenjën e vetmisë dhe boshësisë  me një imazh të bukur dhe të ndjeshëm. Po ashtu, në strofën e fundit:

“Nga ike mos vish, se gërmadhë,

gërmadhë dhe pyll është atje.”

Këtu, fjalët “gërmadhë” dhe “pyll” nuk janë të zbukuruara, por në thjeshtësinë e tyre shfaqin një realitet të ftohtë e të pakthyeshëm, dhe  përshfaqin ndjesinë e shkatërri-mit shpirtëror që ka lënë pas largimi i personit të dashur. Sdi pse këto fjalë më ngjajnë me gurët e thjeshtë gëlqerorë me të cilët ndërtohen kështjellat.

IV- Le të bëjmë një analizë strukturore dhe artistike të strofave dhe vargjeve të tyre për të parë qartazi si funksionon kjo poezi e Zhupës, tepër e veçantë. Strofa e përbëhet nga vargje të organizuara me një përdorim të kujdesshëm të përsëritjeve, të cilat krijojnë një ritëm të ngjeshur dhe një ndjenjë të thellë emocionale. Strofa e parë:

Ti je fati im që humb,

fati im që humb nëpër udhë,

që humb nëpër udhë – dashuri,

përzënë nga dimrat dhe verat,

nga dimri dhe verërat e erërat,

dhe verërat e erërat me shi.

1.E dukëshme është përsëritja e frazave, si fjalë dhe elemente natyrore e konkretisht:

a.Përsëritja e frazës “Fati im që humb” realizohet dy herë në dy vargjet e para, duke theksuar ndjenjën e pashmangshme të humbjes. Kjo përsëritje ngulitet në mendjen e lexuesit, duke e bërë idenë kryesore më të fuqishme. “Që humb nëpër udhë” vazhdon motivin e humbjes dhe izolon fjalën “udhë” si simbol të largimit.

b.Elementet natyrore”Dimrat dhe verat,” “dimri dhe verërat e erërat,” “verërat e erërat me shi” në përsëritje krijojnë një progresion që ndërthur stinët me kushtet atmosferike, në funksion  të intensitetin emocional. Kjo përsëritje sugjeron një cikël të pafund përzënieje, përndjekjeje ku natyra bëhet bashkëfajtore e humbjes.

c.Në poezi përsëritja krijon ritëm të njëtrajtshëm, i cili pasqyron gjendjen emocionale të qëndrueshme të personazhit lirik: dhimbjen dhe ndjenjën e pashmangshme të humbjes. Përsëritja i jep poezisë një tonalitet melodik të dëshpëruar dhe figurativisht ngjason me një njeri që qëndron mbi një shkëmb në anë të detit dhe që nuk guxon të hidhet në tokë nga forca e dallgëve që përthyhen pikërsiht teshkëmbi ku ai qëndron.

  1. Ecuria e poezisë përmes përsëritjes realizohet nga individualja te universalja pse: a.Strofa fillon me deklaratën“Ti je fati im që humb.” Fati lidhet drejtpërdrejt me“ti,” përemri i një figurë qendrore që përfaqëson perssonin e dashur  të larguar. Vendosja e “humbjes” në “udhë,”, në ikje sugjeron një ndjenjë universale braktisjeje.

b.Në vargjet “përzënë nga dimrat dhe verat,” përsëritja e stinëve në progresion thekson vazhdimësinë e humbjes në kohë. Personazhi lirik përjeton braktisjen si një përjetim që tejkalon stinët, duke sugjeruar pafundësinë e dhimbjes. Vargu përmby-llës, “dhe verërat e erërat me shi,” pasqyron idenë e një bote të ftohtë, të pasigurt, ku dashuria është përzënë nga fuqitë e natyrës (dhe fatit).

  1. Figurat letrare dhe ndikimi i tyre në strukturë:

Metafora: “Fati im që humb” është një metaforë që shfaq dashurinë si fat të paraca-ktuar , por që humbet në rrugë.

Simbolika: “Dimrat,” “verat,” dhe “erërat me shi” simbolizojnë jo vetëm ndryshimin e stinëve, por më tepër kushtet shpirtërore të ndryshuara. Poeti mund të përdorte edhe figura të tjera të tipit:”Në mes të beharit seç më plevitose”, por ai ka preferuar gradacionin sinekdotik ku elementët e natyrës përfaqsojnë kalimin e kohës. Përsëri-tja kumulative, ku çdo varg sjell një element të ri, duke shtuar intensitetin dhe zgjeru-ar ndjeshmërinë emocionale i jep strofës një ndjesi përshkallëzimi.

Pra, në thelb përsëritjet në strofa  nuk janë vetëm një mjet stilistik, por një formë për të ndërtuar ecurinë e poezisë, duke krijuar një ndjenjë ciklike dhe të pashmangshme. Përmes strukturës së përsëritur dhe progresionit të detajuar, strofa shpreh fuqishëm ndjenjat e dëshpërimit dhe boshllëkut që mbizotërojnë në të gjithë poezinë. Duke qenë se këto dukuri shfaqen në të gjitha strofat, le të shohim shkurtimisht strofën e fundit për të  krahasuar progresivitetin e poezisë:

Strofa e pestë: Në kthefsh ndonjë ditë për shpirt,

ndonjë ditë për shpirt e për be,

për shpirt e për be e për fe,

të lutem nga ike mos vish,

nga ike mos vish, se gërmadhë,

gërmadhë dhe pyll është atje.

1.Analiza e strukturës dhe elementeve të reja në çdo varg

Vargu i parë: “Në kthefsh ndonjë ditë për shpirt,”

a.Strofa hapet me një shpresë, por kjo shpresë është hamendësim “në kthefsh” dhe shoqërohet me një kusht hipotetik”për shpirt” që simbolizon  rikthimin për një arsye morti, term që të kujton vizitat e vonshme të njerëzve që banojnë larg në shtëpitë e të afërmve që u ka ndodhur një fatkeqësi.

  1. Vargu:”Ndonjë ditë për shpirt e për be,” përshkallëzohet emocionalisht me shtimin e “për be,” që simbolizon një premtim solemn (be, betim, premtim) duke theksuar vlerënapo arsyen e kthimit.
  2. Vargu:”Për shpirt e për be e për fe,”shtondimension e lartë fetar, në kuptimin se ndoshta kthehet për Pashkën e Madhe etj festa fetare. Mirëpo përfshirja e “për fe”  mund të nënkuptojë një lidhje të shenjtë (të premtuar dikur) midis personazheve.

ç.Një kthesë e papritur ndodh te vargu”Të lutem nga ike mos vish,”, këtu  lutja nuk është për kthimin, por për shmangien e kthimit, më qartë, për shmangien e kthimit nga rruga nga iku.  Arsyen e kësaj shmangieje e shohim te vargu:”Nga ike mos vish, se gërmadhë”, por ne e shpjeguam më sipër.

d.Imazhi i “gërmadhës,” simbolizon rrënimin emocional dhe shkatërrimin e lidhjes së tyre, duke krijuar një ndjenjë dëshpërimi dhe pamundësie për të rindërtuar atë që ka humbur.

  1. Te vargu imazhist:”Gërmadhë dhe pyll është atje.” “Pylli” sugjeron një hapësirë të egër, kaotike, kuimazhi i “pyllit”plotëson atë të “gërmadhës,” duke përforcuar idenë se kthimi do të përballej me një peizazh emocional të shkatërruar dhe të pasigurt. Te kjo strofë poezia arrin kulmin emocional, pse kombinon shpresën dhe refuzimin në një tension të brendshëm. Përsëritja e shprehjeve (“për shpirt,” “për be,” “për fe“) krijon një  solemnitet, ndërsa kontrasti me thirrjen “nga ike mos vish” thekson realite -tin e pakthyeshëm të humbjes. Imazhet e “gërmadhës” dhe “pyllit” përforcojnë idenë e një dashurie të shkatërruar, duke e mbyllur poezinë me një ndjenjë të fortë të humbjes së pakthyeshme fizike por duke shfaqur egzistencën e dashurisë brenda shpirtit të heroit.

V-Në poezinë “Andej të mos vish”, Ilirian Zhupa ndërton mjeshtërisht një portret të ndërlikuar të një dashurie të humbur, ku gjithsesi ndarja fizike nuk njësohet me ndarjen shpirtërore. Heroi lirik e pranon se personi i dashur është larguar, por brenda tij kjo dashuri vazhdon të jetojë. Kjo ndjesi  dyfishe: humbja fizike, e jashtme dhe mbajtja e brendshme shfaqet qysh në strofën e dytë:

“Pas teje unë ngelem si guaska,

ngelem si guaska në breg,

si guaska në breg që trishton,

jo heshtja, po malli për ty,

po malli për ty fishkëllen,

për ty fishkëllen deri vonë.”

ku, poeti e krahason veten me një guaskë të braktisur në breg, një imazh që sugjeron boshësinë dhe vetminë e tij, por në vend që ta pranojë këtë mungesë si diçka statike, ai e shpreh atë në mënyrë dinamike përmes tingullit të “mallit që fishkëllen deri vonë“, duke tregon se edhe pse personi është larguar fizikisht, prania e saj ndihet fuqishëm në shpirtin e heroit.

Në strofën e fundit, ky konflikt mes pranimit të ndarjes dhe vazhdimësisë së dashu-risë arrin kulmin. Poeti i lutet të dashurës të mos kthehet andej nga ka ikur: “se gërmadhë,/gërmadhë dhe pyll është atje.” duke treguar qartë se, edhe pse heroi lirik ende e ruan ndjenjën e dashurisë brenda vetes, ai është i vetëdijshëm se kthimi nuk do të ribashkonte me atë atë, pasi rikthimi i saj do ishte “për shpirt, e për be”, i ngjashëm me vizita morti në të dyzetat, në vitin apo nëpër varre. Ky varg në realitet përforcon një paradoks emocional: heroi lirik vazhdon ta mbajë brenda vetes dashurinë, por njëkohësisht është i vetëdijshëm se kthimi i saj në realitet është i pamundur. Ai e do ende, por e do si një kujtim i shenjtëruar.

E parë në këtë kontekst themi se, poezia nuk është thjesht një elegji për dashurinë e humbur, por është së pari një meditim mbi mënyrën se si ndjenjat vazhdojnë të jetojnë brenda nesh edhe pasi realiteti ka ndryshuar. Përmes përsëritjeve, imazheve kontrastuese dhe tensionit emocional, Zhupa arrin të kapë dhe të japë atë moment të dhimbshëm kur një njeri e kupton se, edhe pse një ndjenjë mbetet e fortë brenda tij, kthimi pas nuk është më një mundësi për tu realizuar.

Sarandë,  Janar 2025

 

ANDEJ TË MOS VISH

Ti je fati im që humb,

fati im që humb nëpër udhë,

që humb nëpër udhë – dashuri,

përzënë nga dimrat dhe verat,

nga dimri dhe verërat e erërat,

dhe verërat e erërat me shi.

Pas teje unë ngelem si guaska,

ngelem si guaska në breg,

si guaska në breg që trishton,

jo heshtja, po malli për ty,

po malli për ty fishkëllen,

për ty fishkëllen deri vonë.

-Mos ik! – të thërras me gjithë zë,

të thërras me gjithë zë marrëzisht,

me gjithë zë marrëzisht – mardhmërisht,

dhe trupin mes rrugëve e lë,

mes rrugëve e lë pa mëshirë,

e lë pa mëshirë e të brishtë.

Ku humb as vetë nuk e di,

as vetë nuk e di ku firoj,

nuk e di ku firoj e ç’kërkoj,

me mend paskam ardhur tek ti,

paskam ardhur tek ti që të vdes,

tek ti që të vdes e të rroj.

Në kthefsh ndonjë ditë për shpirt,

ndonjë ditë për shpirt e për be,

për shpirt e për be e për fe,

të lutem nga ike mos vish,

nga ike mos vish, se gërmadhë,

gërmadhë dhe pyll është atje.

“Të gjallë dhe të vdekur”)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok