09/11/2024

Dashuria nuk është vepër arti, është vetë shpirti krijues i botës

0

Nga Albert Vataj

Askush, as edhe poetët nuk kanë mundur të llogaritin atë që zemra është në gjendje të bëjë… mëtoi Zelda Fitzerald

… Ka artistë të çdo lloji. Por ekziston një grup që nuk meriton më pak të lartësohen. Ata janë artistët e jetës, që përdorin mjetet e tyre që garanton një shpirt i kthjellët dhe një vullnet i bekuar nga bujaria dhe mirësia, nga dlirësia dhe thjeshtësia, nga e natyrshmja dhe shkujdesja.

Ata janë të zgjedhur të tregojnë me jetën e tyre mënyrën e të dashurariit, të shprehur atë që nuk është mundur të shprehet përmes mjeteve të rafinuara dhe formave shprehëse estetike të artit.

Pa penel, ata pikturojnë me ngjyra të gjalla ekzistencën, duke u përpirë nga çdo thellësi e ngjyrave dhe çdo lojë epshi e linjave dhe trajtave.

Pa daltë, ata gdhendin jetën e magjishme dhe e vendosin kryeveprën e tyre në të hyrë të çdo kthine, në kreshtën e çdo dallge, në gjuhëzën e çdo flake.

Pa vegla muzikore, ata krijojnë muzikë për të gjithë dhe nuk lënë pa ftuar askënd që të jetë pjesë e kësja magjie.

Pa koreografi, ata ndërthurin vallen e jetës dhe thjeshtësinë e komunikimit që vezullin në lojën e dlirë të ajrit dhe trupave, prekjeve dhe shikimeve .

Kur lindin, janë disa çaste, është një shembull, janë ata që zgjedhim të mësojnë mjetet dhe mënyrat e veprimit për të krijuar një jetë të bukur, një jetë që i shpërblen gjithnjë me lumturi. Por të njëjtat instrumente mund të përdoren për të përjetësuar të keqen dhe shkatërrimin. Ata mund të rrëzohen, por ngrihen pa i lënë kohë dhimbjes dhe dëshpërimit, fatalizmit dhe ankimit t’u presë gjunjët, t’i gremisë në gërmadhën e fatkeqësisë, të cilën jeta nuk e përjashton.

Duhet të përpiqemi, duhet vetëm të shpresojmë, se ndoshta në një fazë të jetës sonë, do të dimë të vendosim se si ta pasqyrojmë bukurinë. Veprat e vërteta të artit zverdhën nga koha, shkërmoqën në mur, kur nuk vlerësohen dhe mirëmbahen. Por një jetë me dashuri është e përjetshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok