21/12/2024

Dashuria e parë dhe e përjetshme

0
Lulet-Teatri-Dodona1

Vështrim për shfaqjen “Lulet” e dhënë premierë në Teatrin Dodona

Nga Ilir Muharremi

Një kopshtë i luleve, parajsa tokësore, një pemë me  katër degë e ngjitur  në sfond , në anën e majtë të perdes. Një mollë e vetmuar rri qetësisht në degë. Shihet që pema është ujitur mirë. Por, ajo nuk është e ngarkuar me molla, ndonëse në optikën time del jo frutore, por përmes simbolikës dhe ligjeve të skenës ajo është frutore, sepse fjala bartë peshën brenda veprimit duke e nxitë katarsisin. Kjo hapësirë etiketon kopshtin e Edenit që ngre simbolin e një parajse të mbyllur në një vazo tok me dheun e argjilës. Adami (Çlirim Shabani), Eva (Arbnora Ademi) duket sikur janë njoftuar mu në këtë kopsht plot bimësi, ngjyra, aromë luleve, ndjesi të imazhit dhe oksigjenit që ofron ky ligj i natyrës, vlerën e së cilës njeriu asnjëherë nuk e respektoj.

Që në fillim të shfaqjes “Lulet” me adaptim dhe regji të Naser Shatrollit sipas dramës së Ragip Sylës, rrjedh një situatë e thellë mendimi, mizanskenë komplekse, lëvizëse, e hapur sa në anën e majtë, para e deri në sfond, thuajse thyhet vija ndarëse e dukshme skenike ndërmjet spektatorit dhe aktorëve. Kjo hapësirë boshe mbushet nga loja e aktorëve (moderne) duke i shkuar për shtatit lëvizjeve skenike, mendimit, koordinimeve emocionit dhe veprimit të jashtëm fizik, nga një psikologji tekstuale, plot nëntekste dhe veprime e deri te përthyerja e realitetit dhe lundrimit imagjinativ e emocional.

Koncepti regjisorial shkëputet nga teksti me nëntekste të kohës sepse vet drama prek krizantemen e që në thellësi zbërthen përmes dialogut thellësitë dhe majat e zanafillës tematike.

Drama ka konflikt, tension, veprim, mundësi për të shqyrtuar personazhet. Qetësi, hapësirë për të menduar e kalkuluar spektatori, sepse vet brenda tekstit krijohet një pauzë logjike teksa personazhet pranojnë batutat nga spektri i tyre emocional, publiku konsumon imazhet e fjalive që janë pikante, të thella, përshtatura brenda limiteve të reales e herë absurdës ose nganjëherë edhe metafizikës. Herë na del Nietzsche, e pak Becketi, kalohet ka çregullimi seksual me impotencë nevrike te Hitleri, (vullneti për pushtet si fuqi).

Aktorët mbartin në vete sekretet e kohës, njeriut të parë, shumimit, vazhdimit të jetës, dashurisë, ligjit të mashkullit dhe femrës, elektrizohet debati brenda dialogut, ndonëse më shumë nga veprimi i aktorëve të cilët nuk qëndrojnë të ngjitur pas tekstit, ata krijonë një distancë emocion psikologji dhe veprim. Pra rrëfejnë ashtu siç ata ndjejnë dhe pikturojnë këtë imazh tekstual me vibrime të brendshme, natyralitet duke u nisur nga lëvizjet nëpër skenë herë të ngadalsuara, e herë të shpejta sa majtas sa djathtas.

Adami, njeri, rock yll, i dashuruar, familjar, burrë me natyrë të burrit drejt literaturës së Nietzsches i këkron Evës të bëj dashuri, epshet ngjizen pas kësaj sindrome dhe shpartallimi i tij sikur bënë bujë pasi nënshtrohet e herë mbanë pushtetin e burrit duke dominuar natyrën e brishtë të femrës. Eva kthen batutën menjëherë, nivelizon debatin, barazon tensionin dhe gjakun gjinor. Adami i bindet dhe kërkon shtimin e popullsisë, nën refuzimin e Evës. Ajo nuk ndodh derisa vet Eva e ndjen për të ndodh, fillon ledhatimi seksual, ndizen epshet, nën dritën rozë dhe muzikës, krijohet një atmosferë moderne seksuale. Eva e do Adamin dhe Adami e do Evën sepse të dy e duan njerzimin, por ky ligj është sëpari hyjnor, pastaj shkencor.

Para kësaj Eva përmend viagren, shpëtimin e njerëzimit, por në këtë rast viagra nuk bën punë sepse kopshit i Edenit është afrodiziaku që ndez feromonet. Aty nuk mungon seksi e as dashuria, por qetësia dhe harmonia, të dyja të fundit arriheshin në momentin kur Eva dhe Adami përhumbeshin dhe ngjiteshin në qiellin e shtatë. Kjo lojë ndjenjash dhe emocionesh më shumë ishte qëndisur nga koncpeti regjisorial sepse regjia si tekst i dytë hap shtigje, mbart barën dhe ndjek kulminacionin nën udhëzimin e detajeve duke respektuar tekstin, por jo edhe ruajtur sasinë e tekstit. Gjatë gjithë shfaqjes autori personazhet i vendos përballë një vetmie, por vetmia bën që ta rregullosh veten, ta filtrosh, ta kredhësh, ta dëgjosh, madje stimujt e brendshëm vijnë nga kompozime thujase hyjnore në çastet e vetmisë, por vetmia prishet nga debati dhe kalon në temë diskutimi. Atëherë shtjellohet nga persoanzhet.

Vazoja e mbushur me dhe, prejardhje, njeriu i krijuar nga kjo argjilë, jetë e heshtur e bimësisë ngjyrore që uraganet i jepin forcë dhe jetë tregon zanafillën dhe vlerën tonë. Adami fërkon fytyrën me dhe, Eva vazon e derdh në kokë dhe gjithçka prapë përfundon nën forcën tërheqëse të Njutoni. Këto zbulime qenë rezultat i punës dhe rastësisë sepse rastësia është mësuesja më e mirë, por vëmendja tejkalon rastësinë sepse ajo e bën të frytshme.

A duhet të ekzisonte edhe personazhi i gjarpërit në skenë? Ku qe gjarpëri? Një ditë kur Eva ishte vetëm, gjarpëri e pyeti: A është e vërtetë se Perëndia nuk ju lë të hani nga asnjë pemë? Eva iu përgjigj: Ne mund të hamë nga të gjitha pemët, përveç njërës. Nëse hamë frytin e asaj peme, do të vdesim. Gjarpri i tha: Nuk keni për të vdekur. Në fakt, po të hani, do të bëheni si Perëndia. A i tha të vërtetën? Jo, e gënjeu.  Eva e besoi. Lakmonte këtë fryt, e hëngri dhe i ja dha Adamit. Adami e dinte se të dytë do të vdesin po të mos i bindeshin perëndisë. Më vonë, po atë ditë, Jehovai foli me Adamin dhe Evën e i pyeti pse nuk iu bindën. Eva ia hodhi fajin gjarprit, ndërsa Adami Evës. Ngaqë Adami dhe Eva nuk iu bindën, Jehovai i përzuri nga kopshti. Në hyrje të kopshtit, ai vuri engjëj dhe një shpatë prej zjarri për t’u siguruar që të mos hynin më kurrë. Jehovai tha se edhe ai që e gënjeu Evën do të dënohej. Faktikisht nuk ishte gjarpri që i foli Evës. Jehovai nuk i bëri gjarpërinjtë që të flitnin. Një engjëll i keq e bëri gjarprin të fliste. Ai veproi kështu që ta mashtronte Evën. Ky engjëll quhet Satana Djalli. Në të ardhmen, Jehovai do ta shkatërrojë Satanain që të mos i mashtrojë më njerëzit të bëjnë gjëra të këqija. Të paktën kështu shkruan në Bibël.

Personazhet  a duken sikur të përzënë, të mos bindur, sikur këtë ngecje e kanë brenda në shpirt, por e tejkalojnë me dashurinë që kanë për njëri tjetrin si ligj hyjnor. A ekzison kjo dashuri? Apo është nevojë si mbrojtje dhe përkushtim apo shumim? Perëndia kënaqet  kur rritet njerëzimi. Por drejtësia është edhe mbi perëndinë dhe vet Zoti thirret në emër të saj.

Si përmbyllje, aktorët dhanë aq mundësi dhe forcë që ishin nga vetja duke lunduar brenda kornizave të përsonazhit. Koncepti regjisorial ishte ngjyror, e hapte skenën dhe si tërësi krijoj një mozaik metaforik me simbolikë jo edhe të thjeshtë, plotë filozofi dhe nëntekste. Muzika arrinte në dëlirë, e herë në ekstazë ngaqë djersa e aktorëve tentoj mbi normalen e ca veprimeve dhe fuqisë së zërit. Lëvzjet  skenike qenë të moderuara ashtu siç ishte përshtatja e situatave. Skenografia ishte e thjeshtë, tearale. Kostumet e moderuara të përshatura.

Ansambli i shfaqjes:

Dramatizimi dhe regjia: Naser Shatrolli

Interpret: Çlirim Shabani, Arbnora Ademi

Idea e skenografisë dhe kolona zanore: Ar Veselaj

Skenografia: Refki Gollopeni, Kostumografia: Flutura Dedinja

Dizajni ndriques: Albert Gashi

Dizajni grafik: Granit Kallaba

Video traileri: Dalmat Dobra

Koproduksion: Teatri Dodona dhe Naser Shatrolli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok