22/12/2024

“DASHURIA BEKOHET NË ELBASAN”

0
Tarelli-Terziu-Elbasan8

E bukura në art qëndron më lart se e bukura në natyrë, ngaqë përveç imitimit, shpreh edhe botën e ndjenjave të artistit. – Aristoteli

Përurim libri nga Fatmi Terziu

Nga Kadri Tarelli

Muaji i letërsisë, kam përshtypjen se i ka vënë në lëvizje shkrimtarët, poetët, krijuesit, për të organizuar takime apo kuvende libri, me kolegë në krijimtari e shkrimtari, me pedagogë, mësues, nxënës e studentë, etj, etj.

Kështu na ndodhi këto dit, më: 24, të vjeshtës së dytë, 2024, që të marrim udhën për në Elbasan, ku na priste i “zoti i dasmës”, Dr. Fatmir Terziu, ardhur kastile nga Londra, ku banon prej kohësh, për të përuruar në qytetin e tij të lindjes, librin “Dashuria Bekohet në Elbasan”, vol. II-të.

E gjithë veprimtaria u zhvillua në Bibliotekën Publike, “Qemal Baholli”, që feston së shpejti 90-vjetorin. Nuk them gjë të re, po Biblioteka, është më shumë se një vend ku dashuria për librin është e pranishme në çdo cep të saj.

Takimi, përurim libri, ishte menduar jo në formën klasike, pra me një protokoll e regji drejtimi, ku do të flisnin persona të caktuar, natyrisht me tema të zgjedhura vetë ata, më pas diskutime dhe vlerësime nga të pranishmit. Jo nuk ndodhi kështu: kuvendarët e morën fjalën sipas dëshirës, tamam si një kuvend në odë burrash, pas fjalës së vetë Autorit të librit, Dr. Fatmir Terziu.

Ai në fjalën e tij u përqendrua te dashuria, jo thjesht dashuri klasike, djalë dhe vajzë, siç mund të mendojë secili nga ne, i nisur nga titulli i librit, por te dashuria që rrezaton dhe shpërndan i gjithë qyteti i Elbasanit, dashuri me të gjitha përmasat njerëzore, familjare, shoqërore, qytetare, si të thuash me të gjitha odat, shtëpitë, lagjet, çezmat dhe rrugicat me kalldrëm, duke nuhatur aromën e luleve, trëndafilave, drurëve, limonave, portokalleve, pse jo edhe tymin e oxhaqeve, këngën e lumit Shkumbin dhe erën e Krastës.

E gjitha e përmbledhur me pak fjalë: – Dashuri e një mërgimtari, e shprehur në vargje poezie, kushtuar qytetit ku ka lindur, rritur e burrëruar, duke sjellë në kujtesë të gjitha vendet dhe toponimet të vjetra e të reja qofshin. Ai në një farë mënyre është në një mendje me fjalën e urtë Amerikane: “Dashuria e madhe për Atdheun, lind nga dashuritë e vogla për vendlindjen”

Nuk është rast i rrallë në shkrimtari, por jo edhe shumë i shpeshtë, që shkrimtari apo poeti ia kushton frymëzimin dhe ndjesitë më të holla qytetit, ku ka kaluar një pjesë të madhe të jetës. Gjithsesi ky libër që përcjell çaste të qëmtuara dashurie, mbetet si një ditar i kohëve të shkuara, të sjella artistikisht nëpër vargje të frymëzuara në kohë dhe vende të ndryshme të qytetit, ku ka bërë hapat e para në rrugicat me kalldrëm, ku ka lozur e mësuar të flasë e të këndojë shqip. Jam i bindur se çdo lexues do ta gjejë veten pjesë të këtij libri, jo vetëm elbasanlliu autokton, apo i ardhur dhe i pranuar dashurisht në Elbasan.

I pranojmë heshtur apo pa zë fjalët e të diturit Faik Konica, i cili ka thënë dikur: “Duhet të jetosh, qoftë edhe për pak kohë larg, që ta ndjesh dashurinë për mëmëdheun”.

Më pas e mori fjalën znj. Manjola Hatellari, drejtore e Bibliotekës Publike të qytetit, e cila  vuri në dukje vlerat e takimeve të tilla letrare. Të gjitha si pjesë e traditës dhe kulturës së vetë qytetit me emër të madh e të ndritur në letërsi, poezi, muzikë, pa harruar arsimin tonë kombëtar, duke pasur “Normalen e Elbasanit”, shkollë ku u përgatitën mësuesit nga të gjitha trevat tona Arbnore, veçanërisht nga Dardania.

Në këtë udhë mendimi e vlerësimi, vazhdoi edhe znj. Merita Kuçi-Thartori, poete dhe drejtuese shkolle në Durrës, duke i bërë një analizë të hollë, librit me titull të thuktë poetik: “Dashuria Bekohet edhe në Elbasan”. Poeti për poetin e ndjen më mirë ku dhe si rreh zemra, mendja dhe pulsi, ndaj Merita shprehet:  “Një refleksion i ndjerë, për mallin dhe bekimet e një autori, drejtuar qytetit të bekuar. Ndërtimi strukturor i këtij vëllimi poetik, e rendit autorin ndër diamantet e Elbasanit. Nuk është e lehtë t‘i ndërtosh, t‘i puthitësh ato si një e tërë, indet, brinjët, gjymtyrët, mendjen dhe zemrën e një qyteti. Këtë bën më së miri ‘‘Dashuria Bekohet në Elbasan”, duke synuar në rrëfime jete, që përmbushin poezinë e mendimit, brenda një oazi tè pasur figurativ, plot përjetime të gjalla, brenda një memorie të pjekur”.

Më pas e morën fjalën, poete Greta Kadare-Teta, Hiqmet Zane, koleg i vjetër gazetar, Hektor Çiftja pedagog, Lulzim Alla, etj, etj.

Një e papritur e këndshme, për të gjithë ne të vendosur rreth tavolinës në atë sallë të bukur, kur hyri Fitim Haxhiraj ardhur kastile nga Vlora, për të sjellë libra dhe një letër përshëndetje nga shkrimtarja e njohur Vlonjate, znj. Vilhelme Vrana-Haxhiraj, me rreth 60 libra të botuar, me shumë çmime dhe dekorime, këtu dhe nëpër botë, anëtare e Akademisë Shqiptaro-Amerikane, me qendër në New Jork. Letra e u lexua bukur, me ndjesi dhe nerv poetik nga Aleksandra, nxënëse gjimnazi, e pranishme në sallë bashkë me shumë shoqe të dashuruara me letërsinë e bukur. Më pas vetë Fitimi si artist i lindur, recitoi vargje për nënën, të ngulura në kujtesë që në fëmijëri të tij të hershme.

Në fund po rendis edhe unë ato pak fjalë nderimi dhe vlerësimi për autorin Dr. Fatmir Terziu, tashmë të shumë njohur, si pak kush, në botën letrare e mediatike, si gazetar, publicist, poet, prozator,  skenarist, editor dhe regjisor filmi, i cili banon dhe punon prej vitesh në Londër, në Mbretërinë e Bashkuar.

Si fillim mendoj, se libri me emër të lakmuar: “Dashuria Bekohet në Elbasan”, që i ngjan më shumë kryedashurisë, e cila  bekon e rrezaton të gjitha dashuritë e një qyteti, aq sa vetë autori është shndërruar vetë në një qiri që digjet dhe shkrihet për të përhapur, ndriçuar e bekuar dashuri, njerëzore, qytetare dhe më së shumti dashuri atdhetarie.

Unë, duke qenë prej kohësh i pranishëm, me publikimin e të gjitha shkrimeve të mia në portalin “Fjala e lire”, shpesh edhe në revistën “Albania Post”, që drejtohet nga z. Fatmir dhe shpërndahet në të gjithë botën, mendoj, madje jam i bindur se ky personalitet i letrave shqipe, është shndërruar në nj institucion që përfaqëson një copë Shqipërie dhe shqiptarie në atë vend të madh. Nuk është e lehtë që një mërgimtar si Fatmir Treziu, si çdo mërgimtar tjetër, në fillim të derdhë djersë për të mbijetuar, e më pas të fitojë gradën shkencore Dr. Në letërsi e filozofi. Më mbetën në kujtesë dhe i përsëris shpesh këto pak fjalë të rrëfyera aq çiltërsisht prej tij: “U ndodha përballë komisionit të vlerësimit prej 27 personaliteteve akademike, që nuk i kisha parë dhe as njohur më parë. Ata, titullin nuk ta japin për hatër. Bota vlerëson mendjen dhe dijet”. Tema e doktoraturës është përfshirë në një libër për studentët e Universiteteve Britanike dhe më gjerë.

Gjykoni vetëm këto pak vargje, për të ndjerë bukurinë e shpirtit të poetit:

Rrjedhat bashkohen në Shkumbin

Dhe erërat takohen në Krastë.

Karakaftet në ullishte sa mbijnë,

Me lulet e tjera bëhen bashkë……

…….

Eh, kjo nuk është thjesht dashuri,

Kur dashuria bekohet në ElbasanPoezia “Dahuria bekohet në Elbasan”. F.11.

Mirënjohje i nderuar Dr. Fatmir, për këto kuvend poezie mbajtur sot në Elbasanin tuaj.

Urime dhe suksese në veprimtarinë letrare dhe atdhetare.

Miqësisht!

Kadri Tarelli

Vjeshta e dytë, 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok