23/12/2024

DALLIMET DHE NGJASHMËRITË E PUTINIT ME MILLOSHEVIQIN DHE TË FEDERATËS RUSE ME SERBINË

0
Milloshevic-Putin-Vucic

Nga Ryzhdi Baloku

Këto ditë në mediet vendore dhe botërore si asnjëherë më parë është gjithnjë aktuale tema e agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, që dikur të dyja këto shtete ishin pjesë e një shteti të përbashkët, i cili quhej Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike. Edhe Serbia me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën etj., dikur ishin pjesë e një shteti të përbashkët që quhej Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, ndaj të cilave në vitet e nëntëdhjeta Serbia kreu agresion, mu sikurse Federata Ruse ndaj disa Republikave të ish BRSS.

Me këtë rast vendosa që nga këndvështrimi im ta bëj një analizë krahasuese për shkaktarët e nisjes së këtyre luftërave, përmes vënies së tyre në një paralele, që nga gjeneza e ngjarjeve që lidhen me agresionin serb e deri të zhvillimet e tanishme të agresionit rus.

Nëse i shikojmë me kujdes strukturat e ndërtimit shtetëror të Bashkimit Sovjetik dhe të Jugosllavisë, mund t’i vërejmë dallimet dhe ngjashmërinë mes tyre, si nga aspekti historik ashtu edhe ai politik e shoqëror.

Nga ky këndvështrim mund të themi lirshëm se Jugosllavia fillimisht ishte një kopje e Bashkimi Sovjetik, si nga ndërtimi ashtu edhe nga funksionimi. Mirëpo, më vonë, pas decentralizimit që ndodhi me kushtetutën e Jugosllavisë së vitit 1974, u krijuan dallime thelbësore krahasuar me funksionimin e Bashkimit Sovjetik, si nga aspekti ekonomik, po ashtu edhe ai politik e shoqëror.

Ngaqë temë e këtij shkrimi është zhvillimi i tanishëm i agresionit rus ndaj Ukrainës dhe ngjashmëria e tij me agresionin serb në ish Jugosllavi, do të përpiqem për t’i përfshirë disa nga shkaqet e këtyre agresioneve.

Për ta kuruar dhe shëruar sëmundjen duhet gjetur shkaktarin, andaj do të tentoj t’i gjej arsyet që i nisen luftërat në territorin e Jugosllavisë dhe të Bashkimit Sovjetik.

Thuhet se një shkëndijë e ndez një mal, andaj edhe ky agresion paraqet një rrezik të madh, i cili mund ta ndezë një luftë globale që mund ta shkatërrojë botën brenda një kohe të shkurtër.

Një fjalë e urtë thotë: “Nxjerr një kashtë, dalin gjashtë” ! Në këtë kontekst mund të themi se edhe agresioni i Federatës Ruse në Ukrainë i nxori në pah shumë çështje, të cilave bashkësia ndërkombëtare nuk iu kishte kushtuar vëmendje të duhur deri me tash.

Si duket Bota Perëndimore i kishte qitur në harresë Luftërat Ballkanike të viteve 1912/13, të cilat i kishte nxitur Rusia përmes shteteve sllavo-ortodokse që i kishte formuar vetë, pas mposhtjes së Perandorinë Osmane me 1877.

Shumica nga këto shtete të sapokrijuara ballkanike, pas një kohe u zgjeruan në tokat shqiptare përmes dëbimeve masive dhe masakrave të ushtruara mbi popullatën civile në Sanxhakun e Nishit, të Kosovës lindore.

Kjo mizori e kryer ndaj shqiptarëve që s’ishte parë deri atëherë, mund të konsiderohet edhe si gjenocidi i parë në Evropë, duke mos e harruar assesi edhe atë grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Krijimi i këtyre shteteve në truallin e Ballkanit ishte i qartë. Përmes tyre, Rusia pretendonte për të dalë në detet e nxehta, me qëllim që ta shtrinte ndikimin e saj edhe në Evropë.

Këto shtete sllavo-ortodokse, serbe, malazeze e bullgare, si dhe ai grek, satelite të Rusisë, pa ndonjë kundërshtim (asokohe) i miratonin planet dhe direktivat e shtet-ndërtuesit të tyre, me qëllim të përfitimit të ndërsjellë. Pos kësaj, mund të themi po ashtu se aspak nuk ishte rastësi edhe shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, të cilën e nisi Rusia përmes nacionalistëve serbë, me vrasjen e Franc Ferdinandit në qendër të Sarajevës, me 1914.

Serbia jo vetëm që e zgjeroi territorin e saj me ndihmën e Rusisë ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm ushtarësh e oficerësh kozakë, ajo njëkohësisht e rriti edhe numrin e popullsisë së saj përmes asimilimit të popujve të tjerë, e sidomos të shqiptarëve të besimit ortodoks, të cilët i konvertoi në serbë, ndërsa ata të Sanxhakut në boshnjakë. Zaten, një pjesë e madhe e popullatës e Malit të Zi përbëhet nga shqiptarët e asimiluar.

Pos kësaj, s’duhet harruar po ashtu se pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia (lexo: Serbia e Rusia) kreu pastrim etnik (lexo: gjenocid) edhe ndaj gjermanëve të Vojvodinës.

Më vonë edhe pas konsolidimit dhe forcimit ekonomik e ushtarak të Jugosllavisë së AVNOJ-it, nëpër republikat e këtij shteti herë pas here pati edhe vlime politike, të njohura në ato vite si: “IB”, “MAS-POK”, “PLAVA KNJIGA” etj., të cilat u eliminuan përmes “dorës së fortë” të kryetarit të shtetit të asaj kohe, Josip Broz Tito.

Edhe pas lëvizjeve të cekura dhe një periudhe relativisht të gjatë të “qetësisë së para stuhisë politike” në Jugosllavi, pasuan demonstratat e vitit 1981 në Kosovë. Këtë manifestim Serbia e shfrytëzoi si shkak që ta nisë sulmin për suprimimin e autonomisë së saj, të cilën e realizoi në vitin 1989 përmes tankeve të Armatës Jugosllave dhe fluturimeve të avionëve luftarakë mbi Kuvendin e Kosovës, seancë kjo që e zhveshi Kosovën nga shtetësia e saj.

Pjesa dërmuese e udhëheqjes jugosllave në një farë mënyre e përkrahu këtë veprim kundër-kushtetues të Serbisë, duke e bërë “kurban” popullatën shqiptare që jetonte në këtë shtet, me paramendim se Serbia do t’i përfundojë apetitet e veta. Megjithëkëtë, më vonë u pa se ajo nuk ndaloi me aq. Në vitet e nëntëdhjeta Serbia nisi agresionin mbi të tjerët, mu si Federata Ruse që i filloi luftërat pas shpërbërjes së BRSS.

Ndonëse fillimisht shpërbërja e Bashkimit Sovjetik qe kryer pothuajse në mënyrë paqësore, megjithatë më vonë pati edhe gjakderdhje, ngase Federata Ruse nisi t’i ndërzejë bashkëkombësit e vet, për t’u shkëputur prej shteteve të reja në të cilat kjo popullatë jetonte si një pakicë etnike kompakte. Me ndihmën e Rusisë, Osetia Jugore u shkëput nga Gruzia, duke e shpallur pavarësinë e saj me 28 nëntor të vitit 1991.

Përkundër përpjekjeve për ta kthyer territorin e humbur, në gusht të vitit 2008 Gruzia e humbi luftën ndaj Osetisë Jugore, të cilën e mbronin ushtarët e Federatës Ruse.

Duke marrë parasysh që secili nacionalitet i Bashkimi Sovjetik e kishte shpallë pavarësinë e tij në kufijtë ekzistues të Republikave në të cilat jetonin, edhe çeçenet e ndërmorën një hap të tillë me 1994, duke menduar se do të rezultonte me tërheqjen e ushtrisë federale ruse nga Çeçenia. Mirëpo, parashikimi i tyre doli i gabuar. Tri grupe operative ruse nga tri drejtime ia mësynë Çeçenisë, për ta futur kryeqytetin Grozni nën rrethim, të cilin e goditen pa ndonjë seleksionim, me sulme të ashpra nga toka dhe ajri.

Pas luftërave të përgjakshme dhe me likuidimin e liderit çeçen, Dudajev, në vitin 1996 u nënshkrua marrëveshja për ndërprerjen e luftës me delegacionin e këtij nacionaliteti të kryesuar nga Mashadov. Përkundër kësaj, lufta e dytë mes palëve ndërluftuese nisi serish në vitin 1999, ndërsa prej vitit 2000 e deri në vitin 2009 konflikti u zhvillua në trajtën e luftës guerile dhe kundër-guerile.

Sipas kushtetutës në fuqi, Federata Ruse në përbërjen e saj i ka 85 subjekte federale, prej të cilave 22 janë republika, ku bën pjesë edhe Çeçenia, 1 krahinë autonome e quajtur Zhidovska dhe 62 krahina jo-autonome; (“oblast” – emërtim origjinal i përshkruar me kushtetutën e saj).

Pos luftërave të drejtpërdrejta të Federatës Ruse ndaj të tjerëve brenda territorit të ish Bashkimit Sovjetik, s’duhet harruar edhe ato të nxitura e të mbështetura prej saj, qoftë edhe në formë tërthore, siç është rasti i luftës në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit për regjionin Nagorno Karabah, i banuar me shumicë armene, konflikt i cili kishte nisur rreth 30 vite më parë, që në fund pasoi me një luftë të përgjakshme. Mirëpo, me ndërmjetësimin e Federatës Ruse, në vitin 2020 arrihet marrëveshja e paqes mes tyre, të cilën edhe tash e mbikëqyr ushtria ruse.

Kur bëhet fjalë për serbët në RSFJ, mund të dokumentohet lehtë se ata gjithmonë kanë dominuar mbi të tjerët me vetë faktin se gjuha komanduese në armatë ishte gjuha e saj. Pavarësisht këtij argumenti, synimi i tyre ishte shumë më i madh. Të gjitha dëshmitë na shpijnë në konstatimin se shpërbërja e saj e kishte gjenezën në hegjemonizmin serb, që ka të bëjë me ëndrrën e tyre mesjetare për ta krijuar Serbinë e madhe.

Procesin e projektit (të ri) për Serbinë e Madhe të cilin e kishte përgatitur Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve në Beograd, Millosheviqi e nisi në Kosovë, ngaqë e konsideronte si “hallkën më të dobët” në federatën jugosllave. Caku përfundimtar i tij ishte që një nga një t’i shkërmoqë elementet e konstruktit decentralizues të Federatës, me pretendim që pastaj ta krijonin një sistem të pushtetit absolut të dominuar nga ta.

Skenarin e përmendur e filluan me mitingje, të cilat më vonë degraduan në dhunë e gjakderdhje. Qëllimi i Millosheviqit dhe klikës së tij ishte që njëkohësisht t’i frikësonte edhe të tjerët, në mënyrë që mos ta pengonin në veprimet që do t’i ndërmerrte më vonë ndaj Krahinës Autonome të Vojvodinës dhe Republikave të Jugosllavisë, ku pos në Bosnjë e Hercegovinë serbët ishin pakicë kombëtare.

Mitingjet e përmendura, udhëheqja e Serbisë i quajti “revolucion”, me qëllim që ta ndizte luftën, ngase i tërë arsenali ushtarak i Armatës Jugosllave dominohej nga ta.

Në sy të ushtrisë paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, serbët kryen gjenocid në vitin 1995 ndaj popullatës boshnjake në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa bashkësia ndërkombëtare si për çudi heshti.

Për fatin tonë, një gjenocid të tillë ndaj shqiptarëve të Kosovës e pengoi NATO, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kur njerëzimi paqedashës mendoi se u arrit një paqe e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor, Rusia e nxiti dhe e ndihmoi luftën tjetër vëllavrasëse në Siri, për t’ia mësyrë së fundmi edhe sivëllezërve të vet në Ukrainë.

Pas këtij agresioni, Bota u trand si asnjëherë më parë dhe u rreshtua në anën e viktimës, pos Serbisë së Aleksandar Vuçiqit që u radhit në anën e agresorit. Madje, për ta përkrahur Federatën Ruse organizuan edhe mitingje në Beograd.

Arsyeja e reshtimit të Serbisë në anën e Rusisë është e qartë, janë aleatë të vjetër! Kohë më parë, me miratimin e Presidentit Aleksandar Vuçiq, Federata Ruse e ndërtoi bazën e saj afër qytetit të Nishit. Prej kësaj Federate, Serbia u furnizua me sistemin e raketave Kornet, Pancir, pastaj me automjete të blinduara zbulimi, tanke moderne, helikopterë, avionë luftarakë etj.

Pos kësaj, s’duhet harruar se para pak vitesh, mercenarët serbë kishin shkuar në Krime dhe Donbas, për t’i ndihmuar ruset në luftë kundër ushtrisë së Ukrainës. Po ashtu nuk është rastësi shkuarja e grupeve adoleshente (fëmijë të luftëtarëve serbë), që t’i vijojnë trajnimet luftarake nëpër kampet ushtarake të Rusisë, me qëllim që të aftësohen dhe perfeksionohen në mjeshtërinë e vrastarëve profesionistë.

Përkundër krimeve të kryera dhe dëmeve të mëdha materiale që shkaktuan serbët gjatë luftërave në ish Jugosllavi, bashkësia ndërkombëtare nuk e detyroi Serbinë që t’i paguajë reparacionet e luftës. Përkundrazi, ajo e përkëdheli udhëheqjen e saj të re që ishte zgjedhur pas përfundimit të luftës në Kosovë, edhe pse kjo kastë politike i mohonte krimet dhe gjenocidin e kryer nga shteti i tyre.

Si duket, duke e parë këtë qëndrim oportunist të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë, madje edhe miklues ndaj udhëheqjes së saj, Rusia si fuqi e madhe botërore mori guximin dhe iu kthye ëndrrës për rikthimin e Perandorisë së dikurshme, me agresion ndaj Ukrainës, e cila ka rreth 45 milionë banorë, në një sipërfaqe prej 603.628 km2.

Si përfundim mund të nënvizoj se ngjarjet e fundit në Ukrainë e bënë bashkësinë ndërkombëtare më syçelë ndaj Federatës Ruse dhe Serbisë, siç thotë proverbi “Ra ky mort e u pamë”, andaj edhe këto zhvillime mundësuan që të shihet fytyra e vërtetë e qeverisë së Rusisë në krye me Vladimir Putinin dhe e qeverisë së Serbisë në krye me Aleksandar Vuçiqin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok