27/12/2024

Cselaw Milosz apo Peter Handke: dy anët e kundërta të Çmimit Nobel për Letërsi

0
u1_Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Në vitin 1980 është laureuar me Çmimin Nobel për Letërsi, Cselaw Milosz, polaku virtuoz, që shkroi letërsi të madhe dhe humane. Ai vlerësohet si njëra nga figura më të mëdha të letërsisë europiane dhe njëri nga më të respektuarit e shekullit XX. Ai u lind në Lituani, ku prindërit e tij emigruan për shkak të zhvillimeve politike dramatike. Pastaj, si rritur, për t’i ikur shtypjes komuniste, iku në botën e lirë, në Amerikë, dhe atje jetoi nga viti 1960 deri në vdekje, më 2004.

Në Poloni, poezitë e tij ishin të ndaluara, derisa ai fitoi Çmimin Nobel për Letërsi. Kjo e dhënë tregon se ç’frikë dhe ç’mani të çuditshme kanë pushtetet despotike nga arti dhe fuqia e fjalës artistike, para se gjithash, nga e vërteta që përçon arti dhe forca e tij për të goditur të ligen njerëzore. E Miloszi, si shkrimtar i mirë e afirmoi me këmbëngulësi një lloj të tillë të letërsisë. Si shkrimtar i dalur nga koha e tronditjeve dhe përmbytjeve të mëdha ideologjike dhe politike, ai duket një Odise i kohëve bashkëkohore, që ka treguar në poezitë e tij vlerat fondamentale të artit, atë humusin transcendental të fjalës artistike, që aspiron të ruajë dhe të shpëtojë njeriun dhe lirinë e tij nga tiranitë e ndryshme ideologjike apo nga çdo formë tjetër e shtypjes njerëzore.

Ai ka shkruar një sërë poezish fantastike, por mua më ka bërë përshtypje të madhe poezia “Dedikim” e botuar në Warsaw, në vitin 1945. Vetë viti i botimit tregon nga ç’ klithma, dhimbje, shkatërrime dhe lot ka dalë kjo poezi, në të cilën, përmes një ligjërim të thjeshtë dhe krejt të çiltër, poeti shtron përpara ndërgjegjes njerëzore dhe botës së artit një pyetje ekzistenciale:

“Ç’ është poezia që nuk mund të shpëtojë kombe ose njerëz?”

E këtë pyetja ia shtrova edhe unë vetvetes sapo dëgjova kumtin e Akademisë Suedez për t’i dhënë Çmimin Nobel për Letërsi, austriakut Peter Handkes, të cilësuar si monstër ideologjike.

Nëse i krahasojmë këto dy figura të laureuara me Nobel, e shohim qartë se Handke, një i laureuar i vitit 2019 është në taborin tjetër të humanizmit dhe me shigjetat e tij helmatisura vazhdon të gjuajë mbi kampin human, për faktin se ai u rreshtua pas diktatorit gjakpirës të Serbisë dhe mbrojti qëndrimet e tij kundrejt popujve tjerë të shtypur, siç ishim ne shqiptarët. Pra, ai u rreshtua në anën e robërisë dhe jo të lirisë.

Po – ai ishte dhe vazhdon të jetë në anën e kundërt të humanizmit, prandaj sot me të drejtë, shkrimtarë, filozofë, gazetarë të kulturës dhe dashamirës të artit dhe letërsisë, të habitur e të mërzitur pyesin: cila është mostra që duhet të ndjekin lexuesit, ajo që propozon Milosz apo Handke?

Lexuesit e sotëm dhe të nesërmen të letërsisë së mirë, kur të gjykojnë për idetë letrare, duhet të marrin mostër qëndrimet e Handkes nën llurbën e së cilës dergjet ndërgjegjja njerëzore apo ato që na propozon shkrimtari polak për fisnikërimin e ndërgjegjes njerëzore?

E unë nuk besoj të ketë njeri racional, që me mendje të shëndoshë mund të del në kampin që propozon Handke, prandaj edhe vlerësimi i Akademisë Suedeze për t’i dhënë Çmimin Nobel për Letërsi atij është krejt absurd dhe nuk mund të arsyetohet, madje, as me koncepte letrare.

Gjatë historisë së shkrimit, që nga antika e këndej, të shkruarit me përgjegjësi të lartë artistike, etike e intelektuale, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një kërkesë e përhershme që shoqëria ia kërkon shkrimtarit. Në vazhdën e shumë thirrjeve të tilla, shkrimtar i jashtëzakonshëm Franc Kafka, thoshte se, nuk ka letërsi të madhe pa të vërtetën dhe moralin. Në këtë kontekst, mund të pohojmë se letërsia e mirë dhe e madhe, gjithmonë i kërkon të vërtetat e vjetra; të vërtetat e amshueshme, të përhershme, ato të tejkohshmet – pra të vërtetat universale dhe nuk rresht së ngrituri lart flamurin e lirisë, humanizmit dhe drejtësisë.

Sepse, përparimi shoqëror nënkupton një ndjeshmëri dhe përgjigje etike karshi sfidave të përhershme që shfaqen para njerëzimit dhe humanizmit tonë. Këtë ndjeshmëri, dijet shoqërore dhe shkenca nuk mund ta japin në mënyrën e duhur, kurse letërsia ka fuqi ta injektojë njerëzimin me vlera sublime, siç janë humanizmi, kënaqësia, lumturia, dituria dhe bukuria. Mu për këtë arsye, ka shkrimtarë që me të drejtë mendojnë se letërsia është ajo e cila mund ta përmbushë boshllëkun moral të një shoqërie, dhe po ashtu, ka tagër, t’i jap përparimit forcë domethënëse dhe krijuese.

Duke medituar për këtë temë, mu kujtua edhe shkrimtari i madh italian, Italo Calvino, i cili duke besuar te letërsia dhe të mundësitë që ka ajo për t’i thënë dhe dhënë disa gjera, shkroi:

“Letërsia (dhe ndoshta vetëm ajo) mund të krijojë antitrupa, që luftojnë përhapjen e murtajës së gjuhës”.

Sot – po të ishte gjallë Calvine, si do të ndihej dhe çfarë do të thoshte?

Me siguri, ai do të ndihej i turpëruar dhe i përbuzur deri në palcë, por nuk do të ndërronte mendimin dhe besimin te letërsia dhe forca e saj humane, për ta luftuar përhapjen e murtajës së gjuhës, ashtu siç nuk do ta ndërrojnë shkrimtarët e sotëm e as ata të së nesërmes.

Sepse, letërsia ka fuqi shpërthyese dhe është e aftë t’i ndriçojë rrugët e njerëzimit dhe t’i mësojë njerëzit t’i forcojnë armët e humanizmit, kundrejt armëve të urrejtjes, ashtu siç kanë bërë gjithmonë shkrimtarët e mëdhenj.

Prandaj, unë besoj në letërsinë që i shërben humanizmit, ashtu siç besuan patriarkët e shumë të letërsisë së përbotshme dhe jo në letërsinë që i shërben të ligës e dehumanizmit.

Unë besoj te letërsia dhe të mundësitë që ka ajo për t’i harmanizuar sjelljet njerëzore dhe për të emancipuar njeriun, veçmas te mundësitë e saj të pakufishme për të trokitur në ndërgjegjen njerëzore kur ajo është e përgjumur.

Shkrimtari suedez Torgny Lindgren shkruan: “Shkrimtari shkruan vetëm gjysmën e librit, do të mund të thuhej, ndërsa për pjesën tjetër kujdeset lexuesi. Në të vërtetë, janë lexuesit ata që i japin cilësi një libri. Një lexues i mirë, bën të dëgjohet çdo libër. Një lexues i keq mund ta pengojë çdo libër.”

Në parkim me këtë, lexues i ndërgjegjshëm me të drejtë dhe i shqetësuar, vazhdon të pyet:

Cilën pjesë të letërsisë e shkroi Akademia e Nobelit me vlerësimin e 10 tetorit 2019 ?

Shkrimtari i madh amerikan, gjithashtu nobelist i letërsisë, William Faulkner njëherë tha: “Unë refuzoj të pranoj fundin e njeriut”.

Akademia Suedeze për vite të tëra është udhëhequr nga qëllime të larta dhe fisnike, dhe nuk e ka pranuar fundin e njeriut, përkundrazi e ka ndihmuar atë të luftojë për t’i mposhtë forcat e liga.

Kjo huqje kaq absurde e Akademisë Suedeze do të mbetet një njollë në ndërgjegjen e saj dhe një heshtë në ndërgjegjen njerëzore.

Po- vendimi për t’i dhënë Çmimin Nobel për Letërsi një figure që ka përkrahur diktatorin serb është absurd dhe mendja racionale nuk mund ta arsyetojë. Megjithatë, unë dua të besoj në fuqinë që ka ky institucion, para se gjithash, dua të besoj në fuqinë e letërsisë për të përmirësuar këtë gabim të madh, që domethënë për të mos pranuar fundin e njeriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok