23/12/2024

Çmimi Nobel për Letërsi është dinamit kulturor

0
Ndue-Ukaj-Kadare

Nga Ndue Ukaj

Sot bota e letërsisë dhe kulturës me sy e zemër është e drejtuar kah kryeqyteti suedez, Stockholmi, ku kumtohet lajmi për fituesin e sivjetshëm të Çmimit Nobel për Letërsi.

“Çmimi Nobel për Letërsi është dinamit kulturor”, shkroi Per Wästberg, shkrimtar dhe anëtar i Akademisë Suedeze, në një shkrim autorial të botuar para disa vjetëve në njërën nga gazetat më të mëdha suedeze, Svenska Dagbladet.

Ky Çmim me historinë e tij të lavdishme i ka dhënë shtytje dhe nxitje të pamatshme fuqisë së artit, duke e bërë atë më të rrokshëm anë e kënd botës; më të shpejtë dhe më të qarkullueshëm, dhe duke mundësuar që miliona lexues të njihen më mirë me vlerat e kombeve dhe gjuhëve tjera.

“Përjetësi është fjala” – tha Nathan Söderblom kur vdiq Alfred Nobel. Me çmimin e krijuar për letërsi, shpikësi i dinamitit i dha përjetësisë së fjalës një format universal: krijoi kulturën e nobelit.

Shkencëtari që themeloi këtë çmim e dinte se gjuha është pushtet sa një mijë ushtri, prandaj i kushtoi një vëmendje të veçantë fuqisë planetare të artit, letërsisë.

Letërsia e mirë na mrekullon dhe si e tillë ka ndikim të madh në gjithë historinë njerëzore. Ajo edukon ndjenjat për liri. Ajo nxit emancipimin dhe shërben si ilaç për shpirtin. Ajo thyen tabu dhe hap horizonte të reja. Ajo i ndihmon njerëzit që t’i zhvillojnë aftësitë e tyre për t’i artikuluar mendimet më bukur dhe më qartë. Ajo hulumton ekzistencën njerëzore në thellësi dhe lartësi. Ajo e edukon lexuesin që të refuzojë të keqen dhe fuqitë absulute të tiranive dhe çdo forme të shtypjës. Pra, ajo vazhdon të jetë përjetësia më e bukur e njerëzimit.

Shkëlqimi universal i letërsisë dhe njohja e përbotshme përmes Çmimin Nobel për Letërsi ka marrë shtrije planetare dhe një dimension të jashtëzazkonshëm. Pa dyshim, nëse e marrim dhe e analizojmë historinë e këtij çmimi, emrat që e kanë fituar atë, afirmimin që iu ka bërë shumë veprave dhe autorëve, shohim se ndikimi i tij është i pakrahasueshëm.

Letërsisë shqipe i mungon Çmimi Nobel për Letërsi, ndonëse autori ynë i madh Ismail Kadare i ka dhënë artit shqiptar nder e dinjitet ndërkombëtar, duke e bërë pjesë të kulturës së përbotshme.

E di se është klishe të përsëritet, por dua ta ripohoj: Ismail Kadare është nga autorët ma të mirë planetar, dhe si i tillë, pa kurrfarë dyshimi ai qmëmoti e ka meritar Çmimin Nobel.

Ka kohë që thuhet e shkruhet se vepra e tij letrare nuk ka nevojë të certifikohet, sepse është pranuar dhe vlerësuar universalisht nga një perandori e madhe lexuesish.

Letërsia shqipe ka nevojë për dinamitin kulturor që e dhuron Nobeli. Për të, ka nevojë gjuha shqipe dhe kombi shqiptar, që të hyjnë në vallen e popujve që kanë fituar nobelin e letërsisë.

Për këtë çmim më shumë ka nevojë gjuha dhe kultura shqiptare sesa vetë Kadareja. Për faktin e thjeshtë se vepra e tij ka prekur majat e kulturës botërore dhe jeton në ato lartësi.

“Kadare është luani i letërsisë shqipe, me një reputacion ndërkombëtar”- shkruan Rita Tornborg, shkrimtare dhe kritike suedeze, në një recension për romanin “Lulet e ftohta te marsit.”  Po, Kadareja është luan i letërsisë shqipe dhe meriton këtë çmim. Jo për asgjë tjetër, por pse shkruan letërsi të bukur, magjepse, letërsi që joshë mijëra lexues anë e kënd botës. Dhe unë lutem që sot, kur të hapet dera e Komitetit të Nobelit, aty të kumbojë emri i Ismail Kadaresë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok