ÇLIRIMI I KOSOVËS DHE KËRKESAT E ILEGALES SHQIPTARE DERI MË 1999
Kumtesë e mbajtur në konferencën shkencore “Kosova 1989-1999: Organizimi dhe qëndresa për çlirim”
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Çështja e Kosovës, e cila gjatë regjimit komunist paraqiste një problem “të zgjidhur” nën hijen e propagandës jugosllave paraqiteshin se çështjet nacionale ishin zgjidhur përfundimisht, por, në fillim të viteve të 90-ta nisën të kalojnë kufijtë e ish-Jugosllavisë dhe të marrinë dimensionin e një problemi, që kërkonte involvimin e kancelarive botërore.
Interesimi i shprehur nga bashkësia ndërkombëtare për çështjen e pazgjidhur shqiptare mund të thuhej se kishte ndodhur menjëherë pas demonstratave studentore të vitit 1981 dhe dukshëm vjen në shprehje pas vitit 1989.
Natyrisht, se të gjitha këto ngjarje patën jehonë pozitive edhe në Kosovë dhe tek shqiptarët, që për një të drejtë të natyrshme historike ishin angazhuar që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e këndej. Por, kthesën më të madhe, Lëvizja Ilegale Kombëtare Shqiptare e pëson më 1981 dhe e përfundon në fund shekull 20, në kohën kur zë fill formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e tërë lufta kurorëzohet me çlirimin e saj. Kjo edhe është periudha më e rëndësishme; është përmbyllje kulminante e një lëvizjeje të gjatë ilegale në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare të ish- Jugosllavisë.
Duhet theksuar se, edhe brenda organizatave politike të kohës kishte dallime rreth artikulimit programor, se cila ishte platforma më e mundshme dhe më e përshtatshme që duhej të përdorej për rrethanat e kohës, për të ardhur deri te një strategji e përbashkët e veprimit. Organizatat ilegale që vepruan në këtë periudhë, që të gjitha mund të thuhet se punonin në bazë të Programeve politike dhe kishin Statutet e tyre. Programet, platformat dhe synimet e tyre ishin thjesht të karakterit kombëtar dhe qëllimi suprem i të gjitha atyre ishte mëvetësia e Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë. Dallimet konsistonin në atë se si duhej t’i qaseshin zgjidhjes së çështjes kombëtare, ngase veprimtaret e ilegales asnjëherë në qëndrimet e tyre nuk ishin dogmat, por varësisht prej rrethanave kombëtare e ndërkombëtare, krijonin edhe qëndrimet e tyre. Këtë të dhënë më së miri e dëshmon evoluimi i qëndrimeve rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës në situata të caktuara, që do i paraqes, të përmbledhura në tre opsione si: 1. Bashkimi i të gjitha tokave shqiptare me Shqipërinë; 2. Bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një republikë brenda Jugosllavisë dhe nën 3. Republika e Kosovës.
Që të tri këto opsione të shtruara nga veprimtarët e ilegales të Lëvizjes Kombëtare, në periudha të ndryshme kohore, kishin edhe bartësit e vet ideor. Opsionin e parë për bashkimin e trojeve shqiptare me Shqipërinë në programin e saj e kishte paraparë LNDSH, LRBSH, OMLK dhe Lëvizja Nacionale për Çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare në Jugosllavi.
Opsion e dytë e kishte paraparë organizata “Partia Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi”, e cila në programin e saj parashihte bashkimin e të gjitha trojeve ku shtriheshin shqiptaret në një republikë në kuadër të RSFJ-së.
Megjithatë, veprimtaria dhe mendimi politik i shqiptarëve në Kosovë nuk u zhvillua shlirshëm, si pasojë e statusit politik e juridik të popullit shqiptar në Jugosllavi; si pasojë e pengesave që vinin nga represioni i madh nga Republika e Serbisë dhe Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, e cila nuk pranonte alternativë tjetër të zhvillimit e të mendimit politik; si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomike, arsimore e kulturore dhe si pasojë e faktit se angazhimi politik për Pavarësinë e Kosovës zhvillohej nga veprimtarët që vepronin në ilegalitet.
Opsioni i tretë, apo zanafilla e idesë për Republikën e Kosovës ishte shpalosur fillimisht me demonstratat e vitit 1968. Por si më e sforcuar u paraqit në formë të plotë, në periudhën e demonstratave të vitit 1981 e 1989. Kjo kërkesë ishte shtrua madje edhe në diskutimet publike që u bënë menjëherë pas rënies së Rankoviqit. Këto biseda, sipas dokumenteve, dëshmojnë se janë zhvilluar edhe mes të udhëheqësve të Kosovës me udhëheqësit më të lartë të Jugosllavisë. Kosova-Republikë, pas shumë bisedimeve në mes të veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare ilegale, ishte kërkesë e të gjitha grupimeve ilegale pas vitit 1968, 1981, 1989, që më vonë do të bëhet kërkesë e gjithë popullit shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera jugosllave të banuara me shqiptarë. Kërkesa për Republikë, për kohën ishte më e përshtatshmja ngase prapa kësaj qëndronte kërkesa për bashkim kombëtar me shtetin amë-Shqipërinë. Prandaj, këtu edhe qëndron çelësi i zgjidhjes së problemit të quajtur Kosovë. Andaj, ngjarjet në vijim hapën një kaptinë të re brenda kombit shqiptar, hapën një proces të ri politik edhe për shtetin shqiptar.
Me ngjarjet e viteve 1989 e këndej që pasuan në ish-Jugosllavi, me një mënyrë filloi edhe dekompozimi i federatës jugosllave, ndërsa shqiptarët si andej e këndej kufirit iu rikthyen qytetërimit të vet, pra bashkësisë së qytetërimit evropian.
Mirëpo, pas ndryshimeve të shumta politike që pasuan në mes viteve 89-99 të shekullit të kaluar, veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që vepronin në ilegalitet, por edhe ata që vepronin në parti të ndryshme politike legale që u formuan gjatë kësaj periudhe, duke e par dhe hetuar ndikimin e faktorit të brendshëm dhe të atij ndërkombëtarë, në qëndrimet e veta filluan të bënin korrigjime në qasje dhe në organizim.
Programet politike e kombëtare dhe mjetet e format e luftës me të cilat parashihej të arriheshin qëllimet e saja, në esencë kishin mbetur të pandryshueshme gjatë gjithë historisë së lëvizjes kombëtare. Por, forma më e lartë e rezistencës, lufta e armatosur, ndonëse ishte pjesë e programeve, por edhe e praktikës historike të lëvizjes kombëtare, arriti të zbatohej në tërë kuptimin dhe gjerësinë e saj, vetëm në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, atëherë kur u krijuan kushtet e brendshme dhe të jashtme për të, kur u poqën faktorët subjektivë dhe objektivë të lëvizjes. Brezat e mëparshëm të lëvizjes ilegale, nuk mund ta bënin këtë, në Jugosllavinë stabile e me prestigj ndërkombëtar dhe në rrethanat e luftës së ftohtë., që karakterizonte gjithë periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, deri nga fundi i viteve të gjashtëdhjeta, por as gjatë të ashtuquajturës detantë, që e pasoi të parën. Megjithatë, lufta çlirimtare përgatitej dhe zhvillohej shkallë-shkallë përballë valëve të egra të dhunës që ushtronte pushtuesi.
Ky besim dhe ky angazhim i pa kursyer i ilegales dhe besimi i madh në popullin e vet, ndikoi që të formohej edhe UÇK-ja, ngase çdo organizatë ilegale në ish Jugosllavi, në programet e tyre, përveç zgjidhjes paqësore të çështjes shqiptare ato parashihnin edhe zgjidhjen me luftë, andaj dalja në skenë e UÇK-së nuk ishte e rastësishme dhe se ishte krahu më i natyrshëm i Lëvizjes Kombëtare në Kosovë që nga viti 1945. Lufta e Kosovës nën udhëheqjen e UÇK-së, dhe ndihma e madhe nga faktori ndërkombëtar që sollën lirin që ne sot e gëzojmë, dëshmon dhe provon se ishte vepra më madhore e të gjithë atdhetarëve që u angazhuan për Pavarësinë e saj duke mos kursyer as jetën e tyre.
Ky organizim i ri dhe kjo qasje e re politike e ushtarake me kohë kishte kaluar barrierat ideologjike dhe nuk e shihte më veten pre të asnjë ideologjie. Bile, për hir të interesave më madhore kombëtare, gati të gjithë ish të burgosurit politikë në vitet e 89-99, me daljen nga burgu kishin aderuar në radhët e LDK-së, e parti të tjera të formuara legalisht, vetëm e vetëm që të bënin unitetin kombëtar edhe më të fuqishëm, por ka ndodhur edhe kjo se më vonë kur po ata iu bashkonin radhëve të UÇK-së, paraprakisht deklaronin se nuk i takonin asnjë partie, se për ta ekzistonte vetëm UÇK-ja si faktor politik e ushtarak i Kosovës. Në këtë luftë dhe në këtë angazhim të veprimtarëve ilegal dhe të shqiptarëve në përgjithësi i kishte ndihmuar dhe mbajtur gjakimi shekullor i shumë gjeneratave që ishin flijuar për pavarësinë e tokave shqiptare.
Vetëm kur të studiohet mirë e shkencërisht kjo periudhë do të kuptohet më mirë e më drejt e tërë situata politike e ushtarake në të cilën kaloi Kosova.
Është karakteristik se, në këtë kohë organizimi i lëvizjes ilegale kombëtare kishte pësuar ndryshime të mëdha. Grupe të vogla që vepronin ilegalisht pas demonstratave studentore të ’81 filluan të bashkohen dhe të formonin organizata më të mëdha po që kryesisht vepronin në interes të zhvillimit të Kosovës dhe të krijimit të kushteve të reja, qoftë në ngritjen e pozitës kushtetuese të saj, qoftë për përmbushjen e idealit të ilegales-bashkim kombëtar.
Vitet 1991-1999, janë vitet më kulminante të Lëvizjes politiko-ushtarake në Kosovë, dhe në historinë më të re të kombit tonë, me të drejt duhet të cilësohej si periudha e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).
Dhe, krejt në fund duhet thënë se rëndësia e kësaj politike dhe e kësaj lufte më vonë kishte shënuar ngritje graduale pozitive, mund të thuhej që nga Rezoluta e Parlamentit Evropian (1989) e deri te përkrahja e Planit Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit. Zgjidhja e çështjes së Kosovës, e cila ishte edhe sfida e fundit e madhe që kishte mbetur në Ballkan pas shpërbërjes së Jugosllavisë, respektivisht bërja e pavarësisë së Kosovës mbi bazën e Planit të Ahtisarit, i cili përbën një zgjidhje kompromisi, është një sprovë përfundimtare për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, të SHBA-ve dhe e Bashkësisë Ndërkombëtare në përgjithësi.