08/10/2024

Chapeau Vjosa Osmani!

0

Nga Sonila Meço

Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim për t’u kujtuar gjatë në takimin për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Çfarë e bën një fjalim politik historik nuk është as minutazhi i duartrokitjeve, apo “zhurmëhania”, që e shoqëron në rrjete sociale për tre ditë, por ajo që do mbajmë mend pas një viti prej tij.

Fakte, të dhëna, histori, logjikë, metafora, thirrje për veprim dhe një lexim i pastër, i rrjedhshëm, i vendosur, me thekset e duhura në fjali e me një anglishte të shkëlqyer…këto ishin përbërësit e një fjalimi, që mund t’i rezistojë kohës si dëshmi jo vetëm e situatës së Kosovës, sjelljes së Serbisë, rreziqeve e potencialeve të shqiptarëve në rajon, por edhe si një kapitull në manualet ndërkombëtare të të folmes publike.

Dhe pas një viti nuk do mbahet mend nëse duhej të qe prezente Presidentja e Kosovës a jo në në takim Këshilli Sigurimi ku përfaqësimi është ulur në nivel ambasadorësh, por çfarë kumtoi, çfarë ndriçoi e nguliti në mendjen e çoroditur të njerëzve.

Dhe nuk nisem hiç nga guximi për përplasje me Ministrin serb, nga frymëzimi momental i patetizmit që bulëzon vetëm një fjalim, apo entuziazmi tipik, që shkakton një deklaratë populiste a fjalim i zjarrtë që synon të ndryshojë faktet (siç u komentua nga disa pro serbë qëndrimi i Osmanit). Por nga ajo çfarë ngulit në ndërgjegjet edhe më të arnuara me një aftësi të shumfishtë prezantimi dinjitoz i një vendim-marrëseje të rëndësishme shqiptare.

Mund të jeni, ose jo dakord me Vjosa Osmanin, mund të jetë jashtë ose brenda përkatësisë suaj politike, por teksa shoh një grua të qetë, të artikuluar, të vendosur, logjike, të kthjellët, “armatosur” me fakte e jo patetizëm në një foltore hijerëndë si ajo e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që bën diferencën dukshëm në argumenta e shprehi me Ministrin e Jashtëm Serb unë kuptoj se zgjidhjet e mira nuk vijnë nga “paqja” e sforcuar për të siguruar karriera liderësh lokalë, por dinjiteti i mbrojtur me fakte e aleatë të rëndësishëm. Dhe në këtë takim Vjosa ishte bindëse, e saktë, e guximshme.

Dhe tejet e dobishme, në kohën dhe vendin e duhur për rolin e imazhin e shqiptarisë.

Dhe me thënë të drejtën e bëri të ngjajë aq anadollak, provincial e të kyçur në mendësi arkaike Ministrin e Jashtëm serb, duke dëshmuar se kush në fakt janë politikanët e shantazhueshëm e të kapur interesash pushteti vetjak në Ballkan.

Imagjinoni, fakti më domethënës për Selakoviç qe se nuk janë 20.000 gra të dhunuara në Kosovë gjatë luftës, siç deklaroi Osmani, por 920, duke iu referuar Sekretarit të Përgjithshëm të UNMIK-ut (institucion për të cilin Osmani i argumentoi të pranishmëve se është tashmë shpenzim i kotë, i tejkaluar, mision që edhe SHBA-të kanë kërkuar me kohë të përmbyllet, duke u bërë edhe kundërproduktiv).

Pra shkurt e frëngjisht:

Chapeau Vjosa Osmani!😊

https://www.facebook.com/sonilamecoA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok